Gjyshe, Nëse…, Bëhu ajo… – poezi nga Anda Juniku

0
Anda Juniku

Anda Juniku

Gjyshe

Nën hijen e kujtesës, ku koha s’mund të hyjë,
Ku dita hesht dhe nata flet me yje,
Ti ishe diell në dimrin e ftohtë,
Një dritë në terr, një buzëqeshje plot lot.

Ti ike, por nuk u largove kurrë,
Je në erën që prek faqet e mia, në diellin që më ngroh,
Me fjalë të urta më mësove guximin,
Me duar që shëronin, më dhe bekimin.

Gjyshja ime, ku je tani?
Në cilin qiell shkel, në cilën dritë rri?
Në sytë e tu pashë historitë e një bote tjetër,
Ku edhe varfëria kishte dinjitet dhe krenari.

Dhe kur një ditë të takohemi përsëri,
Në atë botë ku s’ka ndarje, ku s’ka lot,
Do të vij prapë me zemër fëmije,
Të të fal gjithë ato përqafime që tani mbetën vetëm kujtime.

Nëse…

Sikur të ishte ende ajo kohë,
Ku gjithçka nuk ishte pasuria, por dituria,
Ku njerëzit nuk lakmonin, por punonin e fitonin,
Ku me punë e merrnin atë që dëshironin.

Nëse koha do të kthehej mbrapa,
Kur luanim në verë dhe na zinte vapa!
Ku dashuria s’kishte kushte,
Ku çdo gjë kishte vlerë dhe zemrën na e mbushte!

Dhe gjethet në stinën e vjeshtës i mbulonin rrugët,
Njeriu tash, as kur ka dashuri, s’mburret,
Ne gëzoheshim për çdo gjë të vogël,
Tash janë bërë me maska, rolet kanë ndërruar !

Sa mall për ato kohëra,
S’kisha menduar se kështu prishet njeriu!
Se tani, si pasqyrë e thyer, rri xhelozia,
Dhe, kënaqen njerëzit nga fatkeqësia!

Bëhu ajo…

Bëhu ajo grua që godet me indiferencë,
Jeton me parime dhe dhuron injorime.
Bëhu ajo grua që asgjë nuk e mund,
Bëhu ajo që me dituri malet i përkund.

Dashuria e saj s’ka fund,
Ajo fiton çdo gjë me punë dhe guxim.
Bëhu ajo që, kur shikon veten në pasqyrë,
Mendo se mund të arrish çdo majë.

Gratë e forta nuk fitojnë gjithmonë,
Por ato mësojnë dashurinë e vërtetë.
Dituria është pjesë e tyre,
Natën zgjuar, mendojnë se s’i të kalojnë çdo pengesë.

Ato sfidohet, por asgjë nuk mund t’i ndalë ëndrrat e tyre,
Përballojnë çdo betejë, pa frikë dhe pa hezitime.
Mësimi i tyre në jetë është të bëhen të forta,
Sepse çdo arritje është e mundur dhe asgjë nuk mund t’i thyejë.

Dërgoi për publikim, Ajete Zogaj, shkrimtare

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.