Anton Lulgjuraj, MALËSIA-studime e hulumtime, Shkodër, 2026
Botimet të cilët trajtojnë shqiptarët në Mal të Zi nga ana e autorëve të ndryshëm kanë marrë hov pas vitit 1990, më rastin e dështimit të ideologjisë komuniste dhe miratimin e pluralizmit politik, si kudo në vendet e ish kampit socialist, në Evropën Juglindore.
Në këtë aspekt as autorët shqiptarë nuk qëndruan statik por botuan studime e botime të veçanta ku si preokupim profesional ishte trajtimi i temave në lidhje me shqiptarët në këtë mjedis nga e kaluara e deri ditët tona. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse për të parën herë u mundësua të shkruhet pa cenzurë sepse në monizëm pasojat ishin evidente.
Dr. Nail Draga
Në gamën e botimeve të tilla bën pjesë edhe libri “Malësia – studime e hulumtime” i autorit Anton Lulgjuraj i cili ditë më parë ka dalur nga shtypi.
Autori librin e ka konceptuar duke e ndarë në gjashtë kapituj, të cilët paraqesin një unitet logjik në trajtimin e çështjeve të cilat janë prezantuar në aspektin kronologjik, historik, gjeografik e antropologjik.
Malësia e Madhe sinonim i veriut shqiptar
Të rralla janë ata krahina në hapësirën etnogjeografike shqiptare që veçohen me një unitet natyror e shpirtëror në etnokulturën kombëtare siç është veriu shqiptar që është sinonim për Malësinë e Madhe.
Kemi të bëjmë pikërisht me tri kategori që e dallojnë Malësinë e Madhe në botën shqiptare dhe jashtë saj të cilat janë:
e para, së veriu shqiptar është sinonim i Alpeve shqiptare;
e dyta,së shtatë malet i kanë dhënë emrin e identitetin Malësisë së Madhe dhe
e treta: se veriu shqiptar përmes xhubletës e cila është vështja autentike kombëtare shqiptare paraqet pasaportën shqiptare.
Andaj, duke pasur parasysh këto të dhëna, dhe të kaluarën historike dhe trashëgëminë kulturore e kombëtare, më të drejtë Malësia e Madhe është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit”, që është krenari për të gjithë banorët e saj në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi.
Pikërisht duke marrë parasysh këto vlera të veçanta Malësia e Madhe ka qenë motiv dhe inspirim për krijues të fushave të ndryshme për hulumtime shkencore. Andaj në aspekt vlerësoj angazhimin e A.Lulgjurajt i cili në saj të punës serioze disa vjeçare opinionit në përgjithësi e ati shkencor e kulturor në veçanti i ka dhuruar monografinë “Malësia”, me një qasje shumëdimensionale, për këtë pjesë të hapësirës etnogjeografike shqiptare.
Malet si faktor i identitetit
Në traditën popullore shqiptare krahina etnografike e Malësisë së Madhe e cila njihet edhe si Malësia e Mbishkodrës, përbëhet prej shtatë maleve, të cilët kanë veçoritë lokale por kanë ruajtur unitetin popullor në pjesën veriore të hapësirës etnogjeografike shqiptare.
Por, në sajë të rrethanave shoqërore të kohës duke filluar nga nga pjesa e dytë shekulli XIX, ky unitet në aspektin territorial filloi të pësoi ndryshime. Kemi të bëjmë aspiratat pushtuese të Malit të Zi për zgjerim territorial ndaj trojeve shqiptare ku ne Kongresin e Berlinit(1878) ku iu dhuruan dy male(Koja dhe Trieshi) ndërsa ky reduktim nuk përfundoi me kaq sepse në Konferencën e Londrës(1912/13) u vendos që edhe Gruda dhe Hoti(pjesa perëndimore) t´i dhurohen Malit të Zi.
Ishin këto vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha, kundër vullnetit të shqiptarëve, duke mos marrë parasysh kriteret etnike e historike, sepse shqiptarët kanë luftuar për të qenë të lirë dhe të bashkuar në shtetin shqiptar, ku Malësia e Madhe është dëshmi historike në mbrojtje të hapësirës etnogjeografike shqiptare.
Nga situata e tillë Malësia e Madhe u nda në dy pjesë, katër malet(Kojë,Triesh,Grudë e Hot) kaluan në administrim të Malit të Zi, ndërsa tre male(Kelmend, Kastrat e Shkrel) mbetën në kuadrin e Shqipërisë. Dhe nga ajo kohë në mënyrë artificiale u kriuan dy Malësi, ndonëse kemi të të bëjmë me të njëjtin popull i cili me dinjitet edhe sot mbron identitetin kombëtar shqiptar.
Duke marrë parasysh se krahinat etnografike trajtohen në mënyrë unike, autori në këtë botim trajton pjesën perëndimore të saj e cila është në kuadër të Malit të Zi, duke ofruar të dhëna me interes për katër malet nga aspekti historik, gjeografik, entologjik e antropologjia sociale.
Vendbanimet si kategori antropogjeografike
Në literaturën shkencore për vendbanimet është pranuar definimi gjeografik duke theksuar se vendbanimi është njësi e veçantë territoriale-antropogjeografike, me emër të veçantë pa marrë parasysh numrin e shtëpive. Vendbanimet veçohen me hapësirën e tyre territoriale, numrin e shtëpive dhe të banorëve në një vend të caktuar dhe si të tillë paraqesin dukuri komplekse, që trajtohen nga disciplina te ndryshme shkencore.
Pikërisht duke marrë parasysh këto çështje autori vendbanimet dhe lagjët e tyre prezantohen me të dhëna gjeografike, historike e antropologjike duke ofruar informacione të cilat opinioni do ti lexojë më kërshëri, sepse përveç literaturës së konsultuar, autori ka zhvilluar takime me banorë vendas, të cilët kanë ofruar të dhëna me interes për çështjet përkatëse, duke ndriçuar të kalurën dhe të tashmën e tyre dhe të tërë Malësisë.
Pikërisht këtu është vlera e veçantë e këtij botimi sepse autori është pëpjekur për të analizuar shkaqet e pasojat e mos zhvillimit të këtij mjedisi ku popullsia shqiptare vazhdimisht ka bërë përpjekje për të mbijetuar, në rrethana të ndryshme shoqërore. Të dhënat për numrin e shtëpive të banuara aktualisht e atyre të pabanuara janë dëshmi e migrimit të popullsisë, në pjesën e fushore të Malësisë apo gjetiu e ate kryesisht në botën e jashtme, dëshmon se Malësia po zvoglohet numërikisht proces i cili vazhdon gjithnjë me pasoja të mëdha kombëtare. E dhëna se në Detroit të SHBA-ve ka ma shumë malësorë se sa në Malësi, madje sipas të disa të dhënave trefish ma shumë, është dëshmi e një konstatimi të tillë.
Duke trajtuar vendbanimet e Malësisë autori ka prezantuar një numër të konsideruar të mikrotoponimeve në mjediset përkatëse të cilët kanë vlerë të veçantë onomastike. Numri i tyre në këtë botim është relativisht i lartë andaj kemi të bëjmë më një lëndë me interes sidomos për gjuhësinë dhe gjeografinë historike.
Sfidat e mbijetesës
Në përgatitjen e këtij botimi autori ka konsultuar një litearturë selektive, por edhe burime të ndryshme të autorëve të cilët me herët kanë shkruar për Malësinë, duke pasur qendrim kritik, sepse jo të gjithë kanë prezantuar realitetin për këtë krahinë të hapësirës etnogjeografike shqiptare. Ndërsa prezantimi i hartave, tabelave dhe fotografive kompletojnë çështjet e trajtuara në aspektin demografik e hapësinor për vendbanimet e kësaj krahine etnografike.
Të dhënat e prezantuara për Malësinë në të kaluarën dhe në ditët tona dëshmojnë evoluimin e antropologjisë sociale të popullsisë shqiptare në këtë mjedis specifik gjeografik. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse Malësia përjetoi rrethana të veçanta shoqërore e politike sidomos në dy shekujt e fundit(XIX e XX), nga njëri pushtues në tjetrin ku arriti të sfidoj rrethanat e kohës duke mbijetuar në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar.
E vërteta e heshtur por jo e harruar
Nuk ka dilemë se vlera e një libri nuk varet nga tema dhe përmbajtja të cilën e shtjellon por nga dilemat dhe debatin që krijon të lexuesi.
Pikërisht kemi të bëjmë me çështjet e heshtuara shoqërore që në kohën e monizmit ishin të ndaluara, por ka ardhur koha që ato kërkojnë përgjigje për kohën se ishin me pasoja për shqiptarët në Malësi, në të kaluarën e deri në ditët tona.
Vetëm me një vullnet e pa paragjykime e qasje emocionale por me mbeshtetje të argumentuar do të zbardhej e vërteta e heshtur por jo e harruar e krimeve të pushtetit të kohës kundër shqiptarëve në Malësi. Andaj, ndonëse të vonuar ka ardhur koha të demaskohet politika antishqiptare e pushtetit ish jugosllav si para Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Sepse kemi të bëjmë me vrasjen e dhjetëra shqiptarëve në Malësi pa vendime gjyqësore vetëm se ishin shqiptarë apo si të pa përshtatshëm për pushtetin. Ndërsa emrat e individëve të tillë të cilët na i prezanton autori i kësaj monografie e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.
Pikërisht një çështje e tillë meriton hulumtim të veçantë duke botuar artikuj e botime për të njoftuar opinionin e gjerë për krimet e pushtetit ndaj shqiptarëve të dhëna të cilat në kohën e monizmit ka qenë temë e ndaluar, ku pak kush ka pasur informata të sakta, përveç rrethit të ngushtë familjar.
Në këtë drejtim duhet angazhim, profesionalizëm dhe guxim intelektual për të shpalosur të vëretën sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.
Shqetësime jo vetëm demografike
Duke lexuar këtë monografi jo vetëm studiuesit por edhe lexuesi në mes tjerash heton së disa çështje janë shqetësuese dhe më pasoja për Malësinë. Kemi të bëjmë kryesisht për çështjet demografike si emigrimi i popullsisë, rënia e natalitetit, moshënimi i popullsisë dhe shpopullimi i vendbanimeve, kryesisht ato të vogla në zonën malore.
Ndonëse migrimi i popullsisë është bërë trend bashkëkohor, pasojat mungesës së planit zhvillimor dhe investimeve nga ana e pushtetit në të kaluarën ka ndikuar që popullsia e Malësisë të pësojë ndryshime sasiore që dëshmohet nga të dhënat statistikore. Dhe nuk ka pasur se si të jetë ndryshe sepse për Malësinë nuk janë pyetur banorët e saj, por kanë vendosur të tjerët në Podgoricë, ku pasojat e tilla janë të pranishme edhe sot.
Çështje të veçantë paraqet edhe definimi i përkufizimit të territorit të komunës së Malësisë, çështje që është e hapur ku komisioni i komunës viteve të fundit ka punuar duke e dërguar në arbitrazh, andaj qytetarët presin një vendim të drejtë për tërë territorin e Malësisë.
Por, shqetësim të veçantë paraqet dukuria e shitjës së pronave së trashëguara nga banorët në vend por edhe nga diaspora që është gabim që nuk falët sepse ate që të parët e kanë vlerësuar dhe ruajtur me gjelozi, tash trashëgimtarët e tyre janë duke iu shitur të tjerëve për përfitime materiale. Ndonëse këto individë mund të përfitojnë materialisht, por nga ana tjetër do të ndikojnë në ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë në Malësi me pasoja tash dhe në të ardhmën.
Pikërisht nga ky aspekt në Malësi ka kohë që është bërë çështje e veçantë vendosja e popullsisë boshnjake në Dheun e Zi, e cila ka marrë përmasat e kolonizimit. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një kontigjent të lartë kësaj popullsie e cila këtu ka ndërtuar për tre dekada rreth 800 shtëpi të kësaj bashkësie. Një numër i tillë mbetën çështje e hapur sepse ndikon në ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë në nivel komune, andaj meriton përgjigje sipas ligjeve dhe standardëve ndërkombëtare, sepse ndryshimi mekanik i strukturës kombëtare të popullsisë në një mjedis ku rrezikohet popullsia autoktone është vepër e kundërligjshme.
Pasi nga viti 2018, Malësia është komunë e pavarur, në lidhje me këtë çështje duhet të angazhohet pushteti lokal me ekspert vendor apo të huaj, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme në favor të komunës, e ate sa ma parë, sepse çdo vonesë do të jetë me pasoja.
Përfundim
Libri “Malësia” e A.Lulgjurajt nuk ka dilemë se pasuron botimet në shqip për viset shqiptare në Mal të Zi si dhe bibliotekat persoale për të gjithë ata që librin e kanë pasion, duke dëshmuar se libri shqip është pasuri dhe vlerë kombëtare.
Të gjithë ata që në të ardhmën do të trajtojnë tema të cilat kanë të bëjnë me Malësinë ky botim është referencë e nevojshme sepse me qasjen dhe trajtimin e çështjeve obligon jo vetëm studiuesit e ndryshëm, por, edhe të gjithë ata që kulturën e leximit e kanë pasion, ndërsa hapësirën etnogjeografike shqiptare si preokupim individual e profesional.
Libri ”Malësia” është i mirëseardhur për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të njihen me antropologjinë sociale përkatësisht me të kaluarën dhe të tashmën e kësaj pjese të hapësirës etnogjeografike shqiptare.
Andaj, këtë libër iu rekomandoj të gjithë qytetarëve të Malësisë në vend, e sidomos atyre në diasporë, sepse ndonëse janë larguar nga vendlindja, ata kudo që jetojnë e punojnë vendlindjen e kanë me vete, duke mbetur simbol i identitetit kulturor e kombëtar shqiptar.
(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Tuz, më 26 gusht 2026)









