Nga Gjon Marku
- tregim
Tërë kohën e lume vishej, krihej dhe priste pas perdes, që të dallonte siluetën e saj në tërthoren e kryerrugicës. E dinte mirë orën kur ajo dilte. Në zemër i kishte hyrë gëzimi, si zogu në çerdhe.
Pastaj dilte dhe e shoqëronte në kursin e violinës. E priste të dilte prej andej, në gji të muzgut, dhe të dy, si dy pëllumba, vinin nëpër rrugicë. Ai e përcillte deri në tërthoren e kryerrugicës, pranë së cilës gjendej shtëpia e saj. Ndiente mall dhe, me gjithë shpirt, do të donte të ecte me të anembanë qytetit. E kërkonte në klasë, mes shokëve, në oborrin e shkollës. Gjithsesi, i druhej ndjenjës së vet dhe nuk guxonte t’i thoshte atë që i ziente në zemër.
Por netët pa gjumë po shtoheshin.
Ashtu kishte ndodhur edhe atë natë fundprilli. Ishte përpëlitur pafund në krevat, derisa ia kishte behur një rreze hëne, sado e zbehtë. Ishte ngritur dhe kishte hapur dritaren. Prej xhamave të saj kishte hyrë e vetmja rreze drite. Hëna sikur ishte ulur në prehrin e një reje dhe fshihej, si një vajzë që me turp mbulon gjoksin. Drita e saj i kishte spërkatur lëndinat me nur.
Nata ishte në të sosur. Ndonjë yll, që shquhej mes reve të rralluara, sikur puthte agimin. Shpirti i hënës pikonte ëmbëlsi në dhomën e tij, atje, në katin e dytë të shtëpisë së vjetër shkodrane.
Ngadalë u ngrit dhe u drejtua nga dushi. Pasi u la, ende krejt lakuriq, u ndal para pasqyrës dhe për disa çaste nisi të merrej me flokët. Jashtë, mjegulla hollohej e tërhiqej drejt shelgjeve, si një pëlhurë e shtrirë mbi liqen.
Kur ishte pranë saj, zemra i rrihte fort. Dhe ajo, në heshtjen e saj, dukej sikur priste prej tij një fjalë të ëmbël.
– Në sytë e tu pi dritë një ylber, kishte mundur t’i thoshte një ditë më parë, kur ktheheshin bashkë nga shkolla.
Ajo ishte ndalur për një çast, kishte zgjatur trupin drejt tij dhe e kishte puthur në faqe. Pastaj ia kishte dhënë vrapit drejt portës së saj, ndërsa ai kishte ndier një valë të nxehtë t’i pushtonte fytyrën.
Nga ajo puthje, mendimet iu ndezën flakë. Puthja e saj e papritur i kishte shpërthyer në shpirt si rrufe. Jashtë kishin çelur lulet e blirit. Atë natë kishte mbetur krejt pa gjumë.
E kishte harruar se ishte krejt i zhveshur. U kujtua vetëm kur dëgjoi zërin e të atit që e thërriste. U ndje i turpëruar nga lakuriqësia e vet.
U vesh shpejt dhe doli në dhomën e ndenjjes, ku i ati e priste.
– Kam një lajm të gëzuar për ty, – i tha.
Mikeli e pa me kërshëri.
– Në vjeshtë do të shkosh student në Universitetin e Padovës, ku do të studiosh drejtësi.
Ishte ëndrra e tij e kahershme.
Mikeli iu hodh në qafë të atit dhe e përqafoi fort. Atë ditë nuk shkoi në shkollë, sepse, bashkë me të atin, iu desh të merrej me dokumentet që duhej të paraqiteshin në ambasadë. Po atë ditë, i ati dhe e ëma u nisën drejt Tiranës për të takuar një të afërm të tyre, që punonte në Ministrinë e Jashtme.
– Nuk kthehemi sonte dhe ndoshta as nesër në darkë nuk do të mund të kthehemi, – i kishte thënë i ati. – Prandaj, kujdesu për veten.
Ai djalosh, i lumturuar si rrallëherë, mezi e kishte pritur këtë çast. Sapo makina kishte marrë rrugën drejt daljes së Shkodrës, kishte vrapuar në oborrin e shkollës. Priste të dilte ajo nga mësimi. E kishte dalluar mes shoqeve dhe e kishte thirrur.
Dëshira e pabindur i strukej në gjoks.
Tërë kohën e lume kishte pritur këtë çast. Kishte ditë e muaj që e shoqëronte çdo ditë në kursin e violinës. Donte t’i tregonte lajmin që sapo kishte marrë, por, kur e pa përballë, u hutua krejt.
E kishte thirrur dhe ajo kishte ardhur drejt tij.
Në vend që t’i fliste për të drejtën e studimit, i kishte thënë se e donte shumë. Ajo ishte skuqur, ndërsa ai kishte vijuar të fliste.
– Në vjeshtë do të jem student në Padovë.
Pastaj të dy kishin marrë udhën drejt rrugicës së tyre.
– Gjethëruan shelgjet anës së lumit, – kishte thënë ai në një çast dhe e kishte ndalur për krahu.
Brigjeve të atij lumi, ku pranvera bulonte mes shelgjeve, një ditë më parë kishte njohur puthjen e saj të ëmbël. Por tani donte ta provonte sërish atë mrekulli. Fjalët sikur e humbën fuqinë e tyre magjike. E afroi pranë trungut të shelgut lotues dhe, në atë çast, ndjeu dy buzë të njoma që iu bashkuan të tijave. Një rrëmbim i ëmbël, një flakë e papërmbajtur, i përshkoi gjithë qenien. Për të, ishte një çast i vërtetë trimërie.
Zogjtë shkulnin copa myshku dhe rendnin drejt ndonjë hatulle, për të thurur me të çerdhet e veta.
Mbi lumë, dhjetëra lejlekë të bardhë, si shenjtër të pranverës, i lumturoheshin dritës. Më tej, në ujërat e liqenit, pulëbardhat hidhnin valle mbi valë.
U kthyen nga e njëjta rrugicë prej së cilës kishin ardhur. As vetë nuk e kuptuan pse po ecnin kaq shpejt, pothuajse duke vrapuar. Ai u ndal pranë portës së tij, ndryshe nga herët e tjera.
– Unë sonte jam vetëm, – i tha.
I shkeli syrin dhe u fut në oborr.
Ajo rendi drejt portës së saj.
***
Po afrohej ora kur ajo zakonisht shkonte në kursin e violinës. Ai ishte para pasqyrës, duke rregulluar baluket, kur dëgjoi trokitjen në derë.
Ishte ajo.
Hyri si një drenushë, e lehtë dhe e trembur. Ai u ndez përnjëherësh prush.
Në pellgun e shatërvanit, pas reve që lëviznin ngadalë, fshihej një cep i hënës. Përkëdheljet nisën të kërkonin njëra-tjetrën. Loja u ndez, duart dhe buzët u ngatërruan në një gjuhë që nuk kishte nevojë për fjalë. Nata sikur drithërohej prej zjarrit të rinisë.
Ai e ndjeu veten të pushtuar nga një tërbim i ëmbël, nga ajo dehje e çastit kur njeriu harron gjithçka tjetër. Për pak çaste, bota e tij u ngushtua vetëm në frymën e saj, në përqafimin e saj, në bardhësinë e trupit të saj.
Pas asaj nate të papritur, kur rinia u dorëzohet ndjenjave dhe harron çdo kufi, ajo ishte larguar e vetme.
Ai hapi dritaren.
Natë mbi qytet.
Nëpër errësirë dëgjoi një tingull të ëmbël violine.
Ishte mosha kur dashurohej me fuqinë e rrufeve.
Dhe ishte edhe mosha e ndarjeve – sepse asaj vere, para se gjethet e para të vjeshtës të bienin mbi kalldrëm, valixhja e tij priste tashmë gati pranë derës, si një kujtesë e heshtur se çdo dashuri e parë ka datën e vet të largimit.
***
Natën para nisjes, e kishte pritur për herë të fundit pranë shelgut lotues. Nuk i kishin thënë shumë fjalë. Ajo i kishte dhënë një shall të thurur me duart e veta, të mbështjellë me erën e saj, dhe i kishte kërkuar vetëm një gjë:
– Mos harro rrugën për në shtëpi.
– Do të kthehem çdo verë, – i kishte premtuar ai. – Dhe do të të shkruaj çdo javë, deri sa fjalët të mos më mjaftojnë më.
E kishte mbajtur fjalën. Letrat udhëtonin nga Padova në Shkodër dhe prapë, përtej detit, si zogj shtegtarë që s’lodheshin kurrë. Kështu kaluan katër vjet — të gjata për zemrën, të shpejta për kalendarin.
Ishte nisur drejt Padovës, ku do të vijonte studimet. Ajo e kishte frymëzuar netëve të gjata në universitet. I shkruante me mall dhe mundohej të zgjidhte për të fjalët më të ëmbla e më të bukura.
Ndonjëherë e përfytyronte portretin e saj në vend të njërit prej portreteve të grave të përjetësuara nga Mikelanxhelo në Kapelën Sistine. Në mendjen e tij, arti, dashuria dhe malli për të shpesh bëheshin një.
Dhjetëra herë kujtonte ëmbëlsinë e çasteve të jetuara bashkë, magjinë e përqafimeve dhe atë lumturi të papërsëritshme që i kishte falur dashuria e parë.
Ishte i lumtur dhe i suksesshëm. Jeta e tij sikur po shkonte vaj. E përpjeta vazhdonte. Por ndërkohë që ai zbardhte faqe mbi faqe të një teze doktorature, në atdhe rrënjët e një bote po shkuleshin: lufta kishte marrë fund, dhe një tjetër, e heshtur, sapo kishte nisur – lufta për të vendosur kush do të shkruante ligjet e së nesërmes.
Në letrat e fundit, i ati i shkruante gjithnjë e më rrallë për shtëpinë e për të dashurën, dhe gjithnjë e më shpesh për “kohët e reja”, për njerëz që “duheshin vënë në krye”. Mikeli i lexonte ato radhë me një shqetësim që s’e kuptonte mirë as vetë – një paranjohje, ndoshta, e diçkaje që ende s’kishte emër.
Kur, më në fund, kishte dashur ta mbanin profesor në universitetin ku kishte studiuar, ai kishte vendosur të kthehej në vendlindje.
Atje e priste ajo.
E priste gjithashtu një karrierë e shpejtë, siç i shkruante i ati. Por mbi të gjitha, donte të bënte diçka për vendin e tij, i cili sapo kishte dalë nga lufta. Besonte se njerëzit e shkolluar ishin ata që duhej të viheshin në krye, për të ndërtuar një jetë të re mbi rrënojat e së shkuarës.
***
Kthehej përmes Kanalit të Otrantos.
Dritat e qytetit të Barit mbetën pas, duke u mbështjellë ngadalë prej territ të natës, ndërsa anija mori udhën drejt lindjes, mbi fushën e zezë e të pafund të detit.
Koha i kishte rrëshqitur nën duar si gjarpërinjtë mes gurëve, dhe tani ai po kthehej, duke lënë pas vitet e bukura të studimeve.
Valët e zemëruara nguteshin të përplaseshin me anijen. Pas saj mbetej një shteg shkume e bardhë. Mbi ujëra, yjet regëtinin.
Ai qëndronte në kuvertë dhe priste të shihte vendin e tij. Por nata ishte e gjatë dhe mëngjesi dukej sikur nuk s’po vinte kurrë.
Nuk kishte shtrirë asnjë çast trupin në krevatin e dhomës që kishte marrë me qira që në Bari. Më në fund, u ul në njërën prej tavolinave në cep të kafenesë së anijes dhe hodhi vështrimin jashtë.
– Një konjak, – i tha kamarierit.
Pastaj mbështeti kokën pas ndenjëses.
Lodhja i ishte ulur mbi vetulla. Gjumi iu përvodh syve dhe e mbajti në krahët e tij deri në të dalë të dritës.
Mëngjesi mori jetë me cingrimën e shkurtër dhe të fortë të një zogu. Ai brofi në këmbë.
Pulëbardhat suleshin mbi valë.
Anija u ndal në portin e vjetër të Durrësit. Prej andej, me një makinë të vjetër, mori rrugën drejt Tiranës, ku tashmë ishte vendosur familja e tij.
Një tufë e madhe sorrash kishte marrë udhën drejt pyjeve, në të djathtë të rrugës. Plugjet e rënda kafshonin hamulloret e katundeve. Fshatrat që ai kujtonte të mbjella e të qeta ndrynin tani me flamuj të kuq nëpër sheshe, dhe në ndonjë mur porsagëlqeruar, shkruar ende me boje të lagësht, dukeshin parullat e para të kohës që sapo kishte lindur.
Mikeli mbërriti në Tiranë, ku tashmë ishte vendosur familja e tij. Por aty gjeti një realitet tjetër, një botë që nuk e njihte dhe që as mund ta kishte përfytyruar. Në pushtet kishin ardhur ata që kishin bërë luftën dhe tashmë kishin vënë ligjet e tyre. Njëri prej atyre që kishin rënë për çlirimin e vendit ishte edhe xhaxhai i tij.
Falë shkollimit dhe rezultateve të tij, Mikeli ishte emëruar prokuror i shkallës së lartë. Në fillim gjithçka dukej se po shkonte mrekullisht. Kishte ardhur nga një universitet prestigjioz, kishte një të ardhme të sigurt dhe përpara tij dukej sikur hapeshin dyert e një karriere të shpejtë.
Por jeta e vështirë sapo kishte filluar.
***
Ministri e kishte thirrur në zyrë një pasdite të zymtë nëntori.
Zyra ishte e madhe, e ftohtë, me një portret të varur në mur dhe një tavolinë të gjatë prej druri të errët. Ministri nuk u ngrit menjëherë. E la Mikelin të priste në këmbë, para se, me një gjest të ngadaltë, t’i tregonte karrigen përballë.
– Ulu, shoku prokuror.
Mikeli u ul. Duart i mbante të kryqëzuara mbi gjunjë.
– E ke parë dosjen? -e pyeti ministri, pa e ngritur shikimin nga letrat që kishte përpara.
– E kam parë.
– Dhe?
– Nuk gjej prova që të vërtetojnë akuzën e rëndë. Dëshmitë janë të kundërta njëra me tjetrën, dhe…
– Nuk të pyeta për procedurën, – e ndërpreu ministri me qetësi, gati me përkëdheli në zë. – Të pyeta si e sheh ti çështjen.
Heshtje.
– Njeriu që gjykohet, – vazhdoi Mikeli, – nuk ka kryer krim që meriton njëzet e pesë vjet.
Ministri më në fund ngriti sytë. E studioi Mikelin gjatë, si të ishte një send që po e vlerësonte.
– Ti je i ri, shoku prokuror. Dhe unë e vlerësoj rininë. Por rinia ndonjëherë e ngatërron drejtësinë me ndjenjën.
– Nuk e ngatërroj, shoku ministër. E njoh njeriun që gjykoj. Ka qenë shoku im i bankës, që kur ishim fëmijë.
Fjala i doli vetë, para se ta ndalonte. Ministri buzëqeshi lehtë, një buzëqeshje që s’i arriti sytë.
– E di, – tha. – E dimë të gjitha, shoku prokuror. Për këtë pikërisht të thirra këtu – që ta dëgjosh nga goja ime, jo nga dikush tjetër: çështja ka rëndësi të veçantë. Nuk ka të bëjë me shokun tënd të bankës. Ka të bëjë me atë se çfarë përfaqëson ai.
– Çfarë përfaqëson?
– Familjen e tij. Emrin e tij. Njerëz si ai, nëse i lëmë të lirë sot, nesër na presin në qoshe të tjera. E kupton?
– E kuptoj, – tha Mikeli ngadalë, – por s’më duket drejtësi.
Ministri u mbështet pas karriges dhe i shqoi sytë drejt tij, si t’i kërkonte diçka që Mikeli s’e kuptonte plotësisht.
– Drejtësia, shoku prokuror, është ajo që i shërben popullit. E kupton këtë dallim?
– I kuptoj fjalët, – u përgjigj Mikeli. – Nuk e kuptoj se si njëzet e pesë vjet burg për një njeri të pafajshëm qw i shërbente popullit.
Për një çast, në fytyrën e ministrit kaloi diçka – jo zemërim, por një habi e ftohtë, si e dikujt që s’kishte dëgjuar prej kohësh një përgjigje të tillë.
– Ke guxim, – tha më në fund. – Ose je i pamend. Ndonjëherë të dyja janë e njëjta gjë.
U ngrit dhe shkoi te dritarja. Nuk e ktheu shpinën krejt nga Mikeli.
-Do të të them diçka, dhe dua ta dëgjosh mirë, sepse s’do ta them dy herë. Çështja jote nuk është e vetmja. Kanë ardhur në tryezën time edhe emri i ipeshkvit të Shkodrës, edhe i françeskanëve. Të gjitha kanë të njëjtin fund – të shkruar tashmë, para se ti apo unë të hapim gojën.
– Atëherë përse më pyet mua?
Ministri u kthye. Buzëqeshja e tij ishte zhdukur.
– Sepse dua të di nëse je njëri prej nesh, apo njëri prej tyre.
Mikeli heshti. Në gjoks ndjeu një peshë që s’e kishte njohur më parë – jo frikë, por diçka më e vjetër, si kur dikush kupton se po qëndron në buzë të një humnere dhe se hapi tjetër, i çfarëdoshëm qoftë, do ta ndryshojë përgjithmonë.
– Kam nevojë për kohë, – tha më në fund.
– Nuk kemi kohë, shoku prokuror. As ti, as unë.
***
Atë natë, Mikeli nuk fjeti. Mendimet i vinin e i iknin pa pushim: fytyra e shokut të fëmijërisë, fjalët e ministrit, emri i ipeshkvit, i françeskanëve. Dhe, mes tyre, si një zë i mbytur nën ujë, kujtimi i një kryerrugice në Shkodër, ku prindërit e vajzës që donte tashmë prisnin gjyqin e tyre.
E si mund ta dënonte shokun e tij të fëmijërisë?
E si mund të dënonte njerëz që i besonte se ishin të pafajshëm?
A kështu ngjiteshin shkallët e hierarkisë?
Pas shumë netësh të mbushura me mendime, ishte gjendur sërish në zyrën e ministrit, këtë herë për t’i dhënë dorëheqjen.
Ministri e priti pa habi, gati sikur e kishte pritur atë vizitë.
– E more vendimin, pra.
– E mora.
– Thuama arsyen.
Mikeli i renditi arsyet që kishte përgatitur – shëndeti, lodhja, dëshira për t’u kthyer mësues në krahinën ku kishte lindur i ati. Ministri e dëgjoi pa e ndërprerë, me duart e kryqëzuara mbi tryezë.
Por ato arsye, në të vërtetë, nuk kishin të bënin me të vërtetën që e përndiqte atë.
E ku mund ta thoshte ai të vërtetën? Po ta thoshte, mund të zinte vendin e shokut të tij. Mund të dënohej. Mund të burgosej.
Kur mbaroi së foluri, ministri heshti gjatë. Pastaj tha, ngadalë, si të përzgjidhte çdo fjalë me kujdes:
– E di se përse po ikën, shoku Mikel. Dhe e di se s’do ta pranosh kurrë me gojën tënde. Kjo është mirë – për ty. Por mos harro: dera që mbyll sot, mund të mos hapet më kurrë.
Buzëqeshja e ftohtë si brymë iu shfaq përsëri në buzë.
Mikeli nuk u përgjigj. Mori letrën e nënshkruar dhe e vendosi mbi tryezë.
Në fytyrën e ministrit u shfaq një rrymë urrejtjeje që nuk mund të fshihej. Dhëmbët sikur i lëshonin xixa. Megjithatë, pas asaj vështrimi të egër, Mikeli dalloi edhe një çast hutimi, një çarje të vogël në vetëpërmbajtjen e tij – sikur, diku thellë, ministri vetë e kishte zili atë guxim që s’e kishte pasur kurrë.
– Ku do të shkosh? – e pyeti, pothuajse pa dashje.
– Atje ku atdheu ka nevojë për mua, – tha Mikeli. – Do të shkoj të punoj mësues.
Ministri nuk tha më asgjë. U ngrit, shkoi te dera dhe ia hapi vetë.
Mbrëmje kishte qenë kur Mikeli kishte dorëzuar zyrën e prokurorisë. Aty, para godinës, ishte ndarë me ministrin pa i shtrënguar dorën. Ai u largua në errësirë, i mbështjellë me kostumin e tij, duke u zhdukur si një hije që e përpinte nata.
Gjatë atyre ditëve që Mikeli kishte qenë prokuror, ishte dënuar edhe i ati i së dashurës. Por atë çështje e kishte ndjekur një tjetër koleg. As kjo nuk e kishte bërë të hiqte dorë prej dashurisë së tij.
Përkundrazi.
I kishin kërkuar të rishihte marrëdhëniet me të. Por Mikeli nuk iu bind askujt. Iu bind vetëm ndjenjave të tij.
Dhe për të qenë i lirë, kishte zgjedhur dorëheqjen.
E dinte se jeta e tij do të ishte si një lis vigan që matet me duhitë. Plot labirinte. Një fill i këputur keq nga lëmshi i jetës. Por zogu i pendesës kishte marrë arratinë.
Ai ishte i bindur dhe i ndërgjegjshëm për vendimin që kishte marrë.
Nuk mund ta dënonte shokun e fëmijërisë.
Nuk mund të dënonte njerëz të pafajshëm.
Ishte shkolluar për drejtësinë, jo për padrejtësinë.
Dhe tani e kuptonte se jeta e tij do të ishte një udhë me muzgje të rrahura nga stuhitë.
Vendimi për internim erdhi pak javë më vonë, i shkruar në një fletë të vetme, pa asnjë emër nënshkrimi që Mikeli ta njihte. Nuk e habiti. E kishte pritur, në një farë mënyre, që nga çasti kur kishte dalë nga zyra e ministrit pa i shtrënguar dorën.
***
Buzëmbrëmje kishte qenë kur ishte gjendur në atë fshat të largët, mes arave dhe maleve të egra. Muzgu e kishte zënë mbi kodër, përballë një kulle trekatëshe, ku i kishin thënë se do të banonte.
Njerëzit e asaj kulle i kishin internuar në Tepelenë.
Në atë fshat të largët, në prehër të bjeshkëve, Mikeli do të punonte si mësues.
– Eh… – kishte ofsharë, kur iu kujtua dita e doktorimit në njërin prej universiteteve më prestigjioze të Italisë.
Edhe ai mund të kishte qenë njëri prej vendimmarrësve për burgosjen, madje për vdekjen, e njerëzve të pafajshëm. Ndoshta edhe për fatin e zotit të asaj shtëpie.
Por ai kishte zgjedhur një rrugë tjetër.
Mbi derën e kullës, në një rrasë të gurtë, ishin gdhendur emrat e burrave të dheut.
Ah, sikur të ishin aty të zotët e shtëpisë! Do ta kishin pritur siç dinin të prisnin vetëm ata.
Mikeli vështroi qoshet e kullës, të gdhendura me një kujdes të rrallë. Edhe gurët e saj dukeshin sikur kishin kaluar nëpër duart e një mjeshtri. Kulla qëndronte e heshtur përballë tij, e vjetër dhe krenare, duke mbajtur në gurët e saj kujtesën e njerëzve që kishin jetuar, kishin ikur dhe nuk ishin kthyer më.
E kishte hapur derën dhe kishte hyrë brenda. Në kullën e moçme zotëronin errësira dhe heshtja e natës.
Muzgu shtrinte krahët mbi male.
Hapi dritaren e dhomës dhe vështrimin e hodhi majë maleve, ku retë kaptonin të lodhura shtegun e erërave drejt veriut. Ishte koha e rrufeve kur ai kishte mbërritur atje. Koha kur vjen duhia dhe natyra i dorëzohet furtunës. Pishat gjethegjilpërë përkuleshin e i bindeshin erës.
Nxori nga çanta një shkrepëse dhe ndezi një qiri. Pastaj kaloi në dhomën me oxhak, ku disa dru prisnin që dikush t’u jepte zjarr. Ashtu bëri. Flaka u ndez dhe, pak nga pak, kulla filloi të ndriçohej.
Rrasa e oxhakut ishte gdhendur me kujdes. Në mur, pranë tij, gjendej një dollap i vogël ku ishin vendosur takëmet e kafes.
Mikeli kishte mbërritur i pari. Në ditët që vinin pritej të mbërrinin edhe mësuesit e tjerë.
Zbriti në katin e parë dhe nisi të vështronte, njëra pas tjetrës, dhomat e kullës. Në atë çast dëgjoi një zë te dera.
E hapi.
Përballë tij qëndronte një mesoburrë.
– Mirë se erdhe, mësues, – i tha ky, duke i zgjatur dorën. – E dimë që po vjen.
Pasi u përshëndetën dhe u pyetën për njëri-tjetrin, burri e ftoi për darkë në shtëpinë e tij. Por Mikeli i tha se ishte i lodhur dhe donte të pushonte.
– Nuk bën të rrish vetëm në kullë, – i kishte thënë tjetri. – Ti je i ri këtu. Nesër do të vijnë edhe kolegët e tu, por sonte hajde tek unë.
Mikeli e falënderoi, por këmbënguli të rrinte vetëm.
Mesoburri u largua, jo pa e vështruar edhe një herë me sy të mbushur keqardhje e respekt njëkohësisht.
Nuk kishte kaluar shumë kohë kur në derën e kullës u shfaq një djalosh i ri.
– Më ka dërguar baba të ta sjell këtë porosi, – i tha dhe i zgjati një shami të lidhur në nyje.
Mikeli nuk foli. E mori shaminë dhe djaloshi u largua.
U ngjit përsëri në kullë dhe e hapi. Brenda saj gjeti një shishe raki, një top djathë të bardhë dhe një pulë të pjekur, të përgatitur për merak. Të gjitha ishin vendosur mbi një bukë misri, të pjekur me çerep.
– Eh, ç’njerëz të mrekullueshëm kishte në ato anë, – mendoi me vete.
Megjithatë, nuk kishte prekur asgjë.
Ishte shtrirë në krevat dhe mendjen e kishte hedhur larg, në qytetin përballë Taraboshit. Atje kishte marrë jetë ëndrra më e bukur e jetës së tij, por pikërisht atje ishte shuar edhe ëndrra e vetme që i kishte mbetur gjallë.
Dy lotë i rrëshqitën ngadalë, si vesë nate. Qiriri digjej në dritaren e kullës. Ai gjendej larg saj. U ngrit dhe hapi edhe një herë dritaren.
Jashtë, nata kishte pushtuar gjithçka.
-Një kaproll puthte qiellin në gjurmët e tua të harruara… – pëshpëriti me vete.
Një lot tjetër i rrëshqiti në faqe dhe i la në shpirt një pellg dhimbjeje. Dallgë-dallgë i vinin mendimet, të rënda e të turbullta.
Prej Padovës, ku kishte doktoruar për drejtësi, tani ishte humbur mes bjeshkëve, ku bishat e uritura gjezdisnin maleve dhe vetëtimat grisnin natën. Rreth tij gjithçka ishte bërë gri.
Kështu kishin kaluar dy a tri orë pas mesnate. Gjumi nuk e kishte zënë, edhe pse jashtë furtuna kishte pushuar.
Bjeshkët kishin rënë në gjumë.
Në ballin e tij, të rrudhur nga dhimbja, kishte prekur një rreze e zbehtë hëne. U ngrit dhe hapi përsëri dritaren. Prej xhamave të saj hyri një rreze e vetme drite.
Hëna sikur ishte ulur në prehrin e një reje dhe fshihej, si një vajzë që, me turp, mbulon gjoksin.
Lëndinat i kishte spërkatur me nur.
Tej, pylli i fjetur sikur nuk merrte frymë.
Nata ishte në të sosur. Ndonjë yll, që shquhej mes reve të rralluara, sikur puthte agimin.
Kështu kishte kaluar nata e parë e Mikelit në atë fshat që, herët në vjeshtë, fshihej në rrëzë të malit me borë.
Në të dalë të dritës, në kodrën përballë kullës së moçme, kishte parë një plak që vinte ngadalë drejt saj.
Por vëmendja e tij u përqendrua te disa pisha të vogla, nëpër degët e të cilave shkiste një ketër i vetmuar.
Edhe atij, mendoi Mikeli, dukej sikur nuk i kishte mbetur gjë tjetër veç vetmisë. Shëtiste i vetëm ndër degë.
Në atë fshat, edhe mjegulla pikonte trishtim.
***
Muajt e parë u shndërruan në stinë, dhe stinët në një dimër të gjatë e të ftohtë, që s’i ngjante asnjërit prej dimrave që Mikeli i kishte njohur më parë. Herët në vjeshtë, por sidomos në dimër, ngrica e ashpër shtrëngonte dhëmbët. Mëngjeseve të hershme, yjet regëtinin mbi ujëra si lulet që çelin dhe vdesin. Netëve të kthjellta, mbi plisin e bardhë të Munellës, hëna hidhte peshqirin e saj të argjendtë.
Në pushimet e dimrit, Mikeli kishte marrë rrugën drejt Shkodrës. Kishte mbërritur atje në zemër të dimrit.
Në rrugët e qytetit verior binte borë, duke mbuluar gjithçka me bardhësi. Acari kishte pushtuar shtigjet. Në skajin e qytetit rridhte lumi plak, dhe Mikeli e treste shikimin në udhën e tij.
Uji i kulluar gurgullonte, valëbardhë si lot vashe, ndërsa brigjet mbusheshin me shkumë. Nga pema përballë dritares ulej ngadalë një gjethe e vonuar. Shelgjet përskaj lumit, të zhveshur lakuriq, përgatiteshin t’i rezistonin dimrit vetëm me skeletet e degëve.
Në fushën e bardhë frynte një erë e rreptë. Në shtratin e lumit, era rridhte e lirë, ndërsa pas xhamave ulërinte si një ujk i vetmuar. Zogjtë fshiheshin nën hatulla. Njerëzit shpejtonin hapin nëpër rrugët me borë, duke u kthyer në strehët e tyre të ngrohta.
Muzgu zbriste mbi luginë.
Maja e Taraboshit kishte humbur mes reve.
Jashtë, terri.
Nata u derdh mbi luginë. Qentë lehnin. Diku binte një këmborë. Plepat i vidheshin errësirës.
Mikeli rrinte vetëm, në një tryezë në qoshen e kafenesë. Vështronte përjashta buzëmbrëmjen dhe shuante e ndizte herë pas here llullën e shqopës.
Përpara kishte një teke konjak, që e priste ta pinte ngadalë.
E ndezi sërish llullën dhe u përpoq të shuante inatin e zemrës që e kishte pushtuar. Nata sikur rrudhi ballin mbi pezmin e tij.
Në mjegullën e kujtesës i silleshin ngjitjet dhe zbritjet e jetës së tij.
Aty, brigjeve të atij lumi, nën degët e varura të shelgut lotues, kishte njohur ëndrrën më të bukur të jetës së tij.
Një ndjenjë malli i pushtoi gjithë shpirtin.
Ishte koha kur dashuronte me fuqinë e rrufeve.
Dhe fjalët ende nuk e kishin humbur fuqinë e tyre magjike.
E mori gotën dhe piu një gllënjkë nga konjaku.
Kishte kaluar një orë nga nata, kur dëgjoi një zë të hollë violine që sikur vajtonte.
Ngriti kokën.
Tingulli vinte nga larg.
Dhe në zemrën e tij diçka u drodh.
Pa menduar gjatë, e zbrazi gotën e konjakut dhe mori udhën drejt kryerrugicës, ku ndodhej shtëpia e saj.
Ajo jetonte vetëm me të ëmën. I ati ndodhej në burg. Askush nuk e dinte se përse.
Kaloi pranë portës së shtëpisë së tij të dikurshme, pranë vendit ku kishte kaluar fëmijërinë.
Zëri i violinës vijonte të vinte nga larg, i dhimbshëm, si vaji i një gruaje mirditore pranë një kufome.
Eci edhe më tej.
U ndal pranë kangjellës dhe trokiti.
Violina vazhdonte të qante.
Trokiti përsëri, më fort.
Dera u hap.
Në katin e dytë, violina ende binte.
– Po ti? – e pyeti e ëma e saj, e shtangur te dera. Nuk ia hapi menjëherë rrugën për të hyrë. Sikur donte ta pyeste pa fjalë nëse e dinte se çfarë kishte ndodhur.
– Nuk po më fton brenda? -i tha ai, duke zgjatur dorën drejt saj.
– Si jo, të pastë nëna… Por ti, a e di se ku po hyn? – tha ajo me një zë të rënduar nga dhimbja.
Mikeli hyri.
Ndërsa nënë Mara mbyllte portën, ai u ngjit me shpejtësi në katin e dytë.
Hyri në dhomën e saj.
E përqafoi fort.
– Erdha të të marr.
Pas tij kishte mbërritur edhe nënë Mara.
– Ndoshta është e pamundur… – tha ajo dhe filloi të qante.
– Erdha të të marr, – përsëriti ai prerazi, duke larguar çdo mëdyshje.
Pastaj e pa drejt në sy.
– Gjithçka tjetër nuk më përket mua. Ti e di se unë punoj mësues mes bjeshkëve, ku qysh herët bie borë e pastër. Më mirë një jetë mësues mes malesh, e pastër si bora, sesa një jetë me ofiqe e të errët si nata.
***
Koha kishte kaluar.
Mikeli ishte në një orë historie. Duhej të fliste për luftën dhe për bandat, por nuk dinte ç’të thoshte. U ndje i hutuar. Historia që kërkohej prej tij të mësohej nuk ishte gjithmonë ajo që ndërgjegjja e tij pranonte.
U kthye nga njëri prej nxënësve.
– Si thua, Gjin, a e ke kuptuar mësimin?
– Mos e pyet, mësues, – tha nxënësi që rrinte pranë tij. – Ai është djalë diversanti dhe nuk e do pushtetin tonë.
Gjini mori çantën dhe, duke qarë, ia dha vrapit përjashta.
Mikeli mbeti i zënë ngushtë.
Pastaj nxori gjithë klasën jashtë.
Ndezi çibukun e shqopës dhe e zhyti kokën mes duarve.
– Më mirë një jetë mësues mes malesh, e pastër si bora mbi majat e tyre, sesa një jetë me ofiqe e të errët si nata… – pëshpëriti.
U ngrit dhe bëri të dilte.
Por një shprehje e vjetër, që e kishte dëgjuar dikur, i erdhi përsëri në mendje:
“Shqipet e maleve jetojnë mbi njëqind vjet, megjithatë vdekja u vjen prej rritjes së sqepit të tyre.”
Dhe kështu, për një çast, heshti.











