28.4 C
Tirana
E dielë, 21 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Emisionet e përbashkëta filatelike

Emisionet e përbashkëta filatelike

0
Pulla - Shqipëria - Kosova

Besnik Fishta Besnik Fishta

Filatelia moderne nuk kufizohet vetëm në studimin dhe koleksionimin e pullave postare. Ajo përfshin edhe analizën e mesazheve historike, kulturore dhe diplomatike që këto dokumente të vogla shtetërore përcjellin. Brenda kësaj fushe, një vend të veçantë zënë emisionet e përbashkëta filatelike postare, të cilat përfaqësojnë një nga format më të avancuara të bashkëpunimit ndërmjet administratave postare të shteteve të ndryshme. Në terminologjinë ndërkombëtare ato njihen si “Joint Stamp Issues”, duke nënkuptuar emetimin e koordinuar të pullave nga dy ose më shumë administrata postare mbi një temë të përbashkët. Në raste të caktuara përdoren edhe termat “Twin Issues”, kur tema është e njëjtë por dizajni ndryshon, ose “Multiple Joint Issues”, kur në emetim marrin pjesë më shumë se dy vende.

Pulla postare lindi si simbol i autoritetit shtetëror. Për më shumë se një shekull, shtetet e përdorën atë për të paraqitur figurat kombëtare, ngjarjet historike dhe identitetin e tyre politik. Pikërisht për këtë arsye, ideja që dy ose më shumë shtete të ndanin të njëjtën temë apo të njëjtin projekt filatelik mund të dukej e pazakontë. Megjithatë, zhvillimi i komunikimeve ndërkombëtare dhe forcimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve krijuan kushtet për lindjen e emisioneve të përbashkëta. Rastet e para të koordinimit filatelik shfaqen në Evropë gjatë viteve 1920–1930, kryesisht për ekspozita ndërkombëtare, përvjetorë historikë ose marrëveshje postare. Edhe pse sporadike, këto iniciativa hodhën themelet e një praktike që do të merrte përmasa globale.

Pas Luftës së Dytë Botërore, emisionet e përbashkëta fituan një rol të ri. Bota kërkonte forma të reja bashkëpunimi dhe simbole që të promovonin paqen dhe mirëkuptimin. Një nga rastet më domethënëse ishte emisioni i vitit 1949 kushtuar 75-vjetorit të Bashkimit Postar Botëror (UPU), ku disa vende emetuan pulla të koordinuara për të përkujtuar organizatën që kishte revolucionarizuar komunikimin postar ndërkombëtar. Gjatë viteve 1970–1990, emisionet e përbashkëta u bënë pjesë e praktikës së rregullt filatelike. Temat u zgjeruan drejt historisë, kulturës, trashëgimisë natyrore, sportit dhe shkencës. Në të njëjtën kohë, administratat postare filluan t’i përdorin ato si instrumente të diplomacisë publike.

Pas vitit 1990, me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe zgjerimin e globalizimit, numri i emisioneve të përbashkëta u rrit ndjeshëm. Bashkëpunimet tashmë nuk kufizoheshin vetëm midis vendeve fqinje, por përfshinin shtete nga kontinente të ndryshme, të bashkuara rreth temave me interes universal. Në zhvillimin e emisioneve të përbashkëta një rol vendimtar ka luajtur Bashkimi Postar Botëror (Universal Postal Union – UPU), i themeluar në Bernë më 1874. Kjo organizatë krijoi bazat e sistemit postar ndërkombëtar modern dhe nxiti bashkëpunimin ndërmjet administratave postare në mbarë botën. Në ditët tona, shumë emisione të përbashkëta mbështeten në frymën e bashkëpunimit që kjo organizatë ka promovuar për më shumë se një shekull.

Kur flitet për emisionet e përbashkëta në Evropë, nuk mund të anashkalohet programi “Europa”, i njohur fillimisht si programi CEPT (Conférence Européenne des Administrations des Postes et des Télécommunications). I nisur në vitin 1956, ky program konsiderohet projekti më i suksesshëm dhe më jetëgjatë i bashkëpunimit filatelik evropian. Në fillimet e tij, vendet pjesëmarrëse përdornin dizajne pothuajse identike, duke simbolizuar unitetin e Evropës në periudhën e rindërtimit pas luftës. Më vonë, programi evoluoi drejt modelit aktual, ku secili vend realizon dizajnin e vet, por mbi një temë të përbashkët të përcaktuar çdo vit nga PostEurop. Temat kanë përfshirë trashëgiminë kulturore, natyrën, arkitekturën, shkencën, sportin, komunikimin dhe vlera të tjera me interes të përbashkët evropian. Përmes tyre, administratat postare kanë promovuar njëkohësisht identitetin kombëtar dhe frymën e bashkëpunimit kontinental.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në programin Europa përbën një nga arritjet më të rëndësishme të filatelisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Përmes këtyre emisioneve, vendi ynë ka promovuar trashëgiminë e vet historike, kulturore dhe natyrore para komunitetit filatelik evropian dhe botëror. Emisionet e përbashkëta karakterizohen nga disa elemente themelore: bashkëpunimi ndërmjet dy ose më shumë administratave postare, data e përbashkët ose e afërt e emetimit, tema e koordinuar dhe një mesazh i përbashkët kulturor ose diplomatik.

Rrugët e lashta postare – Europa Arkeologjia nënujore – Euromed Bizhuteri artizanale-Euromed

Vlera e tyre është shumëdimensionale. Në aspektin diplomatik, ato pasqyrojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në aspektin kulturor, promovojnë trashëgiminë dhe identitetin kombëtar. Në aspektin edukativ, ndihmojnë në njohjen e historisë dhe kulturës së popujve. Ndërsa në aspektin filatelik, krijojnë interes të veçantë koleksionues për shkak të rrallësisë, dizajnit dhe rëndësisë historike. Për këtë arsye, emisionet e përbashkëta konsiderohen shpesh si dokumente historike të koduara vizualisht, që pasqyrojnë marrëdhëniet ndërkombëtare të epokës së tyre. Pas hapjes së vendit ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në fillim të viteve 1990, Shqipëria filloi të përfshihej gradualisht në projektet filatelike të përbashkëta. Krahas emisioneve dypalëshe, Shqipëria ka marrë pjesë rregullisht në programet “Europa” dhe “Euromed”(vendet mesdhetare), duke u bërë pjesë aktive e bashkëpunimit filatelik evropian dhe mesdhetar.

Një shembull i rëndësishëm i viteve te fundit është emisioni Shqipëri–Slloveni kushtuar ekoturizmit. Në këtë rast u paraqitën dy peizazhe natyrore me vlera të veçanta ekologjike: ishulli i Zvërnecit në Shqipëri dhe ishulli Otok në Slloveni. Emisioni promovonte ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm turistik.

Një vend të veçantë në përvojën shqiptare zë bashkëpunimi me Kosovën. Krijimi i institucioneve të pavarura postare në Kosovë hapi mundësi të reja për zhvillimin e projekteve të përbashkëta filatelike ndërmjet dy shteteve shqiptare. Emisioni i përbashkët i vitit 2023, kushtuar 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosoves, përbën një nga shembujt më të rëndësishëm të diplomacisë filatelike mbarëshqiptare. Përmes ikonografisë kombëtare të harmonizuar, ai shprehu afërsinë historike, kulturore dhe shpirtërore që lidh shqiptarët në të dy anët e kufirit. Megjithatë, një analizë e zhvillimeve të deritanishme tregon se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve filatelike të Shqipërisë dhe Kosovës mbetet ende nën nivelin e mundësive reale që ofron kjo hapësirë e përbashkët kulturore. Numri i emisioneve të përbashkëta është relativisht i kufizuar dhe mungon një program afatgjatë i koordinuar, i cili të krijojë vazhdimësi dhe traditë.

Në këtë drejtim, një rol të rëndësishëm duhet të luajë Posta Shqiptare, e cila mbështetet mbi një përvojë më shumë se njëqindvjeçare në fushën e filatelisë. Kjo eksperiencë shume e gjatë institucionale dhe profesionale mund të shërbejë si bazë për thellimin e bashkëpunimit me Postën e Kosovës, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, koordinimit të programeve emetuese dhe promovimit të përbashkët të produkteve filatelike. Përvoja e fituar nga Shqipëria në programin “Europa” dhe në emisionet e tjera ndërkombëtare dëshmon se ekzistojnë kapacitetet e nevojshme për të ndërtuar projekte të përbashkëta më ambicioze. Nëse programi “Europa” ka arritur të bashkojë për dekada administrata postare nga e gjithë Evropa rreth temave të përbashkëta, një bashkëpunim më i gjerë dhe më sistematik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte jo vetëm i natyrshëm, por edhe plotësisht i realizueshëm.

Dy shtetet ndajnë një trashëgimi të përbashkët historike, gjuhësore dhe kulturore, si dhe një numër të madh figurash kombëtare, monumentesh dhe ngjarjesh historike që mund të shërbejnë si tema për emisione të reja të përbashkëta. Përtej vetë pullave, është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi ndërmjet zyrave filatelike, muzeve postarë, shoqatave të koleksionistëve dhe institucioneve studimore të të dy vendeve. Organizimi i ekspozitave, botimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta do të kontribuonte në promovimin e filatelisë dhe në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët kombëtare.

Megjithatë, potenciali më i madh për të ardhmen mbetet thellimi i bashkëpunimit me Kosovën. Dy administratat postare mund të ndërtojnë një model të qëndrueshëm bashkëpunimi, i cili do të pasuronte filatelinë kombëtare dhe do të promovonte më denjësisht trashëgiminë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, çdo emision i përbashkët do të vazhdonte të ishte jo vetëm një objekt koleksionimi, por edhe një ambasador i vogël i kulturës, historisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.