
Natasha Xhelili
(Parathënie)
Ky studim është frut i një takimi të ngadaltë me tek-stin. Lindi nga një dëshirë e pandërprerë për ta ndjerë tekstin, për të ndjekur frymëmarrjen e tij të fshehtë dhe për të qëndruar pranë ndjeshmërisë që ai ngjall.
Qasja që kam zgjedhur nuk synon ta shtrëngojë poezinë në korniza, por të përshkojë së bashku me të hapësirat e saj të brendshme: lëvizjet e mendimit, ritmin e fjalës dhe tensionet që ngjallin figura poetike kur bisedojnë me njëra-tjetrën.
Për mua, leximi ka qenë gjithmonë akti më intim i njohjes dhe i zbulimit. Që nga fëmijëria, kur fjala e shkruar më dukej si magji, kam kërkuar në çdo tekst jo vetëm një mesazh, por edhe një tingull, një ritëm dhe një pasion të veçantë. Kjo ndjenjë e natyrshme dhe e pastër është bërë baza e çdo afrimi tim letrar.
Një privilegj i pazakontë i këtij studimi ka qenë mundësia për të parë variantet e hershme të soneteve, atë lëndë të gjallë poetike para se të përmbushej në formën përfundimtare. Të ndjekësh këtë proces – të shohësh se si një imazh lëkundet, si një varg kërkon drejtësinë e vet, si heshtja përzihet me shprehjen – ishte një mësim i rrallë. Ai më bëri të kuptoj se pas çdo vargu të përfunduar rri përpjekja e heshtur dhe e përsëritur e krijuesit, lufta për të gjetur drejtpeshimin midis asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet lënë e nënkuptuar.
Sonetet e Anton Nikë Berishës më janë shfaqur si një ekosistem i plotë kontrastesh. Drita dhe errësira, prushi dhe akulli, britma dhe heshtja nuk ishin thjesht çifte stilistike. Ato ishin gjendje të brishta dhe të panda-shme të shpirtit, të shpalosura brenda kornizës strikte të sonetit pikërisht për të treguar se si rendi i formës mund ta mbajë dhe ta përqendrojë çrregullimin më të thellë të brendshëm.
Pra, vëmendja ime ka qenë e drejtuar më shumë te simbolika dhe metafora si gjuhë e brendësisë dhe tek mënyra se si disiplina e formës bisedon me lirinë e përje-timit. Në këtë bisedë, e gjithë poetika e Berishës hapet si një filozofi e brendshme, ku të kuptuarit nuk vjen nga shpjegimi, por nga shqiptimi i lëvizjes së mendimit dhe i ndjenjës.
Ky studim nuk synon të japë përfundime të mby-llura. Synimi i tij është më i thjeshtë dhe më i sinqertë: të hapë një shteg leximi; të ofrojë një mënyrë për t’u afruar me këto sonete, për t’i dëgjuar ato me vëmendjen që kërkojnë dhe për ta përjetuar poezinë e Berishës siç e kam përjetuar unë – si një udhëtim drejt dritës së fjalës, ku magjia e zbulimit të parë mbetet gjithmonë e gjallë.











