11.5 C
Tirana
E martë, 24 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Rreziqet globale dhe sfidat tona

Rreziqet globale dhe sfidat tona

0
Elife Luzha

Autore:
Elife LUZHA

Zhvillimet e shpejta shkencore dhe teknologjike në epokën moderne, po dëshmojnë çdo ditë e më shumë se ato jo vetëm po transformojnë jetët tona, por edhe po riformësojnë mënyrën e jetesës njerëzore. Nga perspektiva e sigurisë, këto zhvillime, kanë zbehur ndjeshëm konceptin tradicional të pacenueshmërisë, duke e bërë atë të duket si një nocion që i përket së kaluarës.

Këtë realitet e kishte paralajmëruar edhe Strategu dhe analisti i njohur amerikan për çështje të politikës së jashtme, Zbigniew Brzezinski. Në librin: “Zgjedhja – dominim global apo udhëheqje globale”, duke analizuar dinamikat e rendit ndërkombëtar, ai thekson se fuqia teknologjike dhe kapacitetet e avancuara të njeriut mund të çojnë në pasoja të paparashikueshme në shkallë globale. Sipas tij, është vetëm çështje kohe para se të përballemi me një skenar të paprecedent apo me një reaksion zinxhiror global me pasoja kataklizmike, të shkaktuara nga vetë dora e njeriut.

Brzezinski vë në dukje se shtetet e pasura dhe të avancuara teknologjikisht, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zotërojnë avantazhe të konsiderueshme për të promovuar progresin dhe stabilitetin global. Në këtë drejtim, një Europë e integruar dhe e bashkuar përmes NATO-s mund të jetë mbështetje e rëndësishme strategjike për SHBA-të. Prandaj, sipas tij, Amerika nuk duhet të përsërisë gabimin historik të Kinës së para gjysmë mileniumi, duke u tërhequr nga skena globale.

Në fakt, SHBA-të, kanë konsoliduar rolin e tyre si fuqi kryesore globale në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe ende mbeten aktor kyç në zhvillimet ndërkombëtare.

Në analizën e tij, Brzezinski ngre disa pyetje thelbësore për politikën globale, si: Çfarë mund ta zëvendësojë Amerikën në rast të një dobësimi të dominimit të saj global? Apo, çfarë pasojash do të kishte një tërheqje e trupave amerikane nga angazhimet ndërkombëtare?

Në një skenarë të tillë, sipas tij, do të rriteshin gjasat për destabilizim global, duke shtuar mundësinë e orientimit të disa shteteve drejt Rusisë, përshkallëzimin e tensioneve në Gadishulli Korean, ndërsa në gjirin Persik, Irani mund të shndërrohej në një fuqi dominuese dhe kërcënuese për vendet fqinje arabe, me të cilat SHBA-të, po ndërtojnë gjithnjë e më shumë marrëdhënie miqësore dhe ekonomike.

Sot jemi dëshmitar të disa zhvillimeve që Brzezinski i kishte parashikuar; prandaj mund të themi se vatrat e luftës, si në Ukrainë, dhe së fundmi edhe në Lindjen e Mesme, nuk ishin krejtësisht të paparashikueshme.

Sigurisht, këto zhvillime, reflektohen edhe në Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit jemi. Prandaj, shtohet pyetja:
Ku qëndrojmë ne përballë këtyre sfidave?

Shqiptarët, me të drejtë, janë pozicionuar qartë në krah të aleatëve tanë strategjik, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe strukturat euroatlantike. Megjithatë, ky orientim i qartë në politikën e jashtme, nuk reflektohet në të njëjtën masë edhe në politikën e brendshme.

Ndërkohë që bota përballet me sfida gjithnjë e më komplekse, vëmendja e klasës sonë politike mbetet e përqendruar në rehatimin e saj në ulëset e pushtetit. Në vendet ku shteti dhe institucionet e tij janë të organizuara dhe efektive, veçanërisht në kohë krizash, ndërmerren masa konkrete për mirëmbajtjen e strehimoreve, për evakuimin e qytetarëve në rast rreziku, apo për edukimin qytetar mbi rreziqe të ndryshme. Ndërsa tek në, këto çështje pothuajse nuk diskutohen.

Shpirti më copëtohet kur shoh qytetet tona duke u mbytur në mbeturina, qytetarin e lodhur nga pritja për shërbime më të mira, nxënësin që pret një orë mësimi cilësore, pacientin që pret të marrë kujdesin e duhur dhe, mbi të gjitha, njeriun shqiptar që ende nuk arrin ta dojë veten.

Nuk e di se kur do të zgjohet ndërgjegjja jonë për të mirën e përbashkët. Kur do ta kuptojmë se gjithçka fillon nga ne, nga përgjegjësia jonë?

Natyrisht, përplasjet partiake për pushtet, dhe mungesa e koncensusit të qëndrueshëm politik e zbehin fokusin nga sfidat reale të zhvillimit dhe sigurisë në vend.
Kjo gjendje nuk ka si mos të na shqetësoj; prandaj kërkohet një qasje më e përgjegjshme, më e koordinuar dhe më largpamëse, në mënyrë që vendi të përballet me sfidat e së tashmes dhe së ardhmes.

Si përfundim, edhe pse kjo temë nuk shteron kurrë, dua të theksoj se, nëse nuk e ndërtojmë një politikë të brendshme të qëndrueshme dhe një shoqëri të përgjegjshme, rreziku më i madh nuk do të vijë nga jashtë, por nga vetë ne.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.