Famullia e Bishtazhinit të Gjakovës, një shekull histori, besim dhe shërbesë shpirtërore

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Shkruan: Dom Fran Sopi

Historia e një famullie dhe e një dioqeze nuk përbëhet vetëm nga ndërtesat e kishave, dekretet kishtare apo emrat e shënuar në regjistra. Ajo jeton në familje, në kujtesën e besimtarëve, në lutjet, sakrificat dhe fenë që një brez ia përcjell tjetrit. Pikërisht në këtë vazhdimësi duhet parë edhe rrugëtimi i Famullisë së sotme “Zoja Rruzare” të Bishtazhinit, rrënjët e së cilës lidhen me Smaqin.

Për ta kuptuar sa më drejt këtë histori, nuk mjaftojnë vetëm datat e themelimit apo ndryshimet administrative. Duhet të dëgjohen rrëfimet e familjeve, të shihen gjurmët e jetës katolike në terren dhe, aty ku është e mundur, kujtesa e trashëguar të krahasohet me dokumentet e shkruara. Për brezat e hershëm, Smaqi lidhej me kishën, me ardhjen e meshtarit, me pagëzimet, kurorëzimet, varrimet dhe me udhën që besimtarët përshkonin për të marrë pjesë në jetën sakramentale. Kujtesa e një vendi shpesh ruhet në fjali të thjeshta: këtu kemi pasur kishën, këtu vinte prifti, këtu janë pagëzuar të parët tanë, këtu janë lutur gjyshërit tanë.

Dëshmia gojore nuk e zëvendëson dokumentin, por shpesh tregon se ku duhet kërkuar dhe cilat të dhëna duhen verifikuar.

Historiani dhe antropologu belg Jan Vansina, në veprën Oral Tradition as History, botuar më 1985, në faqen 3 të kapitullit “Oral Tradition as Process”, e trajton traditën gojore si një proces të transmetimit të mesazheve nga brezat e mëparshëm.

Edhe Alessandro Portelli, në studimin “What Makes Oral History Different”, të përfshirë në librin The Death of Luigi Trastulli and Other Stories: Form and Meaning in Oral History, veçanërisht në faqen 50, vëren se burimet gojore nuk tregojnë vetëm atë që njerëzit kanë bërë, por edhe mënyrën se si e kanë kuptuar dhe kujtuar përvojën e tyre.

Kjo qasje është me vlerë të veçantë për historinë kishtare, sepse jeta e Kishës nuk ruhet vetëm në arkiva. Ajo mbetet në familjet që kanë përcjellë fenë, te nënat që ua kanë mësuar fëmijëve shenjën e kryqit, te të moshuarit që kanë kujtuar meshtarët e tyre, në varreza, në kryqe, në objekte kulti dhe në traditat e një bashkësie.

Në këtë kuadër merr rëndësi edhe dëshmia e jezuitit dhe albanologut italian Fulvio Cordignano S.I. Në vëllimin e dytë të veprës së tij L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano, il P. Domenico Pasi S.I. (1847–1914), botuar në Romë më 1934, ai trajton veprimtarinë e misionarit Domenico Pasi, të njohur ndër shqiptarë si P. Dedë Pasi. Në faqen 198 të këtij vëllimi, në lidhje me misionet e vitit 1893, gjendet e dhëna të cilës i referohet edhe historiku dioqezan: Marmulli kishte atëherë 20 familje katolike.

Një e dhënë e tillë nuk është thjesht statistikë. Ajo flet për vatra ku ruhej feja, ku fëmijët pagëzoheshin, ku lidhej kurora e martesës, ku të vdekurit përcilleshin me lutje dhe ku përkatësia katolike jetohej në përditshmëri. Kjo dëshmon se prania katolike në atë trevë është më e hershme se organizimi juridik i Smaqit si famulli e veçantë.

Në fund të shekullit XIX, Smaqi nuk ishte ende famulli më vete. Vendbanimet që më vonë do të hynin në territorin e saj pastoral ishin të lidhura me Famullinë e Gjakovës. Historiku i vjetër dioqezan përmend Smaqin, Ujzën, Ujzin e Therrave, Fshajn, Kushavecin, Dolin, Kusarin, Marmullin, Bërdosanën dhe Bishtazhinin. Edhe dokumentacioni i botuar nga Giuseppe Valentini në veprën La Legge delle Montagne Albanesi nelle relazioni della Missione Volante, 1880–1932, botuar në Firence më 1969, na ndihmon ta vendosim këtë realitet në kuadrin më të gjerë të veprimtarisë misionare katolike në trojet shqiptare, ku shërbimi pastoral shpesh i parapriu krijimit të strukturave të qëndrueshme famullitare.

Në historinë e Smaqit paraqitet edhe një çështje kronologjike që kërkon kujdes. Historiku i mëhershëm i Ipeshkvisë së Kosovës – Dioqeza e Prizrenit shënon se Famullia e Smaqit është ndarë nga Gjakova dhe është themeluar në vitin 1921, ndërsa ndërtimin e Kishës së Zojës Rruzare në Smaq e vendos në vitin 1929. Historiku aktual i Dioqezës Prizren–Prishtinë, i publikuar më 20 nëntor 2025, shënon vitin 1926 si kohën e ndarjes së Famullisë së atëhershme të Smaqit nga Famullia e Gjakovës.

Pra, kemi dy data, 1921 dhe 1926, të paraqitura në dy historikë dioqezanë. Pa e pasur dekretin origjinal të themelimit ose dokumentacionin përkatës, nuk do të ishte e drejtë që njëra të përjashtohej përfundimisht. Mund të jetë fjala për dy etapa të të njëjtit zhvillim, një organizim të parë pastoral dhe më pas një rregullim juridiko-administrativ, por kjo mbetet për t’u vërtetuar me dokumentin themelor. Ajo që mund të thuhet me siguri është se jeta katolike në këto vendbanime kishte filluar shumë më herët.

Në këtë pikë takohen dokumenti dhe kujtesa. Tradita e familjeve flet për vazhdimësinë e fesë, ndërsa Cordignano na jep një pikë konkrete dokumentare me 20 familjet katolike të Marmullit në vitin 1893. Këto burime, të lexuara së bashku, e bëjnë historinë më të plotë dhe më të besueshme.

Për mua, kjo trashëgimi ka edhe një dimension personal, sepse pata hirin të shërbeja si kapelan në Bishtazhin pranë famullitarit Dom Mila, (Dom Millorad Defar). Ajo periudhë nuk mbeti vetëm një detyrë pastorale, por u bë një shkollë e jetës meshtarake. Një kapelan i ri, pranë një famullitari me përvojë, nuk mëson vetëm administrimin e famullisë, mbajtjen e regjistrave, përgatitjen e kremtimeve apo organizimin e veprimtarive. Ai mëson, para së gjithash, se si duhet jetuar thirrja mes njerëzve. Këtë e përjetova pranë Dom Milës.

Ai ishte famullitari, ndërsa unë kapelani dhe ndihmësi i tij, por bashkëpunimi ynë nuk kufizohej në ndarjen e detyrave. Përditshmëria më mësonte se shërbesa meshtarake kërkon prani, durim, maturi, dëgjim dhe gatishmëri për të qenë pranë njeriut në çastet më të rëndësishme të jetës. Bariu shpirtëror nuk është vetëm administrues i një territori kishtar. Ai duhet ta njohë bashkësinë që i është besuar: fëmijët, të rinjtë, prindërit, të moshuarit, të sëmurët, familjet në gëzim dhe ato që kalojnë nëpër sprova. Njeriu nuk troket në derën e kishës vetëm për një dokument apo për të caktuar një ceremoni.

Ai kërkon praninë e meshtarit kur lind një fëmijë, kur përgatitet një martesë, kur sëmundja rëndon mbi shtëpinë, kur familja kalon vështirësi apo kur vdekja merr një të afërm. Ndonjëherë vjen vetëm sepse ka nevojë të flasë dhe të gjejë dikë që di ta dëgjojë. Pranë Dom Milës mësova se prifti nuk është thirrur të qëndrojë në distancë nga populli. Vendi i tij është mes njerëzve, duke u shërbyer dhe duke i udhëhequr drejt Krishtit. Ai ishte për mua edhe një bashkëvëlla më i vjetër, prej të cilit mora mësime që nuk gjenden gjithmonë në libra. Bisedat pas Meshës, këshillat, vizitat në familje, rastet që kërkonin maturi, gëzimet dhe brengat e besimtarëve u bënë pjesë e formimit tim meshtarak.

Shumë prej këtyre çasteve nuk hyjnë në kronikat zyrtare, por pikërisht ato ndërtojnë përvojën e një bariu shpirtëror. Me kalimin e viteve kuptohet më qartë se një këshillë e dhënë në kohën e duhur, një vërejtje e drejtë, një mënyrë e mençur e sjelljes me një familje apo një vendim i matur mund të ndikojë gjatë në shërbesën e mëvonshme.

Prandaj, kur mendoj për Dom Milën, nuk kujtoj vetëm famullitarin e Bishtazhinit. Kujtoj një bashkëvëlla me të cilin ndava një etapë të rëndësishme të jetës sime meshtarake. Pikërisht aty e kuptova më thellë se askush nuk hyn në një famulli si pronar i saj, por si kujdestar i një trashëgimie që i besohet për një kohë.

Asnjë bashkësi nuk fillon me ardhjen tonë dhe nuk përfundon me largimin tonë. Para nesh kanë shërbyer të tjerë. Kanë pagëzuar fëmijë, kanë bekuar martesa, kanë dëgjuar rrëfime, kanë vizituar të sëmurët, kanë përcjellë të vdekurit dhe kanë kremtuar Eukaristinë. Pas nesh vijnë të tjerë dhe e vazhdojnë të njëjtin mision.

Këtë vetëdije e përjetova fuqishëm në Bishtazhin. Kur hyja në kishë, kur afrohesha te altari apo kur vizitoja një familje, e dija se isha pjesë e një rrugëtimi që kishte nisur shumë kohë përpara meje. Regjistrat ruanin emra njerëzish që nuk i kisha njohur, familjet mbanin tregime nga brezat e kaluar, ndërsa në varreza pushonin ata që kishin besuar, punuar dhe lutur para nesh.

Për këtë arsye, libri famullitar nuk është thjesht një varg emrash dhe datash. Pas një shënimi pagëzimi qëndron një fëmijë i sjellë para altarit nga prindërit, pas një kurorëzimi qëndrojnë dy njerëz që kanë dhënë premtimin e besnikërisë, ndërsa pas shënimit të një vdekjeje qëndrojnë dhimbja dhe lutja e një familjeje që ka humbur njeriun e saj. Kështu dokumenti bëhet dëshmi e jetës.

Koha pranë Dom Milës më mësoi edhe se ai që predikon dhe mëson, merr mësim prej popullit të cilit i shërben. Mëson nga qëndrueshmëria e prindërve, nga urtia e të moshuarve, nga durimi i të sëmurëve, nga gëzimi i fëmijëve dhe nga besimi i thjeshtë me të cilin shumë njerëz e jetojnë Ungjillin në përditshmëri.

Për këtë arsye, Dom Mila dhe Bishtazhini mbeten të lidhur për mua me një periudhë të çmuar të jetës. Shërbesa vazhdon diku tjetër, por mësimi i marrë mbetet.

Nga ky këndvështrim, kalimi nga Smaqi në Bishtazhin nuk duhet parë si ndërprerje, por si vazhdimësi. Smaqi ruan rrënjën, ndërsa Bishtazhini e vazhdon jetën e saj. Qendra famullitare ndryshoi, por trashëgimia shpirtërore nuk u këput.

Historia e një bashkësie të krishterë nuk mund të përmblidhet vetëm me vitin e themelimit, me ndërtimin e kishës apo me zhvendosjen e selisë. Në qendër të saj janë njerëzit që e kanë jetuar fenë dhe ua kanë dorëzuar atë pasardhësve të tyre. Shën Pali shkruan: “Unë mbolla, Apoli ujiti, por Hyji bëri të rritet” (1 Kor 3,6). Në këto pak fjalë mund të shihet edhe rrugëtimi i një famullie: një brez mbjell, tjetri kujdeset për frytin; njëri ndërton, pasardhësi ruan dhe vazhdon.

Në këtë kuptim, 20 familjet katolike të Marmullit të vitit 1893, të dëshmuara në faqen 198 të vëllimit të dytë të veprës së Fulvio Cordignanos, nuk janë vetëm një numër i regjistruar në një libër. Ato janë një hallkë konkrete e vijimësisë katolike në këtë trevë. Njerëzit e atyre shtëpive nuk mund ta dinin se më shumë se një shekull më vonë vetë prania e tyre do të përmendej si dëshmi historike e jetës katolike të kësaj bashkësie. Ata thjesht jetonin, besonin, luteshin, rrisnin fëmijët dhe ua dorëzonin atyre atë që kishin marrë prej të parëve.

Pikërisht kështu shkruhet historia: jo vetëm nga personalitetet e njohura dhe ngjarjet e mëdha, por edhe nga njerëzit e zakonshëm që, larg zhurmës, ruajnë familjen, identitetin, traditën dhe fenë.

Prandaj, rrëfimi i Famullisë “Zoja Rruzare” është më i gjerë se historia e dy vendeve, Smaqit dhe Bishtazhinit. Ai është dëshmi e një bashkësie besimtare që ka ditur ta bartë trashëgiminë e vet shpirtërore përmes ndryshimeve të kohës. Në të ndërthuren dokumenti, kujtesa gojore, tradita familjare, puna e meshtarëve dhe jeta e njerëzve që kanë besuar, janë lutur dhe kanë shërbyer aty.

Edhe vitet e mia si kapelan pranë Dom Mila Defarit i shoh si një hallkë të vogël në këtë zinxhir të gjatë. Ne vijmë dhe largohemi, brezat ndërrohen, fëmijët rriten dhe krijohen familje të reja, por ajo që duhet të mbetet është feja e marrë dhe përgjegjësia për ta përcjellë të gjallë.

Në këtë vit jubilar, kur sipas historikut aktual të Dioqezës Prizren–Prishtinë kujtojmë 100-vjetorin e ndarjes së Famullisë së atëhershme të Smaqit nga Famullia e Gjakovës, 1926–2026, nuk duhet të shohim vetëm një datë të rrumbullakët në kalendar. Njëqind vjet famulli përmbledhin një shekull pagëzimesh, martesash, kremtimesh, rrëfimesh, varrimesh, lutjesh, sakrificash, gëzimesh dhe sprovash. Por rrënjët e kësaj historie shkojnë më thellë se vetë jubileu, sepse dëshmia e vitit 1893 tregon se familjet katolike të kësaj treve e jetonin besimin shumë përpara krijimit juridik të famullisë.

Prandaj ky 100-vjetor është para së gjithash një rast mirënjohjeje. Mirënjohje për meshtarët që shërbyen këtu, për prindërit që i sollën fëmijët në pagëzim, për nënat e gjyshet që ua mësuan lutjet, për etërit që e mbajtën familjen të lidhur me Kishën, për të rinjtë që u rritën pranë altarit, për të sëmurët që e bartën kryqin me besim dhe për të gjithë ata që pushuan në këtë tokë pasi e dëshmuan fenë me jetën e tyre.

Një jubile i tillë na fton jo vetëm të shohim prapa, por edhe të mendojmë çfarë do t’u lëmë atyre që vijnë pas nesh. Nëse brezat e kaluar na lanë kishën, kujtesën dhe fenë e tyre, përgjegjësia jonë është që kjo trashëgimi të mos mbetet vetëm në fotografi, pllaka përkujtimore apo kronika, por të vazhdojë të jetojë në familje dhe në zemrat e brezave të rinj.

Do të dëshiroja që në këtë 100-vjetor Famullia “Zoja Rruzare” e Bishtazhinit të mbetet shtëpi shpirtërore e hapur për çdo njeri, vend ku fëmijët e njohin Krishtin, të rinjtë gjejnë drejtimin e tyre, familjet forcohen, të moshuarit ndihen të respektuar dhe ai që troket në derën e kishës gjen mirëpritje.

Uroj që altari rreth të cilit janë mbledhur kaq shumë breza të vazhdojë t’i bashkojë edhe ata që vijnë, që kambanat e kësaj kishe të mos jenë vetëm jehonë e së kaluarës, por thirrje e gjallë për të ardhmen, dhe që kujtimi i të parëve të na japë forcë për ta mbajtur të gjallë atë që na është besuar.

Ne nuk jemi pronarë të kësaj trashëgimie. Jemi kujdestarë të saj. Detyra jonë është ta ruajmë me respekt, ta sqarojmë me dokumente, ta pasurojmë me dëshmitë e njerëzve dhe t’ua dorëzojmë pasardhësve me të njëjtën përkushtim me të cilin e morëm prej të parëve.

Nëse edhe pas njëqind vjetësh të tjerë brezat që do të jetojnë këtu do të mund të thonë për ne: “E morën fenë prej të parëve, e jetuan me dinjitet dhe na e dorëzuan të gjallë”, atëherë ky do të jetë kujtimi më i denjë i 100-vjetorit.

Në këtë jubile të shënuar, famullitarit Dom Lush Sopi dhe të gjithë besimtarëve të Famullisë “Zoja Rruzare” të Bishtazhinit ua uroj nga zemra 100-vjetorin e famullisë, me dëshirën që Hyji ta bekojë këtë bashkësi, ta forcojë në fe, ta ruajë në bashkim dhe ta udhëheqë me hirin e Tij në brezat që do të vijnë.

Gëzuar 100-vjetorin e Famullisë “Zoja Rruzare” të Bishtazhinit! Ad multos annos!

Pejë, më 7 tetor 2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit