Fabul.
Qeni e macja
nga Rexhep Çullhaj..
Një ditë, një qen dhe një mace po rrinin së bashku. Qeni i tha maces: – A mund të hash një kockë? Macja iu përgjigj: – Jam e vogël, nuk mundem. Por qeni nuk u dorëzua dhe i tha: – Provo të jetosh me mua. Unë të dua. Macja buzëqeshi dhe tha: – Unë dua të bëj vetëm “gric-grric”. – S’ka problem, – tha qeni. – Le të rrimë bashkë. Pastaj filluan të ngacmonin njëri-tjetrin me shaka. – O qen leshmadh! – tha macja. – O mace me qime të bardha! – iu përgjigj qeni. Pas pak, macja tha: – Ah, le ta lëmë për sot. Qeni pranoi dhe i tha se do të prisnin deri nesër për t’u takuar përsëri. Kështu, edhe pse ishin të ndryshëm, qeni dhe macja mbetën miq të mirë.Morali i fabulës miqësia mund të ekzistojë dhe midis atyre që janë të ndryshëm.
Paskuqani
Poezi
nga Rexhep Çullhaj..
Nuk është më vetëm Babrroi,
as ai Paskuqani që mbanin mend të vjetrit;
koha i ka veshur rroba të reja,
por zemra e tij ende rreh mes kujtimesh.
Dikush kishte qejf ti ndryshonte
dhe emrin në Patëz Kuqana S ndodhi
kishte histori me dokomente e tapi.
Pallate pas pallatesh ngrihen çdo ditë,
si ethe betoni që s’dinë të ndalen.
Rrugicat ngushtohen nga nxitimi,
e fryma e lagjes kërkon pak qiell.
Më dhemb kur shoh se babëzia e njeriut
i pret vetes hijen ku pushon.
Ndërton sot pa menduar për nesër,
sikur fëmijët të mos kenë nevojë për hapësirë.
Por atje lart, te rezervuari i vjetër,
parku buzëqesh si një shpresë e gjelbër.
Pemët flasin me erën e mbrëmjes,
e zemra gjen një çast qetësie.
Rritu, Paskuqan, rritu me mençuri,
jo vetëm në gurë e kate të larta.
Rritu me rrugë që bashkojnë njerëzit,
me dritë, me ajër, me jetë.
Se je pranë Tiranës, por ke shpirtin tënd,
e pjesë e Kamzës në administrim.
Mos humb fytyrën që të bëri vend,
mes së djeshmes dhe së ardhmes që po vjen.
Shëngjergji
nga Rexhep Çullhaj
Poezi …
Ah, ç’vend i mrekullueshëm,
me rrugë që gjarpërojnë lehtë!
Zbret nga Qafë-Priska te rezervuari,
te monumenti e gështenjat në Shkallë.
Aty buron uji, aty rritet pisha,
aty dushku hijerëndë e meshtekna fisnike,
aty xukthi zbukuron natyrën.
Eh, ai qiell që s’ka të ndalur,
si jastëk mbi këto qafa malesh!
Janë Qafmolla, Derja e Domi, Murthi e Parpunja,
siç thotë Goni.
Ec e ec mes arave pa fund,
ngjitesh lart drejt ujëvarës.
Ngjyra të dheut e të gurit shkëlqejnë,
ndërsa uji zbret shpejt e bukur.
Zalli i Shëngjergjit vjen nga lart,
kalon Shkallën, Derjen e Qafëmollën ngadalë.
Pastaj në Dom bashkohen ujërat
dhe formojnë Erzenin e kaltër.
Prekin Fagun, Kllojkën e Fraveshin,
Murthin dhe Darshenin me rradhë.
Djathtas e majtas lag brigjet,
edhe Selbën e përshëndet në kalim.
Për të kaluar më tej,
vërshon te vendi që quhet Skurran.
Lart krenar qëndron Fagu,
Me rrapin monoment kulture.
Ujë e gjelbërim kudo shijojmë,
lodhjen dhe stresin larg i çojmë.
Pas malit të Dajtit shtrihet kjo trevë,
që para diellit kurrë nuk përkulet.
Kjo zonë më kujton Zvicrën,
pa harruar bukurinë e Bizës.
Shëngjergji – perlë e natyrës sonë,
që zemrën ta mbush me dritë e frymëzim.
Tregim
nga Rexhep Çullhaj…
Ec e zgjidhi ca gjëra…
Isha zgjedhur në një detyrë me rëndësi për kohën. Isha ende i ri; sapo isha diplomuar dhe po përballesha me përgjegjësi që kërkonin jo vetëm përgatitje profesionale, por edhe durim e maturi. Zyra ime ndodhej pranë disa godinave të vjetra, pothuajse të rrënuara. Me zor qëndronin në këmbë dhe shërbenin si strehë për një grup të internuarish, të ardhur nga qytete të ndryshme për të kryer atë që quhej “riedukim me punë”. Ishin mbi dhjetë vetë dhe binte në sy se kishte më shumë vajza sesa djem, të moshave të ndryshme. Ditën e natën nuk pushonin. Bërtisnin, pinin, grindeshin e flinin grumbuj. Roja i objekteve, që shihte gjithçka pa ia kërkuar njeri, më tregonte shpesh: — Nuk ka natë pa u dehur. I gjuajnë njëri-tjetrit me shishe birre apo rakie.
Bëjnë zhurmë deri në mëngjes. Pranë tyre jetonin edhe disa familje fshatare. Më bënte përshtypje që askush nuk ankohej. — Pse nuk bëjnë zë? — e pyeta një ditë rojën. — Sepse këta blejnë tek ata raki, ushqime e gjëra të tjera. Është një ujdi e pashkruar. Të dyja palët përfitojnë. Në atë grup kishte edhe disa djem të hedhur që silleshin rrotull vajzave të internuara. Flirte kishte vazhdimisht. Herë pas here shfaqej polici i zonës, ndonjëherë edhe operativi i Sigurimit. Roja vazhdonte të më tregonte gjithçka. — Ai polici, — më tha një ditë, — më duket se njërën nga vajzat e mban për vete. Pasi bëhet apeli, thotë se do ta marrë pak për ta “edukuar”. Pas dy orësh e kthen prapë. Thotë se duhet kohë që vajza të zërë mend, se para se të marrë diçka, duhet edhe të japë… Nuk e pashë më atë vajzë. Me sa duket e kishin transferuar diku tjetër. Një mëngjes, sapo hapa zyrën, trokiti dera. Hyri një nga të internuarit.
— Mirëmëngjes, shef. — Mirëmëngjes. Ulu. Çfarë ke? — Quhem Gramoz. Dua të të kërkoj një nder. — Fol. — Të më falësh, por unë nuk shkoj më në atë punë. Dje punova gjithë ditën dhe brigadieri më dha vetëm tridhjetë e pesë lekë të vjetra. M’u desh të mbaja të qeshurën. — Po unë nuk të kam caktuar në atë punë. — E di, por po nuk shkova, më shtyhet internimi. Mendova pak. — Mirë. Do të flas me Bersin dhe do të të gjejmë një punë tjetër. Ashtu bëra. E sistemuam të montonte arka ambalazhi. Por Gramozi nuk montonte as arka. Rrinte pa bërë gjë. Pas disa ditësh në sektor erdhi komisari i madh i ekonomisë. — Gjej një mundësi dhe ma thirr pak atë Gramozin. Kam disa të dhëna që nuk sillet mirë. — Dakord. Pas pak minutash Gramozi hyri në zyrë. — Si jeni, shokë? Komisari nisi menjëherë: — Dëgjo, po dëgjojmë se nuk sillesh mirë me një nga vajzat. Lëri ato punë. Po ta jap si këshillë. Gramozi buzëqeshi me ironi. — Komisar, je burrë i vjetër. K…rin e ke me thinja dhe do të më bësh moral mua? Unë jam si xhami. Komisari u skuq nga inati.
— Dëgjo mirë! Rrugaç! Mos të të shoh më këtu! Gramozi u kthye dhe doli pa thënë asnjë fjalë. Komisari psherëtiu. — Kontingjent i vështirë. — Ç’të bëjmë? Na kanë rënë për pjesë. Do të përpiqemi t’i sistemojmë, — iu përgjigja. Nuk i tregova përplasjet e mia të mëparshme me të. Mendova se pas kësaj do të vinte sërish në zyrë, por nuk ndodhi. Një ditë tjetër po kontrolloja evidencat operative dhe po prisja specialistët për analizën javore. Punët nuk po ecnin mirë. Dera trokiti. Hyri një grua e lodhur nga pamja. Dukej më e madhe nga sa ishte në të vërtetë. — Kam ardhur të ankohem për brigadierin. E ndërpreva me qetësi. Thirra një nga specialistët që të ishte i pranishëm gjatë bisedës. Kur erdhi, e pyeti: — Të ka bërë gjë mbrëmë? — Jo.
— Po ndonjëherë tjetër? Gruaja uli kokën. — Ma ka kërkuar disa herë. — Çfarë të ka kërkuar? — Kur ndante punën, më thoshte: “Mos e bëj vetëm. E bëjmë bashkë.” Nuk kishte nevojë për shpjegime të tjera. Ishte hera e parë që dëgjoja një ankesë të tillë. Më bëri më shumë përshtypje sepse brigadieri konsiderohej një nga njerëzit më të aftë në ekonomi. Në punë ishte i shkëlqyer, por me sa dukej kishte filluar zanatin e vjetër: të shfrytëzonte pozitën për të përfituar nga halli i grave. Ai e dinte mirë se kjo grua kishte disa fëmijë për të rritur dhe se burri i saj vuante dënimin në burg.
Pikërisht gjendja e saj e bënte edhe më të pambrojtur. Nuk ishin gjëra të thjeshta. Ato ditë kuptova se detyra ime nuk ishte vetëm të organizoja punën dhe të plotësoja planet ekonomike. Çdo ditë përballesha me drama njerëzore, me padrejtësi, me abuzime dhe me njerëz që përpiqeshin të mbijetonin në mënyra të ndryshme. Shpesh ishte më e vështirë të zgjidhje hallet e njerëzve sesa problemet e punës. E megjithatë, edhe ato duheshin përballuar. Ishte koha kur çdo vendim kishte peshë dhe çdo gabim linte pasoja. Ec e zgjidhi ca gjëra.











