TAKIMI ME ZONJËN VDEKJE

0
535
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

(Shelgjet lajnë gërshetat)

Me Miken ulemi në rërë
dallgët i sulen bregut.
Shelgjet i lajnë gërshetat
më thotë: Unë i laj vargjet.

Qetësi!
E dëbova Nusen me poshterkë të kuqe
Shtoi, dikur:
Po, Buçën si do ta shporrësh?
Buzëqesh.
Se, buçet kanë ca huqe…

(Kush do më shpie në varr)

Gjithë natën e lume vras Veten:
Flakëmëflakë mes librave. Shtamave verë.
Në mëngjes, te pragu i derës e ringjallë.

Gjithë natën e lume vras Veten
E, s’ka njeri të më shpie në varr.

Doruntinën, motrën e vetme të gjakut
E martova, shtatë male larg…

(Nuk më doli nata)

Gjithë natën u zumë si kaçakët
nxorëm kobure e harxhuam fishekë.
Nuk u vramë, por u plagosëm
pak para agimit nëpër sokaqe:
ngrite lartë një çarçaf të bardhë
e bëmë paqe, në “Bit-Pazar”.

Edhe pse, lufta qe flakë më flakë
erdhi shumë vrik agimi.
Nuk na doli nata
në atë shtrat harbimi…

(E nesërmja vazhdon luftën)

Liqeni na u sul me dallgë
rrëzove mure, hëngre çarçafë.
Matanë bregut, të dëgjoi Lasgushi
gjithë natën u çmende në shtrat.

E nesërmja, vazhdon luftën
tërmet ra në dhomë.
E hapë dritaren, thirrë liqenin:
hëngre çdo gjë me dhëmbë
luftë me sy, luftë me këmbë.

Vetëm pas fitores te plepat
më the: Të shtrydha si limonin.
Se di, pse e ndjeva veten dëshmor
e Ti një Kleopatër që pa mua
Nuse të mbante froni…

(Përshpëritje në vesh)

E çmendur më thua nëpër terr
më pëshpërit në vesh:
Edhe pak, edhe pak – më fortë!

E gris natën lahem në djersë
pushtoj qytete, nënshtroj shtete.
Unë, pasardhësi i Skënderbeut
shkaku Yt bëj luftë edhe me Veten…

(Brymë në shtrat)

E përfundoj betejën. Dyluftimin
palohesh si robëreshë në shtrat.
Vetëm sytë, e duart rrugaçe
nuk dorëzohen për një natë.

Ja, pse gjithë luftërat
në botë: i kanë nisur gratë.
Dihet, flakë më flakë.

Brymë në shtrat…

(Magjia e çelësit)

Kur vendosa ta thyej derën
e gjeta çelësin magjik:
befas hyra te Ti si kaçak
si varg lirik. Kryengritës.

Tashti kur s’mund ta thyej derën
e humba çelësin magjik:
më thuaj moj si të dal nga Ti
kur, Sot: nuk jam varg epik?…

(Rrugë nëpër poezi)

Ka kohë që Ti nuk vjen
të marrim rrugë. Male
nëpër poezi. Dhiare.

Gjithë vargjet e botës
do t’i sjell në Shtëpi…

(Mbrëmë fjeta
me Vjeshtën
)

Mbrëmë fjeta me Vjeshtën
Dimri nuk ma hapi derën.

Me cilën do të fle Nesër
Si ta puth Pranverën?!…

(Lum Unë i mjeri)

Vjeshtë.
Ajo një gjeth të verdhë në dorë
s’di ku ta kaloj Natën e Madhe:
kam frikë nga qielli. Dielli
shiu. Breshëri. Rrufeja. Nga Ajo.

Po gjethi i verdhë, heu gjethi…

Natë. Gjethi më buzëqeshi verdhë.
Pres një shtërngatë. Shi. Rrufe:
Një dimër edhe më të egër
Ehu Nënën, lum Unë i mjeri…

(Dua të digjem)

Nga frika mos digjem prej Teje dritë
largohen krimbat, ikin fluturat
shtegtojnë zogjtë diku larg…

Veç Unë s’i trembem zjarrit
që më përvëlon natën
mbi turrë të druve flakë:
i gozhduar si Krishti
të pres kryq në shtrat…

(Gjethi verdhë)

Frikë kam nga gjethet e verdha
ato paralajmërojnë Dimrin:
Vdekjen Tënde në lindje…

Frikë kam nga gjethet e sëmura…

(Ikje me natë)

Pema zhvishet në Vjeshtë
pret Dimrin. Furtunën
tinëz, t’i futet në shtrat.

Ti në Dimër zhvishesh
dhe ma ndez zjarrin:
Më bën Vjeshtë. Ikë me natë…

(Mikja e Ujkut)

Mike, fli se vjen Ujku
të troket në dritare!
Mashtrohesh e ia hap derën
t’i ha mollët e vjela
gjithë natën e gjatë.

Mikja qesh dhe më thotë:
Ebu Xhehli i ujqërve janë gratë!…

(U ngopa me Liri)

Nuk u ngopa me Natë
nuk u ngopa me Ditë
nuk u ngopa me libra
nuk u ngopa me verë
nuk u ngopa me dashuri
aqsa, bëj ta këndell.

U ngopa me Liri
Aqsa, më vjen ta vjell…

(Udha nëse të bie
në Shkup
)

Udha nëse të bie në Shkup
mos më kërko në Parlament!
As në ndonjë ministri
as në ndonjë kabinet.

Udha nëse të bie në Shkup
kërkom te Shatërvani. Rrap!

Ose, në mesin e të marrëve…

(Po të flas)

Po të flas për të çmendurit,
Ti thua: Jam e çmendur vetë.

Po të flas për të sëmurët,
Ti thua: S’di se ç’më gjet.

Për të dashuruarit kur flas,
Ti thua: Jam e dashuruar vetë.

Kur flas për poetët. Rrugaçët
çmendesh. Bërtet: Unë jam poet!…

(Ti endesh nëpër botë)

Ti endesh nëpër botë
për të gjetur një viç
një gomar pa samarë.

Çfarë çmendurie?!

Gomarë, ka edhe në “Bit-Pazar”
Te “Mulliri i Arapit”, në Llag:
Kërriçë të tredhur me samrë.

Edhe atë bio – shqiptarë!…

(Në Drenovë)

Për “Ditët e Asdrenit”
isha edhe në kishë:
ndeza një qiri.
Dhe, u luta për Asdrenin
për Miken në Lindje
që nuk ma lënë rehat.

Për “Ditët e Asdrenit”
u luta edhe për Veten:
bëra kryq përpara Shën Mërisë.
Zoti të na ruaj nga hijet
që rrinë pas porte
gati t’i kërcejnë Lirisë…

(Murosja e nuseve)

Edhe sot i varrosim të gjalla
nëpër këtë Qytet nuset.
Po, nuk ua lëmë një gji
jashtë për poetët…

(U kryqëzova për Ty)

E vizitova përsëri Korçën
shkova edhe në Drenovë:
vendlindjen e Asdrenit,
hyra sërish edhe në kishë.

Ndoza një qiri malli
sonte u kryqëzova për Ty…

(Lutja e natës)

Dikush falet në kishë
dikush në xhami.

Unë me dy buta në duar
Lutem. Vdes mbi Ty…

(Pritje në breg)

Ditën kur fluturove nga minarja
tek Plepat e Xhindeve:
Liqeni u çmend.

Unë pres e përcjell anije:
Asnjë lejlek, asnjë dallëndyshe
nuk zbret në breg…

(Vdis sonte)

Vdis sonte! Dhe, ngjallu përsëri
Gjithë liqenin do ta pi!

Trofta e ngjala do t’i nxjerr në breg
kot përpiqesh të ikësh nëpër Dri:
Gjithë liqenin do ta pi!

Vdis sonte! Dhe, ngjallu përsëri…

(Le të më hanë gratë)

U besoj grave të marra
kur natën lahen në liqen,
e Unë me një shtamë verë në breg
dëshiroj të bëhem grep.

E pres ta kafshojnë vargun
t’i hedh në shtrat,
më mirë le të më hanë gratë
se sa qentë e ngratë!…

(Fillim jave)

Nata iku. Ike Ti
ika Unë në poezi.

Eja, moj, mjaft qave
këtë fillim jave!…

(Takimi me Zonjën Vdekje)

E takova sot në rrugë Zonjën Vdekje
Dhe, pimë nga një gotë verë.
Më pyeti për librat, e pyeta për këlyshët
A, i ndërsehen ndonjëherë pas shpine?!

Qeshi, Zonja Vdekje. Dhe, ngriti dolli
për Miken Di, e arratisur në Lindje.
Për mua që i kam varur armët në Rrap
të vras Këlyshin e Buçës me zgjebe:
Që, dy hapa më larg e ka nxjerrë gjuhën
dy pëllëmbë përgoje, jashtë nga vapa
nateditë, në prehërin e Nënës Rrospi…

(Nëse vini në
varrimin tim
)

Mos harxhoni fjalë
mos derdhni lot
mos më sillni lule
atë ditë kur të vdes!

Më sillni verë
ma sillni Miken
në doni të çohem
t’ju përshëndes…

(Do ta pi liqenin)

Në mbrëmje dal te bregu
dhe pres të dalësh nga liqeni,
kam hedhur një varg në ujë:
vetëm pak të dridhet peri
hop, të të rrëzoj mbi urë.

Dikur e nxorra grepin
Vallë, mos je Ti Hëna:
do ta pi gjithë liqenin!…

(Nuk ngihem me detin)

E piva qiellin. Hënën
Lumin. Edhe, liqenin:
detin. Shtamat me verë
E ju thoni se jam i dehur?!

Jo, këlyshë, Unë jam i etshëm
Po, ju që jeni të tredhur:
o burra dudumë, pushteti!

E piva krejt liqenin
Se, nuk më ngiu deti…

(Vdekja i ka harruar)

Ata që shpifin për Ne të dy
e pas porte na kanë vënë pusi:
na i ndërsejnë këlyshët melezë
urraaa, me nga një asht në gojë.

Dhe, na mësojnë sesi bëhet dashuri
poezia si shkruhet për Atdheun.

Vdekja i ka harruar në shtëpi…

(Edhe dje edhe
sot opozitë
)

Vitet ikin. E Unë edhe në demokraci
i kujtoj ditët kur botonim poezitë e para
te redaktorët censurëkuq nëpër redaksi
se si na rrinin me gërshërë mbi kokë
duke na i sakatuar vargjet pa mëshirë
shkaku, se: Ashtu e donte Nëna Parti.

Edhe e sotmja sa i ngjan të djeshmes
ndonjëri nga ju u bë shef në redaksi:
mori banesë nga Shteti, ndërtoi shtëpi.
Këlyshi i Buçës referent në Parti
Qeni deputet e Gomari në Ministri.

Po, ç’ngjan edhe sot me mua Poetin?!
Asgjë. Edhe dje, edhe sot opozitë…

(Kam jetuar si Poet)

Nesër mund të thoni plot gojën: E shanë
e ndoqën, i kurdisën linçe itelektuale:
e akuzuan si rebel, e përzunë nga puna.
E thirrën edhe në “biseda informative”
e ndanë nga gruaja e martuan pa dasëm
herë me Miken, e herë me një lavire.

Megjithatë, sot mos t’ju vijë keq për mua
që në këtë luftë heroike kam hyrë vetë.
E kam ditur moti: Kë ta urrej e kë ta dua
Nuk kam jetuar si qyqe, por si një Poet…

Nga libri: MBRËMË FJETA ME VJESHTËN (Shkup, 1999).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.