IDRIZ ZEQIRAJ
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është mandatuar të hetojë krimet e luftës, deri në fund të vitit 2000! Kufizimi në kohë është jo vetëm idiotësi juridike, por, edhe kriminale faktike. Kur bisedon me komandantët PAN-istë, për këtë temë, ata aprovojnë këtë kufizim në kohë, por, nuk arrijnë ta shpjegojnë arsyen!
Dhe, vërtet, nuk ka fare logjikë të hetosh vrasjet e ushtarakëve Kolonel Ahmet Krasniqit dhe Ilir Konushevcit, të vrarë me 1998 dhe të heshtësh hetimet për ekzekutimet e Kolonel Tahir Zemaj, me Hasan e Enis Zemaj dhe të Sabahate Tolaj me Isuf Haklaj, të ekzekutuar në vitin 2003!? Tashmë, është faktuar, katërcipërisht, se krimet vrastare janë planfikuar dhe realizuar nga partitë-banda, të koalicionuara në PAN, të pagëzuar, saktësisht, Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, nga Prokurori Special amerikan, Xhack Smith.
Kufizimi në kohë, për hetimin e makro-krimeve, ngeshëm të listuara dhe kobshëm të realizuara, është poshtërsi dhe krim kundra-njerëzor, i bërë në zemër të Evropës, në shekullin 21, nga bota demokratike ndërkombëtare. Është një rivrasje për shumë qindra viktima të ekzekutuara, kriminalisht, pas vitit 2000 e deri më 2020, dëshmitari markant i Gjykatës Speciale, i ekzekutuar dhe i kallur në veturën e tij, për të humbur gjurmët e krimit. Është fyerje e rëndë, për mijëra familje të viktimave dhe shumë qindra-mijërave të tjera, që, ndërlidhën me familjet e viktimave.
Maksima juridike: “Krimit nuk i skadon afati“, – obligon për heqjen e këtij kufizimi të turpshëm, kriminal e rrugaçëror. Të kursesh nga ndëshkimi meritor kriminelët potencialë, është krim kundër njerëzimit. Aq më parë, kur këto krime janë bërë me paramendim, nga banda zyrtare, e strukturuar në një organizatë supër-kriminale, përkatësisht, Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, me qëllimin e paracaktuar, për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me dhunë e terror.
Është koha e korrigjimit, e zhvlërsimit të mandatit të kufizuar, të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Sepse krimet e filluara më 1977 dhe deri në vitin 2020, janë vepra kriminale të së njëjtës organizatë – Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Çdo përpjekje, për të anashkaluar këtë korrigjim të ligjshëm, do të ishte një shkelje e rëndë, duke amnistuar krimet dhe kriminelët numerikë të Kosovës.
Faktet janë kokëforta dhe as lukunia e avoketërve zhvatës të buxhetit të Kosovës, nuk mund të ndryshojnë realitetin dhe as ta zëvendësojnë me gënjeshtrën. Koha për veprim, për ta sjellur drejtësinë e munguar në Kosovën tonë, të përdhosur nga banditër dhe banda.
Hetimi i korrupsionit, shtetëzimi i pasurive hajnore, domosdoshmëri!
Qeveria e Albin Kurtit nismoi ligjin, për verifikimin e pasurisë pa mbulesë ligjore. Edhe Kuvendi e pranoi në parim. Por, shumëçka nuk është përcaktuar, siç është datimi, nga cili vit do të fillojë hetimi i pasurisë të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe kategori të tjera, më përgjegjësi pozitash, si dhe të njerëzve të afërt apo të lidhur me ata.
Ministrja e Drejtësisë, Albulenë Haxhiu, si datë të mundshme të fillim-hetimit, ka përmendur vitin e pavarësimit të Kosovës, përkatësisht, nga viti 2008! Një datim i tillë ka shokuar qytetarët e Kosovës, kur dihen uzurpimet, grabitjet, haraçi i zyrtarizuar masiv, i ushtruar nga partitë-banda të PAN-it të sotëm. Dhe, duke e konsideruar si lapsus, pa menduar mirë, duhet ta korrigjojë, fillimisht, vet Ministrja, për ta marrë një vendim të duhur – kolektivisht. Dihet, të pasojë rezistenca e supër-hajnave potencialë, por drejtësia nuk bëhet me pallavra. Përkundrazi, kërkon vendosmëri dhe parimësi, njëherësh.
Një ide shumë më realiste ka dhënë deputeti, Gjeneral Hisen Berisha, se llogaritja e pasurive pa mbulesë, duhet filluar nga viti i çlirimit, qershor 1999. Sepse, u shfrytëzua koha e rrëmujshme e lirisë, disa, kinse, “komandantë”, me bandat e tyre, bënë kërdinë me uzurpime të tokave shoqërore e shtetërore, të lokaleve, të banesave, sidomos, të atyre të minoriteteve. Dhe, kur pas një kohe, pronarët i shisnin, për lirimin e tyre, kërkonin mijëra euro haraç. Pavarësisht vendimit të gjykatës, banditët, që punonin për shefat e tyre “komandantë”, tashmë, të veshur me parti e pushtet, kërcënonin se “do t`ju hedhin në erë, me gjithë familje”! Më lehtë shpëtonte ndonjë “hundë-lesh”, që thoshte “pushka top”, sepse “edhe unë ia kam dhënë 5 (pesë) lekë xharrahit”!
Ndërsa, unë, mendoj se edhe më realiste është, të fillojë llogaritja nga viti 1997, më shkoqur, 1998, kur Puçistët e LPK-së, të prirë nga mujëshori llups, Hashim Thaçi, morën me dhunë Fondin “Vendlindja thërret”. Dhe, disa muaj më vonë, filloi dhënia, pa mbulesë, e miliona markave edhe nga Fondi Shtetëror i Republikës të Kosovës, të shprehur në 3 % obligativ, nga të ardhurat mujore, të qytetarëve të Kosovës, qofshin ata brenda apo jashtë Atdheut.
Nga faktet e rrjedhura, por, edhe të dëshmuara me shënime shkrimore e firma, vërtetohen shumat e dorëzuara dhe të pranuara, nga njerëzit e autorizuar, në emër të luftës. Por, në disa raste, me keqardhje, paratë janë abuzuar, duke u përdorur për biznese private. Dhe, kjo është praktikuar, pothuaj se, në të gjitha zonat e luftës të ndara të Kosovës, kryesisht, në xhepat e disa komandantëve me shokë.
Zakonisht, kudo në botë, ligjet parashikojnë dënime drastike, për profiterët e luftës. Dikur, litari ka qenë forma më e butë e ndëshkimit, për këto raste! Tani, kohërat kanë ndryshuar, format e ndëshkimit janë zbutur, por, kurrë nuk mund të amnistohen. Për çudë, Ministrja e zgjuar dhe trime e Drejtësisë, Albulenë Haxhiu, bëri një lapsus, të papritur nga ajo, duke amnistuar korrupsionin, në shtrirje kohore për 10 vjetë radhazi! Urojmë të reflektojë, ta korrigjojë, ende pa u bërë vendim. Përndryshe, do të hynte në histori, si ortake në krimet numerike 10-vjeçare, të – Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK)!
Në Kosovë është bërë nami me zhvatje, hajni zyrtare. Privatizimet janë njollë e zezë, që shumë “komandantë” i zhveshë nga lavdia e luftës për çlirim, duke u dhënë epitetin neveritës “komandantë hajdutër zyrtarë”! Kthimi i pasurive brezave shqiptarë, si pendesë, për përvehtësimin e paligjshëm, do t`i rehabilitonte, më saktë, lehtësonte, në një masë.
Përndryshe, ngulmimi se “kemi luftuar për t`u pasuruar“, – siç deklaroi njëri nga komandantët, kampion të abuzimit me paratë e Kosovës, do të mbetën, brez pas brezi, të turpëruar, të përbaltur, të dhjerë!