Banalistët e Kosovës – Biznesi i zhurmës
Nga Sheradin Berisha
1. Degradimit i diskursit publik
Hapësira televizive në Kosovë po përballet me një krizë të thellë të degradimit të diskursit publik. Debatet e përnatshme, të cilat në parim duhet të ishin emisione ku përmes diskutimit qartësohet çdo mendim, janë shndërruar në arena të zhurmimit pa mendime. Ky fenomen po prodhon një huti kolektive në çdo shtëpi, duke e kthyer analizën politike në një instrument propagande dhe polarizimi.
2. Zhvlerësimi i mendimit nga kakofonët
Për të kuptuar natyrën e këtyre debateve, mjafton t’i referohemi urtësisë së filozofit të shquar francez, Sharl Monteskie, i cili shekuj më parë pati deklaruar: “Sa më pak të mendosh, aq më shumë do të flasësh”.
Kjo thënie gjen sot pasqyrimin e saj më besnik tek debatet televizive në TV-të tona. Përnatë, shikuesit përballen me një lumë fjalësh të zhurmshme e akuzuese që nuk burojnë nga analiza e thellë apo argumenti logjik, por nga nevoja për të mbytur zërin e tjetrit. Kur mungon mendimi racional, e vetmja mënyrë për të dominuar “debatin” mbetet ngritja e zërit dhe krijimi i kakofonisë.
3. (B)analistët si shërbëtorë të agjendave të dëmshme
Ata që sot prezantohen si analistë të pavarur, në të vërtetë po shpërfaqen si “(b)analistë” që funksionojnë si zëdhënës të zhurmshëm të partive politike dhe jo vetëm. Përtej anshmërisë partiake, ky zhurmim i qëllimshëm dhe krijimi i hutisë publike ngrenë dyshime të bazuara se ky diskurs është në shërbim të agjendave që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe kombit shqiptar. Kujtojmë këtu “”debatuesin” e përnatëshm të BIA-s serbe Fatmir Shehollin dhe jo vetëm. Duke mbjellë ndasi dhe huti mbi të vërtetën, këto debate po kthehen në një rrezik për stabilitetin politik të shoqërisë sonë…
4. Roli i rrjeteve sociale në shumëzimin e zhurmës dhe “klikimeve”
Ky model i dëmshëm televiziv gjen një aleat të fuqishëm te rrjetet sociale, si: Facebook, TikTok dhe YouTube, të cilat shërbejnë si shumëzues të kësaj kakofonie absurde. Pjesët më banale të debateve – fyerjet, ulërimat dhe përplasjet e pamenduara – priten në video të shkurtra (clipe) dhe shpërndahen me tituj sensacionalë për të tërhequr klikime. Algoritmet e rrjeteve sociale janë të ndërtuara për të favorizuar skandalin dhe përçarjen, sepse ato prodhojnë më shumë ndërveprim. Në këtë mënyrë, një zhurmë që fillon në një studio televizive për dy orë, përfundon duke u rrotulluar për ditë të tëra në ekranet e telefonave tanë, duke e helmuar hapësirën digjitale dhe duke e thelluar hutinë në mendjen e secilit prej nesh. Kjo fatkeqësi duhet të marrë fund.
5. Strategjitë për ndalimin e zhurmuesve televizivë
Përballë këtij dëmi të madh publik, shtrohet pyetja jetike: si t’i ndalim këta zhurmues?
Për mendimin tim zgjidhja kërkon një qasje të kombinuar mes reagimit tonë, rregullimit mediatik, penalizimit dhe edukimit:
a) Bojkoti
Fuqia më e madhe e shikuesit qëndron te ndryshimi i kanalit në TV dhe injorimi i këtyre videove në rrjete sociale. Duke ndërprerë audiencën dhe klikimet, shikuesit dhe përdoruesit e rrjeteve sociale godasin interesin financiar të televizioneve dhe faqeve që ushqehen nga ky banalitet i pafund.
b) Rragimi i KPM-së
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM-ja) duhet të zbatojë maksimalisht kodet e etikës dhe standardet e transmetimit, duke ndëshkuar gjuhën e urrejtjes, shpifjet dhe fyerjet që ndodhin hapur në studio. Një gjë të tillë ky komision nuk e ka bërë asnjëherë.
c) Penalizimi i propagandës dhe kthimi te profesionalizmi
Realisht mediat e tilla duhet të penalizojnë dhe të mos ftojnë “analistë” të cilët nuk ofrojnë debat konstruktiv, por vetëm zhurmë. Hapësira e debatit duhet t’u kthehet intelektualëve dhe profesionistëve të fushave akademike dhe mendimtarëve të matur. Fatkeqësisht ky ndryshim nuk duket në horizontin e tyre medial.
d) Edukimi mediatik i publikut
Rrjedhimisht shoqëria jonë duhet të zhvillojë një filtër kritik për të ndarë analizën e mirëfilltë nga propaganda stërkeqëse e analistëve partiak, duke mos lejuar që hutia e debateve televizive apo e rrjeteve sociale të futet brenda mureve të familjeve tona.
6. T’i japim fund zhurmimit
Ndalimi i zhurmuesve televizivë dhe kontrolli i përhapjes së tyre në rrjetet sociale nuk është thjesht një çështje e higjienës mediatike, por një emergjencë kombëtare për mbrojtjen e shëndetit mental dhe politik të Kosovës. Vetëm kur t’i japim fund këtij biznesi të zhurmshëm dhe t’i kthehemi diskutimit ku qartësohet mendimi publik, shoqëria jonë do të mund të ecë përpara e mbrojtur nga agjendat që synojnë dobësimin e shtetit tonë.
…..
Ilustrime: Disa “(b)analistë” të zhurmshëm …











