Kolec P. Traboini
Shkruar nga ASTRIT LULUSHI (1953 – 2024)
Pa një trashëgimi, çdo gjë është e varfër. Kështu edhe fusha e letrave. Prandaj nuk është jo e zakonëshme që kur shkruhet rreth kohës që jetohet, pranë zenë vend edhe ato që janë krijuar nga shkrimtarë e poetë fizikisht jo më, por veprat e tyre, po – edhe pse shpesh gjysmë të harruara.
Duket se është ky motivi nga i cili dy poetë – Iliriana Sulkuqi e Kolec Traboini – me banim në Amerikë, u nisën me kujdes artisti në përgatitjen e librit “Kujto Poetin”, ku poetë shqiptarë që nuk jetojnë më, 5 poetë të ekzekutuar nga diktatura dhe shumë të tjerë krijues nën thundrën e saj a të arratisur, flasin nëpërmjet vargjeve të tyre:
– “Vëmë re”, thotë Kolec Traboini në parathënie, “se disa autorë patën jo vetëm fat tragjik, por edhe u shoqëruan me një lënie në harresë e jashtë vemendjes së mediave.”
Pra “Kujto Poetin” vjen edhe si mesazh i qartë – se një libër si ky, është jo vetëm kujtesë – por edhe njohje, e plot mësime të harruara për mortin që do të binte, siç paralajmëronte poeti
“..mos e lyp at varg/asht shum ma mirë/korimbat t’tu mos t’dijnë çka do me thanë/me qen’ poet e mos me qenë i lirë”.
Kështu shkruante Lazer Shantoja, si për t’u thënë gjykatësve komunistë që po e dënonin, se ata kurrë nuk mund t’a kuptonin poezinë e tij. Shantoja u ekzekutua nga komunistët më 1945 – varri i tij nuk dihet.
“Atdheun e dija të rritur/por sa i vogël paska qenë”, shprehej poeti Trifon Xhagjika, ndosha kur ndodhej para skuadrës së pushkatimit më 1963, atëhere 31 vjeç. Po kështu edhe i vrari tjetër nga diktatura komuniste, poeti Wilson Bloshmi që u dënua me vdekje për vargje si këto: “më i gjallë jam se çdo i vdekur…” apo ”..ska as lot të qajë/nuk ka miq e shokë/nuk ka as bijë, as bir/ Saharaja, është një copë tokë”.
Por “Ç’ka se vdiqa shpejt?/Lumnija nuk qe për mue/E lashë një përmendore!” – ” shkruan Arshi Pipa në Tingullim i Këputun, poezi që autorët Sulkuqi e Traboini e kanë përfshirë në këtë album.
Kujto Poetin, botimet ADA 2011, përmbledh poetë shqiptarë nga viti 1945 – 2010, që nuk jetojnë më. Secili prej 40 poeteve në këtë album përfaqësohet me 4 – 5 poezi të përzgjedhura dhe çdo njeri prej tyre me një pëshkrim të shkurtër biografik.
“Kujto Poetin” është vërtet risi, i pari i këtij lloji në shqip. Libri duhet parë edhe si një fillim që lexuesit shpresojnë të bëhet traditë, duke u pasuar nga vëllime me poete të tjerë të cilët edhe pse nuk jetojnë më, kanë lënë pas mesazhe që presin të përçojnë vlerat e veta edhe sikur….”në fund të dheut fshehun ti po të ishe/me falë po t’duhet ma se sa një jetë/porsi kalorës prrallash do t’vijshe/ndër njëmijë shtigje ty kisha me t’gjetë” siç do të shprehej Drago Siliqi (1930 – 1963) në “Kujto Poetin” fq. 146.
“Fjala e lirë” 5 maj 2012