Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Pjesë nga disa fjalë që u mbajtën në tubimin shkencor për Skënderbeun
Në vazhdim po japim pjesë të fjalëve që u mbajtën në tubimin shkencor për Skënderbeun:
Pjesë nga fjala e Dr. Nihat Bakallit
“Në këtë mot të shënueme, shqiptarët kudo që janë kokën e kanë të kthyeme kah koha legjendare. Ata gjunjëzohen me nderim para kujtimit të kryezotit arbëresh, para Gjergj Kastriotit- Skënderbeut[1].”
Dr. Nihat Bakalli me fjalën e vet porosiste se që ne shqiptarët kudo që jemi, është mirë që ti kapërcejmë shekujt, le ta grisim perden e trashë të historisë, ta shoqërojm Gjergjin që nga dita që lindi më 1405, deri te shtrati i vdekjes më 1468[2], që nga dita që Sulltani e shkëputi nga toka shqiptare, deri në ditën që fluturoi si një zog i leht edhe thithi përsëri ajrin e pastër të tokave shqiptare.
Pasi se kishte elaborua të dhëna të rëndësishme për luftën heroike që kishte zhvillua kryetrimi Skënderbe, në mes tjerash nga fjala e dr. Nihat Bakallit doli edhe mesazhi se nderimi më i mirë që mund ti bëhet trimit tonë, Skenderbe, është mbajtja gjallë e dëshirës për Liri, është mbajtja nalt e Flamurit të pastër, njashtu si po banë “Balli Kombëtar” tash e 30 vjet.
Me durimin e një shenjtori, me vrullin e një luftëtari, të brumosur me vullnetin e të parëve tanë, të ushqyer e të rritur me andje lirie, “balli Kombëtar” ia ka shtri dorën atynve që vuajn edhe shtypen[3].
Duke pasur besimin se shembulli i Skënderbeut kalon nga brezi në brez, njashtu si dikur, ashtu edhe sot, flaka e gjallë në dobi edhe në mbrojtje të çështjes shqiptare, na qonë përpara, na bënë pishtar, mbronë qëndresën edhe shpresen tonë për ditët më të mira, ditë në të cilat ka për ti qeshë përsëri fytyra popullit tonë, sot të zymtë. Vetëm atëherë kujtimi i Skënderbeut do të jetë më i plotë. Vetëm atëherëëkanë me thënë me të drejtë brezat e ardhshëm se “Shqiptarët janë shqiponja trimnije, kanë armë burrënije”.
Le ta mbajn pra gjallë emnin e Skënderbeut, se na ep shpres. Le ta ushqejm kujtimin e tijë, se na ep nderë. Le ta çojmë nga dora në dorë Flamurin kuq e zi nga brezi në brez, nga prindi tek fëmijët, atë Flamur që Skënderbeu e ngriti në Krujë. Ai Flamur i pastër le të valëvis përsëri i lirë në kryeqytetin tënë, në Tiranë[4], përfundon fjalën e vet Dr. Nihat Bakalli.
Pjesë nga fjala e Dr. Georg Dimitrovit[5]
Dalja e Dr. Dimitrovit në foltore, zgjoi interesim të madh tek të pranishmit. Fjala e tij u prit me ovacione dhe fjalët e tij te matura patën peshë për mysafirët që kishin ardhur aty. Fillimisht Dr. Dimitrovi kishte shprehur kënaqësinë që ndodhej aty në mesin e miqëve, e aq më tepër kishte thënë se jam këtu për të nderua heroin si përfaqësues i Bashkimit Fshatar Ndërkombëtar, në të cilin Partia Agrare Demokratike “Balli Kombëtar” po luan një rol të vlefshëm, të rëndësishëm dhe vendimtar. Ai njëkohësisht kishte ardhur edhe si përfaqësues i Bashkimit Fshatar Bullgar, si edhe nga ana e popullit bullgar.
Dr. Dimitrovi në fjalën e tij vëmendje të posaçme i kishte kushtua se pse Skenderbeu kishte mundur dy sulltan dhe se si kishte mundur të mbronte Krujën për njëzetepesë vjet me radhë. Poashtu ai kishte edhe përgjigjet në këto pyetje. Se ai ka pas popullin e tij mbrapa, sepse ai kishte mbështetjen e shtresës shoqërore që ishte e zonja për të qëndruar për një kohë të pacaktuar në rezistencë, e kjo fuqi vinte nga populli trim e heroik shqiptar. A nuk është edhe sot e vërtet që kombi shqiptar po e mbron Krujën. E çka është sot qëndresa e kombit shqiptar ndaj diktaturës komuniste, A nuk është një përsëritje e përpjekjes së madhe të Krujës në kohën tonë moderne. Kjo është ajo që nganjëherë edhe bota e lirë nuk e kupton edhe ashtu duke nënçmua forcën shpirtërore dhe sedrën kombëtare të kombeve të vogla.[6]
Atdhetari bullgar u ndal edhe në rrëfimin në veten e parë, duke theksuar se më kujtohet, kur unë isha i pari emigrant në Shtetet e Bashkuara, qysh më 1946, kur edhe çështja themelore e qenies së vet Shqipërisë, po bisedohej në sferat më të nalta të këtij vendi po edhe në vendet tjera. Pra çyshtë Shqipëria, një vend i vogël, e cila nuk mundet te jetojë vetem. Andaj edhe kishte lindur ideja se Shqipëria duhet ndar në mes Greqisë e Jugosllavisë. Ishte shumë e vështirë që Shqipëria të mbronte interesat e veta, ngase ajo nuk kishte asnjë përfaqësues shqiptar aty ku vendosej për fatin e saj.
Aso kohe pata takuar vetëm Stavro Skendon, i cili në atë kohë merrej me studimet e tij universitare. Edhe pergjegja jeme qe e qartë dhe e preme: Zotni, ndaluni nji minut. Na nuk po bisedojm problemin e Shqipnisë së vogël, na po bisedojm për problemin e të gjitha vendeve ballkanike. E vogël ose e madhe, Shqipnija nuk është e juaja, ajo na përket ne , na ballkanasit do ta themi në se Shqipënija mundet me jetue ose jo me jetua vetem, në qoftëse jo , na do të ekzistojm së bashku, na do të bëjmë Federat, na do të bashkohemi.
Prandaj , ju na prekni ne, kur ju prekni Shqipënin… Shyqyr zotit, arsyeja më në fund fitoi edhe nuk u lejua. E pra nuk ishte gjë e rastit që unë mbrojtsha kombin shqiptar, ashtu si mund të mbrojtsha dhe po mbrojë kombin tem. Kam qenë fëmijë kur unë kam jetua pothuajse gati me një shtëpi me një shqiptar, në të njëjtin oborr sepse ai nuk jetonte në një shtëpi, ngase ai jetonte aty pran duke bere boze e hallve. Unë pash varfërin, por pash shpirtin, ai ishte shpirti shqiptar, i përfaqësuem, i dëftuem qartë nga ky burrë plak, i vorfën por nuk donte me lyp, donte të jetonte vetem me forcat e tija, i sëmurë vetëm ashtë e lëkur , ai mbante veten[7].
Prandaj duke e par atë plakë krenar, unë jam angazhuar për me mbrojt çështjen shqiptare se nëpër mes të saj kam mbrojtur edhe shtetin e popullin tim. Prandaj mendoi edhe mbas 500 vjet ju ndjeheni krenar me Skënderbeun, 500 vjet mbas vdekjes së tij, edhe ai është gjithnjë i gjallë, këtu në mes nesh, sepse nuk ka rrugë ma moderne luftimi sot, se ç’ishte lufta e tij guerile, në mbrojtje të sedrës të qenieje njerëzore, sedrës kombëtar edhe të krenarisë kombëtare të kombit shqiptar, edhe të çdo kombi të vogël.[8] Duke përfunduar se njerëzit e mëdhenj, sakrificat dhe punët e mëdha të tyre nuk vdesin kurrë.
Vijon
[1] Flet Dr. Nihat Bakalli, Gazeta “Besa”, Stamboll, maj 1968
[2] Po aty.
[3] Po aty.
[4] Po aty, f. 4.
[5]Dr. Georgi Mihov Dimitrov (1903–1972), i njohur edhe si G. M. Dimitrov ose “Gemeto”, është një figur e njohur politike bullgare. Ishte politikan bullgar i Bashkimit Kombëtar Agrar Bullgar, kundërshtar si i fashizmit ashtu edhe i komunizmit. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet u detyrua të largohej nga Bullgaria dhe përfundimisht u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku u bë një figurë e rëndësishme e emigracionit politik bullgar dhe kryetar i Bulgarian National Committee. Vdiq më 1972 në Vashington (SHBA).
[6] Fjala e Dr. Georg Dimitrovit, gazeta “Besa”, Syamboll, 6 maj 1968.
[7] Po aty. https://fakti.bg/en/bulgaria/784390-23-mai-1945-g-d-r-georgi-m-dimitrov-baga-ot-komunisticheskite-represii-v-rezidenciata-na-sasht#google_vignette
[8] Po aty., 5.











