(Mbi vëllimin “Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë Berishës – 20 autorë për Studimet letrare të zgjedhura në dhjetë vëllime”)

Gjekë Gjonaj
Dëshmi e dijes dhe e përkushtimit krijues
Në kohën kur bota jonë shqiptare po përballet gjithnjë e më shumë me krizën e leximit, me relativizimin e vlerave kulturore dhe me mungesën e vëmendjes ndaj punës serioze studimore e shkencore, botimi i librave që dëshmojnë përkushtimin afatgjatë ndaj dijes dhe kulturës kombëtare merr një rëndësi të veçantë. Një ndër këto botime me vlerë të rrallë është edhe vëllimi “Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë Berishës – 20 autorë për Studimet letrare të zgjedhura në dhjetë vëllime”.
Ky botim, i përgatitur dhe i zgjedhur nga Labinot Berisha dhe i botuar nga Shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë më 2026, paraqet një vepër të veçantë dokumentuese, studimore dhe vlerësuese për njërin nga emrat më të rëndësishëm të mendimit kritik dhe të studimeve letrare shqiptare të kohës sonë.
Libri nuk është vetëm një përmbledhje tekstesh dhe kumtesash për studimet letrare të zgjedhura të një autor të njohur, po njëherësh është një dëshmi e gjallë e ndikimit të madh që ka pasur dhe vazhdon të ketë puna shumë dekadash e Anton Nikë Berishës në kulturën tonë, në studimet albanologjike, në interpretimin e veprave dhe të dukurive të letërsisë shqipe dhe në ruajtjen e kujtesës shpirtërore të kombit.
Vetë titulli i këtij vëllimi është tejet domethënës dhe simbolik. Fjala “katedrale” nuk është përdorur rastësisht. Ajo nënkupton një ndërtim madhështor, të ngritur me durim, me dije, me përkushtim dhe me vizion afatgjatë. Pikërisht i tillë është edhe opusi prej dhjetë vëllimesh me studime letrare të zgjedhura të Anton Nikë Berishës, të cilit i qasën dhe e vështrojnë 20 autorë.
Për dekada të tëra Berisha ka ndërtuar, gur pas guri, një univers të pasur studimor mbi letërsinë shqipe, mbi traditën gojore, mbi kulturën arbëreshe, mbi poetikën e veprave të autorëve shqiptarë dhe mbi vlerat estetike e shpirtërore të artit letrar, po dhe rreth disa veprave të letërsive të tjera.
Në këtë kuptim, kompleti me studime të zgjedhura përfaqëson një “katedrale” të vërtetë të dijes, një monument të dijes e të përkushtimit të ngritur nga dashuria për fjalën artistike dhe për pasurimin e kulturës kombëtare.
Prof. dr. Anton Nikë Berisha është një nga personalitetet më të njohura të kulturës shqiptare. Veprimtaria e tij shumëvjeçare shtrihet në fusha të ndryshme: studime letrare, poezi, romane për të rritur e për fëmijë, përkthime letrare etj.
Në qendër të interesimeve të tij ka qenë gjithmonë fjala artistike shqipe dhe përpjekja për të depërtuar në thelbin poetik dhe estetik të veprës letrare e të ndikimit të saj. Ai nuk i ka parë tekstet letrare vetëm si produkte artistike, por si shprehje të thella të botës shpirtërore të njeriut dhe të kujtesës historike e kulturore të popullit tonë. Për këtë arsye, studimet e tij dallohen për qasjen analitike, për thellësinë interpretuese dhe për përkushtimin ndaj vlerave autentike të letërsisë.
Një galeri studiuesish dhe shkrimtarësh të njohur
Libri përfshin punime dhe analiza të një vargu autorësh të njohur shqiptarë dhe arbëreshë, të cilët kanë trajtuar aspekte të ndryshme të veprës studimore letrare të Anton Nikë Berishës si: Matteo Mandalà, Behar Gjoka, Kristaq Jorgo, Jahja Drançolli, Viola Isufaj, Prend Buzhala, Timo Mërkuri, Llesh Ndoj, Sabit Rrustemi, Aleksandër Çipa, Nexhat Rexha, Ajete Zogaj, Arsim Halili, Gjon Mark Krasniqi, Kaltrinë Berisha dhe Gjekë Gjonaj.
Secili prej tyre vështron një aspekt të caktuar të studimeve letrare të Anton Nikë Berishës: dikush e vështron letërsinë e arbëreshëve të Italisë, dikush metodën studimore, dikush interpretimin modern të poetikës së veprave, ndërsa të tjerë ndriçojnë ndihmesën e tij në studimin e letërsisë traditës, letërsisë gojore apo të autorëve të veçantë shqiptarë ose të huaj. Kjo larmi qasjesh e bën vëllimin jo vetëm të pasur në përmbajtje, por edhe një dokument të rëndësishëm për historinë e kritikës dhe të mendimit letrar shqiptar.
Një nga veçoritë më të rëndësishme të punës së Anton Nikë Berishës është përkushtimi i tij i vazhdueshëm për letërsinë shqipe në tërësinë e saj. Ai është marrë me autorë klasikë dhe modernë, me letërsinë e traditës dhe atë bashkëkohore, me autorët e Shqipërisë, të Kosovës dhe me veprat e shkrimtarëve arbëreshë të Italisë. Në studimet e tij gjejnë vend autorë si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Azem Shkreli, Nasi Lera, Rifat Kukaj, Ramadan Musliu dhe shumë krijues të tjerë të rëndësishëm të letërsisë sonë.
Për Anton Nikë Berishën, letërsia nuk është vetëm një fushë studimi akademik, një formë e kujtesës shpirtërore të kombit, po një dëshmi e identitetit mendor dhe kulturor dhe një mënyrë për ta kuptuar njeriun shqiptar në përmasat e tij historike dhe jetësore.
Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e tij zënë edhe studimet për letërsinë arbëreshe. Nëpërmjet punës së tij studimore, Anton Nikë Berisha ka ndriçuar dhe afirmuar vlerat e trashëgimisë letrare të arbëreshe dhe lidhjet shpirtërore e kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe arbëreshëve të Italisë. Pikërisht për këtë arsye, edhe studiuesi i njohur arbëresh, prof. Matteo Mandalà, i e përmend rëndësinë e veçantë të veprës së tij, duke e cilësuar Antonin si një studiues të shquar në botën albanologjike.
Një monument i dijes shqiptare
“Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë Berishës” nuk është vetëm një vëllim homazh për një studiues të madh, po edhe një dokument i rëndësishëm për historinë e kulturës shqiptare bashkëkohore. Ai dëshmon se puna serioze shkencore, përkushtimi ndaj dijes dhe nderimi për vlerat autentike letrare e kulturore vazhdojnë të mbeten themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti i një kombi.
Në një kohë kur gjithçka thausjse matet me përfitime të menjëhershme dhe me jehonë kalimtare, vepra e Anton Nikë Berishës në fushën e studimit të letërsisë përfaqëson të kundërtën: punën e heshtur, këmbëngulëse dhe afatgjatë, e cila ndërton themele të qëndrueshme në kulturë dhe në shkencë.
Dhjetë vëllimet e “Studimeve letrare të zgjedhura” dhe libri kushtuar atyre përbëjnë një monument të mirëfilltë të mendimit kritik shqiptar, përmes të cilave dëshmohet se Anton Nikë Berisha është një nga emrat që kanë ndikuar fuqishëm në zhvillimin e studimeve letrare shqiptare dhe në interpretimin bashkëkohor të veprave e të dukurive të letërsisë sonë, po dhe më gjerë.
Këtë e dëshmon më së miri ky botimi, nga i cili lexuesi e kupton se kemi të bëjmë me një studiues që i ka shërbyer për dekada me radhë jo vetëm letërsisë, por edhe vetë kulturës kombëtare shqiptare. Për këtë arsye “Katedralja diturore dhe shpirtërore e Anton Nikë Berishës” mbetet një botim me vlera të mëdha — një libër që e nderon autorin, por njëkohësisht e pasuron edhe mendimin shqiptar.











