PRETENDIMET TERRITORIALE TË SERBISË DHE PARADOKSI I NORMALIZIMIT ME KOSOVËN: UNIFORMAT NË PRISHTINË, DEKLARATAT NË BEOGRAD DHE REALITETI JURIDIK

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Një shtet nuk mund të kërkojë normalizim me një shtet tjetër, ndërkohë që vazhdon ta trajtojë territorin e tij si pjesë të vetën dhe të angazhohet diplomatikisht për ta kontestuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar.

Isuf Bajrami Nga Isuf B. Bajrami

Prania e përfaqësuesve të Forcave të Armatosura të Serbisë me uniforma zyrtare në Prishtinë, deklaratat e një kandidati për president të Serbisë që e konsideron Kosovën territor të pushtuar përkohësisht dhe vazhdimësia e pretendimeve kushtetuese e diplomatike të Beogradit ndaj Kosovës nuk mund të trajtohen si zhvillime të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato janë pjesë e një realiteti politik që vazhdon ta kontestojë shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Në një kohë kur Serbia deklaron se është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, institucionet dhe përfaqësuesit e saj politikë vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën si pjesë të territorit të vet. Kjo kontradiktë nuk është vetëm çështje retorike. Ajo ka pasoja për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, për sigurinë rajonale dhe për përpjekjet e Kosovës për konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Dy zhvillime të fundit e bëjnë këtë kontradiktë veçanërisht të dukshme.

Më 26 nëntor 2026, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë u pritën nga përfaqësuesit e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë. Ndërkaq, më 27 nëntor, Radomir Saiçiq u zyrtarizua si kandidat për president të Serbisë nga Lista Studentore, duke vazhduar të mbajë qëndrimin se Kosova është territor i pushtuar përkohësisht dhe pjesë e pandashme e Serbisë.

Këto zhvillime kërkojnë analizë politike, historike dhe juridike. Nuk mund të ndërtohet normalizim i qëndrueshëm duke e kontestuar njëkohësisht shtetësinë e palës me të cilën kërkohet normalizimi.

1. Uniformat e ushtrisë serbe në Prishtinë: një paraqitje që nuk mund të shkëputet nga historia

Prania e përfaqësuesve të ushtrisë serbe me uniforma zyrtare në kryeqytetin e Kosovës nuk është një ngjarje e zakonshme për shoqërinë kosovare. Pesha e saj nuk mund të matet vetëm përmes protokollit ushtarak, numrit të pjesëmarrësve apo faktit nëse ata kanë qenë të armatosur.

Për ta kuptuar domethënien e kësaj paraqitjeje, duhet rikujtuar historia e luftës së viteve 1998–1999 dhe roli i aparatit ushtarak, policor dhe strukturave të tjera shtetërore serbe në dhunën e ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare.

Gjatë luftës, forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Serbisë, përfshirë Ushtrinë Jugosllave dhe njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, u përfshinë në një fushatë të gjerë dhune, e cila rezultoi me vrasje, dëbime masive, shkatërrim të vendbanimeve, dhunë seksuale dhe përndjekje të popullsisë civile shqiptare.

Këto nuk janë vetëm kujtime të mbijetuara nga viktimat dhe familjet e tyre. Ato janë fakte të dokumentuara në procese gjyqësore ndërkombëtare.

Në aktgjykimin e çështjes Šainović et al., të 26 shkurtit 2009, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi ekzistencën e një fushate të gjerë dhune kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës, të realizuar nga forcat ushtarake dhe policore nën kontrollin e autoriteteve të RFJ-së dhe Serbisë. Aktgjykimi trajtoi dëbimet masive, vrasjet, dhunën seksuale dhe shkatërrimin e qëllimshëm të objekteve fetare.[1]

Për mijëra familje që humbën të afërmit, për familjet e të zhdukurve, për të mbijetuarit e masakrave dhe për qytetarët që u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre, uniforma ushtarake serbe lidhet me një nga periudhat më tragjike të historisë së Kosovës.

Për këtë arsye, paraqitja e saj në Prishtinë nuk mund të trajtohet si një çështje pa domethënie historike dhe simbolike.

Duhet të bëhet dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe përgjegjësisë institucionale për përballjen me të kaluarën. Nuk mund t’u atribuohet automatikisht krime lufte pjesëtarëve të sotëm të ushtrisë serbe. Por kjo nuk e fshin historinë e institucionit ushtarak dhe as përgjegjësinë e shtetit serb për ballafaqimin me krimet e kryera nga strukturat e tij gjatë luftës.

Fakti që përfaqësuesit ushtarakë serbë të pranishëm në takimin me KFOR-in ishin të paarmatosur nuk e ndryshon këtë realitet.

Çarmatosja është çështje sigurie dhe protokolli. Ajo nuk e zhduk domethënien historike të uniformës dhe as ndjeshmërinë e qytetarëve të Kosovës.

Në rrethanat kur Serbia vazhdon të kontestojë sovranitetin e Kosovës, paraqitja e uniformave të ushtrisë së saj në kryeqytetin e Kosovës bart një peshë që shkon përtej një takimi teknik.

Kjo nuk nënkupton se takimi përbën dëshmi të një plani ushtarak për ndërhyrje në Kosovë. Por as nuk është e arsyeshme që të trajtohet si ngjarje krejtësisht e zakonshme, pa marrë parasysh kontekstin historik dhe politik në të cilin ndodhi.

2. KFOR-i dhe përgjegjësia për transparencë ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës

Sipas sqarimit të KFOR-it, takimi i 26 nëntorit u zhvillua në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (Joint Implementation Commission – JIC), mekanizëm i krijuar në bazë të Marrëveshjes Teknike Ushtarake të Kumanovës.

KFOR-i e cilësoi takimin si pjesë të komunikimit dhe koordinimit të rregullt me përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Serbisë, për çështje që lidhen me vijën administrative dhe sigurinë e komuniteteve lokale. Ai deklaroi gjithashtu se mban komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet e sigurisë së Kosovës.[2]

Roli i KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë është i rëndësishëm dhe duhet vlerësuar. Prania e tij ndërkombëtare ka qenë dhe vazhdon të jetë faktor me rëndësi për stabilitetin e vendit.

Megjithatë, respektimi i mandatit të KFOR-it nuk e përjashton përgjegjësinë për transparencë dhe koordinim institucional me Republikën e Kosovës.

Në një çështje me ndjeshmëri kaq të madhe historike dhe politike, është plotësisht legjitime të kërkohet informacion për përbërjen e delegacionit serb, qëllimin konkret të takimit, çështjet e diskutuara dhe mënyrën e koordinimit me institucionet vendore.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë se në çfarë rrethanash zhvillohen takime të tilla në kryeqytetin e vendit të tyre.

KFOR-i nuk duhet ta shohë transparencën si çështje dytësore. Përkundrazi, në një shoqëri që ka kaluar nëpër luftë dhe vazhdon të përballet me pretendimet territoriale të Serbisë, komunikimi i qartë është pjesë e domosdoshme e ndërtimit të besimit.

Prishtina nuk është territor pa institucione. Kosova ka institucione kushtetuese dhe autoritete të sigurisë, me të cilat çdo aktivitet që prek drejtpërdrejt sigurinë e vendit duhet të koordinohet në mënyrë të përgjegjshme.

Partneriteti me KFOR-in dhe NATO-n duhet të forcohet, por ai duhet të mbështetet në respektimin e institucioneve dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

3. Radomir Saiçiq: një kandidat për president që Kosovën e konsideron territor të pushtuar

Shqetësimi bëhet edhe më konkret kur prania e përfaqësuesve të ushtrisë serbe në Prishtinë vendoset në kontekstin e zhvillimeve politike në Serbi.

Më 27 nëntor 2026, Radomir Saiçiq u zyrtarizua si kandidat për president të Serbisë nga Lista Studentore.

Saiçiq është profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd dhe anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.

Përveç profilit të tij akademik, ai ka një të kaluar ushtarake gjatë luftës në Kosovë. Sipas deklarimeve të tij publike, ai kishte përfunduar shkollën e oficerëve rezervë të këmbësorisë në Bileça dhe ishte mobilizuar gjatë situatave të jashtëzakonshme. Ai ka deklaruar se kishte shërbyer si komandant i një toge qitësish dhe i një kompanie këmbësorie, si dhe se gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999 kishte qenë pjesë e një batalioni për operacione speciale të ushtrisë serbe.[3]

Kjo e kaluar nuk përbën vetvetiu provë të ndonjë përgjegjësie individuale për krime lufte. Megjithatë, është një element relevant për kontekstin historik dhe politik në të cilin ai paraqitet sot.

Ajo që e bën veçanërisht shqetësues qëndrimin e tij janë deklaratat e drejtpërdrejta për Kosovën.

Duke folur në televizionin publik serb RTS, Saiçiq e cilësoi Kosovën si “territor të pushtuar përkohësisht”, duke u mbështetur në Kushtetutën e Serbisë.

Ai deklaroi:

“Kosova dhe Metohia janë, sipas Kushtetutës, pjesë e pandashme e territorit tonë. Ky është fakt dhe kështu do të mbetet. Për mua, është territor i pushtuar përkohësisht.”[4]

Kjo deklaratë nuk është thjesht një kundërshtim politik ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kur një kandidat për president të Serbisë e cilëson Kosovën territor të pushtuar përkohësisht, ai shpreh një pretendim të drejtpërdrejtë se sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk duhet të pranohet si realitet përfundimtar dhe se territori i saj vazhdon të konsiderohet pjesë e Serbisë.

Një qëndrim i tillë ka pasoja të drejtpërdrejta politike dhe të sigurisë.

Për qytetarët e Kosovës, deklaratat e tilla nuk janë fjalë abstrakte. Ato rikthejnë në vëmendje një politikë që historikisht e ka trajtuar Kosovën si territor mbi të cilin Serbia pretendon të ushtrojë kontroll, pavarësisht vullnetit politik të popullit të saj dhe realitetit të krijuar pas vitit 1999.

Në këtë kontekst, deklaratat e Saiçiqit përbëjnë kërcënim politik dhe territorial ndaj Kosovës, sepse kontestojnë sovranitetin e saj dhe mbajnë të hapur pretendimin për rikthimin e saj nën sovranitetin e Serbisë.

Fakti që këto deklarata vijnë nga një kandidat për postin më të lartë shtetëror në Serbi u jep atyre rëndësi të veçantë politike. Ato nuk mund të shpërfillen si retorikë e zakonshme elektorale.

Një kandidat për president që vazhdon ta konsiderojë Kosovën territor të pushtuar duhet të japë përgjigje të qartë se çfarë nënkupton konkretisht ky pretendim dhe si mund të pajtohet ai me kërkesën për marrëdhënie normale ndërmjet dy vendeve.

Nuk mund të flitet për fqinjësi të mirë, bashkëpunim dhe paqe, ndërkohë që njëra palë vazhdon ta konsiderojë territorin e palës tjetër si territor të vetin.

4. Kushtetuta e Serbisë, Marrëveshja e Kumanovës dhe Rezoluta 1244: dokumentet që Beogradi i përdor për të mbajtur gjallë pretendimet ndaj Kosovës

Pretendimet territoriale të Serbisë nuk kufizohen vetëm në deklaratat e politikanëve. Ato kanë edhe bazë në qëndrimin kushtetues të shtetit serb dhe shfaqen në mënyrën se si Beogradi i interpreton dokumentet ndërkombëtare që lidhen me përfundimin e luftës dhe statusin e Kosovës.

Për këtë arsye, është e domosdoshme të analizohen tri dokumente: Kushtetuta e Serbisë, Marrëveshja Teknike Ushtarake e Kumanovës dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kushtetuta e Serbisë: pretendimi territorial i institucionalizuar

Preambula e Kushtetutës së Republikës së Serbisë e cilëson Kosovën dhe Metohinë si pjesë përbërëse të territorit të Serbisë.
Edhe neni 182 trajton Kosovën dhe Metohinë në kuadër të organizimit territorial dhe statusit të krahinave autonome.[5]

Këto dispozita dëshmojnë se pretendimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk është vetëm qëndrim i një partie politike apo i një kandidati presidencial. Ai është i përfshirë në vetë dokumentin themelor kushtetues të shtetit serb.

Kjo ka rëndësi të veçantë për analizën e politikës së Beogradit.

Përderisa Kushtetuta e Serbisë vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të territorit të saj, ndërsa përfaqësuesit politikë të këtij shteti përsërisin pretendimet për integritetin territorial serb, bëhet e qartë se Serbia nuk ka bërë një shkëputje të mirëfilltë politike nga pretendimi për sovranitet mbi Kosovën.

Por një dispozitë e një kushtetute kombëtare nuk mund të krijojë vetvetiu të drejtë sovrane mbi territorin e një shteti tjetër.

Kushtetuta e Serbisë mund të shprehë qëndrimin e brendshëm të Beogradit, por nuk mund të përcaktojë në mënyrë të njëanshme statusin juridik dhe politik të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja e Kumanovës: detyrimi për tërheqjen e forcave serbe

Marrëveshja Teknike Ushtarake e Kumanovës u nënshkrua më 9 qershor 1999 ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë.

Ky dokument përcaktoi kushtet për përfundimin e konfliktit, tërheqjen e forcave jugosllave dhe serbe nga Kosova dhe vendosjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë.

Neni I, pika 4, përcakton se forcat e RFJ-së dhe të Republikës së Serbisë nuk mund të hyjnë, të rihyjnë apo të qëndrojnë në territorin e Kosovës dhe në zonat përkatëse të sigurisë pa pëlqimin paraprak dhe të shprehur të komandantit të KFOR-it.

Neni II përcakton detyrimin për tërheqjen e forcave, ndërsa neni V ia njeh komandantit të KFOR-it autoritetin përfundimtar për interpretimin e marrëveshjes dhe të aspekteve të sigurisë së zgjidhjes që ajo mbështet.[6]

Këto dispozita nuk i japin Serbisë të drejtë të njëanshme për rikthimin e forcave të saj në Kosovë.
Përkundrazi, ato përcaktojnë detyrimet e tërheqjes, kufizimet e pranisë së forcave serbe dhe autoritetin e KFOR-it për zbatimin e marrëveshjes.

Marrëveshja parashikon edhe Komisionin e Përbashkët për Zbatimin e saj, i cili shërben si mekanizëm komunikimi ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë.

Ky është mekanizmi institucional në kuadër të të cilit u zhvillua edhe takimi i 26 nëntorit 2026 në Prishtinë.

Por ekzistenca e një mekanizmi komunikimi ushtarak nuk duhet të ngatërrohet me ndonjë të drejtë të Serbisë për prani ushtarake në Kosovë.

Rezoluta 1244: tërheqja e forcave dhe përgjegjësia ndërkombëtare për sigurinë

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u miratua më 10 qershor 1999.

Ajo përcaktoi vendosjen e administratës civile ndërkombëtare dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

Paragrafi 3 kërkon përfundimin e menjëhershëm dhe të verifikueshëm të dhunës dhe represionit në Kosovë, si dhe tërheqjen e verifikueshme dhe me faza të të gjitha forcave ushtarake, policore dhe paramilitare jugosllave e serbe.

Paragrafi 9, pika a, përcakton përgjegjësinë e pranisë ndërkombëtare të sigurisë për të parandaluar rifillimin e armiqësive, për të siguruar tërheqjen dhe për të parandaluar rikthimin e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare federale dhe republikane, sipas përjashtimeve të kufizuara të përcaktuara në vetë rezolutë.[7]

Ky është një dimension thelbësor i dokumentit që nuk mund të anashkalohet në interpretimet politike të Beogradit.

Rezoluta 1244 nuk mund të përdoret në mënyrë selektive, duke veçuar vetëm dispozitat që Serbisë i shërbejnë për pretendimet territoriale, ndërsa duke anashkaluar detyrimet e saj për tërheqjen e forcave dhe përgjegjësinë ndërkombëtare për parandalimin e rikthimit të tyre.

Një element tjetër juridik me rëndësi është mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i datës 22 korrik 2010.

Gjykata konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës, e 17 shkurtit 2008, nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, Rezolutën 1244 apo Kornizën Kushtetuese të atëhershme.[8]

Ky mendim nuk ishte vendim për njohjen universale të Kosovës nga të gjitha shtetet dhe as zgjidhje e çdo çështjeje që lidhet me statusin e saj. Por konstatimi për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë është një element juridik themelor që duhet marrë parasysh në çdo analizë serioze.

Prandaj, as Kushtetuta e Serbisë, as Marrëveshja e Kumanovës dhe as Rezoluta 1244 nuk mund të përdoren për të krijuar një të drejtë të njëanshme të Serbisë për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Problemi nuk qëndron vetëm te ekzistenca e këtyre dokumenteve, por edhe te mënyra se si Beogradi i përdor politikisht për të mbajtur gjallë pretendimet e tij territoriale.

5. Pretendimet territoriale të Serbisë dhe presioni diplomatik ndaj Kosovës

Politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk zhvillohet vetëm përmes deklaratave kushtetuese dhe qëndrimeve të politikanëve.

Ajo shfaqet edhe në veprimet diplomatike të Beogradit në arenën ndërkombëtare, ku Serbia vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të lobojë kundër konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Raporti i Komisionit Evropian për Serbinë për vitin 2026 evidenton se Serbia ka vepruar në kundërshtim me detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, ndër të tjera përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin.

I njëjti raport evidenton se retorika e përsëritur nxitëse nga zyrtarë serbë vazhdon të dëmtojë procesin e normalizimit.[9]

Kjo dëshmon se pretendimet ndaj Kosovës nuk mbeten vetëm në nivel deklaratash të brendshme.
Ato shndërrohen në veprime diplomatike që synojnë të pengojnë konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Këtu qëndron një nga kontradiktat më të mëdha të politikës serbe.
Nga njëra anë, Beogradi merr pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe deklaron se kërkon normalizim të marrëdhënieve.

Nga ana tjetër, vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të territorit të vet, e kundërshton subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe angazhohet diplomatikisht kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

Një politikë e tillë nuk mund të konsiderohet normalizim i mirëfilltë.
Normalizimi nuk mund të reduktohet në takime diplomatike, marrëveshje teknike apo komunikata për bashkëpunim, ndërkohë që pretendimet territoriale mbeten të pandryshuara.

Nuk mund të ndërtohet besim ndërmjet dy vendeve kur njëra palë vazhdon të veprojë kundër subjektivitetit ndërkombëtar të palës tjetër.

6. Përgjegjësia e institucioneve të Kosovës dhe e partnerëve ndërkombëtarë

Përballë këtyre zhvillimeve, institucionet e Kosovës duhet të mbajnë qëndrim të qartë, të koordinuar dhe të përgjegjshëm.

Së pari, duhet të kërkohet transparencë e plotë nga KFOR-i për takimin e 26 nëntorit në Prishtinë, për përbërjen e delegacionit serb, çështjet e diskutuara dhe koordinimin me institucionet e Kosovës.

Së dyti, deklaratat e figurave politike serbe që e konsiderojnë Kosovën territor të pushtuar dhe pretendojnë rikthimin e saj nën sovranitetin e Serbisë duhet të adresohen qartë nga partnerët ndërkombëtarë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të kërkojnë normalizim të marrëdhënieve, duke i trajtuar si çështje dytësore pretendimet territoriale të Serbisë dhe veprimet e saj kundër anëtarësimit ndërkombëtar të Kosovës.

Së treti, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë forcimin e kapaciteteve të sigurisë, të ruajnë partneritetin strategjik me NATO-n dhe të kërkojnë koordinim të plotë me KFOR-in për çdo çështje që prek drejtpërdrejt territorin dhe sigurinë e vendit.

Së katërti, Kosova duhet ta vendosë çështjen e pretendimeve territoriale të Serbisë në qendër të diskutimeve diplomatike me partnerët ndërkombëtarë. Nuk mjafton të flitet për dialog dhe marrëveshje, nëse nuk trajtohet problemi themelor që e pengon normalizimin: mosheqja dorë e Serbisë nga pretendimet ndaj Kosovës.

Nuk ka arsye për panik, por ka arsye të mjaftueshme për vigjilencë.

Nuk ka nevojë për përshkallëzim retorik, por ka nevojë për qëndrim të prerë shtetëror.

Mbi të gjitha, nuk duhet lejuar që pretendimet territoriale të Serbisë të normalizohen përmes përsëritjes së tyre në diskursin politik dhe të relativizohen në emër të dialogut.

PËRFUNDIM

NORMALIZIMI NUK MUND TË NDËRTOHET MBI PRETENDIMET TERRITORIALE

Prania e përfaqësuesve të ushtrisë serbe me uniforma zyrtare në Prishtinë, deklaratat e Radomir Saiçiqit për Kosovën si territor i pushtuar përkohësisht dhe vazhdimësia e pretendimeve kushtetuese e diplomatike të Beogradit janë zhvillime që duhet të analizohen në kuadrin e një problemi më të gjerë: Serbia vazhdon ta kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Uniforma ushtarake serbe në Prishtinë nuk mund të shkëputet nga kujtesa e luftës dhe krimet e dokumentuara të forcave serbe ndaj popullsisë civile shqiptare. Fakti që përfaqësuesit ushtarakë ishin të paarmatosur nuk e zhduk peshën historike dhe simbolike të kësaj paraqitjeje.

Deklaratat e Saiçiqit nuk janë thjesht qëndrime individuale kundër pavarësisë së Kosovës. Kur një kandidat për president të Serbisë e cilëson Kosovën territor të pushtuar përkohësisht dhe pjesë të pandashme të Serbisë, ai shpreh një pretendim të drejtpërdrejtë territorial ndaj një shteti tjetër.

Ndërkaq, Kushtetuta e Serbisë, përmes dispozitave të saj për Kosovën dhe Metohinë, vazhdon ta institucionalizojë këtë pretendim. Përdorimi politik i Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244, si dhe veprimet diplomatike kundër anëtarësimit ndërkombëtar të Kosovës, janë pjesë e të njëjtit kontekst të kontestimit të shtetësisë së saj.

Këto zhvillime nuk mund të trajtohen si çështje të izoluara dhe as të relativizohen si retorikë e zakonshme politike.

Serbia duhet të përballet me një të vërtetë themelore: Kosova nuk është territor i përkohshëm, nuk është pronë e Serbisë dhe nuk është objekt i ndonjë rikthimi të pretenduar nga Beogradi.

Ajo është shtet i pavarur, me institucione, territor dhe subjektivitet ndërkombëtar.

Prandaj, kërkesa për normalizim duhet të shoqërohet me ndryshim real të politikës ndaj Kosovës, jo vetëm me deklarata diplomatike dhe pjesëmarrje në dialog.

Një shtet nuk mund të kërkojë normalizim me një shtet tjetër, ndërkohë që vazhdon ta trajtojë territorin e tij si pjesë të vetën dhe të angazhohet diplomatikisht për ta kontestuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar.

Kjo është kontradikta themelore e politikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe pengesa që duhet të adresohet në çdo proces serioz të normalizimit.

Nuk mund të ndërtohet paqe e qëndrueshme duke toleruar pretendime territoriale. Nuk mund të flitet për fqinjësi të mirë, ndërkohë që vazhdon kontestimi i sovranitetit të shtetit fqinj. Dhe nuk mund të kërkohet nga qytetarët e Kosovës që të konsiderojnë të zakonshme praninë e uniformave ushtarake serbe në kryeqytetin e tyre, përderisa Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet ndaj vendit të tyre.

Normalizimi nuk nënkupton menaxhimin e pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Ai kërkon përfundimin e tyre.

Kosova nuk ka nevojë për një normalizim që e lë të hapur çështjen e sovranitetit të saj. Ajo ka nevojë për marrëdhënie të bazuara në njohjen e realitetit shtetëror, respektimin e integritetit territorial dhe heqjen dorë nga çdo pretendim për rikthimin e saj nën sovranitetin e Serbisë.

Referencat,

[1] Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), Prosecutor v. Šainović et al., aktgjykimi i 26 shkurtit 2009. Konstatimet gjyqësore për fushatën e dhunës, dëbimet, vrasjet, dhunën seksuale dhe shkatërrimin e objekteve fetare në Kosovë.
ICTY – Case Information Sheet, Šainović et al.

[2] KFOR, sqarimi për takimin e Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes me përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Serbisë, 26 nëntor 2026; raportimi i Dukagjinit, 27 nëntor 2026.
Dukagjini – KFOR: Takimi me ushtrinë serbe ishte pjesë e komunikimit të rregullt

[3] Dukagjini, 27 nëntor 2026, raportimi mbi të kaluarën ushtarake të Radomir Saiçiqit dhe kandidaturën e tij për president të Serbisë.
Dukagjini – Ish-oficeri aktiv gjatë luftës në Kosovë, kandidat për president

[4] KOHA.net, 27 nëntor 2026, Çka kishte thënë për Kosovën kandidati për president të Serbisë nga Lista Studentore? Deklaratat e Saiçiqit për Kosovën si territor i pushtuar përkohësisht.
KOHA – Deklaratat e Radomir Saiçiqit për Kosovën

[5] Kushtetuta e Republikës së Serbisë, 2006, Preambula dhe neni 182.
Kushtetuta e Republikës së Serbisë – Dokumenti zyrtar

[6] Marrëveshja Teknike Ushtarake e Kumanovës, 9 qershor 1999, nenet I, II, IV dhe V.
UNMIK – Marrëveshja Teknike Ushtarake e Kumanovës

[7] Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Rezoluta 1244 (1999), 10 qershor 1999, paragrafët 3, 4 dhe 9.
OKB – Rezoluta 1244 (1999)

[8] Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Accordance with International Law of the Unilateral Declaration of Independence in Respect of Kosovo, Mendimi Këshillëdhënës, 22 korrik 2010.
GJND – Çështja nr. 141, Kosova

[9] Komisioni Evropian, Serbia Report 2026, kapitulli 4, Normalisation of Relations between Serbia and Kosovo. Vlerësimi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe lobimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Komisioni Evropian – Serbia Report 2026

Prishtinë, 28.11.2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit