FERDINAND LAHOLLI
Pluralizëm dhe diktaturë? Në thelb, një sistem pluralist është i mbrojtur nga diktatura, pasi në një sistem të tillë ka parti të ndryshme, media të ndryshme, institucione të ndryshme, mendime të ndryshme. Por historia politike e botës dhe më freskët akoma e Shqipërisë pasmoniste ka treguar se diktatura mund të lindë edhe në një sistem pluralist, në një demokraci funksionale, në një shtet me zgjedhje, me parlament, me institucione. Nuk është e thënë që diktatura të vijë ngaherë hipur mbi tanke. Në kohët e sotme ajo vjen shpesh me buzëqeshje të shtirura, me premtime të nxjerra nga kadastra e grabitjes së vendit, vjen me fjalë të bukura dalë nga një shpirt i shëmtuar që shkel mbi ekzistencën kombëtare, vjen me vota të vjedhura apo të blera.
Qeveria diktatoriale lind kur pushteti fillon të grumbullohet në një dorë të vetme, ndërsa dihet që pluralizmi funksionon vetëm kur pushteti ndahet. Pra hapi i parë drejt diktaturës është centralizimi i pushtetit: vendimet merren nga një rreth i vogël, institucionet e humbasin pavarësinë, parlamenti bëhet dekor dhe qeveria komandë. Në këtë fazë, sistemi është ende pluralist në letër, por jo në praktikë.
Qeveria bëhet diktatoriale kur arrin të kontrollojë administratën. Administrata publike është zemra e shtetit, po kur ajo kapet nga qeveria, shteti nuk është më neutral, por partiak. Ky aspekt ndodh kur punësimet bëhen sipas bindjes politike, vendimet merren sipas interesit të partisë, ligji interpretohet sipas nevojës së pushtetit. Në këtë pikë fillon deformimi i pluralizmit.
Qeveria ndihet e fuqishme në udhën diktatoriale të saj kur media fillon të frikësohet. Media jopartiake, pra media e pavarur që vetëdijshëm qëndron në frontin ku mbrohet e vërteta, është e mbetet oksigjeni i demokracisë. Kur ajo frikësohet, demokracia fillon të marë frymë me zor. Diktatura moderne nuk mbyll më gazeta, por ajo i ble ato. Nuk arreston gazetarë, por i kërcënon ata me zhdukje farefisi. Ajo nuk e ndalon fjalën, por e kontrollon atë gjer në pakuptimësi të saj. Në një fazë të tillë, ku populli nuk informohet më, nis manipulimi popullor.
Në një sistem pluralist, opozita është garancia e lirisë. Por një opozitë është vetëm atëhere e fuqishme në një mision të tillë, kur ajo frymon nga pluralizmi brenda vetes dhe nuk administrohet si pronë vetjake, sikurse mjerisht ka ndoshur dekada të tëra pas kohës moniste. Por le të kthehemi tek pushtetarët. Një qeveri që synon autoritarizmin nuk e shkatërron opozitën me dhunë, por e dobëson atë me metoda fare të buta: e përçan, e blen, e delegjitimon, e tall, e izolon. Në këtë pikë, pluralizmi është vetëm fasadë.
Në një sistem demokratik, qeveria konsiderohet se e merr legjitimitetin nga populli, pra ajo është e obliguar të përfaqësojë interesat e tij dhe të krijojë mekanizma që ia mundësojnë popullit të marrë pjesë në vendimmarrjet e saj. Qeveria duhet të jetë transparente dhe të japë llogari për çdo hap të hedhur, por në vend të kësaj nis rrafshimi i maleve të veriut, ndoshta ngaqë duken më shtatlartë se vetë qeveria, falet deti, ndoshta ngaqë thellësia e tij shihet si mendim kërcënonjës, madje toka pjellore e Lushnjës e diku tjetër, të himnizuara gjer më dje për pjellorinë e tyre, sot klasifikohen si shterpë dhe të afta vetëm të shkrumben në mbajtje panelesh, pasi kështu u intereson investorëve që krekosen me mbështetjen e miqve të tyre pushtetarë. Pronarët e vërtetë të tokave konktaktohen vetëm përmes një pale të tretë, ku fjalët përcjellëse janë të mbarsura nga gënjeshtrat çoroditëse dhe kërcënimi jetik. Mbështetja qeveritare në projekte të tilla jotransparente është e mbetet një provokacion që ushqen gjakderdhjen popullore.
Askush nuk e kishte hamenduar që populli të rraskapitej kaq padrejtësisht në dekadat pasmoniste. Por le ta shohim realitetin në sy: asnjë diktaturë nuk lind pa apatinë e popullit. Kur qytetarët lodhen nga padrejtësitë, nga korrupsioni, nga premtimet e pambajtura, ata fillojnë të heshtin. Heshtja është terreni ku rritet autoritarizmi. Në këtë fazë, qeveria e kupton se populli nuk reagon më, dhe fillon të shtyjë kufijtë e veprimtarisë së saj asgjësuese.
Diktatura moderne nuk e shkel ligjin, ajo e përdor atë. Ajo e ndryshon, e shtrembëron, e interpreton sipas nevojës. Kësisoj ligji nuk është më mburojë e qytetarit, por shpatë e pushtetit. Në këtë pikë, pluralizmi është vetëm një kujtim.
Duhet theksuar se diktatura nuk është vetëm strukturë , por edhe psikologji. Ajo fillon kur lideri shfaqet apo më saktë akoma shitet si i pagabueshëm, i pazëvendësueshëm, i përjetshëm. Dhe po qe se populli beson sadoshkurt se vetëm një njeri mund ta shpëtojë vendin, pluralizmi ka vdekur.
Në një sistem pluralist, zgjedhjet e ndershme janë zemra e demokracisë. Por në një sistem që bëhet diktatorial, zgjedhjet mbeten vetëm ritual. Ato mbahen, por rezultati është i paracaktuar, fushata është e pabarabartë, administrata është e kapur, media është e kontrolluar, populli është i frikësuar. Në këtë pikë, pluralizmi është vetëm një iluzion.
Momenti final i një qeverie diktatoriale në një sistem politik është kur qeveria fillon të besojë se është e përjetshme. Kur qeveria beson se nuk mund të rrëzohet, ajo bëhet më diktatoriale. Kur ajo beson se populli nuk ka alternativë, ajo bëhet më arrogante. Kur ajo beson se historia nuk do ta gjykojë, ajo bëhet edhe më e rrezikshme. Por një qeveri që shkel mbi interesat dhe të drejtat e popullit dhe rrezikon ekzistencën kombëtare, e ka humbur misionin historik të saj, e ka humbur të drejtën qeverisëse.











