NJË LIBËR ME PLOTË TË DHËNA SHKENCORE PËR KEQPËRDORIMET DHE DEFORMIMET E UDB-ES NË KOSOVË

0
Sabile Basha - Top-sekret

Prof. asoc. dr. Skënder LUTFIU

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha “TOP SEKRET: DËSHMI PËR KEQPËRDORIMET DHE DEFORMIMET E SHËRBIMIT TË SIGURIMIT SHTETËROR JUGOSLLAV NË KOSOVË (1945-1966)”, Botim i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, 2024)

Në veprën e titulluar “Top sekret: dëshmi për keqpërdorimet dhe deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav në Kosovë (1945-1966)”, studiuesja prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha ofron një analizë të thelluar të abuzimeve dhe devijimeve brenda shërbimit të sigurimit shtetëror jugosllav në Kosovë gjatë periudhës 1945-1966. Autorja përdor një qasje metodologjike të avancuar, duke përfshirë dokumente arkivore dhe intervista me dëshmitarë të ngjarjeve, për të ndihmuar lexuesin të kuptojë dimensionet e errëta të kësaj periudhe të historisë së Kosovës. Në aspektin metodologjik, standardet më të larta shkencore janë respektuar plotësisht.

Vepra është e strukturuar në shtatë kapituj, përfshirë parathënien dhe hyrjen në fillim, si dhe përfundimet, burimet, literaturën, shkurtesat dhe indeksin e emrave në fund.

Në parathënie, autorja ofron rrëfimin e saj autentik për përpjekjet që bëri për të njohur problemet e periudhës së studiuar, ndonëse ishte në moshë të re. Ajo ofron gjithashtu të dhëna të detajuara për masat e dhunshme të regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në hyrje të librit, autorja ofron të dhëna me rëndësi për lexuesit lidhur me ngjarjet kryesore politike që ndodhën në Kosovë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, siç ishte Kuvendi i Prizrenit. Keçmezi-Basha përshkruan me precizitet ndryshimet politike dhe shoqërore, duke ndihmuar në kontekstualizimin e gjendjes së Kosovës nën regjimin jugosllav. Ajo thekson rëndësinë e dokumenteve arkivore, të cilat zbulojnë veprimet e Byrosë Informative dhe pasojat e saj për popullsinë shqiptare.

Sabile BashaProf. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në një kapitull të veçantë është trajtuar pozita e Kosovës pas Kuvendit të Prizrenit (10 korrik 1945). Këtu janë analizuar ndikimet e këtij Kuvendi mbi politikën e Kosovës, duke theksuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj ripushtimit të Kosovës nga Serbia dhe përballjen e tyre me politikën diskriminuese të Federatës Jugosllave. Autorja argumenton se ky Kuvend shënoi fillimin e një periudhe të vështirë për shqiptarët, të cilët përjetuan masat më të rënda të regjimit jugosllavo-komunist.

Gjatë kësaj periudhe, regjimi i Beogradit përdori forma dhe metoda të ndryshme për të shtuar represionin ndaj shqiptarëve, duke i detyruar ata të shpërnguleshin dhunshëm në Turqi. Një nga masat më të ashpra ishte Aksioni i mbledhjes së armëve, gjatë të cilit shqiptarët u përballën me tortura dhe keqtrajtime. Në këtë vepër analizohen tri aksionet e mbledhjes së armëve të organizuara nga regjimi jugosllav, ku pushteti komunist përdori metodat më brutale të torturës ndaj popullsisë shqiptare. Janë dhënë përshkrime të detajuara të metodave të torturës dhe pasojave psikologjike që ato lanë mbi popullsinë shqiptare, të cilat vazhduan të ndihen edhe më vonë.

Vepra gjithashtu trajton formimin e UDB-së në Kosovë dhe keqpërdorimet e saj. Autorja ofron informacione të vlefshme mbi proceset që çuan në ngritjen e kësaj agjencie dhe rolin e saj në ndjekjen dhe kontrollimin e shqiptarëve, duke ofruar dëshmi konkrete nga arkivat dhe burime të tjera relevante. Po ashtu, vepra përfshin deklaratat e udhëheqësve të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, të cilave autorja u bën një analizë të hollësishme, duke dëshmuar keqpërdorimet dhe diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1945-1966.

Një pjesë e madhe e kësaj vepre mbulohet nga dëshmitë dhe raportet e ish-pjesëtarëve të UDB-së dhe strukturave të tjera të sigurimit. Nëpërmjet tyre, autorja ka zbuluar keqpërdorimet e fuqisë dhe autoritetit të këtyre strukturave shtetërore. Ajo thekson se ngjarjet e asaj periudhe ishin të planifikuara në mënyrë sistematike nga nivelet e larta të pushtetit, me qëllim mbajtjen nën kontroll të shqiptarëve.

Vlen të përmenden edhe deklarata e Shaban Kajtazit dhe të tjera të përfshira në vepër, të cilat ofrojnë të dhëna të rëndësishme. Autorja Keçmezi-Basha paraqet një analizë të thellë të dëshmive të Kajtazit, duke theksuar mënyrat se si shqiptarët ndiqeshin dhe kontrolloheshin, si dhe ndikimin që këto veprime kishin në jetën e tyre të përditshme.

Në kapitujt pasues, autorja ofron të dhëna të bazuara në dokumente arkivore, që ndihmojnë në zbardhjen e keqpërdorimeve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav në Kosovë gjatë periudhës së sipërpërmendur.

Në vend të përfundimit, mund të thuhet se vepra shkencore me titull “Top Sekret: Dëshmi për Keqpërdorimet dhe Deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav në Kosovë (1945-1966)” nga prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha paraqet një kontribut të rëndësishëm për historiografinë shqiptare. Kjo vepër ndriçon një çështje shumë të ndërlikuar, e cila deri tani nuk është trajtuar në dimensionin e duhur.

Ndërsa veprat e mëparshme kanë hedhur dritë mbi segmente të caktuara, ato nuk kanë arritur të japin një pasqyrë të plotë të kompleksitetit të ngjarjeve në dy dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo vepër është e rëndësishme, sepse pasqyron një periudhë të errët të historisë së Kosovës, duke ftuar historianët të rikthehen për të rishikuar burimet ekzistuese dhe për të shqyrtuar burime të reja, me qëllim ofrimin e një pasqyrimi sa më realist të historisë së Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Autorja, prof. dr. Sabile Keçmezi Basha, përmes një qasjeje të detajuar dhe të mbështetur kryesisht në burime arkivore, ofron një kontribut të çmuar për studimin e historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve gjatë periudhës 1945-1966. Vepra e saj është e domosdoshme për çdo historian dhe studiues që dëshiron të kuptojë mekanizmat e represionit shtetëror të Federatës Jugosllave, si dhe historinë komplekse të Kosovës në shekullin XX, veçanërisht në dy dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.