Me rastin e 85 vjetorit të lindjes

Nga Gëzim Loka
Është kënaqësi të ndalemi për të shkruar disa radhë për Dali Gjoçin, një njeri të thjeshtë në sjellje, por me emër të njohur e të respektuar mes bashkëfshatarëve të tij. Për lurasit, ai është thjesht “Lala”, një emër përkëdhelës që mbart brenda vetes afërsi, respekt dhe ngrohtësi njerëzore.
Dali Gjoçi lindi në Lurën e Vjetër, në vitin 1941, në atë vend të bukur, ku natyra, traditat dhe karakteri i njerëzve formojnë një lidhje të fortë me rrënjët. Familja e tij trashëgon vlera Atdhetare dhe njerëzore ndër shekuj e breza.
Fëmijëria e tij nuk ishte e lehtë. Që në moshë të njomë, rrethanat e detyruan të përballej me vështirësitë e jetës dhe të punonte për të ndihmuar familjen. M lidhte bimë medicionale dhe bëhej një dorë e zgjatur ndihme për familjen e tij në vështirési. Jeta e mësoi herët se buka fitohet me djersë, se përgjegjësia nuk pret dhe se njeriu duhet të mbështetet te forcat e veta.
Në rrugëtimin e tij jetësor, Dali mësoi zanatin e muratorit, një profesion i vështirë, që kërkon jo vetëm forcë fizike, por edhe durim, përpikëri e përkushtim. Me duart e tij punëtore, ai ndërtoi mure e shtëpi, duke lënë gjurmë të punës së ndershme. Por, përtej gurëve e llaçit, ai ndërtoi edhe diçka tjetër: besimin dhe respektin e njerëzve. Pikërisht zanati dhe puna e tij e afruan edhe më shumë me lurasit, me hallet, gëzimet dhe jetën e tyre të përditshme.

Lala nuk është thjesht një emër; është një mënyrë se si njerëzit e Lurës e ndiejnë dhe e njohin Dali Gjoçin. Popullariteti i tij nuk lidhet me zhurmën apo dëshirën për t’u dukur, por me thjeshtësinë, komunikimin e drejtpërdrejtë dhe lidhjet e krijuara ndër vite me njerëzit. Ai është një nga ata burra që nuk kanë nevojë për shumë fjalë për të fituar simpatinë e të tjerëve. Mjafton prania, fjala e ngrohtë dhe sjellja e tij e natyrshme.
Një kapitull i rëndësishëm në jetën e Dali Gjoçit është edhe angazhimi i tij si kryetar i shoqatës “Lura Jonë”, detyrë që e ushtron prej dhjetë vjetësh. Këto vite janë dëshmi e përkushtimit dhe pasionit me të cilin ai i është kushtuar bashkësisë lurasе. Të drejtosh një shoqatë që bashkon njerëz me origjinë, kujtime e dashuri të përbashkët për vendlindjen, nuk është vetëm një detyrë organizative. Është përgjegjësi morale, është ruajtje e identitetit dhe është përpjekje për ta mbajtur gjallë lidhjen me vendin e të parëve.
Daliu është këmbëngulës, organizator i mirë, person që ngre probleme dhe përpiqet t’iu shkojë punëve gjer në fund. Është aktivizuar dhe ka qenë në krye të personave të përkushtuar fort për perkujtimin e Masakres se Nemces dhe betejës së Lanë Lurës, si dy ngjarje emblematike që kanë hyrë në analet e historisë kombëtare.
Në çdo angazhim, Dali Gjoçi ka dëshmuar se dashuria për Lurën nuk njeh moshë dhe se përkushtimi ndaj bashkësisë nuk është çështje fjalësh, por vullneti e pune të vazhdueshme. Për të, Lura nuk është vetëm vendlindja e fiksuar në emocione dhe në kujtime; ajo është pjesë e identitetit të tij, një lidhje që e shoqëron në çdo hap dhe që e shtyn të japë kontributin e vet për njerëzit e saj.
Tani, në moshën 85 vjeç, Dali Gjoçi përfaqëson një brez që e njohu jetën në vështirësi, e përballoi atë me punë dhe e ndërtoi rrugën e vet me ndershmëri e këmbëngulje. Brezi i tij na kujton se vlerat e vërteta të njeriut nuk maten me pasurinë, titujt apo dukjen e jashtme, por me karakterin, marrëdhëniet njerëzore dhe gjurmët që lë në jetën e të tjerëve.
Tetëdhjetë e pesë vite janë një udhëtim i gjatë, me përvoja, sfida e kujtime të shumta. Për Lalën, ky udhëtim mbart edhe një vlerë të veçantë: respektin që gëzon te lurasit e tij dhe kënaqësinë që vjen nga të qenët pjesë e një komuniteti që e njeh, e vlerëson dhe e thërret me dashuri.
Në këtë përvjetor të bukur, urimi më i mirë për Dali Gjoçin është që të gëzojë shëndet, qetësi shpirtërore, ditë të bardha dhe sa më shumë vite pranë familjes, miqve e bashkëfshatarëve të tij.
Gëzuar 85-vjetorin, Lala Dali!
U bëfshin vitet e ardhshme po aq të mbushura me respekt, miqësi e dashuri, sa gjurmët që ke lënë në zemrat e lurasve. Sepse njerëzit e thjeshtë, që jetojnë me ndershmëri dhe i qëndrojnë besnikë vendlindjes, janë pasuri e çmuar e çdo komuniteti.
Edhe 100, Lala! Me shëndet e me të mira, për shumë vite të tjera në shërbim të familjes, miqve dhe Lurës sonë!
Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar











