Në Limmared u përurua libri për veprimtarin e madh në Suedi – Fejzë Halilin

0
Fejzë Halili

Hysen Ibrahimi1

Në ditën e parë të pranimit të ngushëllimeve për shkuarjen në amshim të veprimtarit të madh në Suedi, Fejzë Halilit, në Limmared të Suedisë, në qytezën ku ka jetuar i ndjeri, u bë edhe përurimi i librit të Fetah Bahtirit me titullin ”Fejzë Halili, minator në atdhe, minierë atdhetarie në mërgim”.

Përurimin e organizoi dhe e realizoi Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, e cila kishte dërguar një delegacion të veçantë për t´i shprehur ngushëllime familjes së Fejzë Halilit dhe për ta bërë përurimin e librit për te. Delegacioni kishte këtë përbërje: Hysen Ibrahimi, autori i librit Fetah Bahtiri, Rrahman Rrahmani, Adem Ahmeti, Bahri Zeneli dhe Arben Hasani.

Në të vërtetë, autori i këtij libri Fetah Bahtiri, me të marrë lajmin për vajtjen e veprimtarit Fejzë Halili në amshim, i kishte hyrë punës voluminoze dhe e kishte shkruar këtë libër i cili mund të themi se është një monografi e vogël për jetën dhe veprimtarinë e minatorit të ”Trepçës” Fejzë Halilit në atdhe dhe në mërgatë, në Suedi, ku Fejza kishte emigruar në vitin 1989.

Në këtë përurim u vlerësua lart veprimtaria e Fejzë Halilit e cila është e përfshirë në libër, por u shpreh mirënjohje edhe për angazhimin e autorit, i cili këtë punë e ka bërë për ta nderuar figurën emblematike të një minatori e veprimtari tër jashtëzakonshëm që vendosi gurë të mëdhenj në themelet e Republikës së Kosovës sovrane dhe të pavarur.

Në përurim u cek se Fetah Bahtiri personazhin e kësaj vepre e ka mbështetur në veprimtarisë dhe angazhimit të tij për atdheun dhe kombin. Përveç shkrimeve të mëhershme për minatorin dhe veprimtarin Fejzë Halili, autori motivohet edhe nga njohja e tij e drejtpërdrejtë me personazhin pasi që kanë punuar dhe vepruar bashkërisht për çështjen kombëtare në Suedi dhe në atdhe. Kështu, autori në detyrën prej shkrimtari e bëri të pavdekshëm figurën e Fejzë Halilit dhe mund të konsiderohet se ky libër është një vepër me rëndësi kombëtare, historike e letrare aq më parë se është zgjedhur dhe vënë në letër fuqishëm veprimtaria atdhetare e humanitare e minatorit Fejzë Halili.

Gjithashtu në përurim u cek se ky libër për Fejzë Halilin do të mirëpritet me interesim të madh nga të gjithë veprimtarët dhe bashkatdhetarët shqiptarë në Suedi dhe më gjerë, jo vetëm se e pasqyron jashtëzakonisht mirë dhe bindshëm veprimtarinë e Fejzë Halilit, por edhe për faktin se do të japë impulse të reja për krijues të tjerë që të shkruajnë për veprimtari kombëtare në shërbim të atdheut dhe kombit.

Autori Fetah Bahtiri mori shumë urime dhe përgëzime për punën vetëmohuese dhe sinqeritetin e shprehur në përpilimin e tij.
Rrahman Rrahmani e përshëndeti dhe e përgërzoi autorin Fetah Bahtirin për botimin e këtij libri të vlefshëm dhe rrëfeu disa hollësi interesante për njohjen dhe bashkëpunimin që kishte pasur gjatë shumë viteve me Fejzë Halilin.

Fjalë urimi e miradie për autorin e librit dhe për protagonistin e tij, Fejzë Halilin shprehu edhe veprimtari Adem Ahmeti.
Në përurim ishin të pranishëm edhe shumë familjarë të minatorit dhe veprimtarit tani të ndjerë Fejzë Halilit. Djemtë e tij – Bekë Halili, Sinan Halili, Visar Halili dhe Bujar Halili shprehën falënderimet më të thella e më të përzemërta për autorin dhe shokët e babait të tyre, të cilët po tregojnë respekt të jashtëzakonshëm për te dhe familjen e tij.

Në emër të familjes së Fejzë Halilit famënderime dhe mirënjohje të thella shprehu djali i Fejzë Halilit – Beka.

Autori i librit, Fetah Bahtiri, ndër të tjerat në përurim sqaroi ecurinë e përpilimit të librit dhe për këtë falënderoi redaktorin e librit, Hysen Ibrahimin për ndihmën që ia kishte dhënë në mënyrë që libri të dalë i kompletuar dhe shpejt ashtu si e kishte dëshiruar vetë autori. Ai edhe njëherë ngushëlloi familjen e të ndjerit dhe nënvizoi se familjarët e të ndjerit Fejzë Halili duhet të jenë krenarë për punën dhe veprimtarinë e prindit të tyre.

1. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi; Autor dhe bashkautor i 22 veprave letrare, publicistike e shkencore.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.