Mure, mure, mure…

1
399
Namik Selmani

Ese nga Namik Selmani

Takimi i parë me fjalën MUR, të paktën për shqiptarët, ka qenë në grupin e fjalëve prijatare për hapat e parë të jetës dhe që do ta shoqërojnë njeriun në atë udhë ku nuk duhet të jesh memec për mençurinë që të vjen në sy, nuk duhet të heshtësh para padrejtësisisë, nuk duhet të kursesh fjalën e këshillës, kur ajo thuhet në kohën e në vendin e duhur.

E kërkuam KËTË FJALË e ndërsa vetë ai, MURI, ngrihej pak nga pak në prekjen e më vonë në përfytërimin tonë. Të parin kontakt me Murin e patëm aty, te gardhi i shtëpisë. I ndërtuar me ca purtekëza të holla pak më të trasha, të shtrembëra, herë me ca gurë e tulla të kuqe, qerpiçore, të vëna jo dhe mjeshtërisht në krah të njëra tjetrës duket se Muri do të ishte një dikur që do ta shihnim shumë herë në jetë. Muri drusor e, më tej, ai mur i vogël me tulla dhe gurë, na kujtonte neve dhe atyre që shihnin këtej e matanë gardhit-mur se ishin dy gjëra skajshmërisht të kundërta IMJA DHE JOTJA. Më vonë na vunë në buzë një fjalë të urtë se “Muret kanë gojë”.

Ashtu, të heshtur. muret e vetë shkopinjtë e thatë jo më të gjatë se 1 metër, ose diçka më shumë, morën Misionin e Ndarjes së botës së madhe me atë sinorë që babai, nëna të afërmit tanë, na kishin thënë se ishte jona. Pa dyshin edhe vetë hipëm mbi ca mure të rrëzuar apo dhe me ferra të mëdha. Mes tyre, për besë, duket se ishim bërë fitimtarë të një beteje të madhe kur natën në muzg apo në zhegun e ditës, shkonim te oborri i fqinjit dhe kullufitnim me një fshehtësi fëminore disa kokrra mana, një kokërr ftua, ca fiq gati të papjekur, një shegë që ta bënte trëk me kuqëlimën e saj, disa kumbulla të tharta…

Eh!! Mund të kishim sa e sa të tilla në tryezë, që gjithsesi ishin të varfëra, ose dhe mund t’ua kërkonim lutshëm prindërve një gjë të tillë që ta merrnin në tregun e zhurmshëm të qytetit, por ato seç kishin një shije të ndryshme. Mos vallë padrejtësisht po zgjohej dhimbshëm shija e rrëmbimit në atë kalim të paligjshëm muri????. Një diçka të ngjajshme me atë tregim kreshnikësh që do ta mësonim tek eposi legjendar kur kreshnikët ishin të qetë vetëm nëse e merrnin gruan e tyre larg shumë larg nga trojet ku banonin??

Vështirë që të kuptoje atëherë dhe sot atë filozofi të atij muri të kapërcyer me jo pak sfidë për moshën që jetonim me ca këmbë të zbathura, të gjakosura në ferrat që kishin shumë herë aty Mbretërinë e tyre. Në qytete karakteristike kishte shumë mure, po që shpesh ngatërrohen me njëri-tjetrin si ndodh në qytetin Muze të Beratit tashmë dhe pasuri e UNESCO-s sheh një gjë të çuditshme.

Në ato ngushtica shtëpish të një lagjeje si Mangalemi apo Gorica, lulet e pafajshme apo dhe filizët e hardhisë kanë dalë jashtë gardhit të gurtë dhe janë ngjitur në murin e fundit që është gati një krah njeriu larg tij. E bashkë me këtë rrugëtim te blertë edhe veshulët e rrushit shkojnë te fqinji. E kujt i takon që ta hajë atë veshul që ushqehet në tokën e fqinjit dhe del në oborrin e një shtëpie tjetër???? Vështirë që të ketë një gjykatës të saktë që ta zgjidhë një gjë të tillë.

Më vonë udhëheqësit e fiseve, të kombeve, të shteteve, iu drejtuar sërish MURIT për të vendosur brenda vetes ose brenda bashkëgjuhësve dhe bashkombasve pak qetësi jete më shumë, brenda një komuniteti që mund të sillte më shumë begati në tryeza. Mund të mos kishte kaq shumë shkolla ku të mësonin gjuhën që flisnin si trashëgimi e të parëve të tyre, por, të paktën, të kishin pak më shumë qetësi, siguri në konfliket e mundshme me një komb tjetër, të ishin pak më të sigurtë nga ardhacakët e shumtë që vinin nga larg që në botën moderne morën sa e sa sinonime refugjat, emigrant, kurbetçi, mërgimtar, ekstrakomunitar, etj

Nga Muret e Trojës që para gati 3000 vitesh na vjen trokëllima e drunjtë e një kali gjigand, brenda të cilit ishte Simbolika e Dinakërisë që do ta bënte më syçelët shpirtin njerëzor.

Koha e ndërtimit me sa e sa vite apo dekada të këtyre mureve, lënda e parë e përdorur në to, forca që mund të mbante ai mur, shpenzimet e pallogaritshme që u përdorën për to, arkitektura e jashtëzakonshme e ndërtimit të tyre, gati e pabesueshme për kohën që jetojmë mbase dhe më vonë, bëri që ato të hynin në analet e një historie të re që do e njhnin brezat e mjaft kombeve. Në enrgji dhe në paratë e harxhuara për to mund të konkurronin vetëm me afresket e tavaneve të kishave dhe xhamive ku piktorët duhet të punonin vetëm me trup të shtrirë. Kur ndodhemi para tyre, kur i shohim, i prekim me plot gojë dhe pa asnjë mëdyshje themi ja këto janë MREKULLI E NJERËZIMIT, si ndodh me Murin e Madh Kinez.

Mure të tjerë u ngritën në 200 vitet e fundit në Evropë e në Azi. Mure që i bëjnë sfidë paqes, mure që ngjiznin në një farë mënyre luftrat e reja, me e pa armë, Luftën e Ftohtë e një luftë diplomatike patriotike. Shumë të veçanta në llojin e tyre. Mure që shumë herë na janë shfaqur me pamjen e duarve të shtrira për një copë bukë, për një jetë që ikën, për pak ujë, për një mjek që s’gjendet në kohën e në vendin e duhur, në prag të agonisë së jetës së ëndërruar.

Mure, mure, mure.
Në librat e gjuhës një ditë mësuesët tanë të mirë na mësuan (atë që bëmë dhe ne shumë më vonë se ata para nxënësve tanë) shumë shprehje frazeologjike që lidhen me këtë fjalë. Komenti i secilës është një larmi tregimesh që vijnë me sa e sa intriga, befasi, bukuri, mistere, dramë, dhimbje. lumturi, një rrëfim lirik që më vonë shumë herë do të na shfaqej edhe si një plagë e madhe sociale mes kombeve.

Në fjalën urtake “Gur, gur bëhet mur” pamë simbolikën e bashkimit dhe duarshtrëngimit drejt një pune të dobishme për muret e një ndërtese, të një shtëpie, qoftë edhe të një kulle gjigande që, në kohën moderne quhen rrokaqiej e që i sheh shumë të tilla në qytetet të Botës pse jio dhe në Tiranën që dikur mund të mburej vetëm me Muret e Qerpiçëve.

Ende e kemi të freskët Mitin e Besës dhe të Antibesës tek Kalaja e Rozafatit. E denjë për dhjetra filma nga e mbarë bota. Me mure të rrëzuar mistershëm e po me kaq mister edhe ndërtimi i tij si mision. Ende e kemi po kaq të gjallë dhe tragjikshëm Murin e Klonit që gardhonte kufinjtë e shtetit tonë në kohën e diktaturës me shtetet fqinjë e që do të bëhej shpesh arkivol i hapur për secilin që do të guxonte ta shkelte e ta kalonte një ditë.

Kështu e mësuam kulmin e vuajtjes kur dëgjuam fjalën urtake: “Vuan si miu në mur”, bukurinë e papërshkruar kur thamë : “Nuse për ta vënë në mur”, sakrificën e verbimit kur mallkuam: “Kërkofsh murin me dorë!” indiferencën tek “Kujt i flet, muri?”, dembelizmin tek “Rri e mban murin”, thyerjen tek “E vunë me shpatulla në mur”, filozofinë e individualizmit ballë kolektivitetit, bashkëpunimit tek “Një gur nuk bën dot një mur”, besën dhe forcën shpirtërore të burrit ose dhe të një udhëheqësi tek “ Muri luan, burri s’luan” që në kohët moderne e kthyem pak me shaka për të treguar antibesën dhe e bëmë “Muri s’luan, burri luan”. Pamë përluljen njerëzore tek fjala “Nuk i bihet murit me kokë”, misterin njerëzor tek “Fusha ka sy, muri ka veshë”, mungesën e përvojës tek fjala “S’ka dalë jashtë mureve të shtëpisë”.

Në rininë e hershme muret u bënë sheshmejdanet e parë të dashurisë së parë, kur një puthje e vjedhur në muzg mes dy fqinjëve ua kalonte lumturisë së mbretërve me para, me pallate, me prona, me skafe, bizhuteri brilante… Ose diku në qytetet tradicionale kurdisëm kitarat dhe kënduam me to ninananat e dashurive tona ballë një dritareje ku prisnim me padurim një lëvizje të lehtë perdeje ku të dilte AJO…Ua kalonin dashurive moderne me një celuar në duar që kishin dhe kanë brenda vetes kaq shumë llogari patjetër dhe ndarje.
Muri provoi mjeshtërinë e vërtetë të një ndërtuesi që linte pas me duart e tij të arta shtëpi, kulla, piramida, objekte kulti, ura, mure krojesh ku ende mbushim ujë..

E thonim se iks mjeshtër është i paarritshëm për qoshet e murit. Muri na fshehu për të mos na vrarë, na mbrojti.

Në muret e rrëzuar që i quajtëm murrana, pamë shtëpitë e djegura, të rrëzuara nga tërmeti, ose nga përmbytje e një kuçedre ujore. Kjo ka qenë dhe mbetet pamja e largimit në jetë të jetëve nga muret e shtëpisë, të qytetit. Sa herë që duam të rrëfehemi për dhimbjen e nisjes janë këto mure skelektikë që na mbeten në fjalët e buzës sonë të përzhitur nga dhimbja, e, kur i riprekim, nuk e kemi për droje, që t’i puthim gur më gur.

Dhe sërish vijmë te muret modernë. Muret e sotme kanë sjellë edhe një tendencë të kundërt. Muri i Berlinit është Kryemuri i izolimit të kohëve modern. Mur politikash, ideologjish. Ai tash ka rënë, por sot mure dhe gjerdhe të reja ndajnë akoma shtetet fqinje dhe zona të tjera, që nga Meksika, Maroku, Jeruzalemi, Arabia Saudite, Iraku, India e Malajzia në lindje, duke mos llogaritur murin kinez, i cili, për fat, sot shërben për qëllime turistike. Qëllimi i ngritjes së tyre është pengimi i dyndjes së të shpërngulurve që duan një jetë më të mirë, i terroristëve, trafikantëve ose pengimi i pushtimeve. Fjala është për një epidemi globale me përmasa gjithnjë e më të mëdha në kërkim të zgjidhjeve të problemeve ndërshtetërore.

Muri i Bagdadit është më i fundit. Është i përbërë prej blloqeve të betonit 4 metra të larta dhe rreth 3,5 km i gjatë, që po ngre ushtria amerikane, për të bërë ndarjen e zonave shiite e suite, në atë pjesë të Bagdadit, për të penguar sulmet e rrezikshme me bomba, të cilët në shumicën e rasteve kanë viktima civilët e pafajshëm. Epidemia e ndërtimit të mureve ndarëse, ka përfshirë edhe SHBA-të, mbështetëset më të mëdha të globalizimit, e lirisë së mallrave e njerëzve dhe vendi që ka kontribuar për prishjen e murit të Berlinit. Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë një mur të gjatë në kufirin me Meksikën, duke iu bindur motos së mbështetësve se “rrethimet e mira krijojnë fqinj të mirë”. Më tej mund të flasim për Murin e Marokut që është ndërtuar në Marok në vitet ‘80 të shekullit XX, me qëllim pengimin e kryengritësve të lëvizjes Polisario, që luftonte për pavarësinë e Saharasë Perëndimore.

Rrethimi përbëhet nga disa mure të lartë deri në 3 m, me një gjatësi 2700 km. Muri është i rrethuar nga fusha me mina dhe tela me gjemba. Sot ruhet nga rreth 200 mijë ushtarë marokenë. Muri i Izraelit që është ngritur për të kufizuar pjesën arabe të Jerusalemit nga brigjet perëndimore, duke e arsyetuar këtë, si masë kundër sulmeve vetëvrasëse të palestinezëve. Muri Saudit Është ndërtuar nga Arabia Saudite 885 km rrethimi me teknologji të sofistikuar, përfshirë edhe censorët për shikim natën, program për njohjen e personave dhe tela me gjemba për të “çimentuar” kufirin me Irakun. Muri i Kuvajtit Fqinji tjetër i Irakut, Kuvajti, po ashtu ka fortifikuar kufirin me gardh të elektrifikuar, me rreth 217 km.

Në prag janë edhe punimet për kontrollin e lëvizjeve mes Indisë e Pakistanit, Indisë e Bangladeshit, Pakistanit e Afganistanit. Për të ardhur kohët e fundit, madje ditët e fundit tek Muri i Mitrovicës në kufirin mes Kosvës dhe Serbisë. Si lëndë e parë për të nuk janë tullat, por betoni. I ndërtuar në kohën e lëvizjes së një treni serb që shkonte në Mitrovicë duket se edhe ky mur po bëhet “personazh” i muromanisë së kombeve. Një mur tjeter si ai i Hungarisë është në qendër të vemendjes jo vetëm të njerëzve, por dhe të politikës së Ballkanit, të Evropës e më tej.

Muret fyejnë etikën dhe estetikën. Mund të ngushëllohemi me ata që i përdorin si piktura, ku paraqesin zemërimin e pafuqishëm. Ose me mendimin që, për çdo bllok muri që ngrihet, shtohen kapërcyesit e mureve, për shkak të atij impulsi njerëzor për të shkuar “përtej kolonave”, siç bëri Uliksi i Dantes. Pas Berlinit, përllogaritet që më shumë se 8000 kilometra mure janë ngritur, për qëllime nga më të ndryshmit, por për një program të vetëm: ndarjen e të gjallëve.

Dhe nëse ndonjëherë është bërë i nevojshëm për të mos u dashur të numërohen të vdekurit, në shumicën e rasteve është egoizmi, sindroma e kështjelës së rrethuar që i ka udhëhequr inxhinierët. Ne dhe ata, kemi qenë në një delir të një marrëveshjeje të munguar ku kanë humbur fjalët ëndërrore dhe magjike: tolerancë, bashkëjetesë.

Ah, muret!! Përtej këtyre mureve prej gurësh, prej betoni, prej telash që disa herë kanë brenda tyre dhe energjinë elektrike, janë disa mure që njerëzimi po përpiqet që t’i rrëzojë sa më shpejt me fjalime diplomatësh, me kompromise të ndryshme. Janë Muret e Urrejtjes. Janë ca mure që mbase ngrihen gjatë në kohë, por duan shumë kohë që të prishen. Të zbuten.

Të tillë mure ne kemi ende brenda vetes dhe që çdo ditë duhet të përpiqemi që t’i prishim. Përtej mureve që shumë herë na janë kthyer në një Mit klasik dhe modern, do të donim një arkitekt, dy, qindra të tillë në botën shumëgjuhëshe (pse të mos ishte dhe ti në këtë radhë kilometrike mjeshtërish??) që të ngrinim së bashku Murin e Dashurisë njerëzore, Murin e harmonisë. Një mur pa dryne dhe shifra misterioze në hapjembylljen e tyre.

E thënë më qartë të ngriheshin më shumë në vend të tyre URA, URA luksoze ose jo, por që të bashkonin brigje zemrash, popujsh.

Ura mirëkuptimi ku, pa pengesën e Mureve, të doganave hijerënda, të kalonin në to sa më shumë kultura, sa më shpejt, prodhimet, këngët, ninananat e nënave që në të gjithë botën kanë ëmbëlsinë dhe buzëqeshjen tërë dritë, ku të kalonin me duar të shtrënguara të dashuruarit. Pse jo, në të të kalonin dhe ushtarët e ushtrive të kundërta në qëllimin e tyre, por që nga ajo kohë, që nga ai takim, ata do t’i kenë lënë armët në muzetë e historisë.

Pas mureve të Muzeve brezat të shihnin se sa e bukur është bota me to. Kjo ëndërr që nuk është kurrsesi ëndërr, në një pragndërrimi të viteve mbase është dhe dëshira e të gjithëve që nga ata bujqit e heshtur dhe duarartë që prodhojnë prodhime të freskëta deri te zbuluesit e shkencës së astronomisë, të filozofëve, të fizikantëve, të elektronikës, të aeronatikës, të botës nënujore.

Se të gjithë, të gjithë kanë pjesë pak ose shumë në këtë Urë të madhe bashkimi dhe bashkëpunimi të botës.

1 KOMENT

  1. Falemndeeit i nderuar Namik Selmani per kete Shkrimt te shkelqyer sa shkencore dhepolitie po e uaj une, me kete ESE mjeshterore, te lumte ajo mendie komanduar ate PENE *Me ate KRYE djali permbyllese: *..Se te gjithe kane pjes pake ose shume ne kete *URE te madhe te bashkimit dhe bashkepunimit te botes*.. Mbrodhesi ju UOJ! sa *NJEREZ verte NJERES-lexoeni!

    Me Ju dhe URIMIN popullor *Shkofte REJA ju DEGJOFTE Idene tuaj REALIZOFTE !

    *86 vjecari Gyri Naimit D. *Pasues VETERAN* – (rrugeve te emigracionit…te pas 90-tes)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.