Milazim Zeqiraj
Në liri,
vendi ka ngrohtësi,
besë e dritë.
Deri te liria kaluam nëpër stuhi.
Lirinë e shkruam në gur e në zemra.
Sot, në vendin e lirë,
po lëvizim si hije pa zë,
shpirtin na ka pushtuar djalli.
Durimit po i bie maska,
dashuria po humb kuptimin,
fjalët po shndërrohen në flakë.
Mos më pyesni,
pse s’kam kohë të përgjigjem.
Koha jonë është pritje —
dje,
sot,
dhe nesër.
Pritshmëritë po humbin,
përpjekjet po numërohen,
durimi po shkrihet në heshtje,
si yjet në agim që humbin shkëlqimin.
Ti ke një hall, e ne kemi shumë.
Ne nuk thërrasim pritjen
në këtë kohë pa kohë,
ku qielli po përzihet.
Në pritje, dielli s’po ngroh trupin tonë të ngrirë,
vendi pa ngrohtësi,
natyra pa gjelbërim.
Askush s’pyet kush u shkri për një fjalë.
Jemi shqetësuar për asgjë.
Zgjohem në agim,
e iki me shqetësimet e mia.
Pandershmëria
dhe papërgjegjësia
rrezikojnë ngrohtësinë shpirtërore.
Ne s’do të lejojmë
vendi e populli të mbesin
si pika në lis.











