IDRIZ ZEQIRAJ
Gazetari dhe analisti Astrit Gashi, priti në studion e tij ish-anëtarin e LPK-së; ish të burgosurin politik; veprimtar në Kroaci, Slloveni; luftëtar në Koshare dhe Pashtrik, ushtarakun Fadil Demiri. Pra, bollshëm i angazhuar për Kosovën dhe luftën e saj. Si gazetar me përvojë, Gashi ngulmoi të shterronte disa çështje kundërthënëse, përgjatë asaj lufte modeste dhe jetëshkurtër në kohë.
Megjithatë, falsifikimet janë aq groteske, sikur kjo luftë të këtë ndodhur në pre-histori dhe jo një çerek-shekulli më parë. Kjo luftë është kalaveshur me legjenda e legjendarë; me shumë epopera lavdiplote, që nuk ka pasur të tilla në Kosovë. Siç na mëson historia e lashtësisë, në një epope gjaku nëse nuk arrin -deri në zog të këmbës-, të paktën -një opangë- po, madje nga të dyja palët ndërluftuese. Përdorimi falsifikueshëm i termave të tilla, dëmton historinë, madje e kthen në një përrallë.
Rrjedhimisht, historia e Kosovës është falsifikuar nga disa komandantë, profiterë të luftës, me kalemxhinjtë servilë të tyre, krejt njësoj si falsifikimi i historisë të Luftës së Dytë Botërore (LDB), nga komunistët e Enver Hoxhës në Shqipëri. Andaj rishkrimi i historisë së re dhe më të re (të sotme), të Kosovës, përfshirë edhe atë të luftës, është i pa alternativë. Dhe, kjo duhet bërë faktueshëm, me kompetencë profesionale, pavarësisht kundërshtisë marroqe të akterëve kriminelë e falsifikatorë. E njëjta rezistencë ka ndodhur nga komunistët në Shqipëri, tri dekada më parë, por është thyer, historia është rishkruar, madje nismë e mbarim.
Pikërisht, nisur nga nevoja e ngutshme e rishkrimit të historisë, gazetari me përvojë, Astrit Gashi, pyetjen e parë që i bëri mysafirit ishte:
1) A ka ekzistuar FARK-u?
Përgjigja e ushtarakut Fadil Demiri ishte: Në Koshare nuk kam parë FARK, por vetëm UÇK-e! Dhe, kjo dëshmohet me uniformën e saj”. Disa e bëjnë nga abuzimi i qëllimshëm, disa nga mungesa e informimit, mohojnë praninë e FARK-ut si formacion ushtarak dhe luftarak! FARK-u, (Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës), zë fill më 1991, me themeluesin e tij Dr. Ibrahim Rugova. Aktivizimi nismon me organizimin e Mbrojtjes Territoriale në Kosovë, të menaxhuar nga Gjenerali Hajzer Hajzeraj, me stafin e tij profesional ushtarak. Rrjedhat dihen, organizimi u zbulua, goditja ishte e menjëhershme, arrestimi dhe dënimi i Gjeneralit me disa bashkëpunëtorë.
Organizimi masiv ushtarak u reduktua, por forma e aksioneve guerile ka vazhduar. Angazhimi i djemëve të përgaditur ushtarakisht në Surel të Tiranës, në bazë të një marrëveshje -xhentelmene- në mes të presidentëve Rugova-Alia, guerilja u shtri në zona: Sali Çekaj në Dukagjin, Adem Jashari në Drenicë, Zahir Pajaziti në Llap, Ahmet Hoxha në Anamoravë, Ferizaj. Pritshmëria e riorganizimit masiv ushtarak, u bë me sugjërim dhe koordinim me aleatët, në veçanti, me ata amerikanë, sepse Kosova nuk ishte e përgaditur ushtarakisht dhe as mbështetjen politike ndërkombëtare ende nuk e kishte.
Oficerët e karrierës, të shkolluar në Akademitë Ushtarake Jugosllave, u strehuan në Shqipëri dhe Evropë, për t`u rigrupuar në çdo kohë për luftë të organizuar. Pranë Qeverisë së Kosovës, në Ekzil, në bashkëpunim me oficerët, u themelua Shtabi Institucional, me ministrin e Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqin. Ky Shtab u përcaktua që emblema në uniformën ushtarake të jetë akronimi prej tri gërmash -UÇK-. Qëllimi i oficerëve FARK-istë ishte fisnik: “Lufta për liri të na bashkojë”. Përndryshe, oficerët dhe ushtarët njihnin autoritetin e Komandantit Suprem, Presidentin Dr. Ibrahim Rugova.
Çështjen e uniformës me akronimin -UÇK-, hileqarët militantë e halabakë të LPK-së, e keqpërdorën, me qëllim të përvetësimit të luftës së pabërë. Me çka do të krenohej LPK-ja nëse nuk do të ishin Beteja e Loxhës, Lufta e Kosharës dhe të tjera, të bëra nga ushtarakët FARK-istë?! Realisht, LPK-së, respektivisht, partive të PAN-it, u mungojnë betejat. Në vend të tyre “i festojnë” masakrat, të cilat të 4O mijë veteranët fiktiv, imagjinar, nuk arritën të mbronin popullin e pambrojtur!
E mirëkuptoj ushtarakun Demiri se “nuk ka parë FARK në Koshare”, madje as dëgjuar për atë, sepse oficerët dhe luftëtarët Institucional në Koshare dhe gjetkë në Kosovë, luftonin për çlirimin e Atdheut të pushtuar dhe jo për parti e pushtet. Ndërsa komandantët e LPK-së, militantë të ideologjisë së kuqe satanike staliniste, në vend që të luftonin kundër pushtuesit, i vrisnin veprimtarët e LDK-së dhe ushtarakët e FARK-ut, për ta marrë pushtetin dhunshëm e përgjakshëm.
2) Kanë ekzistuar dy Shtabe: a) Shtabi Qeveritar Institucional dhe b) SHP i “UÇK-së” të LPK-së.
Cili Shtab udhëhiqte Kosharën, – pyeti gazetari Astrit Gashi?
Ushtaraku Fadil Demiri tha se ka “luftuar tri javë në Koshare, pastaj është transferuar në zonën e Pashtrikut. Ai rrëfeu se në krye të Komandës në Koshare ishte Kolonel Rrustem Berisha. Por, dikush nga Tirana ishte i interesuar të bënte ndryshime në Komandë. Me një makinë erdhën tre persona, pasi biseduan me Komandantin Berisha, përgjigja ishte e prerë: “Mund të inkuadroheni në luftë, por, në komandë jam unë”. Asaj nate fjetën në makinë, të nesërmen u larguan për në Tiranë”.
Pas ekzekutimit zyrtar të ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, nga SHISH-i i Tiranës dhe SHIK-u i LPK-së, postin e Ministrit e mori Halil Bicaj. Ai është i përgjegjshëm dhe nuk dua të besoj që të jetë bërë pjesë e intrigimit për zëvendësimin Kolonel Berishës. Ansambli ushtarak i Komandës së Kosharës, të prirë nga Kolonel Rrustem Berisha, ka qenë i harmonishëm dhe sukses-plotë. Është paradoksale që shtetarët e djeshëm dhe të sotëm, e pranojnë se Lufta e Kosharës ishte legjitimim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë ngjarje domëthënëse mbajnë fjalime gjithë mirënjohje e lavdërime personale e grupore. Megjithatë, edhe pas një çerek-shekulli kryeshtetarët e Kosovës nuk e panë të arsyeshme që komandantët e shquar të asaj lufte ballore, t`i nderojnë me gradime ushtarake meritore!? Megjithatë, “më mirë vonë se kurrë”, – thotë urtësia.
Shtrohet pyetja legjitime: Cili nga këto dy Shtabe bëri atë luftë modeste të Kosovës?
Për një çerek shekulli me radhë demonizohet LDK-ja dhe Shtabi i saj ushtarak Institucional, se kinse nuk e donte luftën, duke e identifikuar vetëm me paqen, ndërsa partitë e PAN-it i quajnë të luftës. Për 25 vjet radhazi provokojnë dhe shantazhojnë popullin e Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm, me organizatat fort të dyshimta e fantoma, që nga OVL e UÇK-së, të ashtuquajtura Shoqata të dala nga lufta, pa hyrë fare në luftë dhe të tjera.
Por, lë të shërbehemi me fakte, se kush nga subjektet politike kishte shumësinë e luftëtarëve në luftën e Kosovës?
3) Gazetari Gashi e pyet mysafirin për përmasen e Luftës të Kosharës?
Ushtaraku Fadil Demiri përgjigjet: “Kosharja është lufta e parë ballore në Kosovë. Aty bëhej çdo ditë betejë ballore. Dhe, ky ballafaqim ka shënuar fitoren e madhe më 9 prill 1999, me thyerjen e kufirit në Koshare, për të vazhduar deri në përfundimin e luftës së armatosur në Kosovë”. Zyrtarisht pranohet nga palët se kanë rënë në beteja 114 luftëtarë të Kosovës dhe 108 nga pala serbe. Duke pasur parasysh raportin e forcave ndërluftuese të shpërputhshëm, konsiderohet fitore e jona. Oficer Demiri, pjesë e kësaj lufte, bënë korrigjimin domëthënës të luftës në Kosovë, duke demantuar qindra falsifikime të luftërave, gjoja ballore, me fundime tragjike, me masakra vetëm të palës shqiptare.
Ndërkohë, për 25 vjet radhazi Kosova prodhon legjenda e legjendarë, luftëra dhe epopera që nuk kanë ndodhur në luftën e Kosovës. Janë krijuar zona të lira, fshatra e komuna të çliruara, me premtime të bujshme, për të pajisur popullatën me -pashaporta të Kosovës-! Dhe, në vend të pashaportave kanë marrë plumba e dëbime masive. Mashtrueshëm festohen çlirime të fshatrave, mblidhen qindra njerëz për hatër të komandantëve, që kanë përgjakur Kosovën me gjak shqiptarësh të pafajshëm dhe kanë rrënuar vendin, me privatizime, uzurpime dhe hajni zyrtare. Dhe, pacipërisht, me mujëshi, mashtrime e para, duan të rikthehen sërishmi në pushtet!
Dy komandantët e “UÇK-së” të LPK-së, ai i Podrimjes dhe i Dukagjinit, thonë, përkatësisht, 98 % dhe 100 % të ushtarëve i kishim nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Rrjedhimisht, ajo luftë modeste, e bërë në Kosovë, identifikohet me Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK). Parashikimi i dives kosovare, Adelina Ismajli, me këngën-hymn, të viteve `90-a: “Ushtrinë do ta bëjmë me Ibrahim Rugovën”, rezulton plotësisht i saktë. Dr. Rugova jo vetëm mendoi për luftën, por edhe veproi, duke themeluar FARK-un dhe dërgimin e djemëve të Kosovës në ushtrimoren ushtarake në Shqipëri. Në mes tyre edhe djemtë e djeshëm dhe heronjtë e sotëm: Sali Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ahmet Hoxhën me shokë, të cilët organizuan guerilën anekënd Kosovës.
Themeluesit e -UÇK-së të LPK-së- thonë: “UÇK-ja jonë nuk hyri në luftë!”
Çfarë thonë disa nga themeluesit kryesorë të -UÇK-së të LPK-së-, për ushtrinë e tyre? “Edhe pse themeluam UÇK-në, pa Hashimin me dostat e tij, nuk arritëm ta angazhojmë, ta fusim në luftën e Kosovës. “UÇK-ja” jonë mrizoi nën hijet e pishnajave në “Bllokun” e zi të Tiranës. Sepse Shërbimet Informative të shteteve armike, me agjentët e tyre shqipfolës e sabotuan luftën”. Dhe, ata i nominojnë me emër e mbiemër, sipas pozitave që kishin gjatë luftës: Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli. Në mesin e atyre që i akuzojnë për tradhti -komandantët e Rogner-it-, më i zëshmi është Jakup Krasniqi.
4) Cili është roli i “Operacionit Shigjeta”, në Luftën e Kosharës, – është pyetja e radhës e gazetarit Astrit Gashi?
Kësaj pyetje ushtaraku Fadil Demiri iu përgjigj fort mundimshëm, sepse shefat e tij PAN-istë, kishin gënjyer turpshëm e hajnisht, sikur “Operacioni Shigjeta” kishte thyer kufirin dhe kishin qenë pjesë e luftës së Kosharës!? Megjithatë, oficer Demiri e mohoi praninë e “Operacionit Shigjeta” në Koshare, “sepse thyerja e kufirit ka ndodhur më 9 prill 1999, ndërsa ky “operacion” është organizuar në maj 1999, në Pashtrik”. Edhe ky është një shërbim në korrigjimin, respektivisht, rishkrimin e historisë.
Gënjeshtrën e luftës të “Operacionit Shigjeta”, e kishte lansuar i pari Hashim Thaçi, në homazhet në Koshare, në cilësinë e presidentit. Përflakshëm e kishte demantuar komandanti i suksesshëm i Kosharës, Kolonel Rrustem Berisha, duke thënë se “për Operacionin “Shigjeta”, kemi dëgjuar vetëm pas çlirimit të Kosovës”!
Për çudë, edhe pse i pari i Komandës të Kosharës, kishte mohuar praninë e Operacionit “Shigjeta”, në Koshare, njëri nga komandantët aktiv në thyerjen e kufirit, në prillin e 2024-ës, e përsëriti gënjeshtrën e shefit të tij Hashim! Pastaj, pasuan të tjerë, disa qëllimshëm, të tjerët padijshëm, thjesht, kopjues. Vetëm kjo nuk duhej të ndodhte!
Ngulmimi i gazetarit hulumtues, Astrit Gashi, fort i interesuar për ta mësuar të vërtetën për Operacionin “Shigjeta”, meqë kishte në studio njeriun e duhur, me përgjegjësi logjistike të Brigadës në Pashtrik. Oficeri Demiri u vu në siklet, sepse ky Operacion dështoi në disa drejtime, ngaqë veprimet e tij u denoncuan nga hafijet e Serbisë në Tiranë. Në Lugështajen e Gorozhubit, ranë në pritën e soldateskës serbe një grup i madh ushtarësh: 23 syrësh u vranë, dhjetra të tjerë u plagosën dhe u zunë rob. Rrejshëm u propagandua se “u zhvillua një betejë e madhe!” Realisht, asaj mesnate të errët, pusia serbe, mirë e organizuar në dy shpatet e Lugështajës, nuk dha asnjë shansë e mundësi për kundërpërgjigje. Ishte një plojë e ngeshme.
Kjo ngjarje demoralizoi shumë edhe Batalionin “Atlantiku”, të sapo ardhur nga SHBA. Koracimi i ushtrisë serbo-sllave në pozicione sipërore, nuk i dha mundësi Operacionit “Shigjeta”, për të depërtuar në territorin e Kosovës. Komanda e Pashtrikut kishte kundërthënie qysh në zgjedhjen e eprorit të saj. Komandant Ekrem Rexha (“Drini”), vepori ndaras me një grup luftëtarësh institucionalistë, prandaj edhe ishte përzgjedhur për ekzekutim ndër rugovistët e parë, për t`i hapur rrugën e pushtetit të përgjakshëm të LPK-së, alias PAN-it të sotëm.
5) Kush e armatosi Kosharën dhe luftën e Kosovës?
Ashtu si edhe pyetjet tjera, gazetari Astrit Gashi edhe pyetjen për armatimin e kishte të drejtëpërdrejtë. Ushtaraku Fadil Demiri ishte i saktë në përgjigje. Ai rikonfirmoi një të vërtetë publike. “Krerët të cilët pretendonin se po komandonin luftën, më shumë interesoheshin për shitjen përfituese të armëve, se sa për furnizimin e ushtrisë me armatim. Fillimi ishte i vështirë, por më vonë pati disa përmirësime”. Oficeri Demiri këtë çështje nuk e elaboroi gjatë, ngaqë nuk donte t`i lëndojë profiterët batakçinj të luftës, atë botë bashkëpartiakë.
Personalisht isha pjesë e logjistikës të luftës dhe njoh nga afër të gjithë rrjedhën e armatimit nga Shqipëria. Unë me nipat Hasan Rexhaj (ushtar i Kosharës, nuk është me në jetë- ndjesë pastë) dhe Ismet Rexhaj, kishim Fabrikën e miellit, “Etniku”, në Mamurras të Kurbinit. Lokacioni, me 80 ari hapësirë trualli, Fabrika me magazinat shoqëruese, shtëpia dhe mjedisi përrreth, i rrethuar komplet me mure, që nga marsi 1998, u bë qendër pritëse dhe akomoduese e refugjatëve, ikanakëve nga Kosova: në zonat urbane dhe rurale të Kurbinit, Krujës, Lezhës. Për këtë u angazhua një ekip i tërë: Personeli i kuzhinës, kryesisht, familjarë; personeli i Firmës “Etniku”, megjithatë, askush prej tyre nuk gëzon statutin e -Veteranit-.
Angazhim të përkushtuar patën edhe kryetari i Bashkisë të Mamurrasit, Bashkim Sula (Sylaj), vendor, me origjinë istogas, vëllezërit Nerim Thaçi (nuk është më në jetë – ndjesë pastë) e Skënder Thaçi, nga Prishtina, me miken e shqiptarëve, profesoreshën Marjana Graf nga Austria, një humaniste e mirënjohur, përfaqësuese e një Shoqate humanitare vjeneze, e cila kontribuoi për luftën e Kosovës dhe ndërtime në paqe në Shqipëri. Pjesë e angazhimit, ishte edhe Shoqata “Kosova”, me kryetar vuthjanin (Vuthaj-Guci) e Tiranës, Miftar Gjonbalaj, shkrimtar dhe veprimtar i zëshëm, përmes Degës të saj në Mamurras, me drejtues Skënder Sula (Sylaj), vendor, por me origjinë nga Istogu, me ekipin e tij. Zona nga Shëngjini në Fushë-Krujë, ishte më e ngarkuara me refugjatë, meqë u kufizua hyrja në Titanë e Durrës. Bëra këtë parantezë, për t`i kujtuar e nderuar edhe kontribuesit e tjerë të luftës.
Firma jonë “Etniku”, ishte e liçensuar për bartjen e armëve për luftën, në kufijtë e Kosovës; bartjen e bazës materiale për ushtrinë dhe ndihmat për refugjatët e Kosovës, të strehuar në zonat veriore të Shqipërisë.
Armatimin për ushtrinë dhe financimin i të gjithë luftës për lirinë e Kosovës, e bëri Qeveria e Kosovës në Ekzil dhe populli i Kosovës, i cili i strehoi dhe i ushqeu luftëtarët, brenda territorit të Kosovës. Një ndihmë domëthënëse e dha edhe Shqipëria, me armatimin e pjesëshëm gratis, me garancinë amerikane se do ta kompensojë Shqipërinë me armatimin modern. Pra, lufta u financua nga FONDI i 3 %-it, kontribut i emigracionit të hershëm dhe të vonshëm shqiptar. Për gueriljen e Kosovës kontribuoi edhe Fondi “Vendlindja thërret”.
Disa komandantë të “UÇK-së” të LPK-së, abuzuan me paratë e Fondit të 3 %-it. Ata shantazhuan dhe kërcënuan Qeverinë e Kosovës, me pusulla -alla trakte komuniste-, të hedhura, përsëritshëm, në kutinë postare të Përfaqësisë të Kosovës në Tiranë, në adresë të ministrit të Financave dhe zyrtarëve tjerë të qeverisë, “…Në emër të popullit, jeni të dënuar me vdekje. Në rastin më të parë, do të ekzekutoheni! SHP i UÇK”. (“Verba volant, scripta manent”), Fjala fluturon, e shkruara mbetet.
Nën këtë presion ekstrem armiqësor, të poshtër e kriminal, janë zhvatur, dhunshëm, miliona marka gjermane, madje edhe në muajin mars, prill, maj 1999 dhe asnjë markë nuk është përdorur në funksion të luftës! Komplet milionat kanë përfunduar në xhepat e komandantëve dhe kjo dëshmohet edhe me pasuritë e tyre, pak të deklaruara dhe shumë të fshehura ndër familjarë e dosta, por edhe me investime ilegale jashtë Kosovës.
Edhe pse të vërtetën-bazë e tha ushtaraku Fadil Demiri, se nga shitja e armëve përfituan SHP i UÇK-së (të LPK-së), me kuadrot e tyre shtetërorë e partiakë, si dhe zyrtarët në pushtet të Tiranës, megjithatë plotësojmë me të dhëna shtesë.
Mbeturina e ideologjisë sllavo-ruse në Shqipëri, nuk po e duronin pluralizmin politik, demokracinë. Shfrytëzuan sistemin piramidal – fajdet, të cilin vetë e organizuan, për ta goditur demokracinë. I pengonte shumë “maloku” i Malësisë të Gjakovës, Prof. Dr. Sali Berisha, sepse radha e goditjes u erdhi “peshqëve të mëdhenj”, byroistëve të filosllavit Enver Hoxha. Bandat e kuqe plumbuan policinë, ushtrinë, u vunë flakën shkollave, bibliotekave, muzeumeve; hapën burgjet, duke i liruar dhe armatosur kriminelët. Në ndihmë u erdhën edhe rrugaçë e hafije të UDB-së dhe të Sigurimit Shqiptar, nga LPK-ja e Mërgatës, me fletushkën paçavure e kundra kombëtare “Zëri i Kosovës”, e cila u parapriu edhe vrasjeve seriale politike në Shqipëri dhe Kosovë, përgjatë luftës dhe pas luftës. Dhe, këto vrasje janë katër-shifrore. E tmerrshme, por krejt e saktë!
Bandat e kuqe, të dirigjuara nga social-komunistët, i hapen depot e armëve, të cilat i shërbenin popullatës për ushtrimet ushtarake të programuara vjetore dhe të kontrolluara, “zbor” dhe kërcënuan me largimin e Qeverisë Demokratike, të gatshëm edhe për luftë civile, qytetare. Ndërkohë, kreu i shtetit, Prof. Dr. Sali Berisha, bëri sigurimin e armatimit të rëndë, duke bllokuar hyrjet e tuneleve, me hedhjen e mijëra tonë gurë dhe rërë.
Bartja fillestare e armëve të lehta, kryesisht, kallashë kinez, me kuaj, gomerë dhe krah, ishte e mundimshme dhe, herë-herë, e përgjakshme, sepse shumë të rinj u dekonspiruan, ranë në pritat armike. Pati edhe prurje nga deti, me pakicë, por, lejimi i futjes në port, ishte selektiv, kontrollin e kishin matrapazët e LPK-së, në bashkëpunim me sigurimsat e monizmit. Jo vetëm u merrnin armët, por edhe i akuzonin për kontrabandë mërgimtarët e krahut Institucional, LDK-së.
Me fillimin e luftës, Qeveria Shqiptare filloi shitjen zyrtare të armëve. Më sakt, ishte shitje dhe përshitje, pra, shitje e dyfishtë. Duhej paguar çmimin zyrtar shtetit shqiptar, por edhe haraçin legal shefave të Lëvizjes Popullore të Kosovës, LPK-së. Një palë e tretë, pagesë të egër, madje të dhunshme, herë pas here, na priste në Fierzë të Tropojës. Pagesa ishte paushalle. Ka ndodhur që për një karvan ngakesash, janë dhënë 25 mijë marka, përndryshe rrezikonim konfiskimin e ngarkesave, bashkë me kamionët. Deri në dorëzimin e haraçit, shoferët dhe shoqëruesit mbaheshin nën arrest dhe të izoluar. Ata ishin me uniforma, përdornin makina dhe biruca (qeli) zyrtare. Në prapaskenë ishin dostat e tyre të LPK-së.
Ndryshimet në qeveri, por vendimtare ishte ndërhyrja amerikane pranë Qeverisë shqiptare, për t`ia dhënë armatimin gratis Kosovës, shmangu pagesën zyrtare për shtetin shqiptar. Por, LPK-ja nuk hoqi dorë nga haraçi gjysmë-legal. As bandat zyrtare vendore nuk përfillën urdhërin amerikan.
Edhe pse Lufta e Kosharës komandohej nga krahu Institucional i Ibrahim Rugovës dhe furnizonte me armë edhe luftëtarët tjerë në Kosovë, Qeveria shqiptare armatimin ua dha vetëm përmes LPK-së! Porosinë e armëve e bënte Komandanti i Kosharës tek personi i caktuar nga LPK-ja. Arsyet nënkuptohen lehtësisht. Me gjithë këtë cinizëm burracak dhe të turpshëm të Tiranës zyrtare dhe të SHTAB-istëve të LPK-së, Komandantët profesional, të dinjitetshëm dhe me integritet, kurrë nuk kanë pranuar pazaret me sabotuesit e luftës, qofshin ata të LPK-së apo të mentores të saj, Partisë Socialiste, respektivisht, të Tiranës zyrtare.
Transportimi i amëve ishte i mundimshëm. Rruga e vjetër Mirditë-Pukë-Qafë Mali-Tropojë, sa e mundimshme, aq e rrezikshme. Ligji nuk funksiononte, jeta e njeriut kushtonte 1(një) plumb o33 pfenik të markës. Lëvizjet me kamiona të mesëm, ndaras, ishin në shenjestër të grabitjeve. Më 18 qershor 1998, isha në shoqërim të një karvani kamionësh me bazë materiale, logjistike për Kosharën. Shkarkimin e mallit e bëmë në depon e madhe qendrore, tërësisht të betonuar, në qytetin “Bajram Curr”. Ndërkohë që me ekipin tim bënim ndarjen e ushqimeve, për ushtarët në pika luftimi, një automatik i tërë me plumba është shprazur nga dera, brenda depos, nga një person i uniformuar. Ishte mesnatë. Në jemi shtrirë për tokë, si me komandë, në përpjekje për t’u fshehur.
Pastaj mësuam se nuk ishte qëllimi i ekzekutimit tonë. Por, ikja jonë në panik, duke lenë dyert e hapura të depos, për ta marrë mallin ata. Kjo nuk ndodhi. Në depo arriti i ngarkuari për pritjen e refugjatëve në Tropojë, Musa Rexhaj. I shpjegova për seleksionimet e bëra për ushtrinë dhe pjesën tjetër për refugjatët e strehuar në rrethin e Tropojës. Ndërkohë, lëmë depon e mbyllur dhe pak më tej, takuam Shefin e Policisë Januz Hyka. E akuzova për shkrepjen e kallashit në depo. Paradoksalisht, ai më kërcënoi shumë vrazhdët dhe krejt padrejtësisht, sikur unë isha fajtor për krismën e kallashit. Krismat e armëve, asaj nate, ishin tmerruese. Pas dhjetë ditësh depoja, rrast e betonuar, u shpërthye me tritol dhe malli u grabit.
Me t`u kthyer në Tiranë, nga Përfaqësia e Kosovës, bëra një raport për presidentin shqiptar, Rexhep Mejdani dhe një tjetër për kryeministrin e Kosovës, Bujar Bukoshi. Si përgjigje, një javë më vonë, u gjuajt me kallash mikrobusi me ndihmës-mjekët e Kosovës, të cilët shërbenin në spitalin e “Bajram Currit”, ku trajtoheshin të plagosurit e Kosharës, një vendor u plagos. Dhe, të alarmuar nga frika e krismave të përnatshme, filloi largimi kaotik i refugjatëve të Kosovës nga Tropoja. Kryeministri Nano lëshoi urdhresën që “asnjë refugjatë të mos lejohet të zbresë poshtë Tropojës, Pukës, Kukësit, Mirditës, Dibrës dhe të mos u jipet strehë gjetkë!”
Sapo dëgjuam transmetimin e urdhresës të Nanos, takuam kryetarët e Bashkive të Fushë-Krujës, Mamurrasit, Laçit, Milotit dhe dakorduam për hapjen e objekteve shtetërore, të përshtatshme për strehim, sepse ishin Bashki të PD-së. Ndërsa Prefekti socialist i Lezhës më tha se “unë zbatoj urdhërin e kryeministrit!” Pa u skuqur fare, iu përgjigja se të gjitha objektet boshe të shtetit do të hapën, sot dhe nesër, për strehimin e refugjatëve nga Kosova. Dhe, ashtu u bë. Djemtë dhe vajzat e Kosovës, që shërbenin në Tropojë e Kukës, ndihmës mjeke dhe aktivistë të tjerë, e pranuan detyrën e shërbimit dhe shkëlqyen edhe në Lezhë e Shëngjin.
Realisht, Fatos Nano, ishte një socialist liberal dhe e heshti edhe hapjen e dhunshme të dyerve. Për ndalesën masive të hyrjes të refugjatëve në Tiranë dhe Durrës, kishte të drejtë, sepse menaxhimi ishte më i vështirë. Kjo u provua në strehimin e rrëmujshëm në Pallatin Sportiv “Asllan Rusi”. Dhe, dukshëm më mirë flinin në strehimet tona, qofshin me shtresë dysheku apo vetëm batanije mbi dysheme dërrase, se sa ata që gjumonin ulur në karriket sportive. Ndërsa pritja në familjet shqiptare, në përgjithësi, ka qenë e mirë, ngaqë shqiptarët e Shqipërisë londineze janë më kanunorë dhe me epërsi mikpritje në raport me shqiptarët e Kosovës.