23.7 C
Tirana
E mërkurë, 7 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj GAZETA “BESA” E STAMBOLLIT – TRIBUNË E MENDIMIT KOMBËTAR DHE E ÇËSHTJES...

GAZETA “BESA” E STAMBOLLIT – TRIBUNË E MENDIMIT KOMBËTAR DHE E ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MËRGIM (12)

0
Gazeta Besa, Stamboll

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Tragjedia shqiptare – pjellë e Jugosllavisë

Një ndër shkrimet që tërheq vëmendjen e lexuesit, si për tematikën që trajton, ashtu edhe për mënyrën se si përpiqet t’i interpretojë zhvillimet politike të Shqipërisë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, është punimi me titull “Tragjedia e sotshme shqiptare, pjellë e Jugosllavisë pas 32 muajsh okupimi fashist”. Që në formulimin e titullit bëhet e qartë qasja e autorit dhe këndvështrimi nga i cili ai synon ta analizojë periudhën. Fjala “tragjedi” nuk përdoret rastësisht, por mbart një ngarkesë të fuqishme politike dhe emocionale, përmes së cilës zhvillimet shqiptare të kohës paraqiten si pjesë e një procesi me pasoja të rënda për vendin dhe të ardhmen e tij.

Shkrimi është ndërtuar në disa vazhdime dhe, për nga mënyra e botimit, të krijon fillimisht përshtypjen e një fejtoni. Megjithatë, përmbajtja dhe mënyra e trajtimit të çështjes tregojnë se kemi të bëjmë më tepër me një punim analitik të publikuar në vazhdime sesa me një fejton në kuptimin klasik të fjalës. Autori nuk synon të ndërtojë një rrëfim letrar apo publicistik të mbështetur vetëm në kronologjinë e ngjarjeve, por përpiqet të analizojë një periudhë të caktuar historike duke u mbështetur edhe në literaturën që trajton marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Në qendër të kësaj analize vendoset vepra e Vladimir Dedijerit, “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945–1948”. Punimi i botuar në vazhdime mund të lexohet, në një masë të konsiderueshme, edhe si një shqyrtim kritik i kësaj vepre. Autori ndalet në pika dhe çështje të veçanta të librit të Dedijerit, duke i përmbledhur dhe komentuar ato në funksion të tezës së tij mbi ndikimin jugosllav në zhvillimet politike shqiptare të pasluftës.

Vetë periudha 1945–1948 zë një vend të veçantë në historinë politike të Shqipërisë së shekullit XX. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli vetëm largimin e forcave pushtuese dhe vendosjen e një rendi të ri politik në Shqipëri, por hapi një etapë të re në marrëdhëniet e vendit me Jugosllavinë. Në vitet e para të pasluftës, raportet ndërmjet dy vendeve u intensifikuan në fusha të ndryshme dhe u shoqëruan me një afrim të dukshëm politik, ekonomik dhe institucional. Pikërisht ky raport përbën sfondin historik mbi të cilin ndërtohet edhe analiza e shkrimit në fjalë.

Nga këndvështrimi i autorit, megjithatë, këto marrëdhënie nuk paraqiten thjesht si bashkëpunim ndërmjet dy shteteve fqinje që kishin dalë nga lufta me regjime të drejtuara nga forcat komuniste. Ato interpretohen në mënyrë shumë më kritike, duke e parë ndikimin e Jugosllavisë si një faktor përcaktues në zhvillimet që pasuan në Shqipëri. Vetë formulimi “pjellë e Jugosllavisë”[1] e përmbledh në mënyrë të drejtpërdrejtë tezën që përshkon shkrimin: tragjedia politike që, sipas autorit, po përjetonte Shqipëria nuk mund të kuptohej pa analizuar rolin e faktorit jugosllav dhe lidhjet e krijuara gjatë dhe menjëherë pas përfundimit të luftës.

Në këtë mënyrë, libri i Dedijerit shërben për autorin si pikënisje për një diskutim shumë më të gjerë. Ai nuk kufizohet vetëm në paraqitjen e përmbajtjes së veprës, por përzgjedh prej saj çështjet që i konsideron më domethënëse dhe i vendos ato përballë interpretimit të vet mbi zhvillimet shqiptare. Prandaj, shkrimi merr një karakter të dyfishtë: nga njëra anë paraqet dhe analizon elemente të librit “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945–1948”, ndërsa nga ana tjetër ndërton mbi to një argument politik dhe historik rreth përgjegjësisë së Jugosllavisë në proceset që përfshinë Shqipërinë.

Interesante është edhe mënyra se si autori e lidh periudhën e pushtimit fashist me zhvillimet që pasuan. Përmendja e “32 muajve të okupimit fashist” në vetë titullin krijon një vijë kronologjike ndërmjet përvojës së pushtimit dhe realitetit të ri politik që u krijua pas tij. Në këtë perspektivë, përfundimi i një pushtimi nuk paraqitet domosdoshmërisht si përfundim i dramës shqiptare. Përkundrazi, autori kërkon të argumentojë se vendi hyri në një etapë tjetër të vështirë, në të cilën ndikimi i jashtëm mori forma të reja dhe u ndërthur me transformimet e thella të sistemit politik shqiptar.

Pikërisht këtu qëndron edhe një nga aspektet më interesante të këtij punimi. Autori përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga historia e luftës në historinë e menjëhershme të pasluftës. Çështja kryesore nuk është më vetëm se çfarë kishte ndodhur gjatë pushtimit, por se si u ndërtua rendi i ri politik pas largimit të pushtuesve, cilat ishin raportet e forcave që ndikuan në të dhe çfarë roli luajti Jugosllavia në këtë proces. Në këtë mënyrë, analiza e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave bëhet njëkohësisht analizë e transformimit politik të vetë Shqipërisë.

Duhet pasur parasysh, gjithashtu, se një tekst i tillë nuk mund të shkëputet nga mjedisi politik dhe intelektual në të cilin është shkruar. Vetë terminologjia e përdorur – “tragjedia shqiptare”, “pjellë e Jugosllavisë”[2] – dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një analizë historiografike neutrale në kuptimin bashkëkohor, por me një interpretim të angazhuar politikisht. Kjo nuk ia zvogëlon domosdoshmërisht rëndësinë si burim; përkundrazi, e bën atë veçanërisht të vlefshëm për të kuptuar mënyrën se si një pjesë e publicistikës dhe e mendimit politik shqiptar e interpretonte historinë e afërt të vendit.

Për këtë arsye, rëndësia e punimit qëndron jo vetëm në informacionet që përcjell nga libri i Dedijerit, por edhe në mënyrën se si këto informacione përzgjidhen, komentohen dhe vendosen brenda një narrative më të gjerë politike. Nëpërmjet tij mund të shihet se si historia e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave të viteve 1945–1948 shndërrohej në një pikë kyçe për interpretimin e fatit politik të Shqipërisë së pasluftës.

Kështu, “Tragjedia e sotshme shqiptare, pjellë e Jugosllavisë pas 32 muajsh okupimi fashist” paraqitet si një analizë në vazhdime që, duke marrë për bazë dhe duke shqyrtuar në mënyrë të përmbledhur veprën e Dedijerit mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, kërkon të shpjegojë një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë shqiptare të shekullit XX. Përtej përmbajtjes së librit që analizon, shkrimi është njëkohësisht dëshmi e debatit politik dhe historiografik që zhvillohej rreth rolit të Jugosllavisë, vendosjes së regjimit të ri në Shqipëri dhe pasojave që këto zhvillime, sipas autorit, patën për shoqërinë dhe shtetin shqiptar.

Duke vazhduar analizën e zhvillimeve politike që shoqëruan lindjen dhe konsolidimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri, autori ndalet në mënyrë të veçantë te ngjarjet e fundit të vitit 1941. Sipas rrëfimit dhe interpretimit të tij, një moment me rëndësi në këtë proces ishte mbledhja e zhvilluar më 29 nëntor 1941[3], e cila kishte për qëllim organizimin e rinisë komuniste. Autori e paraqet këtë nismë si pjesë të një veprimtarie më të gjerë politike, në të cilën, sipas tij, një rol të drejtpërdrejtë kishin përfaqësuesit komunistë jugosllavë, të cilët ai i cilëson në mënyrë polemike si “patronët serbë”[4].

Në paraqitjen e autorit, organizimi i rinisë nuk ishte një veprim i shkëputur nga zhvillimet politike që po ndodhnin në Shqipëri gjatë pushtimit. Vendi ndodhej në një periudhë të trazuar, kur kundërshtimi ndaj pushtuesit të huaj po bëhej një nga çështjet kryesore rreth së cilës kërkonin të mobilizoheshin forca të ndryshme politike. Në këtë atmosferë, rinia përbënte një shtresë veçanërisht të rëndësishme për çdo organizatë që synonte të zgjeronte ndikimin dhe të krijonte një bazë të qëndrueshme veprimi. Përfshirja e të rinjve në strukturat politike shihej si mundësi për të siguruar jo vetëm pjesëmarrës aktivë në luftën kundër pushtimit, por edhe bartës të ideve dhe të orientimeve të reja politike.

Sipas autorit, pikërisht në këtë kontekst duhet kuptuar mbledhja e 29 nëntorit 1941. Të rinjve, shkruan ai, u flitej në radhë të parë për çlirimin nga pushtuesi i huaj dhe për sigurimin e lirisë së Shqipërisë[5]. Këto ishin mesazhe me një fuqi të madhe mobilizuese në kushtet e okupimit, sepse preknin drejtpërdrejt ndjenjën patriotike dhe dëshirën për çlirimin e vendit. Në këtë mënyrë, ideali i luftës kundër pushtuesit ndërthurej me procesin e organizimit politik të rinisë.

Megjithatë, autori e interpreton këtë veprimtari nga një këndvështrim dukshëm kritik. Sipas tij, prapa retorikës së çlirimit kombëtar dhe të “lirisë shqiptare” qëndronte një ndikim i fuqishëm jugosllav mbi organizimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Për këtë arsye ai i kushton rëndësi faktit se mbledhja, sipas versionit që paraqet, zhvillohej nën drejtimin e atyre që i quan “shefat serbë”. Në logjikën e përgjithshme të shkrimit, ky pohim shërben për të mbështetur tezën e autorit se organizimi i strukturave të para komuniste shqiptare nuk mund të analizohej i shkëputur nga roli dhe ndikimi i Partisë Komuniste të Jugosllavisë.

Në këtë mbledhje, sipas autorit, përgjegjësi konkrete për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë së rinisë iu ngarkuan disa prej emrave që më vonë do të njiheshin si figura të rëndësishme të lëvizjes komuniste shqiptare. Ndër ta përmendeshin Qemal Stafa, Nako Spiru, Nexhmije Xhuglini – e cila më vonë do të bëhej bashkëshortja e Enver Hoxhës – Ymer Pula dhe Misto Mame[6]. Përzgjedhja e këtyre të rinjve dëshmonte, në këndvështrimin e autorit, për përpjekjen që krahas strukturave politike të ndërtohej edhe një organizim i posaçëm rinor, i aftë për ta shtrirë veprimtarinë në një segment të gjerë dhe dinamik të shoqërisë shqiptare.

Përmendja e këtyre emrave merr rëndësi edhe kur ngjarja shihet nga perspektiva e zhvillimeve të mëvonshme. Disa prej tyre do të shndërroheshin në figura të njohura të historisë politike shqiptare të viteve të luftës dhe të periudhës së pasluftës. Në kohën kur zhvillohej mbledhja e përshkruar nga autori, megjithatë, bëhej fjalë për një fazë të hershme të organizimit, kur strukturat komuniste po përpiqeshin të konsolidonin rrjetin e tyre dhe të zgjeronin ndikimin ndër të rinjtë.

Në këtë kuptim, organizimi i rinisë merrte rëndësi strategjike. Rinia mund të shërbente si një forcë aktive në veprimtarinë ilegale, në shpërndarjen e materialeve propagandistike, në krijimin e lidhjeve ndërmjet grupeve dhe, më vonë, në format e ndryshme të rezistencës kundër pushtimit. Njëkohësisht, organizimi i saj krijonte mundësinë për formimin politik dhe ideologjik të një brezi që mund të luante rol në zhvillimet e ardhshme. Pikërisht për këtë arsye, çështja e rinisë zinte një vend të rëndësishëm në procesin e ndërtimit të strukturave të reja politike.

Por në interpretimin që i bën autori kësaj ngjarjeje, theksi nuk vendoset vetëm te organizimi. Ai kërkon të evidentojë një kontrast ndërmjet mesazhit që u përcillej të rinjve dhe ndikimit politik që, sipas tij, qëndronte prapa këtij procesi. Nga njëra anë, rinisë shqiptare i flitej për çlirimin nga i huaji dhe për lirinë kombëtare; nga ana tjetër, autori pretendon se vetë procesi i organizimit zhvillohej nën ndikimin dhe drejtimin e përfaqësuesve jugosllavë. Pikërisht në këtë kundërthënie ai ndërton një pjesë të argumentit të tij kritik ndaj origjinës dhe zhvillimit të lëvizjes komuniste shqiptare.

Kjo mënyrë e paraqitjes së ngjarjeve lidhet drejtpërdrejt me tezën e përgjithshme që përshkon punimin mbi atë që autori e quan “tragjedia shqiptare”. Duke u kthyer te fundi i vitit 1941, ai kërkon t’i gjejë rrënjët e zhvillimeve të mëvonshme politike pikërisht në periudhën e formimit dhe organizimit të strukturave komuniste. Për autorin, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të viteve të pasluftës nuk ishin një dukuri që kishte lindur papritur pas vitit 1945, por rezultat i lidhjeve dhe ndikimeve që, sipas interpretimit të tij, ishin krijuar që gjatë viteve të pushtimit.

Prandaj, mbledhja e 29 nëntorit 1941 paraqitet në shkrim jo vetëm si një episod i organizimit të rinisë komuniste, por si pjesë e një procesi politik shumë më të gjerë. Nëpërmjet saj, autori përpiqet të argumentojë se që në fazat e hershme të organizimit komunist në Shqipëri ekzistonte një lidhje e fortë me faktorin jugosllav. Retorika e çlirimit nga pushtuesi dhe e lirisë shqiptare, sipas këtij interpretimi, përdorej për mobilizimin e rinisë, ndërsa drejtimi politik i lëvizjes po formësohej nën një ndikim që autori e konsideronte të jashtëm.

E lexuar sot si burim historik, kjo pjesë është me interes jo vetëm për ngjarjet që pretendon të përshkruajë, por edhe për gjuhën dhe këndvështrimin politik të autorit. Termat që ai përdor, mënyra se si e karakterizon rolin jugosllav dhe kontrasti që ndërton ndërmjet premtimit të “lirisë shqiptare”[7] dhe ndikimit të jashtëm dëshmojnë një interpretim të angazhuar të së kaluarës. Për këtë arsye, rrëfimi duhet lexuar në kontekstin e kohës dhe të orientimit politik të botimit ku është publikuar, duke e dalluar dëshminë e burimit nga vlerësimi historiografik i mëvonshëm.

Megjithatë, pikërisht ky karakter polemik e bën tekstin domethënës për studimin e mënyrës se si historia e komunizmit shqiptar interpretohej në publicistikën politike. Për autorin, 29 nëntori 1941 nuk ishte thjesht një datë në kronologjinë e organizimit të rinisë komuniste, por një nga momentet përmes të cilave ai kërkonte të shpjegonte origjinën e proceseve që, sipas tij, do të përcaktonin më vonë fatin politik të Shqipërisë.

Në vazhdim të analizës së tij, autori i kushton vëmendje të posaçme raporteve të Milladinit, të cilat i përdor si burim për të argumentuar mbi mënyrën e organizimit, funksionimit dhe konsolidimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri gjatë viteve të luftës. Në këtë pjesë të shkrimit, ai ndalet jo vetëm në çështjet organizative dhe ideologjike, por edhe në një aspekt shumë më të rëndë: përdorimin e dënimeve me vdekje në kuadër të disiplinës dhe veprimtarisë së strukturave të lëvizjes.

Duke iu referuar faqes 10 të librit, autori sjell të dhëna nga një raport i Milladinit, sipas të cilit deri në atë moment ishin ekzekutuar katër dënime me vdekje, ndërkohë që numri i dënimeve të shqiptuara kishte qenë edhe më i madh[8]. Vetë përmendja e këtij fakti në raport merr një rëndësi të veçantë në argumentimin e autorit, sepse dëshmon, sipas interpretimit të tij, se procesi i organizimit të lëvizjes komuniste nuk ishte shoqëruar vetëm me veprimtari politike, propagandistike dhe organizative, por edhe me masa të rënda ndëshkuese ndaj atyre që konsideroheshin kundërshtarë, shkelës të disiplinës apo pengesë për veprimtarinë e strukturave të krijuara.

Në këtë aspekt, pohimi se “janë ekzekutuar tashmë katër dënime me vdekje”, ndërsa “dënime me vdekje janë dhënë ma shumë”[9], fiton peshë të veçantë dokumentare në mënyrën se si autori ndërton rrëfimin e tij. Ai e përdor këtë të dhënë për të nxjerrë në pah ashpërsinë që, sipas tij, kishte filluar të karakterizonte veprimtarinë e organizatës që në fazat e hershme të konsolidimit të saj. Megjithatë, si edhe në pjesët e tjera të këtij punimi, këto pohime duhen lexuar në raport me burimin të cilit autori i referohet dhe me kontekstin polemik e politik brenda të cilit ndërtohet analiza.

Një tablo tjetër, kësaj radhe mbi gjendjen e brendshme organizative të Partisë, paraqitet përmes referimit në faqen 21 të librit. Sipas Milladinit, ndonëse emri dhe autoriteti i Partisë ishin ngritur, strukturat e saj organizative ende nuk kishin arritur shkallën e forcimit që kërkohej. Kjo vërejtje është domethënëse, sepse krijon një dallim ndërmjet rritjes së ndikimit politik dhe konsolidimit real të aparatit partiak. Me fjalë të tjera, Partia mund të kishte filluar të bëhej më e njohur dhe të fitonte terren në rrethanat e luftës, por kjo nuk nënkuptonte domosdoshmërisht se organizatat e saja lokale ishin të strukturuara, të disiplinuara dhe të afta për të vepruar sipas modelit që kërkonte udhëheqja.

Milladini, sipas materialit të cituar nga autori, e lidhte këtë dobësi me mungesën e njohurive dhe të përvojës organizative të komunistëve shqiptarë. Ai vërente se “shokët” nuk kishin ditur t’i lidhnin siç duhej punët dhe veprimtaritë e tyre, pikërisht sepse u mungonte përvoja në çështjet e organizimit partiak[10]. Ky konstatim paraqet një pamje të një lëvizjeje që ishte ende në proces formimi dhe që përballej me vështirësi në ndërtimin e strukturave të veta. Për autorin e shkrimit, një pohim i tillë ishte veçanërisht i rëndësishëm, sepse i shërbente argumentit të tij mbi rolin që kishin luajtur komunistët jugosllavë në orientimin dhe organizimin e strukturave komuniste shqiptare.

Në këtë mënyrë, raporti i Milladinit paraqitet si dëshmi e një procesi në të cilin nuk mjaftonte vetëm krijimi formal i Partisë. Nevojitej ndërtimi i organizatave, krijimi i mekanizmave të komunikimit, përcaktimi i përgjegjësive, formimi i kuadrove dhe, mbi të gjitha, përgatitja ideologjike e anëtarëve. Mungesa e përvojës që evidentohej në raport nënkuptonte se ky proces kërkonte një punë sistematike dhe një formim shumë më të thellë të atyre që duhej të merrnin përsipër drejtimin e organizatave në terren.

Pikërisht këtu shfaqet një element tjetër mjaft domethënës i raportit: nevoja për sigurimin dhe përkthimin e literaturës themelore komuniste. Sipas Milladinit, ndër vështirësitë që duhej të kapërceheshin ishte edhe mungesa në gjuhën shqipe e teksteve që konsideroheshin të domosdoshme për edukimin ideologjik të anëtarëve. Për këtë arsye ishte parë e nevojshme të përktheheshin vepra të tilla si “Historia e PK(b)” dhe “Bazat e Leninizmit”[11], në mënyrë që komunistëve shqiptarë t’u krijohej mundësia të njiheshin me konceptet, parimet dhe mënyrën e organizimit mbi të cilat mbështetej doktrina komuniste.

Vetë nevoja për përkthimin e këtyre veprave është treguese për fazën në të cilën ndodhej formimi ideologjik i strukturave shqiptare. Për një pjesë të anëtarësisë, pengesa nuk ishte vetëm mungesa e përvojës praktike organizative, por edhe qasja e kufizuar në literaturën teorike mbi të cilën mbështetej sistemi politik dhe ideologjik që ata synonin të përfaqësonin. Përkthimi në shqip shndërrohej kështu në një mjet të rëndësishëm të edukimit politik, sepse krijonte mundësinë që konceptet e marksizëm-leninizmit të përvetësoheshin në mënyrë më sistematike nga anëtarët shqiptarë.

Në këtë aspekt, literatura ideologjike nuk kishte vetëm funksion informues. Ajo ishte pjesë e procesit të formimit të një kulture të re politike dhe organizative. Përmes teksteve të përkthyera synohej që anëtarët të njiheshin me historinë e lëvizjes bolshevike, me parimet leniniste të organizimit të partisë dhe me konceptet që duhej të orientonin veprimtarinë e tyre politike. Kështu, përkthimi i librave lidhej drejtpërdrejt me përpjekjen për ta shndërruar një grupim ende të papërvojë në një strukturë më të disiplinuar dhe ideologjikisht të formuar.

Për autorin e punimit, megjithatë, ky fakt merrte edhe një kuptim tjetër. Në kuadër të tezës së tij mbi ndikimin jugosllav në zhvillimin e komunizmit shqiptar, nevoja që Milladini të evidentonte problemet organizative, të kërkonte forcimin e strukturave dhe të kujdesej për sigurimin e literaturës ideologjike interpretohej si tregues i rolit të rëndësishëm që përfaqësuesit jugosllavë kishin në fazat e hershme të organizimit. Në këtë lexim, ata nuk shfaqeshin vetëm si ndërmjetës apo këshilltarë, por si persona të përfshirë në çështje që shkonin nga organizimi praktik deri te edukimi ideologjik i komunistëve shqiptarë.

Vendosja pranë njëra-tjetrës e këtyre elementeve – dënimeve me vdekje, dobësive të organizatave partiake, mungesës së përvojës së kuadrove dhe nevojës për përkthimin e literaturës komuniste – krijon një tablo komplekse të fazës së hershme të lëvizjes. Nga njëra anë shfaqet një organizatë që ende kishte probleme të konsiderueshme të brendshme dhe mungesë përvoje; nga ana tjetër, në të njëjtën kohë, raportet flasin për masa të rënda disiplinuese dhe për një përpjekje intensive për konsolidim ideologjik e organizativ.

Pikërisht ky kontrast duket se tërheq vëmendjen e autorit. Partia paraqitet ende e dobët në aspektin strukturor, por njëkohësisht e vendosur për të krijuar mekanizma të fortë kontrolli dhe disipline. Anëtarët kishin nevojë të mësonin parimet themelore të organizimit dhe të njiheshin me literaturën ideologjike, ndërsa paralelisht ndërtoheshin struktura që kërkonin bindje dhe zbatim të vendimeve. Në interpretimin e autorit, këto zhvillime paralajmëronin tipare që do të bëheshin shumë më të dukshme në etapën e mëvonshme të konsolidimit të pushtetit komunist.

Në një lexim historik, referencat e autorit ndaj faqeve 10 dhe 21 të librit janë me interes pikërisht sepse na çojnë përtej një rrëfimi të përgjithshëm mbi formimin e lëvizjes komuniste. Ato sjellin elemente që lidhen me funksionimin e brendshëm të organizatës, vështirësitë e saj, formimin ideologjik dhe mekanizmat e disiplinës. Njëkohësisht, ato tregojnë se autori i punimit i lexonte raportet e Milladinit si dëshmi të drejtpërdrejta për rolin e faktorit jugosllav në këtë proces.

Prandaj, këto fragmente zënë një vend të rëndësishëm në argumentin më të gjerë të shkrimit mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe fillesat e regjimit komunist. Për autorin, raportet e Milladinit nuk ishin thjesht dokumente që përshkruanin vështirësitë e një organizate të re politike; ato shërbenin si dëshmi për të rindërtuar mënyrën se si u formuan kuadrot, si u përcoll ideologjia, si u vendos disiplina dhe çfarë roli luajtën përfaqësuesit jugosllavë në këto procese. Në këtë mënyrë, analiza e tyre bëhej pjesë e përpjekjes së tij për t’i kërkuar rrënjët e zhvillimeve të mëvonshme politike të Shqipërisë që në vitet e para të organizimit të lëvizjes komuniste.

Një vëmendje të posaçme në vazhdimin e analizës i kushtohet procesit të përkthimit të literaturës ideologjike që duhej t’u shërbente komunistëve shqiptarë për formimin e tyre teorik dhe politik. Në këtë kontekst përmendet edhe vepra e titulluar shkurtimisht në burim si “Istoria…”, përkthimi i së cilës, sipas analistit, nuk ishte rezultat i punës së një individi të vetëm, por i angazhimit të disa personave. Ndër emrat që ai veçon janë Anastas Lula, Liri Gega dhe Qazim Prishtina-Tuti[12], të cilët, duke u mbështetur në versione të veprës në gjuhë të ndryshme, kishin marrë pjesë në përgatitjen e tekstit në gjuhën shqipe.

Ky proces përkthimi paraqitet si një ndërmarrje që shkonte përtej bartjes së zakonshme të një teksti nga një gjuhë në tjetrën. Në kushtet kur literatura marksiste-leniniste në gjuhën shqipe ishte ende e kufizuar, sigurimi i teksteve themelore ideologjike konsiderohej i nevojshëm për edukimin politik të anëtarëve dhe për krijimin e një gjuhe të përbashkët teorike brenda strukturave komuniste. Përkthimi, në këtë kuptim, bëhej pjesë e vetë procesit të organizimit dhe të konsolidimit ideologjik të lëvizjes.

Megjithatë, analisti tërheq vëmendjen sidomos te mënyra se si kontrollohej puna e përkthyesve. Sipas paraqitjes së tij, pas çdo faqeje të përkthyer ndërhynte Dushan Mugosha, i cili e krahasonte tekstin e përgatitur në shqip me versionet në gjuhën ruse dhe atë serbe[13]. Kështu, puna nuk përfundonte me përkthimin fillestar. Teksti i nënshtrohej një procesi të vazhdueshëm verifikimi dhe krahasimi, përmes të cilit synohej që formulimet në shqip të përputheshin sa më afër me përmbajtjen dhe terminologjinë e varianteve që shërbenin si pikë referimi.

Ky detaj merr rëndësi të veçantë në mënyrën se si analisti ndërton argumentin e tij. Kontrolli faqe për faqe nga Dushan Mugosha paraqitet prej tij jo thjesht si një ndihmë teknike apo gjuhësore, por si dëshmi e shkallës së përfshirjes së përfaqësuesve jugosllavë edhe në procesin e formimit ideologjik të komunistëve shqiptarë. Nëse në pjesët e mëparshme të analizës roli i tyre ishte evidentuar në çështjet e organizimit partiak, në krijimin e strukturave dhe në vlerësimin e gjendjes së tyre, këtu ky ndikim shfaqej edhe në përgatitjen e materialeve që duhej të formësonin botëkuptimin politik të anëtarëve.

Në këtë aspekt, rëndësi kishte jo vetëm përmbajtja e librit, por edhe saktësia e terminologjisë që përcillej në gjuhën shqipe. Literatura ideologjike mbështetej mbi një fjalor të përcaktuar politik dhe teorik, prandaj përkthimi i koncepteve kërkonte një kujdes të veçantë. Terma të lidhur me partinë, klasën, revolucionin, organizimin dhe parimet leniniste duhej të barteshin në një formë që ruante kuptimin e tekstit bazë. Krahasimi me versionet ruse dhe serbe, siç e përshkruan analisti, shërbente pikërisht për të kontrolluar këtë përputhshmëri.

Në të njëjtën kohë, ky proces dëshmon edhe për vështirësitë me të cilat përballej një lëvizje politike që kërkonte të përvetësonte një sistem të tërë konceptesh ideologjike të formuluara fillimisht jashtë hapësirës shqiptare. Nuk mjaftonte që tekstet të siguroheshin fizikisht; ato duhej të bëheshin të lexueshme dhe të kuptueshme në shqip. Përkthyesit përballeshin kështu me detyrën e përshtatjes së një terminologjie politike e filozofike për të cilën jo gjithmonë ekzistonin ekuivalentë të konsoliduar në gjuhën shqipe.

Pikërisht për këtë arsye, përfshirja e disa përkthyesve – Anastas Lulës, Liri Gegës dhe Qazim Prishtinës-Tuti – tregon se puna kërkonte një angazhim të konsiderueshëm. Secili sillte njohuritë gjuhësore dhe përvojën e vet, ndërsa versioni i përftuar, sipas analistit, kalonte më pas nën kontrollin e Mugoshës[14]. Kështu krijohej një proces me disa hallka: teksti merrej nga versionet e disponueshme në gjuhë të huaja, përkthehej në shqip, krahasohej me tekstet ruse e serbe dhe vetëm pas këtij kontrolli merrte formën që do t’u vihej në dispozicion komunistëve shqiptarë.

Në interpretimin kritik të autorit, pikërisht kjo procedurë kishte një domethënie politike. Fakti që një përfaqësues jugosllav kontrollonte me hollësi tekstin shqiptar përdoret prej tij për të mbështetur tezën më të gjerë se ndikimi jugosllav nuk ishte periferik apo episodik. Sipas kësaj logjike, ai prekte edhe përmbajtjen e edukimit ideologjik, pra një nga fushat më të rëndësishme për formësimin e kuadrove të një partie komuniste. Për autorin, kjo ishte një dëshmi tjetër e varësisë që ai kërkon të evidentojë gjatë gjithë analizës së tij.

Në rastin shqiptar, përkthimi i “Istoria…” merrte kështu një rëndësi që shkonte përtej historisë së një libri. Ai ishte pjesë e procesit përmes të cilit një ideologji ndërkombëtare po përkthehej, në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe figurativ të fjalës, në një mjedis shqiptar. Përmes përkthimit nuk transferoheshin vetëm fjali dhe koncepte, por edhe një model i caktuar i organizimit politik, një mënyrë e interpretimit të shoqërisë dhe një sistem referencash ideologjike që duhej të përvetësohej nga kuadrot e reja.

Nga ana tjetër, kontrolli që, sipas burimit, Dushan Mugosha ushtronte mbi çdo faqe të përkthyer i jep një dimension të veçantë në kuadër të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Për analistin, ky nuk ishte një detaj teknik i parëndësishëm, por një element që plotësonte tablonë e ndërhyrjes jugosllave në fazën e hershme të organizimit komunist në Shqipëri. Ai e përdor këtë shembull për të argumentuar se ndikimi shtrihej nga organizimi praktik i strukturave deri te kontrolli i materialeve që përdoreshin për edukimin e tyre politik.

Megjithatë, në leximin historiografik të këtij materiali është e nevojshme të ruhet dallimi ndërmjet informacionit që përcjell burimi dhe interpretimit që analisti ndërton mbi të. Përfshirja e Mugoshës në kontrollin e përkthimit, ashtu siç paraqitet në tekst, është një element që autori e përdor në funksion të tezës së tij të përgjithshme mbi ndikimin jugosllav. Për këtë arsye, rëndësia e fragmentit qëndron njëkohësisht në informacionin që ofron dhe në mënyrën se si ky informacion përdoret për të ndërtuar një narrativë politike mbi fillesat e komunizmit shqiptar.

Në tërësi, episodi i përkthimit të “Istoria…” ndriçon një aspekt më pak të dukshëm, por domethënës, të procesit të formimit të lëvizjes komuniste: betejën për krijimin e kuadrove dhe përvetësimin e doktrinës. Anastas Lula, Liri Gega dhe Qazim Prishtina-Tuti paraqiten si pjesëmarrës në përkthimin e tekstit, ndërsa Dushan Mugosha, sipas analistit, si personi që kontrollonte dhe krahasonte sistematikisht versionin shqip me tekstet ruse dhe serbe. Nëpërmjet këtij shembulli, autori përpiqet të tregojë se organizimi politik dhe formimi ideologjik zhvilloheshin paralelisht dhe se, në interpretimin e tij, prania jugosllave ishte e dukshme në të dyja këto procese.

Vijon

[1] “Tragjedia e sotshme shqiptare, pjellë e Jugosllavisë pas 32 muajsh okupimi fashist”, Gazeta “Besa”, Stamboll, 6 maj 1968. f. 5.
[2] Po aty.
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Po aty.
[9] Vladimir Dedijer, Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare 1945–1948, Beograd, 1949,
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Po aty.
[14] Po aty.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.