Pa ligj nuk ka zhvillim të qëndrueshëm!
Nga Safet SADIKU
Zhvillimi ekonomik është i domosdoshëm për çdo vend që synon mirëqenie dhe progres. Por zhvillimi i vërtetë nuk matet vetëm me shifrat e investimeve apo me madhësinë e projekteve. Ai matet edhe me respektin ndaj ligjit, transparencës, trashëgimisë natyrore dhe interesit publik. Pikërisht këto pyetje ngre sot debati për Zvërnecin. Përtej premtimeve për miliarda euro investime, qytetarët kërkojnë të dinë se kush investon, nga vijnë fondet, çfarë ndikimi do të ketë projekti mbi mjedisin dhe kulturën, dhe nëse vendimet po merren në përputhje me ligjin. Sepse kur mungon transparenca, lind mosbesimi! Kur mungon ligji, zhvillimi humbet legjitimitetin. Dhe pa besimin e qytetarëve, asnjë investim nuk mund të konsiderohet vërtet i qëndrueshëm.
Protesta e djeshme në Tiranë nuk ishte thjesht një grumbullim qytetarësh në një shesh publik. Ajo ishte shprehja e një shqetësimi më të thellë që lidhet me të ardhmen e një prej hapësirave më të çmuara natyrore të Shqipërisë: Zvërnecit dhe Portonovës. Nën sloganin domethënës “Shqipëria nuk është në shitje”, qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile ngritën zërin për të kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe rishikim të planeve që synojnë transformimin e kësaj zone. Tensioni që shoqëron debatin nuk lindi rastësisht. Ai u ushqye edhe nga përplasjet e ndodhura pak ditë më parë në Zvërnec, ku protestuesit pretenduan (e konfirmuar përmes pamjeve filmike), se u dhunuan nga roje private gjatë kundërshtimit të punimeve. Pamjet dhe dëshmitë e publikuara ngjallën reagime të forta në opinionin publik dhe rikthyen kërkesën e kahershme për hetim të plotë dhe sqarim të përgjegjësive.
Nga ana tjetër, qeveria dhe përfaqësues të saj argumentojnë se investime të kësaj natyre mund të sjellin zhvillim ekonomik, vende të reja pune dhe një turizëm më cilësor. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar i miratuar dhe se mungon një studim i plotë i ndikimit në këtë mjedis. Megjithatë, pikërisht kjo mungesë informacioni ka ushqyer pasigurinë dhe mosbesimin e një pjese të qytetarëve. Në thelb, reagimet, dhe debati nuk kufizohet te ndërtimi i një resorti apo te realizimi i një investimi të madh. Ai prek një çështje shumë më të gjerë dhe më të rëndësishme: si mund të gjendet ekuilibri mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës, mes interesit privat dhe interesit publik, mes të drejtës për të investuar dhe detyrimit për të ruajtur trashëgiminë kombëtare. Pikërisht për këtë arsye protesta nuk mblodhi vetëm banorët e zonës, por tërhoqi qytetarë nga shumë pjesë të repupublikave të tjera të Shqipërisë. Në qendër të debatit qëndrojnë disa pyetje të cilat ende nuk kanë marrë
përgjigje të plota dhe bindëse:
Kush janë realisht investitorët që qëndrojnë pas projektit në Zvërnec? Nga buron kapitali prej miliarda eurosh që përmendet në diskutimet publike? Kush i zotëron kompanitë që kanë blerë tokat? A ekzistojnë lidhje me investitorë amerikanë, si rrjeti i lidhur me Jared Kushner, apo me kompani të tjera europiane? Sa transparente është struktura e pronësisë dhe burimi i financimit?Sipas dokumenteve dhe raportimeve publike, projekti zhvillohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila rezulton në pronësi të kompanisë holandeze “Universal Properties Projects B.V.”. Në diskutimet publike janë përmendur gjithashtu investitorë me origjinë ruse, bullgare dhe holandeze. Megjithatë, kritikët vazhdojnë të kërkojnë publikimin e plotë të zinxhirit të pronësisë dhe të burimeve financiare, duke argumentuar se transparenca është kusht i domosdoshëm për çdo projekt që prek interesin publik.
Debati është ndërlikuar edhe më tej nga raportimet që lidhin zonën e Zvërnecit me interesin e kompanisë Affinity Partners, e lidhur me Jared Kushner, për investime turistike në jug të Shqipërisë. Megjithatë, raportimet mediatike nuk e sqarojnë gjithmonë nëse bëhet fjalë për të njëjtin projekt apo për iniciativa të ndryshme që ndodhen në të njëjtën hapësirë gjeografike. Nëse do të isha pjesë e protestës, pyetja ime do të ishte e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë:”Kush janë përfituesit përfundimtarë të këtij investimi dhe përse nuk publikohet në mënyrë të plotë struktura e financimit?”
Megjithatë, thelbi i problemit nuk qëndron vetëm te fakti se një zë dëgjohet më fort se miliona të tjerë, siç ishte rasti i Bejlerit. Një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi ne si qytetarë. Prej vitesh kemi vazhduar të votojmë të njëjtën klasë politike, një klasë që shpesh e ka ruajtur pushtetin jo përmes forcimit të shtetit ligjor, por përmes marrëveshjeve të ngushta politike dhe interesave afatshkurtra. Kjo është e njëjta klasë politike që për vite me radhë ka penguar ndërtimin e një administrate moderne, profesionale dhe transparente, të ngjashme me standardet që kërkon Bashkimi Europian. Arsyeja është e thjeshtë: në një sistem ku institucionet funksionojnë dhe ku administrata është e pavarur, marrëveshjet e fshehta zbulohen shumë më shpejt.
Sot, shpeshherë, qytetarët informohen vetëm pasi vendimet janë marrë dhe interesat janë konsoliduar. Kur ligji nuk shërben si themel i qeverisjes, por zëvendësohet nga interesat dhe pazaret e momentit, edhe investimet humbin besueshmërinë e tyre. Ato nuk perceptohen më si motor zhvillimi, por si produkte të marrëveshjeve të mbyllura. Për këtë arsye, përpara se të pyesim pse Europa nuk na dëgjon gjithmonë, duhet të pyesim veten se sa kemi bërë ne për të ndërtuar institucione që respektojnë ligjin, transparencën dhe interesin publik. Një shoqëri që kërkon llogaridhënie dhe zbatim të barabartë të ligjit nuk mund të shpërfillet lehtë, as nga politika vendere dhe as nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo duhet të bëhet një kërkesë e qartë dhe e panegociueshme e qytetarëve, e shprehur përmes votës së tyre.
Një tjetër pikë që vazhdon të ngrejë pikëpyetje është burimi i investimit prej 4.5 miliardë eurosh. Pas një periudhe të gjatë të paqartësisë, u deklarua se fondet vijnë nga Katari. Megjithatë, deri më sot nuk është bërë publik asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet apo fondet sovrane të atij shteti. Në projekte të kësaj përmase, transparenca nuk është privilegj, por detyrim. Nëse investimi mbështetet vërtet nga kapital katariot, publiku ka të drejtë të dijë se cili fond, cila kompani apo cili mekanizëm financiar qëndron pas tij. Heshtja nuk largon dyshimet,përkundrazi, i forcon ato.
Po aq shqetësuese është mungesa e një studimi të plotë, të pavarur dhe transparent mbi ndikimin ekologjik, kulturor dhe historik të projektit. Zvërneci nuk është thjesht një sipërfaqe toke e destinuar për zhvillim ekonomik. Ai është një pasuri e rrallë natyrore dhe kulturore, një hapësirë ku historia, natyra dhe identiteti kombëtar ndërthuren në mënyrë të pandashme. Në ishullin e Zvërnecit ndodhet një nga kishat më të njohura dhe më të vjetra të vendit, një monument me vlera të veçanta historike dhe shpirtërore. Përpara çdo investimi të madh, qytetarët kanë të drejtë të njohin vlerësimet mjedisore, arkeologjike dhe kulturore, në mënyrë që zhvillimi të mos shndërrohet në një kosto të pakthyeshme për trashëgiminë kombëtare.
Në të njëjtën kohë, shqetësim kanë shkaktuar edhe përpjekjet për ta zhvendosur këtë debat përtej kufijve të Shqipërisë dhe për t’i dhënë atij ngarkesa politike që nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit. Prania e qytetarëve grekë në protestën e Tiranës, nën argumentin e mbrojtjes së minoritetit, si dhe deklaratat e ashpra të disa zyrtarëve grekë, janë perceptuar nga shumë shqiptarë si ndërhyrje në çështjet e brendshme të vendit. Marrëdhëniet e mira mes dy shteteve ndërtohen mbi respektin reciprok, dialogun dhe mosndërhyrjen. Çështjet që lidhen me territorin, investimet dhe zhvillimin e Shqipërisë duhet të trajtohen nga institucionet shqiptare, në përputhje me ligjin dhe interesin publik, pa presione të jashtme dhe pa retorikë që cenon sovranitetin e vendit.
Në përshkallëzimin e tensioneve ka ndikuar edhe mënyra se si disa media greke e kanë trajtuar këtë çështje. Në vend që të fokusoheshin te transparenca, mbrojtja e mjedisit apo të drejtat e qytetarëve, një pjesë e raportimeve kanë zgjedhur tone nacionaliste dhe narrativa politike që largojnë vëmendjen nga faktet. Një qasje e tillë nuk i shërben as së vërtetës dhe as marrëdhënieve të mira mes dy popujve. Roli i medias është të informojë, jo të ndezë konflikte, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që prekin trashëgiminë kulturore, interesin publik dhe sovranitetin kombëtar.
Ende mbeten disa pyetje themelore që meritojnë reflektim të sinqertë: kujt i pengon realisht ky investim dhe përse? A ndodhet e vërteta diku mes pretendimeve për dëmtim ekologjik dhe akuzave për pengim të zhvillimit turistik? Pse disa aktorë sillen sikur kanë një të drejtë të veçantë mbi këtë territor?
Duhet bërë një dallim i qartë mes ndikimit politik dhe pronësisë mbi territorin. Edhe nëse dikush mund të ketë krijuar lidhje apo ndikim te politikanë të caktuar, palës greke në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtën të pretendojë pronësi morale apo politike mbi një hapësirë që i përket shtetit dhe qytetarëve të tij. Territori nuk blihet me para. Ai nuk mund të trajtohet si pronë e askujt përtej sovranitetit të shtetit dhe interesit të publikut. Zvërneci, me historinë, natyrën dhe trashëgiminë e tij, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të kujtesës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Këto vlera nuk janë thjesht pasuri ekonomike, por ato janë pjesë e trashëgimisë që një brez ua lë brezave që vijnë. Pikërisht për këtë arsye ato duhet të mbrohen, të respektohen dhe të trajtohen me përgjegjësinë që meritojnë.
Sqarim:
Për situata të tilla, forma më demokratike është referendumi! Prandaj, “Platforma për Referendum Kombëtar” është ndryshimi i gjithë sistemit politik, i cili do të bëhet me votimin e referendumit të parë Shqipëri-Kosovë! Votoni në formularin elektronik: www. platforma-kombetarte.com











