Amaneti i babait

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga Gjon Marku

  • tregim

Ishte buzëmbrëmje. Prej lumit ngjitej ngadalë, si një plak i lodhur, muzgu. Bora kishte mbuluar gjithçka me vellon e saj të bardhë. Era frynte si një ulkonjë e plagosur dhe shungullonte nëpër pemët rreth shtëpisë sonë. Unë kisha shumë frikë dhe strukesha pranë tim vëllai, ndërsa nuk guxoja ta hidhja vështrimin nga dritarja, prapa së cilës errësira mundohej ta mbështillte me petkun e natës bardhësinë e pastër. Baba mori një latushë të madhe, e vendosi mes këmbëve dhe nisi ta limonte. Era fërshëllente rreth shtëpisë, shkulte ndonjë tjegull dhe e përplaste përtokë.

Tri motrat, të futura nën një postahe leshi pranë njëra-tjetrës, nuk bëzanin – vetëm më e vogla, Lira, mërmëriste nganjëherë emrin e nënës në gjumë, si të kërkonte të sigurohej se ishte ende afër. Nëna vente e vinte nëpër dhomën e vogël si e hutuar. Ajo kishte kundërshtuar që babai të shkonte roje natën, por nuk kishte mundur t’ia ndërronte mendjen. Sa herë ai largohej nga shtëpia, një e keqe e pashpjegueshme sikur sillej rreth shtëpisë sonë buzë lumit të vrullshëm. Im vëlla vështronte prushin në oxhak, me duart bërë grusht njëra mbi tjetrën dhe mjekrën mbështetur mbi to.

Nëna mori një pjatë me groshë dhe një kokër hudhër. Pasi i vendosi mbi tavolinën e vogël, ia afroi babës. Ai e ndau copën e bukës përgjysmë dhe e vendosi në cep të oxhakut të rreshkej. Nuk fliste. Askush nuk fliste.

Në raftin e vogël pranë oxhakut, nëna nxori filxhanët, xhezven, kutinë e kafes dhe të sheqerit e nisi t’i ziente kafen babait.

– Ha, – iu drejtua ajo. – U bë vonë.

Baba e hodhi vështrimin nga ne dhe pa se e shihnim ngultas, herë atë, herë pjatën gjysmë plot me groshë, të paprekur.

– Jepu fëmijëve të hanë, se duket…

Nëna nuk foli, ndërsa Lira mërmëriti diçka në gjumë. Ai e ndau copën e rreshkur të bukës më dysh dhe na e zgjati. Pastaj shtyu drejt nesh pjatën me groshë dhe, pasi përtypi një kafshatë buke, afroi edhe tavolinën. Në sytë e vëllait pashë një kokërr loti të ngrirë. Ai e shikonte babën pa lëvizur, ndërsa baba na lutej të hanim.

– Hani, ju pastë baba, se duhet të flini tash.

Por ne nuk prekëm asgjë.

– Po ti ha për vete, se ua bëj unë fëmijëve, – tha nëna.

Ai mori filxhanin e kafes dhe me një frymë e piu të gjithin. U ngrit dhe doli. Ne e përcollëm deri në oborr. E vuri latushën në lakun e krahut dhe, nëpër terr, kapërceu kthesën, prej nga nuk mund ta shihnim më.

Kur nëna u fut brenda, mua më kishin zënë të dridhurat e një frike të pazakontë dhe strukesha gjithnjë e më pranë vëllait të madh, i cili nuk ishte veçse katër vjet më i madh se unë; pra, edhe ai ishte ende fëmijë.

Që kur ishte djegur shtëpia jonë, jetonim mjaft keq. Ishim detyruar të strehoheshim në atë kasolle të vogël me thupra e dërrasa. Pikërisht aty, atë dimër të parë në kasolle, kishte ndodhur edhe një tjetër hata. Edhe atëherë kishte qenë një natë furtune. Binte një shi i rrëmbyeshëm dhe lumi, në fund të arës, dukej sikur do të përpinte gjithçka. Baba kishte shkuar, si zakonisht, në punë, ndërsa nëna rrinte pranë djepit të vëllait të vogël, që përpëlitej në luftën mes jetës dhe vdekjes. Sa lot kishte derdhur ajo atë natë të gjatë fundvjeshte, ndërsa shiu binte pa pushim. Çatia pikonte pothuajse në çdo cep. Edhe batanija e leshtë, me të cilën ishin mbuluar tri motrat pranë oxhakut, nxirrte avull nga nxehtësia e zjarrit, por nuk thahej kurrë, sepse mbi të binin vazhdimisht pika shiu.

Nëna e merrte djepin dhe e lëvizte nga njëri cep në tjetrin, në përpjekje për të gjetur një vend ku shiu të mos binte mbi trupin e njomë të vëllait të vogël. Lehtë i prekte ballin, ofshante dhe mërmëriste një lutje që Zoti ta shpëtonte, të paktën derisa të kthehej baba.

– E kujt t’i bëzaj unë, e mjera, – thoshte me vete.

Shtëpia më e afërt ndodhej më shumë se gjysmë ore larg. Që kur ishte martuar, nëna e kishte pasur gjithmonë frikë lumin. Sa herë ai fryhej nga ujërat, zemra i mbushej ankth.

Më kishte kapluar një gjumë i rëndë, por nuk e di as vetë se si, mes një ëndrre të keqe, u zgjova diku pas mesnate. Pashë se nëna jo vetëm nuk kishte fjetur, por qante me dënesë, ndërsa qepte me ngut diçka në një copë bezeje të bardhë. U tmerrova kur e pashë të shkulte dy e nga dy fijet e flokëve, t’i përdridhte bashkë, t’i fuste në gjilpërë dhe të qepte mbi bezen e bardhë.

Ajo ndaloi. Trupi i vogël në djep nuk lëvizte më.

Nxori nga djepi trupin pa jetë të vëllait tim dhe e veshi me ato rroba të reja, që i kishte qepur gjatë gjithë natës, duke përdorur si pe fijet e flokëve të saj. Mundohesha të shihja nëse flokët i ishin rralluar. Pasi e vendosi vëllanë në një krevat, nisi të vajtonte me fjalë e me dënesë.

Vëllai i madh brofi në këmbë dhe iu hodh në qafë. Pastaj të dy ia dhanë të qarit. Baba nuk po vinte. Ishte nata më e gjatë e jetës sime, nata kur pashë gjëra që nuk i kisha parë kurrë dhe përjetova një frikë të pazakontë. Aty u bë edhe mortja e vëllait tim, në shtëpinë tonë prej druri, pranë gërmadhave të shtëpisë së djegur.

Që nga ajo ditë, baba ishte bërë tjetër njeri. Ishte heshtur si një gur varri dhe ishte plakur para kohe. Sa herë kthehej nga puna, merrte në krah vëllanë e vogël dhe luante gjatë me të, pastaj merrej me ne. Kurrë nuk na ngrinte zërin. Gjatë netëve gdhendte lodra prej druri dhe herë ia dhuronte njërit, herë tjetrit. Ne i kishim pothuajse të gjitha kafshët e pyllit të gdhendura nga dora e babës. Motrat kishin secila nga një zog të vogël prej dëllinje; time motër më e madhe, Age, e kishte varur të sajin te koka e shtratit, si kanarinë roje.

Menjëherë pas mortit të vëllait, baba kishte thënë se shtëpia jonë e djegur duhej rindërtuar, tri kate ashtu siç kishte qenë.

– Po me se? – ia priste nëna.

Ajo këmbëngulte që ai të mos shkonte roje, por baba përsëriste gjithnjë:

– Fëmijët po heqin keq në këtë të bekueme kasolle.

Prandaj vendosi të shkonte përsëri roje, madje në kohën më të vështirë, në mes të dimrit. Asnjëri prej nesh nuk e donte atë vendim. Edhe kur ishte djegur shtëpia, baba nuk kishte qenë aty.

Ishte një ditë vjeshte me erë. Baba kishte thirrur punëtorë për të mbledhur bereqetin në arë. Me sa dukej, dikush kishte hedhur një cigare të pafikur mirë. Fillimisht morën flakë mullarët pranë shtëpisë, pastaj zjarri përpiu gjithçka, duke e bërë shkrumb e hi. Baba kishte shkuar të përcillte dy hallat, që jetonin rreth një orë larg dhe kishin ardhur të na ndihmonin. Kështu u dogj gjithçka dhe shpëtuan vetëm njerëzit.

Atëherë baba e kishte afruar nënën pranë vetes dhe i kishte thënë:

-Ani, grue, kalamajtë i kemi shëndoshë e mirë. Shtëpinë do ta ngremë prapë, edhe më të mirë.

Pastaj kishte marrë në krah vëllanë e vogël dhe e kishte ngritur drejt qiellit.

Por, kur ai vdiq atë dimër në kasolle, baba sikur u kërrus e u plak brenda pak ditësh. Zogjtë dhe kafshët e pyllit, që dikur i gdhendte me aq dashuri, i harroi. U mbyll në vetvete. E megjithatë, atë natë, i tha nënës se do të shkonte roje.

Kështu filluan ditët e rënda. Dimri ende nuk kishte ikur mirë dhe pranvera nuk kishte ardhur, kur baba u sëmur rëndë e mbeti në shtrat. Një kollë e thatë dëgjohej deri jashtë shtëpisë, ndërsa ai tretej e shuhej ngadalë. Për afro shtatë javë luftoi me vdekjen dhe nuk e pa më dritën e diellit. Pas kaq ditësh u ngjit nga qyteti një mjek. I bëri disa mjekime, pastaj tundi kokën, sikur të thoshte:

– Është e kotë.

Ishte e enjte, kur baba tha se ndihej më mirë dhe donte të dilte të shihte bahçen. Dielli ndriçonte në qiellin e kthjellët të asaj buzëpranvere. Vëllai e mori përdore dhe ecën ngadalë nëpër arat pranë shtëpisë. Baba i fliste me zë të ulët, si të donte t’i linte diçka në zemër.

Në mbrëmje nëna preu një gjel, por baba nuk hëngri asnjë kafshatë. Pas darkës tha se donte të bisedonte vetëm me vëllanë e madh. Kur ai doli nga dhoma, po qante. Baba nuk i kishte bërtitur; i kishte thënë diçka që e kishte rënduar, diçka që vëllai nuk ma tregoi kurrë. Pastaj në dhomë hyri vetëm nëna.

Unë u afrova te dera gjysmë e hapur dhe pashë se baba ishte shumë rëndë. Mezi nxirrte ndonjë fjalë, pastaj e merrte kolla dhe prapë përpiqej të fliste.

Munda të dëgjoja vetëm një fjali:

– Amanet fëmijët…

Pastaj ra në një kllapi.

Nëna vuri një kazan me ujë në zjarr, u shtroi tri motrave të flinin, pastaj edhe neve. Vetë vente e vinte pa pushim, ndërsa nata kishte mbështjellë me terr gjithçka.

Baba, i shtrirë në krevat, në luftën e tij mes jetës dhe vdekjes, kishte filluar të jepte shpirt. Më kishte zënë gjumi. Nuk pashë më asgjë.

Më zgjoi e qara me ngashërim e vëllait.

Nëna kishte nxjerrë të gjitha rrobat e babës: tirqit e bardhë dhe xhamadanin e kuq. Me ngut qepte njw kops mbi këmishën e tij të bardhë. Mua mu kujtua ajo natw kur dy e nga dy shkulte fijet e flokëve, i fuste në gjilpërë dhe qepte shpejt mbi këmishë e vwllajt qw nuk ishte mw . Gjyshja thoshte se flokët nuk i tret dheu.

Brofa në këmbë dhe u tura drejt krevatit ku dergjej baba. Nëna u ngrit menjëherë dhe më kërkoi të largohesha. Pastaj thirri vëllanë e madh dhe i tha të më merrte në dhomën tjetër. Ai qante pa pushim; edhe unë shpërtheva në vaj me gjithë fuqinë që kisha.

Nuk pashë më asgjë, veçse kur gjithçka kishte mbaruar. Babën e kishin veshur e stolisur si dhëndër, për ta përcjellë në një jetë tjetër.

Bashkë me grushtet e dheut i dhamë edhe lamtumirën e fundit babait.

Pas varrimit njerëzit u kthyen në shtëpi dhe disa prej tyre u ulën për të ngrënë bukë. Njëri pas tjetrit hynin djem të rinj me pjata gjysmë të mbushura me groshë, i vendosnin para njerëzve dhe largoheshin për të sjellë të tjera.

Unë dhe vëllai u pamë në sy dhe ia plasëm të qarit. Ai u ngrit, erdhi drejt meje, më përqafoi fort dhe më largoi nga tavolina, larg asaj pjate që na kujtonte natën kur baba na e kishte shtyrë drejt nesh me duart e veta. Pas nesh rendën shumë njerëz. Ne vetëm qanim dhe nuk i flisnim askujt. Herë shihnim njëri-tjetrin, herë pjatat gjysmë plot me groshë. Ata përpiqeshin të na qetësonin, pa e kuptuar se çfarë na kishte copëtuar zemrën. Ndërsa ne, sikur të mos ekzistonte askush tjetër, përqafoheshim fort me njëri-tjetrin dhe vetëm qanim.

Erdhi nëna, e veshur me të zeza si nata e dimrit. Ne, duke qarë, iu afruam dhe, të mbështetur te njëri-tjetri, ia dhamë vajit. Atëherë nisi të dëneste edhe ajo. Gjatë gjithë mortit nuk kishte derdhur asnjë pikë loti, sepse në anët tona thoshin se ishte turp të qaje për burrin e vdekur.

Në qiell ishte shfaqur ylli i parë i natës.
Ndoshta ishte ylli më i ri.

Ndoshta ishte ati ynë – dhe ndoshta amaneti i tij, ai që i tha vëllait atë mbrëmje dhe që askush s’e mori vesh kurrë, ishte thjesht ky: të kujdesej për ne, ashtu siç e kishte bërë vetë, në heshtje, deri në frymën e fundit.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit