DHE MË PËRZË NJË DITË ME GRUAN TIME

0
272
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

(E di Eshkundura:
Ai është im Atë
)

Unë nga mesi juaj, moti kam ikur fizikisht
Dhe, jam kthyer. E keni gabim, o miq gjaku.
Vetëm një njeri mund t’më trokasë në shtëpi
Marrë, kur të dojë Ai. Hedhë mbi shpinë.

Unë nga mesi juaj, moti kam ikur fizikisht
Dhe, jam kthyer Profet. I dashur dhe i urryer.
E di Eshkundura: I ka trokitur një natë n’derë
Jo. Nuk më ka dhënë. Dhe, Ai është im Atë…

(Ditën e parë pinte
verë të bardhë
)

Ditën e parë, fliste jerm vetmevete
Verë të bardhë pinte. Lexonte poezi.
Padasht, i zbuloi gjinjtë. Shtamat
Me verë. Dhe, më ngriti nga varri:
Mua Kalosh Çelikun me dhjetë plagë…

(Ditën e tretë Luaneshën
e hëngri Ujku
)

Ditën e tretë, në një Bregliqe
Hëna, kur ishte kulaçe në Qiell:
Luaneshën e hëngri Ujku plak.
Gjithë natën uluroi. Shtama me
Verë, rrokulliste nëpër dhomë.
E nxorri shpatën. Gjokut i kërceu
Në shpinë. O, bini burra armikut!
Bini!… Hasmit, kurrë nën këmbë
Përsëgjalli, mos ia lini këto troje!…

Dhe, fluturoi në Baba Tomor. Tyrbe.
Vera ku pihet. Shkruhet poezi rebele.

Dashuri me Hënë, bën mes varreve…

(Ditën e pestë: Me dhjetë plagë
u ngrita nga varri
)

Nëntë plagë i pati Gjergj Elez Alia
Dhe, u ngritë nga shtrati në dyluftim.
Unë i kam dhjetë. U ngrita nga varri
Poezia ime rebele me Hënë më jep gji:
Fuqi për luftë. Gjokut t’i hip në shpinë.

Nëntë male do t’ma dëgjojnë vargun
Krismën. Kushtrimin në poezi për Liri…

(Zjarr i ndezur Ditën
edhe Natën
)

Unë flej pa zjarr. Ngase, vetë jam zjarr
Ndizem flakë. E shkrij Veten lumë.
Edhe Ty, që Dikush të ka ngrirë akull
Ftohtë bën, e s’di si do ta kaloj Natën.

Unë flej pa zjarr. Ngase, Vetë jam zjarr
Heu! Si do ta ndez flakë edhe Natën…

(Një Natë në Hotelin e Dibrës
me “Gruan” time
)

Nata na zuri Grykës së Radikës. Male
E nuk kishim konak, ku të bëjmë shtrat.
Vendosëm të ndalemi në Hotelin e Dibrës
Vendlindjen e Isuf Xhelilit. Arushës malit.

Dhoma jonë ishte e ftohtë. Shtrati akull
“Gruas” sime, gjaku në trup i kishte ngri.

Pasmesnate: E ndeza zjarrin ta shkri…

(Vera të ka ngrirë akull
Dimri të ka shkrirë
)

Dëborë nuk bie. Akull nuk ka. Acar
Në shpirt kam Dimër. Ftohtë bën Natën.
Ndez Veten zjarr ta ngroh dhomën. Ty
Shtratin. Varrin tim në Baba Tomor.

Dëborë nuk bie. Akull nuk ka. Acar
Vera të ka ngrirë akull. Dimri të ka shkrirë.

Të ecësh me Lumin në shtratin tim…

(Burrat i përzë me burra
e mua me gra
)

Dhe, përderisa burrat tjerë i përzë
Me burra. Mua më përzë me gra.
E di këtë. Vetë kam qenë dëshmitarë
Kur, i ke përzënë disa burra me burra.
Çudi! Vetëm Mua më përzë me gra.

Dhe, përderisa burrat e tjerë i përzë
Me burra. Mua më përzë me gra…

(Unë dhe një Loç trim
heret nëpër Qytet
)

E kalova Natën te Eshkundura. Ajo
Në gjumë bënte dashuri. E zgjova.
Përçudi! Dashuri dhe gjumë i rëndë.

E nesërmja, heret më gjeti në rrugë
Unë dhe Loçi me bishtin mbi shpinë:
Ecte para meje. Natë kish bërë te Buça.

Iknim. Nguteshim krenarë nëpër Qytet…

(Dy rrugaçë. Që, nuk i zë
nata në shtëpi
)

Një javë plot nuk e kam takuar Loçin
Mikun tim besnik me bishtin mbi shpinë.
Me siguri nuk e ka kaluar natën te Buça
As Unë, jo te Eshkundura. Shihemi rrallë.
E, më rrallë në këtë Qytet. Kohën e fundit
Siç duket, na ka mashtruar Nata. Gjumi
Dhe, ku ta di Unë. Ndodh, dhe Dashuria.

Eh, miku im Loç! Eshkundura dhe Buça
I ngjallin të vdekurit. E jo, më mua e ty.

Dy rrugaçë. Që, nuk i zë Nata në shtëpi…

(Nesër do kërkojë llogari
në këtë shtëpi
)

Heu, e di. Tashti, kush është Engjëlli im
Heshtni! Mos e mashtroni veten. Mua!
Moti ka trokitur në një derë. Shtëpi
Dhe, më ka kërkuar. E ka bërë me dije Atë:
Nesër, do të kërkojë llogari në këtë shtëpi.

Heu, e di. Tashti, kush është Engjëlli im
Thyeni qafën! Nesër, do kërkojë llogari.

Dhe, dihet: Në cilën derë… Shtëpi…

(Unë nuk të kam shkruar. Me
siguri i ke ngatërruar gratë
)

Pasmesnate, më vjen një mesazh pa emër
Komunikova me Hyjnitë. Dhe, më shkruan:
Titulli i librit do të jetë: Regjia nga shpirti.
Mendova se ma kishte dërguar Eshkundura
Harrova se, edhe një libër kisha nëpër duar.

Dhe, ia ktheva. Edhe mua më pëlqen titulli
Ti je e çmendur! Eshkundur, përtej kufiri.

Dikur, më erdhi një mesazh nga Ajo:
I shashtisur. Unë nuk të kam shkruar
Me siguri, Ti i ke ngatërruar gratë!…

(Dhe, pas një kohe më merr
Ajo me telefon
)

Ishashtisur! Cilës gruaje i dërgove mesazhin
E di Ti se, unë në shtrat ta tregoj qejfin?!
Përgjithmonë, të kthej te gratë tua besnike.

Më kot përpiqesha ta arsyetoj gabimin
Eshkundura nuk do të di. Hallaketet.

E sheh, më thotë: Se, mua më do edhe Zoti…

(Dikushi para agimit mi dërgoi
edhe pesë poezi
)

U tremba. Se, nuk do të shkruaj asnjë varg
Tri ditë e tri net. Asnjë shenjë Qielli. Hëna.
Dhe, bëra një gabim. Mesazhin e dikujt tjetri
Padashtas, ia dërgova Eshkundurës. Natën.

Dhe, u përpoqa ta arsyetoj gabimin. Kot
Eshkundura nuk di për mëshirë. Më tha:
Nesër do ta zgjidhim problemin e grave.
Tym, i hidhëruar. Ia futa edhe një gjumë.

Të nesërmen. Heret, para agimit. Dritës
Dikushi, m’i dërgoi edhe pesë poezi…

(Pranë një qiriri të ndezur
e tirrnim Natën
)

Natë për natë bisedonim për Gruan time
Miken. Dashnoret. Gratë e mia besnike.
Dhe, ma prisje plumb: Përderisa je me mua
Nuk dua të flesh me asnjë grua. Putane.
Edhe unë përderisa jam me Ty. Nuk do fle
Dashuri nuk do të bëj me asnjë burrë. Grua.

Dhe, natë për natë pranë një qiriri të ndezur
E tirrnim Natën… Veten, deri vonë në agim…

(Im Atë gurët për shtëpi të re
i shkarkoi në lëmë
)

Ëndërr. Shtatë muaj më vonë ndërtoja shtëpi
Të re. E sillja materialin në atë vend. Livadh.
E siguroja nga hajdutët. Syri i keq lakmitar
Dhe, prisja ta hudhi thellë themelin. Gurët
Dashin me këmborë ta flijoj në atë shtëpi.

Erdhi im Atë me dy vëllezërit. Dhe, dërrasat
Gurët i shkarkoi n’lëmë. Para shtëpisë vjetër…

(Dhe, non – stop më kërkon natën
im Atë te Eshkundura
)

Dhe, më kërkon im Atë te Eshkundura
Për çdo natë. Eshkundura nuk më jep.
E di. Vështirë e ka vetëm në atë jetë
Po. Edhe unë nuk mund ta lë këtë Ferr
Pa i larë do borxhe burrash. Premtime.

Dhe, më kërkon im Atë te Eshkundura
Për çdo natë. Eshkundura nuk më jep:
Pa i larë do borxhe burrash. Premtime…

(Dhe më përzë një ditë
me Gruan time
)

Keq. Keq të vjen, kur e zbulon të vërtetën:
Eshkundura të tradhton me Gruan Tënde.
Mesazhet që t’i shkruan Ty, i merr Gruaja
E Ti nuk di asgjë. Hiqesh si burrë besnik.

Keq. Keq të vjen, kur e zbulon të vërtetën
Eshkundura, të tradhton me Gruan Tënde…

(Bubi im e nis luftën. Dhe thotë:
mua të më kërkoni përfundi
)

Bubi im i vogël me bishtin mbi shpinë
Më thotë: Luftën do ta nis me ulkojat.
Vetëm se, mua do të më kërkoni përfundi.

Dhe, e shoh Bubin tim përfundi. Lëmsh
E kanë bërë ulkojat në mes të udhës.
Piskat për ndihmë. E kanë bërë krejt baltë.
Më dhimbset. I dal zot. E shpëtoj nga bishat
I them: Bubi im, mos e nis më kurrë luftën!

Të nesërmen, Bubi përsëri e ka nisur luftën
Ulkojat e kanë futur përfundi. E shqyejnë.
Edhe kësaj radhe, i dola zot. E shpëtova.
Dhe, i them: Pash Zotin, mos e nis luftën
Nuk të shpëtoj më nga ulkojat e tërbuara:
Që, hanë. E shqyejnë çdo gjë nën këmbë…

1.
(Shtatë javë kalojnë. Ikin si pa kokë)

Dhe, Bubi merr një mesazh tjetër
Nga një numër i panjohur. I thonë:
A të ka marrë malli për mesazhe?
Vrik ma tregon mua. I them, shkruaj:
– Jo. Më thotë. Nuk do të përgjigjet.

I them: Shkruaj! Dhe, më në fund shkruan:
Po. Më ka marrë shumë malli! Plasa…

2.
(Dhe, papritmas i vijnë dy mesazhe):

Eja, kur të duash. Merr qiri e çka të duash
Edhe shampo, se m’u harxhua…
Ha- haa-haaa…

Dhe tjetri:
Hej, mos më sjell para aktit të kryer
Ke dëgjuar ti për bontonin? Ndaj
Porosia jote duhet të ketë këtë përmbajtje:
A mund të vij sonte se më dogji malli për Ty?
E nga zjarri ka rrezik të digjet i tërë Shkupi
E, nuk është çudi t’i kaplojë Trojet shqiptare…

3.
(Tym Bubi. Përsëri i them shkruaj):

Përgjigju! E dua edhe një mesazh!
Vërtetë më kanë pëlqyer. Çmendur.

Dhe, vrik i vjen edhe një mesazh tjetër:
A dhemb malli? Shpirtin ta turbullon.
E hudhi në plehëra. E ai përsëri te unë
Më kthehet. Më përqesh e më pëshpëritë
Në vesh: Është faji yt që dashuron…

I them: Shkruaj! – Jo, ma kthen plumb
Përgjigju! Dhe, ia diktoj tekstin:
Falemnderit. Vërtetë, qenke poete
Mesazhet tjera dërgoja Shkrimtarit!…

4.
(Plumb dumdum një mesazh – poezi):

E shoh se më ke kërkuar. Dhe, ke treguar
Mos u mundo se Kaloshi e di mirë kush jam:
Kërko në libra! Ndoshta më gjen. Ha-haaa…
Kush je ti para meje? Sa vlen fjala jote
Hiç. Plas nga inati! Ai derri më do mua…

I them: Shkruaj! – Jo, ma kthen me inatë.
Përgjigju! Dhe, ia diktoj tekstin:
Ai derri ka pasë dhe ka shumë gra
Megjithatë, më do vetëm mua, Bubin!…

P. S.

S’ekzistojnë fjalë të shndërruara në urim
As dhuratë për ta shënuar se, Zoti deshti:
Ashtu. Gëzuar ditëlindjen! Të dua dhuratë
Që, shihet e shitet. Të dua deri në përjetësi!

Eshkundura

Shkup, 13 shkurt 2007

Libri vazhdon pas P. S.
MESAZHE KËRCNIMI NGA NUMRI
I PANJOHUR: 0038971497774

1. (As e mirë e as e edukuar)
Dëgjo Eshkundur, më mirë largohu nga Kaloshi,
sepse gjithë të vërtetën do t’ia them gruas së tij.
Nëse nuk tërhiqesh, atëherë do të kesh punë me mua.
Unë nuk jam as e mirë e as e edukuar. Mos ua prish
jetën të tjerëve, dhe shiko punën tënde!…

11 mars 2007

2. (Përgjigje)
E di çka? Ti je e sëmurë. Të ballafaqohesh me mua –
pushka t’u bëftë top! E ti së bashku me Kaloshin
shkoni në P. S.!…

Eshkundura
11 mars 2007

3. (Vërejtja e fundit)
Mos u rrëmbe “profesoreshë”, po përmblidhe veten dhe
respekto burrin dhe fëmijët. Nuk të duhet kompromitimi!
Kjo është vërejtja e fundit. Ke qenë e ndjekur dhe
e përgjuar. Z. Burri nuk ta falë tradhtinë. E unë, të jeshë
e sigurtë se do i tregoj. Gjithë bisedat me “zotëriun”
i kam të inçizuara…

11 mars 2007

Dhe, Fund – vazhdim
KALOSH ÇELIKU:

Heu, Imzot!!! Dhe, Fund – vazhdim i Librit
Nuk ka rëndësi: qofsh burrë, apo grua.
Falemnderit. Dhashtë Zoti Madh fuqiplotë
Patjetër, një ditë shihemi në Ferr!… Ose,
Parajsë. Shtamave me verë. Grave. Amen!

Libri vazhdon me Hënë të plotë mbi Liqe…

Shkup, 11 mars 2007

Nga libri: BURRAT I PËRZË ME BURRA
E MUA ME GRA (2007).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.