NGA KALOSH ҪELIKU
Epabesueshme?! Edhe pse, Shkollën e Mesme Normale “Zef Lush Marku” e kisha kryer për katër vite me radhë në Shkup, asgjë nuk dija për fshatrat shqiptar që e rrethonin Shkupin Historik. Përveçse Radushës, nga ku kaloja me tren për në Kërçovë, dhe një nxënësi nga fshati Sudeniçan që e kisha në klasë.
Vite, kur unë si nxënës i ardhur nga fshati e dhash provimin pranues para komisionit tre anëtarësh me këngën popullore “Përmidis pazarit Shkupit”. Këngë popullore, që asaj kohe tinës e dëgjoja përmes valëve të Radio Tiranës me titullin: “Përmedis Pazarit Durrësit”. Asaj kohe, kur ia ndërrova vetëm qytetin. Shkaku, se: po ta përmendja Durrësin, më së paku do t’i haja pesë vjet burg. Edhe, e dhash provimin e pranimit. U pranova si nxënës i Shkollës Normale “Zef Lush Marku”, në Shkup.
Kohë, kur edhe një grupë veteranësh i arsimtarëve shqiptar përpiqeshin pranë gjimnazit maqedonas “Mirko Mileski”, të hapnin edhe paralelet e para në gjuhën shqipe. Kushti komunist, dihej i asaj kohe, se: nuk kishim nxënës për paralele në gjuhën shqipe. Im vëlla Ramë Ҫeliku, mësues që kishte punuar në fshatin Vrutok të Gostivarit, dhe ishte kthyer si mësues në Zajas dhe Cërvicë, me veteranët e arsimit asaj kohe i përveshën mëngët për hapjen e paraleles së parë në gjuhën shqipe (1965 -1966).
Hap shum i vështirë asaj kohe komuniste, kur sistemi komunist e luftonte se, shqiptarët nuk kishin nxënës për paralele në gjuhën shqipe?! Edhe pse, asaj kohe vepronin disa shkolla fillore nëpër fshatrat e shqiptarëve, e nuk kishin gjoja numër të mjaftueshëm për hapjen e një paraleleje në gjuhën shqipe pranë gjimnazit “Mirko Mileski”, në Kërçovë?!
Mësuesit veteranë të asaj kohe i përdorën forcat organizative për sigurimin e numrit të nxënësve. Im vëlla, edhe pse isha regjistruar në Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, më tha: përshkak të plotësimit numrit nxënësve të hiqja dorë, dhe regjistrohesha në paralet e para në gjuhën shqipe në Kërçovë. U pajtova, dhe atë vit u hapën jo vetëm një paralele në gjuhën shqipe, por dy paralele me mbi shtatëdhjetë nxënës.
Gjithë lëndët mësimore i kishim në gjuhën maqedonase, me përjashtim të gjuhës shqipe që asaj kohe na e jepte Esat Ymeri, një lëndë mësimore më tepër se shokët tanë “vëllazër”, maqedonas. Arsyetimi, se gjoja nuk kishte profesorë për lëndët mësimore në gjuhën shqipe. Edhe pse, shumë profesorë u paraqitën vullnetarë nga Gostivari të japin falas mësim pa asnjëfarë pagese.
Sistemi i atëhershëm kundër hapjes të shkollave shqipe nuk e pranoi ndihmën e tyre arsimore. Profesorët shovenistë maqedonas, u vunë në lëvizje gjatë vitit shkollor: nga dy paralelet në gjuhën shqipe i sharruan pa mëshirë nxënësit shqiptar, dhe i lanë në paralelet e para në gjuhën shqipe me dy – tri nxënës në klasë. I mbyllën dy paralelet e para në gjuhën shqipe. Nxënësit, që e përsëritën dhe dy – tre veta që e kaluan klasën u regjsitruan për të vazhduar mësimet në Gostivar, Shkup dhe Prishtinë. Veteranët e arsimit, nga përndjekja e paparë policore u arratisën në Paris.
Katër vite i ndoqa mësimet në gjuhën shqipe me shokë e shoqe, nga Maqedonia, Kosova dhe Mali Zi, në Shkup. Kryeqytetin, ku dy vite pas lufte (1952) si dyvjeçar i sëmurë i kisha kaluar me nënën time “turqelinkë” në spital, e cila nuk e dinte asnjë fjalë në gjuhën turke, as maqedonase. Probleme, me të cilat ishte ballafaquar personeli i spitalit. Nuk merreshin vesh: I folnin maqedonisht, ajo i rrudhte krahët. I folnin turqisht, ajo përsëri i rrudhte krahët me të vetmet fjalë në gjuhën shqipe: nuk di. Më në fund, ia sollën edhe një xhypkë (rome), ajo përsëri i rrudhi krahët: nuk di. Dikur, i kujtohet njërit nga personeli i spitalit, mos është gruaja shqiptare? Edhe, pas pak kohe ia sollën një shqiptare. Dihet, gratë tashti u morën vesh. Komunikuan në gjuhën shqipe.
Spitali shtetëror si pacient i sëmurë pa shpresë, më kishin lëshuar me porosi për të gjetur shërim diku në vendlindje: plakë fallxhore, ose hoxhë. Im atë më kishte dërguar te Dervish Nurja, një Babasheh mistik i dëgjuar asaj kohe si mjek popullor. Xhindet, që gjithë natën më hudhnin dorë më dorë mbi çati të shtëpive dhe majë lisave të m’i përzë, rrëzë Ҫuke. Edhe Nusen me pashterkë të kuqe, që posa biente terri në lëmë, shpesh na e ndërpriste lojën si fëmijë, na rrihte shuplakë.
Babashehu, pasi më kishte fryer në fytyrë, ma kishte varë përqafe dhe një hajmali pëlhure të qepur brenda një letër me shkronja arabe. Nuskë, të cilën me vite e barta përqafe. Vërtetë, më shpëtoi nga sëmundja e asaj kohe, por nuk më shpëtoi nga xhindet që pasmesnate më vidhnin nga mesi i nanës dhe babait, dhe gjithë natën më hudhnin dorë më dorë mbi çati të shtëpive dhe majë lisave. Prehërin e Nuses me pashterkë të kuqe, në Katund. Pak pa zbardhur agimi më kthenin në shtrat mes nënës dhe babait.
Vite të rrezikshëm (1999 – 1980), edhe kur u ktheva nga Kosova me punë si mësues në Malësinë e Shkupit, dhe vendstrehim në Shkup. Kryeqytetin Historik Shqiptar, rrethuar me fshatra shqiptar, që unë asaj kohe nuk e kisha ditur katër vite si nxënës i shkollës mesme.
Dhuratë e partive politike shqiptare, që pas tridhjetë viteve në pushtet dhe opozitë, pas premtimeve parazgjedhore lokale dhe parlamentare na premtonin se do të na ndërtojnë edhe shkolla. Kohë, kur një katundar nga fundi i sallës i tha kryetarit partiak: Zotëri, po ne nuk kemi nxënës?! Ikën të gjithë me familje nga sytë – këmbët nëpër botë.
Kryetari, tymeflakë iu përgjigjë nga foltorja: Nëna Parti, do t’ju lindë edhe fëmijë…