25.1 C
Tirana
E enjte, 16 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Filatelia e Kosovës – konsistente në promovimin e ruajtjes biodiversitetit

Filatelia e Kosovës – konsistente në promovimin e ruajtjes biodiversitetit

0
Filatelia e Kosovës dhe biodiversiteti

Besnik Fishta

Në shekullin XXI, biodiversiteti është kthyer në një nga prioritetet kryesore të politikave mjedisore në nivel global. Humbja e habitateve natyrore, ndryshimet klimatike, ndotja dhe ndërhyrjet e pakontrolluara njerëzore po kërcënojnë ekuilibrin e ekosistemeve. Në këtë realitet, edhe filatelia ka marrë një rol të ri, duke u shndërruar nga një mjet tradicional komunikimi në një instrument të edukimit mjedisor dhe të promovimit të trashëgimisë natyrore. Pulla postare është një “ambasadore” e vogël, por me një ndikim të madh kulturor, sepse përcjell njohuri, formon ndërgjegje dhe ruan në kujtesën kolektive vlerat më përfaqësuese të një kombi.

Posta e Kosovës po dëshmon një vizion të qartë në këtë drejtim. Vetëm gjatë këtij viti ajo ka sjellë tre emisione filatelike kushtuar biodiversitetit, duke krijuar një vazhdimësi tematike që rrallë haset në administratat postare të rajonit. Emisioni i parë, “Bimët e shkrepave gurore të Kosovës”, i kushtohet florës së veçantë që rritet në habitatet shkëmbore, duke evidentuar specie të rralla dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre. Më pas u emetua “Fauna e padukshme në Kosovë – Merimangat dhe Akrepat”, një emision me karakter të veçantë shkencor, që solli në vëmendje organizma shpesh të anashkaluar, por me rol të pazëvendësueshëm në funksionimin e ekosistemeve.

Së fundi, Posta e Kosovës hodhi me 15 korrik ne qarkullim emisionin “Diversiteti i gjallë – Vipera ammodytes”, kushtuar nepërkës me bri, një nga zvarranikët më karakteristikë të faunës së Kosovës. Edhe pse helmues, ky lloj është pjesë e rëndësishme e ekuilibrit natyror dhe zakonisht shmang kontaktin me njeriun. Emisioni u realizua në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Katedrën e Biologjisë, duke garantuar saktësi shkencore dhe vlerë edukative.

Vula e ditës parë të emetimit

Këto emetime nuk përfaqësojnë vetëm një zgjedhje estetike apo filatelike. Ato pasqyrojnë një filozofi të qartë: promovimin e biodiversitetit si pjesë të identitetit kombëtar dhe si një vlerë që duhet mbrojtur. Përmes tyre, Posta e Kosovës u drejtohet jo vetëm koleksionistëve, por edhe brezit të ri, institucioneve arsimore dhe publikut të gjerë, duke i ftuar të njohin dhe të respektojnë pasurinë natyrore të vendit. Mesazhi i këtyre emisioneve bëhet edhe më domethënës në kushtet kur Shqipëri, por dhe ne Kosove zhvillohet një debat i gjerë për të ardhmen e mjedisit. Zhvillimi intensiv i turizmit, ndërtimi i resorteve, shtimi i hidrocentraleve, shpyllëzimet, fragmentimi i habitateve, si edhe zënia e tokave bujqësore ne emer te zhvillimit, pa planifikim të mirëfilltë, kanë ngritur shqetësime të mëdha për ruajtjen e ekosistemeve. Në këtë kontekst, filatelia nuk mbetet neutrale; ajo merr një rol qytetar, duke promovuar njohjen e specieve dhe duke forcuar ndërgjegjësimin për mbrojtjen e tyre.

Tre emisione të biodiversitetit brenda një viti nuk janë rastësi. Ato dëshmojnë se Posta e Kosovës po ndërton një identitet filatelik të bazuar në vlerat e shkencës, edukimit dhe mbrojtjes së natyrës. Kjo është një qasje që meriton vlerësim dhe mbështetje, sepse filatelia nuk matet vetëm me bukurinë artistike të pullave, por edhe me mesazhin që ato përcjellin. Në këtë aspekt, Kosova po dëshmon se një administratë postare mund të jetë një aktor aktiv në edukimin mjedisor dhe në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Nëse kjo vazhdimësi do të ruhet edhe në vitet e ardhshme, filatelia e Kosovës ka mundësinë të krijojë një profil të veçantë në filatelinë evropiane, duke u identifikuar si një prej administratave postare më të përkushtuara ndaj promovimit të biodiversitetit. Kjo do të ishte një arritje me vlerë jo vetëm për filatelinë, por edhe për kulturën mjedisore dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.