PIKËPAMJE
(Intervistë me vetveten)
Met Rexhepi
Le ta nisi për gjuhën. Çfarë gjuhe përdorim sot në komunikimin tonë publik?
Përmasat e lirisë dhe të demokracisë sollën hapësira për shfaqje shprehjesh nga më të ndryshmet, deri në deformime të pakuptimta, ndonjëherë kthim prapa, ndonëse gjuha e njësuar shqipe arriti shkallën e një gjuhe standarde, sado që ta quajmë “standard i diktatit politik” por, me gjithë atë u bë standard unifikimi. Sipas akëcilit prijës letrash, treve a krahinë, “pakënaqësia” për gjuhën e “njesueme”, “imponuese” (Arshi Pipa), mund të shfaqet dhe përmes kthimit te variantet dialektore e nëndialektore të shqipes, të lëna jashtë standardit?! Pra, shtrohen dy alternativa: kthimi i përdorimit të shqipes në dy dialekte ose plotësimi i gjithanshëm i standardit me të dy dialektet? Mbase rrjedha të dyta do të na shpien te një përfundim më i logjikshëm.
Pothuaj se gjithçka sikur duhet të ribëhet, ri-shtrohet, ri-korrigjohet, madje dhe e arritura e shqipes, që në rrethanat e shkëputura me Shqipërinë administrative nga Jugosllavia Federale e Sllavëve të Jugut të Evropës, megjithatë, gjysma tjetër e etnisë, që të mos mbetej e shkëputur pranoi jetësimin e njësimit; njërin nga synimet shekullore të Rilindjes sonë të ndritur Kombëtare, e zbërthyer në moton: Njësia e gjuhës është njësia e kombit, ose deviza madhore: Një gjuhë, një komb! A shtrohet njësimi i gjuhës kombëtare në stilin: pse ndodhi unifikimi në periudhën e komunizmit?! Mundësia e dhënë nuk mund ta përjashtonte kronologjinë e historisë…
Brengosëse është sjellja e papërfillshme, veçmas, e shtresimit intelektual ndaj shqipes si të ishte njerkë e jo nënë jona! Kush do ta mbronte shqipen më bindshëm, në qoftë se nuk e mbron elita e saj intelektuale: gjuhëtarët dhe shkrimtarët? Madje, për keqpërdorimin e shqipes në veprimtaritë publike, do të duhej të vepronte ligji dhe gjoba. Kush u gjobit deri tash për paraqitje të stërkequr të shqipes? Askush?! Dilemat janë: megjithatë, shqipja standarde nuk përfilli embrion-morfemat e pasura të gegërishtes?! Standardi duhet të rishikohet e të ri-plotësohet, në një kongres të ardhshëm gjithëkombëtar, për rishikimin e ri-plotësimin e shqipes standarde, me trajta të shmangura, që kanë një përdorim të dendur në variantin e gegërishtes së gjallë.
Pra, ka vend për përfshirje e kodifikim në gjuhën shqipe standarde, qoftë të trajtës përcjellore, të paskajores së gegërishtes a të ndonjë trajte tjetër… Evoluimi i shqipes sotme ka arsye të ndiqet dhe, të kihet parasysh etimologjia, rrënjët fjalë-ndërtuese, por njëkohësisht dhe të ruhet arritja, gjithnjë jashtë vështrimeve të ngushta krahinore, ideologjike e politike. Mbyllja e albanologjisë në suaza përkufizimesh të rregullave të ngurta, kinse tashmë të kristalizuara, është ngufatje nga të dy “akademitë” burokratike të shqiptarëve! Gjithsesi, mos-përballja me nisma të gjedheve të reja në gjuhën e sotme shqipe, e folur dhe e shkruar, është e padurueshme!
Gjuhës së njësuar kombëtare, tashmë ia kanë përzier ndikimin ndërfutjet e trajtave dialektore për funksionimin e përdorimit të saj, porse pa kritere të mirëfillta të parimeve shkencore.
Laramania e të shprehurit shqip nuk i bën nder as gjuhës, as standardit të saj, as unitetit komb-bashkues e shtet-ndërtues. Ri-qasja e gjithanshme ndaj thesarit gjuhësor, të cilin e dikton gjuha e gjallë e shqipes në gjithë shtrirjen e saj, kërkon një riformatim të thellë shkencor nga albanologjia.
GRAFOMANIA
A po zvetënohet libri në “vërshim” të librave sot?
Pas Luftës Çlirimtare një varg rrethanash i shpërqendruan lexuesit tonë të paktë. U zgjerua interneti, “mrekullia informative” dhe iu kthye shpina librit. Te ne, librit në vitrinat tona, ka filluar t`i trashet pluhuri. Pse ndodh kështu? Kjo shfaqje paradoksale, kur pas LÇ-së (Luftës Çlirimtare) në Shqipërinë këtej Drinit “vërshoi” botimi, publikimi i librave të ndryshëm, i të gjitha llojeve letrare, shkencore a pseudo shkencore, me vlera e pa vlera, me kritere, por të shumtën pa kritere: libra kujtimesh, publicistikë me meritë e pa meritë, mjafton t`i kesh paratë… Përkitazi kësaj rrjedhe më reflektoi pohimi ironik i Nolit “hallvaxhinë e pamë mbret”! Jemi vërshuar nga “poetët”, “shkrimtarët”, “kritikët” dhe grado-mania, nga doktorantët që kopjojnë arritjet e të huajve!
Po, ashtu, mjedisin tonë krahinor e përmbush grafomania. Ç`është grafomania? Dëshirë e sëmurë për të shkruar sa më shumë, sëmundje për të shkruar, pa marrë parasysh cilësinë dhe përmbajtjen e shkrimit. Grafomanët e mjedisit tonë kulturor, pothuajse për çdo muaj e nxjerrin nga një vëllim libri! Për t`i reklamuar vëllimet e tyre poetike grafomanët tanë, më pak para i ”blejnë” “redaktorët”, “recensentët”, “kritikët” të cilët gjejnë “risi” poetike tek akëcili poet a shkrimtarë grafomanë! Natyrisht pason rutina e përurimeve pompozë dhe pamjet qesharake, kur në sallë ka më shumë grafomanë se sa lexues të mirëfilltë!
Pse aq lehtë redaktorët e recensentët, i nxjerrin emrat e vet në vëllime librash pa vlerë ose me vlera të dyshimta?!
Vlerat letrare, artistike a shkencore i tumirë ose jo zbatimi i kritereve letrare, artistike, përkatësisht talenti-dija, nëpërmjet redaktorëve e recensentëve kompetentë për fushat përkatëse. Si duket, autoritetet vlerësuese për t`i larguar telashet nga vetja, të gjitha kriteret për publikimin e morisë së librave, ia deleguan një kriteri të vetëm anonim: kriterit kohë?! Ia lëmë kohës do të thoshin?! A mund të jetë kriteri kohë jorgan i njëjtë: si për dimër ashtu dhe për verë?! Jemi në baltën e gjallë të logjikës paradoksale! Le të prodhojnë (j)organe kriteresh të tjerët pas nesh!… Institucioni i redaktorit e i recensentit pothuajse është komprometuar. Libri e humbi fronin e tij, faqet e librave mund të na shërbenin për të nisur zjarrin në koftorë për ditët e ftohta!
Pyes: për të kthyer librin në fronin ballor a duhet zhvilluar beteja për librin?
Gjithsesi, por duhet rekrutuar ushtrinë e lexuesve.
Pyetja ime dyshuese për librin ndoshta tingëllon tejet e skajshme?
Një mik imi i përvuajtur, njëkohësisht mik i librit, para pesë vitesh nxori një pohim të prerë për librin: tashmë nuk ka libër, ai ka vdekur! Pjesërisht ka të drejtë, miku im Femi Halimi. Meqë isha në veprimtarinë arsimore, le të më lejohet të sjellë dëshmi nga përvoja e atëhershme para dhjetë vitesh, që nuk dallon as nga kjo e tashmja; madje rënia është më e dukshme! Në gjimnazin e Shkencave Shoqërore në Gjilan: në pesë klasa të njëmbëdhjeta, prej pesë veprave letrare të letërsisë botërore e kombëtare, të parapara për lexim për një gjysmë vjetor, atëherë në paralelet me nga 30-35 nxënës, gjatë vitit mësimor, vetëm një nxënëse e kishte lexuar “ Don Kishotin” e Servantesit, vëllimin e parë?!
Si po pozicionohet kritika letrare kundruall prodhimtarisë së veprave letrare dhe artistike? Cilat janë kahet tona kulturore te ne?
Mendimi i kritikës letrare, me përjashtime, është anemik, kryesisht subjektiv, ngase lëvdon ku nuk duhet lëvduar, heshtë ku nuk duhet heshtur, ose edhe kur rrënon për të ndërtuar, i mungon risia për zbatimin e arkitekturës për ndërtime bashkëkohore.
Në tërësi kritika jonë e kultivon mbresën, ende jo të mjaftueshme shkencën. Edhe kur e ngre zërin e dijes, zëri i saj nuk ndihet nga kakofonia e jo vlerave, nuk spikatët, ngufatet. Pena kritike mbase, pa të drejtë, është duke pritur ditë më të qeta, sepse ka shumë për të bërë, pos tjerrash, hartën e konfigurimit të mal-brezave poetike, etj. Tashti çelësi ideologjik i vlerësimit, i ndryshkur, nuk hap brava për hyrje në përmbajtje ideologjike në skema ideore- politike; por është fabrikuar një çelës tjetër, ai i ideologjive fetare, i mëtimit të dogmave, madje dhe censura e “estetika” e tyre e dukjes së jashtme!
Pikëpamja ime kundruall trysnive tërësisht asimiluese kulturore dhe shpirtërore është e qartë: më lejoni të jem i lirë, të kultivoj autoktoninë time, etniken dhe estetikën time shpirtërore, shkurt shqip! Gjithsesi, jo pa pleksje universale të përvojave globale. Edhe lutjet dua t`i bëj vetëm shqip! As latinisht, as arabisht, as greqisht, sepse edhe shqipja antike është gjuhë e Zotit, sikurse tri të parat. Në qoftë se nuk më lejohet të besoj si ndjejë dhe si di unë, atëbotë të tjerët për mua do të jenë pushtues shpirtërorë.
Ndaj, nuk e honeps dot dogmën imperialiste të mjekrave e të futave të zeza, në emër të pluralizmit! Në rrethanat tona ka tendenca politike, për mbivendosje të shpirtërores mbi gjithçka etnike: zhvlerësimi i trashëgimisë historike, i figurave e mitologjisë kombëtare: Gjergj Kastriotit, Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kthimi kokëposhtë i identitetit, i etimonit etik-etnik në pacifizmin islamik; “rehabilitimi” i sulltanëve nga pushtues në “miq!…”; “korrigjimi i historisë?!…” Apetite të tjera neokoloniale nga të tjerët, kthimi neo-otoman përmes vërshimit i paparë i arkitekturës së xhamive, por që kanë jehonë te një shtresim yni shqetësues?!
Ky depërtim djallëzor mëton të kët pushtetin shpirtëror dhe të diktojë kahen tonë edukative orientale! Kësisoj, tkurret hapësira e kombëtares! Ajo, kombëtarja, kategorizohet si një shtresim i dorës së dytë a të tretë! “Partizanët” të këtij paqësimi të kombëtares, gjithandej hapësirës sonë etnike kanë përvjelë mangët… I kemi madje dhe në katedra fakultetesh! Ndërsa ne, sikur na vjen turp prej përkatësisë së vlerave, të cilat i kultivuam me shekuj, duke mbajtur të pashuar identitetin, dhe, shih se si po ia lëmë indiferencës asimiluese!
Shkrimtari i mirëfilltë vazhdimisht e mban të ndezur luftën ndaj dogmave. Ai është luftëtar i papërkulur kundruall dogmave e tjetërsimeve identitare!
Më vjen pyetja tjetër drejtuar vetës sime të dytë: a ka hapësirë të mjaftueshme për shkrimet artistike? A mbrohet sa duhet e drejta e autorit?
Cikli i kamjes dhe skamjes edhe në sferën e kulturës e të krijimtarisë letrare, vijon shfaqjen e theksuar: cili ka para boton dhe përuron me pompë e bujë në mideje publikimin e vet, ndërsa kategoria e krijuesve skamnorë, por të talentuar, dergjet në heshtjen vrastare të padijes, jashtë vëmendjes së ngjyrimeve partiake e klanore, nëse nuk ka simpatinë, vardisjen a shndërrimin e autorit në instrument të akëcilës parti në pushtet.
Vardisja e shkrimtarit rreth pushtetit, do të thotë, zhveshje nga mëvetësia e dinjitetit dhe autonomisë së tij. Shkrimtari dhe vepra, në të shumtën e herëve, janë antipode mes etikës së jetës dhe veprës, përjashtimet janë fare të mundshme, megjithatë, vepra e jeton jetën e vet e shkëputur prej autorit. Shkrimtarët duhet t`i nuhasin erërat e pakëndshme, t`iu prijnë rrjedhave të qytetërimit, ndryshe nuk do të jenë prijatarë të bukurisë e të idealeve estetike dhe njerëzore.
Sot është e pa sigurt të publikosh shkrime origjinale e të mos vidhen, të mos përvetësohen, duke i kamufluar, të shkëputura nga tërësia e manipulime të tjera… Autori është i pafuqishëm për t`u përballur me piraterinë, sepse ende nuk të mbron as ligji, as e drejta e autorit, as gjyqi, as kritika letrare, as vetëdija e pa zgjuar qytetare për këtë lloj veprimtarie të sferave shpirtërore e intelektuale.
Nuk do të duhej të vonohej rikthimi i kritikës së mirëfilltë në letrat shqipe.
Prodhimi letrar, përmbledhjet poetike, proza e drama, llojet shkencore, trashëgimia kulturore e kombit, pa dyshim presin shqyrtime jashtë diktateve të çfarëdo lloji dhe dogmave të çfarëdollojshme. Prodhimtaria e imagjinatës dhe e diskurseve të dijes presin shqyrtimin, analizën dhe sintezën e prurjeve të reja, me metodologjinë e një kritike moderne. Si? Me gërshetime disiplinash, duke përtrollitur, në radhë të parë, talentin, dijen bashkëkohore, që ngrihet mbi nivelin e konstatimit të tekstit, që zbërthen nivelet e nëntekstit dhe të meta-tekstit, të jetë matëse e thellësisë dhe e gjerësive të shtrirjes së figurës, e frymëmarrjes ose shmangien e ngufatjes së kumtit brenda saj; shkëlqimet ose errësimet e pamjeve për formësime e rishfaqje idesh… Shikimi bardhezi i akëcilës vepër artistike është i tejkaluar.
Kritikës sonë i duhet ripërtëritja, gjakftohtësia e guximi për t`u përballur me aneminë e prurjeve artistike, për t`i flakur: snobizmin, anarkinë e kritereve, për të mbrehur gjykimin kritik, për t`u kthjellur nga dehja e kritikës së mbresës, për t`ia fuqizuar rolin shkencor asaj.
Rutina e përurimeve të dendura te ne nuk i sjell cilësi prodhimit letrar. Akti i përurimit është akt solemn. Tek libri i ri vështrohet vetëm sipërfaqja e librit, pa depërtime të thella në shtresë-kumtime, në strukturën e brendshme, në forcën reflektuese të ideve dhe të porosive, filozofinë a mungesën e saj, figuracionin rrezatues a mjegullnajën e gjykimit pa estetikë dhe përbërës tjerë.
Në dinamikën e jetës, kur njerëzit janë të prirë më tepër të shikojnë se sa të lexojnë, kritika e mirëfilltë do të ishte një mëlmesë për të joshur shijen e leximit.
Disa të vetëquajtur zbatues të kritikës letrare, në gazeta e revistat e pakta të shkruara, që mezi mbahen, në portale e mideje pamore, e përurojnë kryesisht mendimin e klisheve anemike të një kritikë të flashkët por, jo shqiptimin e mirëfilltë të analizës e të sintezës kritike. Diapazoni i tyre nuk i kapërcen klishetë e njohura e tautologjinë në kritikë, që ende nuk e ka kapë sa e si duhet, me ndonjë përjashtim, mendimin kritik shumështresor modern por, futet terminologji e improvizuar dhe shterpe e rrethanave të shumë-mendësisë së kamufluar.
Gjilan, tetor 2023