20.8 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj 50 propozime për reformimin e administratës publike

50 propozime për reformimin e administratës publike

0
Artan Fuga

Artan Fuga

– Hiqen privilegjet në pensione apo në trajtime të tjera shërbëtorëve të parë publikë, deputetëve! Trajtimi i tyre material i privilegjuar nuk respekton barazinë e shtetasve dhe barazinë e qytetarëve para ligjit.
– Për çdo pozicion si i zgjedhur në pushtetin lokal, që ushtrohet me kohë të pjesëshme, nuk përfitohet asnjë shpërblim monetar ose i llojit tjetër.
– Drejtoritë e përgjithëshme të dikastereve transferohen nëpër qytete ku konsiderohet se janë më afër problematikave që administrojnë.
– 75 përqind e punonjësve të administratës qendrore konsiderohen me statusin e punonjësit publik dhe mund të hiqen vetëm për gabime të rënda profesionale, dhe sipas kërkesës, vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
– Emërimi i punonjësve të administratës publike bëhet me konkurs publik dhe bëhet i vlefshëm dhe shpallet me urdhër të sekretarit të përgjithshëm.
– Personeli politik, duke nisur nga ministri, etj., as nuk mund të emërojë dhe as mund të pushojë apo të japë masa administrative ndaj punonjësve.
– Organizata profesionale e punonjësve publikë konsiderohet si palë në menaxhimin e karrierës dhe të vlerësimit të punës të punonjësve dhe garante e kontratës kolektive të punës.
– Asnjë punonjës i administratës publike që gëzon statusin e punonjësit publik nuk mund të jetë i antarësuar në ndonjë parti dhe nuk mund të ketë mbajtur më parë poste drejtuese në parti.
– Përcaktohen detyrat dhe kompetencat funksionale të cdo punonjësi të administratës publike. Cedimi i i funksioneve dikujt tjetër, qoftë edhe një eprori konsiderohet shkelje ligjore dhe ka pasoja administrative dhe ligjore.

– Të gjithë ata punonjës të administratës që gjyqi me vendim të formës së prerë i rikthen në punë rifitojnë vendet e tyre të punës. Pagat e periudhës së ndërmjetme i vihen në ngarkim personit që ka bërë shkarkimin e paligjshëm të tyre.
– Asnjë nëpunës nuk mund të bëjë kërcime në karrierë, dhe të ngrihet më lart se dy rrangje nga pozicioni që mbante më parë. Karriera graduale është thelbi e burokracisë.
– Administrata publike, cdo agjenci e saj, ministri apo drejtori, duhet të bëjë cdo vit bilancin e arritjeve dhe të metave duke e botuar në një raport publik vjetor të botuar dhe me akses për cdo qytetar dhe sipërmarrje.
– Kërkohet që ministrat në krye të 2 vjetëve në detyrë të riafirmohen në postin e tyre, vetëm pasi të marrim besimin e komisioneve parlamentare përkatëse dhe të kuvendit. Cdo ministër brenda dy viteve nga marrja e funksionit votëbesohet individualisht.
– Asnjë ministër të mos jetë deputet sepse kjo infekton rëndë ndarjen e pushteteve.
– Asnjë punonjës publik, sikurse policët dhe oficerët, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në fushata dhe mitingje elektorale gjatë orarit zyrtar të punës.
– Cdo punonjës i administratës publike duke përfshirë edhe vetë ministrat në rast se kandidojnë në një fushatë elektorale duhet të japin më parë dorëheqjen nga posti që mbajnë!
– Të njihet e drejta e punonjëve të administratës publike për të krijuar dhe marrë pjesë në Unionin profesional të administratës publike si përfaqësuesja kolektive e interesave të punonjësve të kësaj administrate në mbrojtjen e tyre në punë.
– Në asnjë administratë publike nuk mund të punojnë njëkohësisht, burri dhe gruaja, prindërit dhe fëmijët, vëllezër e motra.
– I gjithë dokumentacioni jo sekret shtetëror i cdo administrate publike të vendoset on line dhe të jetë i aksesueshëm nga cdo qytetar i interesuar, sipas parimit të open source.
– Cdo moskthim përgjigjeje brenda një afati shumë të shkurtër kohor të përcaktuar me ligj nga ana e një nëpunësi ndaj qytetarit të ndëshkohet me gjoba dhe masa të tjera administrative dhe të shënohet në cv e nëpunësit.
– Rrogat dhe shpërblimet e nëpunësve të administratës të ndahen në dy pjesë, paga fikse dhe paga në funksion të performancës personale vjetore të cdo nëpunësi ose drejtorie.
– Të konceptohet dhe përpilohet karta etike për nëpunësin e administratës publike dhe të shpallet dhe të bëhet e detyrueshme vendosja e saj në cdo zyrë administrate dhe në hyrje të cdo institucioni.
– Asnjë punonjës administrate publike të mos emërohet në detyrë pa pasur notën mesatare mbi 8,5.
– Cdo administratë të hapi dhe të modernizojë sipas kritereve zyrën e ankimimeve publike.
– Asnjë titullar nuk ka të drejtë të emërojë një të afërm të tij edhe të shkallës së dytë a të tretë të lidhjes familjare pasi është emëruar në detyrë.
– Askush nuk mund të qendrojë nëpunës sado i ulët në administratë nëse për të ka një vendim dënimi nga gjykata.
– Cdo nëpunës i administratës publike duhet që të ketë tre diploma, atë universitare, të një gjuhe të huaj, si edhe diplomën e shkollës së administratës publike, të një niveli të caktuar, marrë jo më larg sesa tre vjet nga data e emërimit të tij.
– Cdo nëpunës duhet të certifikojë cdo pesë vjet kompetencat e duhura për vendin e tij të punës.
– Cdo shkelje financiare administrative e konstatuar nga kontrolli i lartë i shtetit është në ngarkim financiar të titullarëve të institucionit.
– Të gjitha shërbimet e thjeshta administrative që nuk prodhojnë parà të jenë falas për personat fizikë.
– Në cdo administratë, femrat të jenë jo më pak se 50 përqind e numrit të përgjithshëm të nëpunësve.
– Të gjitha ndërtesat e administratës publike të bëhen urgjentisht të aksesueshme për personat me aftësi fizike të kufizuara.
– Në të gjitha mjediset e shërbimeve të administratës publike ose në open space të vendosen kamera të monitorueshme.
– Asnjë nëpunës nuk mund të ushtrojë një detyrë nëse ai ose familja e tij janë në konflikt interesi.
– Zyrat e burimeve njerëzore plotësojnë cdo vit cv e nëpunësve duke dhënë vlerësimet përkatëse sipas standarteve përkatëse.
-Vlerësimi vjetor i nëpunësve bëhet me sistem vlerësimi cilësor dhe sasior me notat përkatëse. Pa pasur një nivel të caktuar vlerësuar nga komisioni përkatës, askush nuk mund të ngrihet në detyrë ose në rang.
– Në cdo administratë qendrore krijohen këshillat e vlerësimit të karrierës të nëpunësve të përbëra nga specialistë të jashtëm caktuar nga agjenci të jashtme tekniko-shkencore, nga përfaqësues të personelit, nga sindikata e nëpunësve, si edhe nga pushteti ekzekutiv.
– Të vendosen rangjet e nëpunësve të administratës publike.

– Asnjë nëpunës i administratës publike nuk mund të marrë pjesë në borde të agjencive publike.
– Asnjë ministër të mos drejtojë borde ose keshilla brenda administratës që ai drejton politikisht.
– 10 përqind e nëpunësve të jenë me kohë të pjesëshme pune, ardhur nga agjenci dhe institucione teknike ku vazhdojnë pa shkëputje punën e tyre.
– Të krijohet qendra e novacionit të vazhdueshëm administratës publike.
– Asnjë tenderim nuk mund të kryhet sipas vendimeve të administratës, por me praktikat e ankandit publik.
– Të vendosen medaljet e punës në administratën publike dhe të shoqërohen me motivet përkatëse materiale, morale dhe të karrierës.
– Asnjë punonjës që nis për të herë të parë një marrëdhënie pune në administratën publike të mos ketë të drejtë ta nisi me një rang më të lartë sesa rangu më i ulët në të.
– Punonjësi i administratës publike veç kryeministrit nuk mund të përdori asnjë mjet transporti zyrtar (veturë) jashtë shërbimeve zyrtare.
– Të përcaktohet kodi i nëpunësit ku të shprehen gabimet e rënda etike dhe profesionale në krye të detyrës dhe masat disiplinore që i shoqërojnë ato.
– Punonjësi i administratës publike edhe pas pesë vitesh nga dalja prej pune nga kjo administratë nuk ka të drejtë të punojë në sektorin privat që administrata në fjalë ka mbuluar.
– Punonjësi i administratës publike me kohë pune të plotë nuk ka të drejtë të punojë pas orarit të punës në një biznes që funksionon në sektorin që ajo mbulon.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.