25.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj PËR BREZAT TANË SHKOLLORË DO TË DËSHIROJA MËSUESIN MIGJENIAN DHE SHKOLLËN E...

PËR BREZAT TANË SHKOLLORË DO TË DËSHIROJA MËSUESIN MIGJENIAN DHE SHKOLLËN E MERITOKRACISË

0
Mësuesi i klasës së parë

(Një ese vend të një urimi për ditën e parë të shkollës – Gëzuar, shkollarë)

Lekë Mrijaj Shkruan: Lekë Mrijaj

Sa herë vjen 1 Shtatori apo dita e parë e shkollës, unë personalisht kthehem me reminishencë te vitet shkollore të brezit tim. Më duket sikur dëgjoj përsëri pastruesit teknik më zilen e vjetër dhe hapat e mësuesit tim në korridor. Më ravijëzohen para syve podiumi prej dërrasash, bankat e drurit, dërrasa e zezë, shkumësi dhe ajo heshtje që binte sapo hapej dera e klasës. Pra, kur mësuesi ynë hynte në klasën tonë, ne ngriheshim në këmbë. Jo vetëm sepse kështu e kërkonte rregulli, por sepse për ne nxënësit figura e mësuesit kishte diçka pothuajse të shenjtë dhe gëzonte një autoritet të veçantë.

E kujtoj mësuesin tim me ditarin nën sqetull, të veshur thjeshtë, me kollare e me një elegancë karakteristike, të matur në fjalë dhe kërkues ndaj nesh. Ndonjëherë mjaftonte një vështrim i tij që ne ta kuptonim se diçka nuk shkonte. Kishte edhe qortime, natyrisht, por prapa tyre qëndronte synimi që nxënësi të mësonte, të edukohej dhe të bëhej më i mirë.

Në kujtesën time, atë figurë të mësuesit më pëlqen ta quaj mësues migjenian. Nuk kishim teknologjinë e sofistikuar të ditëve të sotme, kompjuterë apo tabela digjitale. Kishim libra që kalonin nga një brez te tjetri dhe fletoret ku përpiqeshim t’i shkruanim më germat shqipe sa më bukur. Megjithatë, kishim një bindje të thjeshtë: shkolla ishte vendi i dijes, ndërsa mësuesi ishte njeriu që duhej dëgjuar dhe respektuar.

Më kujtohet edhe ai ankthi i vogël kur hapej ditari dhe gishti i mësuesit kalonte ngadalë mbi emrat tanë. Nëse nuk e kishim mësuar mirë mësimin, shpresonim që radha të mos binte mbi ne. Kur përgjigjeshim mirë, një “të lumtë” na shoqëronte deri në shtëpi dhe, nganjëherë, vlente më shumë se vetë nota. E pastaj ishte oborri i shkollës së qytetit tim. Në sytë tanë të fëmijërisë ai dukej shumë më i madh se ç’do të na dukej sot. Në pushimin e gjatë mbushej me vrapin, lojërat dhe zërat tanë.

Disa luanin me top nën ata lisa të vjetër që kishte dikur oborri, të tjerë bisedonin, ndërsa ndonjëri, mbështetur pranë murit të shkollës, përsëriste me ngut mësimin për orën e ardhshme. Mjaftonte të shfaqej mësuesi në prag dhe ritmi ndryshonte. Loja përfundonte, topi ndalej dhe ne drejtoheshim nga hyrja. Sot e kuptoj se edhe oborri i shkollës ishte një lloj klase pa dërrasë të zezë. Aty mësonim të luanim së bashku me top e lojëra të tjera, të ziheshim e të pajtoheshim, të ndanim një copë bukë me shokun dhe, pa e ditur atëherë, të kuptonim se bota nuk përfundonte te vetja jonë.

Në asnjë mënyrë nuk dua ta idealizoj atë kohë. Edhe shkolla e dikurshme kishte mangësitë e veta, sepse edhe rrethanat ishin të tjera. Por kishte një ndjenjë përgjegjësie që, sot më shumë se kurrë, ia vlen ta kujtojmë.

Më vonë siq jemi dëshmitarë të gjithë, erdhën vitet e rënda të regjimit të Millosheviçit, kur arsimi shqip në Kosovë u përball me rrethana krejtësisht të tjera. Pas largimit të nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nga shumë objekte shkollore, mësimi vazhdoi në sistemin paralel dhe në shtëpi-shkolla. Shumë mësues e vazhduan punën nën presion, pasiguri dhe rrezik, duke e ruajtur vazhdimësinë e arsimit në gjuhën shqipe. Për mua, edhe ata mbeten heronj të heshtur të arsimit tonë. Jo për shkak të fjalëve të mëdha, por për një arsye shumë të thjeshtë: në një kohë kur të jepje mësim ishte bërë e vështirë dhe jo rrallë edhe e rrezikshme, ata nuk hoqën dorë nga nxënësit e tyre. Pikërisht këtu kujtimi i së kaluarës më shtyn të mendoj për të sotmen.

Pas luftës, pritja jonë e natyrshme ishte që arsimi në Kosovën e lirë të ndërtohej gjithnjë e më shumë mbi profesionalizmin, barazinë e mundësive dhe meritën. Pa dyshim, janë bërë hapa përpara dhe sot kemi shumë mësues të përkushtuar, të cilët punojnë me përgjegjësi në rrethana jo gjithmonë të lehta. Megjithatë e them me plotë kuptimin e fjalës se sistemi ynë arsimor vazhdon të përballet me sfida. Herë pas here janë ngritur shqetësime për ndikime politike, familjare apo personale në punësim, për transparencën e konkurseve dhe mënyrën e vlerësimit të kandidatëve. Këto dukuri nuk duhet të përgjithësohen dhe as të përdoren për ta njollosur një profesion të tërë. Por, aty ku shfaqen dyshime të arsyeshme, institucionet përgjegjëse duhet t’i trajtojnë ato me seriozitet dhe transparencë. Sepse në arsim meritokracia nuk duhet të mbetet vetëm një fjalë e bukur në dokumente.

Pra, ajo duhet të dëshmohet në mënyrën se si hapet, zhvillohet dhe përfundon çdo konkurs. Do të dëshiroja që konkurset për mësues të mbështeteshin në kritere të qarta dhe të njëjta për të gjithë. Kandidati të vlerësohej jo nga ndikimi (i pushtetarit apo mitos) që mund të ketë pas vetes, por nga diploma, njohuritë profesionale, përgatitja pedagogjike, kultura e komunikimit dhe aftësia për të zhvilluar një orë mësimore.

Një orë demonstruese para një komisioni profesional, për shembull, mund të tregojë shumë më tepër sesa një dosje e mbushur me dokumente. Sepse mësuesin nuk e bën vetëm ajo që shkruhet në diplomë, por edhe aftësia për ta shndërruar dijen e vet në dije të kuptueshme për fëmijën. Edhe përbërja e komisioneve të konkurseve duhet të krijojë besim. Në to duhet të ketë profesionistë të fushës dhe, aty ku është e mundur, anëtarë të pavarur nga ndikimet lokale.

Çdo konflikt interesi apo lidhje e afërt me kandidatin duhet të deklarohet, ndërsa anëtari përkatës të mos marrë pjesë në vlerësimin e tij.
Edhe pikët e konkursit duhet të jenë transparente, të dokumentuara dhe të arsyetuara. Kandidati ka të drejtë ta dijë pse fitoi ose pse nuk fitoi. Kur procesi është i hapur dhe i verifikueshëm, mbrohen njëkohësisht kandidati, komisioni dhe institucioni. Pikërisht duhet të ekzistojë gjithashtu një mekanizëm i besueshëm ankese.

Ai që mendon se është dëmtuar apo i është bërë e padrejtë nuk duhet të detyrohet të kërkojë një mik më të fuqishëm për ta mbrojtur. Duhet të ketë një institucion të paanshëm ku mund ta kërkojë të drejtën e vet. Por meritokracia nuk duhet të përfundojë ditën kur nënshkruhet kontrata.

Mësuesi duhet të ketë mundësi dhe detyrim për zhvillim të vazhdueshëm profesional. Puna e tij duhet të vlerësohet sipas kritereve pedagogjike dhe rezultateve profesionale, jo sipas bindjeve politike apo afërsive personale.

Mësuesit që punojnë mirë duhet t’u krijohen mundësi për përparim, ndërsa atyre që kanë mangësi duhet t’u ofrohet mbështetje për t’u përmirësuar. Në këtë proces, ministria përgjegjëse për arsimin, drejtoritë komunale dhe vetë shkollat duhet ta kenë të qartë përgjegjësinë e tyre. Rregullat duhet të vlejnë njësoj për të gjithë: si për fëmijën e një zyrtari të lartë, ashtu edhe për fëmijën e një familjeje që nuk njeh askënd në pushtet.

Kjo, për mua, është domethënia më e thjeshtë e meritokracisë: të mos jetë shteti për dikë nënë e për dikë njerkë, por t’i japë secilit mundësi të barabartë për ta dëshmuar veten. Një sistem i tillë do t’u përcillte edhe të rinjve të shkolluar një mesazh të rëndësishëm: nëse mëson, punon dhe je i aftë, edhe vendi yt ta jep mundësinë të konkurrosh me dinjitet.

Shumë të rinj të arsimuar po e kërkojnë të ardhmen jashtë Kosovës. Arsyet e largimit janë të shumta dhe nuk mund të reduktohen vetëm te punësimi. Por një shtet duhet të bëjë gjithçka që të rinjtë e tij ta ndiejnë se dija, puna dhe aftësia e tyre kanë vlerë edhe në atdhe. Prandaj nuk mjafton të themi me mall: “Eh, çfarë mësuesish kishim dikur!” Nostalgjia ka kuptim vetëm kur na ndihmon të kuptojmë se çfarë ia vlen të ruajmë dhe çfarë duhet të përmirësojmë.

Nga mësuesi migjenian do të doja ta merrnim seriozitetin, kulturën dhe përkushtimin. Nga mësuesit e viteve të rezistencës, guximin dhe përgjegjësinë. Nga modelet e suksesshme evropiane, standardin profesional, transparencën dhe meritokracinë. Jo për ta kthyer shkollën prapa, por për ta çuar përpara pa humbur vlerat që koha na ka dëshmuar se janë të pazëvendësueshme.

Sot shkollat tona mund të kenë klasa më moderne, teknologji më të avancuar dhe mundësi apo përparësi që brezi ynë nuk i kishte. Por disa gjëra nuk ndërtohen me beton dhe nuk instalohen në kompjuter: edukata, karakteri, përgjegjësia dhe dashuria për dijen.

Për brezat e brezave tanë, do të dëshiroja një shkollë ku mësuesi përzgjidhet për atë që di, për mënyrën se si di t’ia përcjellë dijen fëmijës dhe për shembullin njerëzor që jep.

Kur kujtoj se dikur ngriheshim në këmbë sapo mësuesi hynte në klasë, sot nuk dëshiroj që brezat e rinj ta bëjnë këtë nga frika apo vetëm nga zakoni, por, do të dëshiroja që mësuesi ta fitonte respektin e tyre me dije, drejtësi, kulturë dhe shembull personal.

Mësuesit e brezave të mëparshëm na lanë një kujtesë që ia vlen ta ruajmë, ndërsa ata të viteve të vështira e mbajtën gjallë shkollën shqipe kur kjo kërkonte sakrificë. Detyra jonë sot është tjetër: ta bëjmë shkollën më të drejtë, më profesionale dhe më të denjë për brezat që vijnë. Sepse një konkurs i drejtë mund të zgjedhë një mësues të mirë; një mësues i mirë mund të formojë qindra nxënës; ndërsa qindra nxënës të formuar mirë mund ta ndryshojnë një shoqëri.

Kështu ndërtohet edhe Republika e Kosovës që duam: jo vetëm me ligje e institucione, por duke ia hapur derën dijes, punës dhe meritës. Edhe një herë nxënësve të klasës së parë dhe të gjithë shkollarve, urime dita e parë e shkollës!

Klinë, më 1 shtator 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.