NË KËT QYTET BURRAT SHITEN ME THASË

0
511
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Grua natën e mirë

Grua besnike, natën e mirë! Ika
Pasmesnate, më pret një Grua tjetër:
Poezia. Dhe, është xheloze.
Nëntë burra nuk mund ta bëjnë zap
Natën. Vetëm Unë ia jap hakun.

Grua besnike, natën e mirë! Ika
Falemnderit. Që, nuk je xheloze…

Edhe Ti je si lulet
e qershive

Edhe Ti je si lulet e qershive
E shkund Veten. I rrit frutat.
Që, t’i ha pasmesnate. Huazoj
Unë për simbole në poezi. Liri!

Edhe Ti je si lulet e qershive
Shkundesh. Skuqesh para Diellit…

Takimi parë
natën e premierës

E takova për herë të parë në Teatër
Natën e premierës. E qethur keq.
Tullace. Sytë i kishte të kaltërt
Asht e lëkurë. Thashë: E kanë lodhur burrat.
Më tha: E dua, dhe e shkruaj poezinë!

Atë Natëmadhe e përcolla deri në shtëpi
Të nesërmen më solli një fletore me poezi.
Dhe, që atë ditë pesë vjet e përcollëm Natën
Matanë me verë e poezi. Një ditë iku Qyqja
Nga Atdheu. E veshi ferexhen e zezë.
Një vit e dënoi Veten. Një ditë erdhi
Me një gjeth të vedhë në dorë. Dhe,
I kaluam dy net në një shkëmb mbi Liqe.

Edhe njëherë iku. Dy herë. Përgjithmonë.
Thashë: Ta muros nën Rrap. Përpara „Ilirisë„
Gji t’u japë poetëve që nuk ikin nga Atdheu…

Edhe një qiri
për Lejdin Di

Gjatë Netëve të poezizë korçare
E vizitova vendlindjen. Korçën.
Dhe, vendvdekjen. Voskopojën.
Hyra në kishë. I ndeza dy qirinj:
Një për Miken. Një për Cucën Boheme.
Paprtitmas, m’u afrua një poete azgane
E më tha: Me një qiri nuk ndizen o burrë
Më shumë se dy, përpara Shën Mërisë!

Plumb iu përgjigja: Unë jam Poet bohem
Lotët e Shën Mërisë nën Rrap i ngrej dolli.
Harrova të ndez edhe një qiri për Lejdin Di…

Hëna e ka marrë
për burrë

E dëgjoj zërin e Mikes Di
Nuk e di nga vjen. Nga qielli:
Nata. Apo, toka? Varri…

E njoh atë zë. E dëgjoj ditenatë
Edhe, në ëndërr. Vetëm hapat e Mikes
Nuk i dëgjoj. Vargun e saj rrebel.

Siç duket Hëna e ka marrë për burrë…

Është Ajo grua

Nën hije pi verë. E shaloj fantazinë
E kërkoj në telefon celular:
„Personi që kërkoni nuk ka qasje në rrjetë“.

Heq dorë. Në fund të shtamës me verë Ajo
Një javë përpara ia kushtova një poezi.
E ngrej kokën. Rrugës vjen Ajo
E thirr në emër. Ndalet. O Imzot!
I them: Ç’farë profecie!? Nga Ti këtu?!

Qesh. Dhe, ulet me Mua në tavolinë
E pi edhe një shtamë me verë.

Dikur, e përcjell për në rrugë. Iliri…

Gruaja besnike

I dëbova armiqtë rreth Meje. Edhe Miken Di
Vetëm poezinë nuk mund ta përzë. Nuk ikë.

Është grua besnike. Marrëzisht, e do burrin…

Vogëlushja më tha:
të dua pak

Vogëlushja më tha: Të dua pak
Mikja të do shumë. Cuca Boheme.
Nuk e xhelozoj Gruan tënde – verë
E di. Mikja e xhelozon. Edhe mua.
Vështirë e kam të flas për Cucën Boheme
Ende nuk e njoh. Vetëm njëherë jemi takuar
Në „ Grand „. Gjithë kohën më vodhi me sy…

Ndjekje me telefonë celularë

Ai u vonua. Ajo e priste në Tavernë
Kafe galeri, atë ditë „Koha“. Erdhi.
Shumë vonë. Ajo më kishte ikur
E kërkoi si burrat në telefon celular:
„Personi që kërkoni nuk ka qasje në rrjetë“.

Pas dy orëve: – „Alo, Ujku?“ Po, i përgjigjet.
– Ku je? Tri orë po të kërkoj nëpër Qytet
Ec shpejt! Të pres në hotelin „Iliria „!

Niset. E gjen në tavolinën ku rri Ai gjithmonë.
„Bejbi“, i thotë: Sot u binda se jam e çmendur
Gjithë këto burra të bukur nëpër Qytet. E unë:
Të kërkoj Ty me orë. Babasheh je „Bejbi“.
Hajmali të fortë më ke varur për qafe. Që,
Nuk mund ta zgjidhin as njëqind hoxhallarë.

Ai pi një shtamë me verë. Ajo pi një çaj mali
E përfundojnë ndjekjen me telefonë celularë…

Dhe kështu e mashtrojmë
Veten. Njëri – tjetrin

E dinte se, jam në Prishtinë. Tavernë
Gjithë ditën më kishte kërkuar nëpër Qytet.
Në mbrëmje kishte hequr dorë. Ikur.

Vonë e kërkova Unë me telefon celular:
– Ja, sa u ktheva në shtëpi. Jam e lodhur.
Edhe nervoze. Nuk mund të dal sonte
Shihemi nesër! Natën e mirë, o Ujk!

Mirë, i përgjigjem. Dhe, ik në banesën
E një miku në kodër ta përcjell Natën:
Mes bretkosave. Dhe, Dy breshkave
Mes librave. Dhe, shtamave me verë.

Të nesërmen, Ajo e pi një kafe. Unë një verë:
– Ma blej një libër, më thotë! Ia blej edhe dy të tjerë.
Ujk, më thotë. Sot vërtetë bëre pak „sevapë“.

Dhe, kështu e mashtrojmë veten. Njëri – tjetrin
Ajo turret ende pas burrave. E, Unë pas grave…

Liqeni më sulet
me dallgë

Moti qiellin nuk e kam parë natën
Nuk ia kam numruar yjet. Pulën me zogj.
Arushën e Madhe. Kashtën e Kumbarës
Hënën drapër. Dhe, kulaq mbi lisa.

Liqeni më sulet me dallgë
Këmbët të m’i lagë. Miken…

Unë nuk e pyeta asgjë

Më pyeti: Hë, si je Sot?
E nuk më pyeti: A jam i vdekur
Në rrugë. Ose, rrëzë Çukës.

Më pyeti: A, më do ende?
E nuk më pyeti, a jam lindur
Dhe, a e kam mendjen të vdes.

Qesha. Unë nuk e pyeta asgjë…

Vend i bëra Vetes
në Parajsë

Ndonjëherë kërkon diç të të blej si fëmijë
Zakonisht ndonjë libër. Jo, të them shkurt.
Nuk e meriton. E ul kokën, luan me unazë.

Kokulur ndihesh e fajshme tmerrësisht.
Mirë, them. Megjithatë, do të të blej libër.
– Jo, nuk dua. Më përgjigjesh me inatë.

Dhe, shkoj pas librit. Që të pëlqen marrëzisht
Edhe dy të tjerë t’i dhuroj me poezi erotike.
Gëzohesh si fëmijë. Vërtet, më thua e lumtur:
– Sot i ke bërë Vetes një vend në Parajsë…

Më lini të ik
në Liqe

Më lini të ik në Liqe. Shkëmb
Dallgët t’i pres në breg si burrat.
Anijen pa vela në shtrëngatë
Dhe, Hënën e plotë në verandë.

Më lini të ik në Liqe. Dallgë
Pranë një qiriri të fle me Hënën…

Në kët Qytet burrat
shiten me thasë

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua
Në një Qytet ku burra ka me thasë.
E shiten lirë, në “Bit – Pazar”.

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua
Në një Qytet ku burrat shiten me thasë…

Papagallët më mësojnë Mua
si i dilet zot Atdheut

Udhëtoj. Dhe, përditë e pi jetën verë
Përderisa politkanët jetojnë në dhjamë.
Trashin qafat e lidhura me kravata kuqezi
Unë kam vuajtur shumë. I vetmuar
Kam bredhur dhiareve me zemër të uritur.

Politikanët e tredhur. Papagallët
Më mësojnë ç’është demokracia. Liria.
Si shkruhet poezia. I dilet zot Atdheut…

Petullat e Nënës e çonin
të vdekurin nga varri

Në Katund, kur shpesh vinin miq
E thirrnin Nënën t’u bëjë petulla.
Nëna i bënte petullat më të mira
Ose, siç thoshte Babai: Petullat,
E Nënës e çonin të vdekurin nga varri.

Në Katund, më nuk vijnë si dikur miqtë
Nënës, s’ka kush i bënë petulla:
Që, edhe ajo të zgjohet nga varri…

Pula kur këndon
si gjel

Nëna ime kur pula këndonte si gjel
E therte. I fuste thikën në qafë.
Biro! Kënga e saj ndjell kob
Patjetër, duhet t’ia zhdukim furriqet.
Në shtëpinë tonë lajmëtar është gjeli
Mbreti i pulave. E paralajmëron agimin.

E sot, shumë pula e thirrin agimin
Fatkeqësi. Që, Nëna ime nuk është gjallë:
Thikën t’ua vë në qafë. Heshti qyqet…

Nënë emri i Babait
më kushtoi shtrenjtë

Nënë, emri i Babait më kushtoi shtrenjtë
Edhe i imi. Rrugës për në Baba Tomor.
Fisi i kaçakëve nuk blihet në “Bit – Pazar”.

Nënë, emri i babait më kushtoi shtrenjtë
Edhe i imi. Edhe më shtrenjtë i tim biri…

Unë jam Ujk. Dhe,
dua plagë!…

Grua, mirëmëngjes. Erdha
Unë jam Ujk. Dhe, dua plagë!

Edhe Ajo nuk ishte xheloze…

Shkup, 9 qershor 2003
Nga libri: EDHE AJO NUK ISHTE XHELOZE (2004).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.