Besnik Fishta
Ekspozita Botërore Filatelike “Boston 2026”, e zhvilluar nga 23 deri më 30 maj 2026 nën patronazhin e Federatës Ndërkombëtare të Filatelisë (FIP), u shndërrua në një nga ngjarjet më të rëndësishme të filatelisë botërore. Duke mbledhur pjesëmarrës nga dhjetëra vende, ajo përfaqësoi nivelin më të lartë të konkurrimit në fushën e koleksionimit, historisë postare dhe literaturës filatelike, ku vlerësohen jo vetëm pasioni dhe përvoja, por mbi të gjitha cilësia e kërkimit shkencor dhe kontributi në zhvillimin e filatelisë.
Në këtë ekspozitë botërore, Shqipëria u përfaqësua nga studiuesi dhe autori Hysen S. Dizdari, i cili arriti një sukses të veçantë duke fituar Medaljen Vermeil në klasën e literaturës filatelike me veprën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913–2023”. Libri paraqet të gjitha emisionet e pullave postare shqiptare me figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të emetuara nga Posta Shqiptare gjatë periudhës 1913–2023, duke ndërthurur kërkimin shkencor, analizën filatelike dhe kronologjinë historike. Ky vlerësim dëshmon se edhe studimi shkencor filatelik shqiptar mund të konkurrojë denjësisht në nivelet më të larta ndërkombëtare.

Diploma e medaljes larte “Vermeil”
Deri pak vite më parë, pjesëmarrja e studiuesve shqiptarë në ekspozita botërore të këtij niveli dukej një objektiv i vështirë për t’u arritur. Mungesa e një tradite të konsoliduar konkurruese, burimet e kufizuara dhe prania modeste në aktivitetet ndërkombëtare krijonin përshtypjen se këto forume ishin të rezervuara vetëm për vendet me histori të gjatë filatelike. Rezultati i arritur në Boston 2026 dëshmoi të kundërtën.
Suksesi i autorit është fryt i një pune shumëvjeçare studimore dhe kërkimore. Veprimtaria e Hysen Dizdarit nuk kufizohet vetëm në koleksionimin e pullave postare, por shtrihet edhe në studimin sistematik të filatelisë shqiptare, me botime cilësore kushtuar figurave historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza, si edhe në trajtimin e temave të arkeologjisë shqiptare, mbrojtjes së florës e faunës, biodiversitetit dhe burimeve natyrore kombëtare. Pikërisht kjo veprimtari kërkimore dhe shkencore, e mbështetur në një literaturë të gjerë filatelike dhe historike, mori vlerësimin e merituar nga juria ndërkombëtare në Ekspozitën Botërore Boston 2026.

Në klasën e literaturës filatelike, çmimet nuk fitohen mbi bazën e paraqitjes grafike të një libri, por sipas kritereve të mirëpërcaktuara, si origjinaliteti, përmbajtja, saktësia shkencore, struktura e studimit, përdorimi i literaturës filatelike e shkencore dhe kontributi që vepra sjell në zhvillimin e filatelisë. Medalja Vermeil e fituar në Ekspozitën Botërore Boston 2026 tregon qartë se filatelia shqiptare është në gjendje të konkurrojë denjësisht në ekspozita të nivelit evropian dhe botëror.
Kjo arritje e autorit Hysen Dizdari dëshmon nivelin e lartë cilësor të punës së tij studimore, kërkimore dhe shkencore, si edhe përfaqësimin dinjitoz të filatelisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ky sukses duhet parë edhe si një nxitje për studiuesit, koleksionistët dhe institucionet shqiptare që merren me filatelinë. Ai tregon se përkushtimi afatgjatë, puna e argumentuar dhe botimet cilësore mund ta bëjnë filatelinë shqiptare pjesë të dialogut shkencor ndërkombëtar.
Medalja e fituar në Boston 2026 nuk është vetëm një arritje personale e autorit Hysen Dizdari, por edhe një moment krenarie për Postën Shqiptare dhe sektorin e saj të filatelisë, duke dëshmuar se filatelia shqiptare mund të konkurrojë me sukses dhe të arrijë rezultate të larta në skenën botërore. Prandaj, edhe në të ardhmen, Posta Shqiptare, veçanërisht sektori i filatelisë, duhet të mbështesë më shumë koleksionistët dhe studiuesit shqiptarë, duke organizuar ekspozita kombëtare, duke nxitur botimet shkencore dhe duke krijuar mundësi më të mëdha për pjesëmarrje në ekspozitat ndërkombëtare.











