[ Shkarko Fjalimet që përgjakën Ballkanin në PDF ]
GËZIM MEKULI
Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit
HYRJE
Si e përdorin politikanët gjuhën për të bindur publikun? Cilët njerëz kanë aftësi magjike për të bindur të tjerët që të bëhet edhe e papërfytyrueshmja: të vriten fëmijë të palindur në barkun e nënës? Cila fuqi bindëse mistike mund të ngre një popull në këmbë për të djegur e për të dhunuar një popull tjetër? Ndoshta nuk është fare fuqi mistike, nuk është as fuqi mbinatyrore, por veçse një teknikë njerëzore ose edhe aftësi. Një aftësi që ne duhet ta njohim, ta zbulojmë dhe të mësojmë më shumë rreth saj. Jo për të vrarë njëri-tjetrin, por për të parandaluar këtë. Ne duhet të mësojmë se si ta zbulojmë, por edhe ta kundërshtojmë fuqinë e bindjes kur kjo përdoret për qëllime djallëzore. Dhe ne vetë duhet të mësohemi ta përdorim atë për qëllime të mira. Retorika, rrjedhimisht, mund të mësohet si për të mirë, ashtu edhe për të keq.
Se retorika mund të mësohet, kjo është thënë edhe nga Aristoteli në librin e tij mbi retorikën (Ῥητορική) qysh në vitin 330 para erës sonë. Gjatë gjithë jetës, ne lavdërojmë dhe kritikojmë. Ne mbrojmë veten tonë dhe akuzojmë të tjerët. Shpesh këto gjëra ne i bëjmë pa menduar si do t’i bëjmë. Por në secilin diskutim, ne vlerësojmë se çka do të ishte më bindëse. Cili argument mund të jetë më i mirë e më efikas? Si të bëhet renditja e fjalëve, cila fjalë apo paraqitje do të jetë më e arsyeshme për ata që na dëgjojnë ose na lexojnë? Cili është argumentimi bindës dhe kur është momenti i duhur të luajmë me ndjenja?
Së këndejmi, sipas Aristotelit, është e mundur që të gjendet një metodë për të bindur. Thënë troç: retorika mund të kuptohet e të mësohet. E bash për këtë retorika jep përgjigje.
Retorika, pra, synon të bëjë diçka me ty, me mua e me publikun. Ai që flet, pra fjalimmbajtësi, dëshiron të arrijë diçka të caktuar tek publiku. Ne mendojmë se retorika është njëdrejtimëshe: fjalimmbajtësi flet, publiku dëgjon. Por sinjalet shkojnë në dy drejtime. Publiku, në këtë rast pranuesit, është i gjallë dhe ndikohet, e, rrjedhimisht, edhe do të reagojë si për të mirë, ashtu edhe për të keq.
Retorika sot është imponuar me një vend qendror në përditshmërinë tonë. Ajo më nuk është e kufizuar vetëm në të shkruarit e fjalimeve. Këtu është me vend të nënvizohet se veçoritëretorike gjenden në të gjitha llojet e komunikimeve moderne. Kjo do të thotë se retorikën e gjejmë jo vetëm në politikë, në kulturë, në sport e në ekonomi. Ajo përdoret mes shokësh, mes gruas e burrit, prindit e fëmijës, pra ajo është pjesë e mjedisit familjar. Në fushën e reklamës, fjala vjen, këto veçori retorike i hasim çdo ditë.
Retorika lindi e qendërzuar me qëllimin që fjalët tona të jenë sa më bindëse, dhe asisoj që folësi të duket sa më “argumentues” kundrejt publikut. Paçka se publiku nuk ka mundësi të kundërshtojë ndikimin e fuqishëm të retorikës, megjithatë është e pritshme që ai në njëfarë mënyre të jetë në gjendje të kundërshtojë, të debatojë dhe të thotë mendimin e vet rreth një veprimi apo vendimmarrje të caktuar qoftë ajo politike, ekonomike apo kulturore. Kundërshtimi ndaj ndikimit të retorikës do të zhvillohet me qëllim që fjalët dhe diskutimet e mëpastajme të formësojnë një proces demokratik; proces ky që në prapakthim do të çonte deri tek një qëllim dhe një vendim i mirë për shoqërinë.
Mirëpo, fjala mund të përçajë. Fjala mund të urrejë. Fjala mund të ngushëllojë. Fjala mund të tregojë dashuri, të ndërtojë ura, e të bëhet sakaq dhunë. E, po kështu, fjala mund të shkaktojë edhe gjakderdhje, luftë, varfëri e mjerim. Le të kujtojmë për një çast artin e frikshëm të fjalimeve të Hitlerit e të Goebelsit. Çdo gjë fillon nga fjala, nga komunikimi e nga fjalimi.
Duhet theksuar se çdo fjalim varet nga rrethanat në të cilën mbahet ai, por po kaq varet edhe nga publiku të cilit i kushtohet vetë fjalimi. Mund të thuhet se që të tria bashkë: fjalimmbajtësi, tema e fjalimit dhe publiku përbëjnë themelin e fjalimit. Sipas Aristotelit, në retorikë ekzistojnë tri gjendje të ndryshme, dhe, si rrjedhojë, edhe tri fjalime të ndryshme, ose zhanre të ndryshme fjalimesh, ku secili nga këta ka funksionin e vet të veçantë.1
• Fjalimi deliberativ, i quajtur ndryshe edhe fjalim këshillues dhe politik. Ky fjalim duhet të këshillojë nëse diçka duhet të bëhet ose nuk duhet të bëhet në të ardhmen.
• Fjalimi forenzik, i quajtur alternativisht edhe fjalim gjyqësor. Ky lloj fjalimi ndërlidhet shpesh me sallën e gjyqit. Nëpërmjet tij synohet
të gjykohet ajo që është e vërtetë dhe e pavërtetë, e drejtë apo e gabuar, në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në të shkuarën. Si në fjalimin deliberativ (këshillues), ashtu edhe në atë forenzik (gjyqësor), publiku ka për detyrë vetëm të gjykojë ngjarjet.
• Fjalimi epideiktik, i njohur edhe si fjalim demonstrativ, strumbullohet rreth publikut, i cili është spektator aktiv. Detyra e tij këtu është të lavdërojë, të kritikojë ose të fajësojë njerëzit, ndodhitë dhe rrethanat e të sotmes. Fjalimet, në këtë rast, i drejtohen një populli të mbledhur për ngjarje të veçanta, të tilla sikurse dasmat, funeralet ose ritualet.2
Në këtë mënyrë, fjalimet epideiktike funksionojnë si përbashkuese, mu ashtu sikurse ishin edhe tri fjalimet e Millosheviqit, për të cilat do të bëhet fjalë më poshtë.
Karakteristikë kryesore në fjalimet politike të ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq, të mbajtura në prani të publikut të gjerë, është
një retorikë me pikëpamje nacional-shoviniste serbe.
Është konstatuar tashmë se këto fjalime demonstrative janë të përshkuara nga një retorikë patetike. Qëllimi i përzgjedhjes së kësaj retorike shoviniste flaku tej retorikën formaliste të gjeratëhershme në Serbi, duke pasur për synim përgatitjen morale të popullit serb për luftëra të reja e të përgjakshme në Ballkan dhe krijimin e Serbisë së Madhe.
Një prej tipareve thelbësore të kësaj retorike politike nacionalshoviniste ishte përdorimi me mjeshtëri i të ashtuquajturave “fakte historike” dhe kodit fetar ortodoks, por pa teologji e priftërinj, duke pasur si mbështesë mitologjinë kombëtariste serbe. Fjalimi retorik ngacmoi dhe tendosi fort ndjenjat shoviniste, dhe kjo zhvilloi te Millosheviqi artin e të folurit, duke krijuar raporte të reja mes tij dhe masës së gjerë të publikut serb. Pikërisht këtu, te kjo oratori e Millosheviqit, zë fill rishfaqja e shovinizmit serb. T’i pëlqesh një publiku të tillë do të thotë të heqësh dorë nga arsyetimet e shumta teknike, nga grumbullimi i fakteve e statistikave, dhe të mjaftohesh duke paraqitur parimet dhe idetë e përgjithshme me një stil të lëmuar e të përsëritur, i cili nuk e përjashton emfazën.
Në këtë zbërthim, analiza orvatet të nxjerrë në pah se si Millosheviqi me anë të retorikës arriti ta prekte popullin e vet në “telat” e shpirtit kolektiv, duke siguruar masa të tëra që e dëgjonin me vëmendje. Dhe për këtë hulumtim do të bazohemi kryesisht në tri nga fjalimet e tij kryesore.
Qysh në fillim duhet të nënvizohet se, përmes ndihmës së retorikës3 së Millosheviqit, do të bëhet analiza e qëllimit të fjalimeve të atilla, për të dalë pastaj në përfundimin se cilët kanë qenë togfjalëshat4 e përzgjedhur prej diktatorit serb dhe çfarë qëllimi kanë pasur këto adresime publike. Gjithashtu, përmes retorikës, ne mund të kuptojmë edhe mënyrën se si Millosheviqi arriti të bindte masën e madhe të popullit serb për të ndërmarrë ato luftëra të njëpasnjëshme në ish-Federatën Jugosllave.
Gjithnjë përmes shqyrtimit të situatave të asokohshme politike, ne mund të kuptojmë më mirë e më qartë retorikën e Millosheviqit.
Sidoqoftë për një kuptueshmëri më depërtuese të qëllimeve politike dhe shoviniste të asaj retorike, pashmangshëm është e nevojshme të flitet edhe për aspekte të ndryshme sociale të ish-Jugosllavisë në periudhën ngjarjeshumë të harkut kohor mes viteve 1980-2000.
Po në këtë frymë, për të qëmtuar më mirë historikun e luftës Kosovë-Serbi, është i nevojshëm edhe trajtimi i rrethanave politike të Luftës së Dytë Botërore, pa lënë mënjanë përfundimet që dalin nga lufta e fundit në Kosovë (1997-1999), gjithnjë në korrelacion me realitetet e nduarnduarta si dhe pozicionin dhe rolin e mediave.
E gjithë kjo tangjentë bëhet në funksion të përvijimit të një panorame sa më të plotë e më të gjerë, duke dritësuar psenë e asaj se si arriti retorika e Millosheviqit të ndikonte popullin serb – një retorikë, e cila pati rol aq të fuqishëm ndikues jo vetëm në hapësirën publike serbe, por dhe në atë shqiptare e më gjerë.
Që lexuesit t’i mundësohet një orientim sa më i drejtë për retorikën politike e propagandistike të Millosheviqit mbi shpërthimin e luftërave të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, do të trajtohet shkurtimisht edhe shoqëria “jugosllave” para sipërfaqjes së Millosheviqit në skenën politike të Serbisë dhe, tevona, edhe në atë të Jugosllavisë. I brendashkruar me këtë shtjellim, është parë e arsyeshme edhe një analizë e paanshme e përmbajtjes kulturore dhe historike të fjalimeve retorike të tij.
Kur jemi te kjo, libri në shtjellën e vet shkoqit gjashtë fusha të ndryshme, të cilat i konsiderojmë të një rëndësie të veçantë: historia, ekonomia, politika, demografia (shpërndarja gjeografike, përbërja dhe shtimi i popullsisë shqiptare në ish-Jugosllavi), arsimi si dhe mendësia e popullit serb.
Po kështu një vend i është ndarë edhe kushteve retorike5 (oratorisë), të cilat mbizotëronin në kohën, hapësirën dhe mjedisin kur janë mbajtur ato fjalime oratorike. Natyrisht që, në një rast si ky, bëhet e nevojshme edhe analiza e mjeteve si dhe mënyrave bindëse dhe jobindëse (kushtet retorike)6 të transmetimit të fjalimeve nga ana e Millosheviqit.
Sipas Kjeldsenit, kushtet retorike janë pjesë e rrethanave dhe kushteve gjatë të cilave fjalimet oratorike marrin tipare më të theksuara për drejtime të caktuara.
Si shqiptar i Kosovës, unë jam i vetëdijshëm që jam pjesë e konfliktit, por në këtë analizë i kam vënë vetes një detyrë kërkimore-shkencore dhe do përpiqem paanshëm të zbuloj botëkuptimin e Millosheviqit në fjalimet e tij. Pra, përmes analizës së fjalive dhe togfjalëshave të përdorur në fjalime, ky libër përpiqet të sjellë botëkuptimin (tërësinë e pikëpamjeve) e shprehur në fjalimet e tij. Këtu do të paraqitet dhe do të dëshmohet se ndërtimi i fjalive, i togfjalëshave dhe përzgjedhja e fjalëve prej tij, me të cilat ai përshkruan heronjtë e ngjarjet, nuk janë të rastësishme dhe as të pafajshme.
Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, në këtë analizë do të bëhet fjalë edhe për përbërjen dhe përmbajtjen e retorikës (oratorisë, gojëtarisë), pa lënë anash as përshkrimin e shprehjeve historike, kulturore dhe nacionale që janë përdorur në këto fjalime prej Millosheviqit.
Përmbajtja e retorikës konstituive mund të ndikojë dhe të ketë kontroll të madh mbi një komb të caktuar, në mënyrën se si fjalimi retorik e përpunon publikun përkatës. Për më tepër, kjo është e rëndësishme edhe për ngjarjet e sotme politike, sepse disa nga fjalimet retorike politike sot janë bërë një kërcënim aktiv kundër demokracisë dhe vlerave liberale.
Për ta saktësuar këtë, analiza merr përsipër jo vetëm të përshkruajë dhe shqyrtojë shprehjet, pohimet apo mohimet, argumentet dhe vendet ku janë mbajtur fjalimet, por edhe të shqyrtojë mitet, religjionin (besimin fetar), simbolet dhe ikonat (figurat historike).
Përmes analizës së retorikës politike të përdorur nga Millosheviqi për ndryshimin e identitetit politik të dëgjuesve të tij, arrijmë të zbulojmë dhe të kuptojmë se çfarë lloj ndjekësish ka pasur për qëllim të krijonte me adresimet politike në formë fjalimesh. Sepse, tekembramja, përbërja e publikut ka rëndësi të madhe për retorikën politike.
1. Andersen, 2007: 28.
2. Kjeldsen, 2003: 34.
3. Retorikë-a nga greq. e vjetër ῥήτωρ (rhetor) = orator. Kështu quhej në kohët e moçme ajo degë e veçantë e oratorisë, pra e artit për të folur; në ditët tona fjala retorikë përdoret si një përcaktim kritik për një vepër ose fjalë, që në dukje është e stolisur, por që në të vërtetë ka përmbajtje të dobët.
4. Togfjalësh-i; dy a më shumë fjalë kuptimplota, të cilat kanë lidhje të ngushtë e kuptimore me njëra-tjetrën që marrin pjesë në ndërtimin e fjalisë.
5. Kjeldsen 2004: 84.
6. Kjeldsen 2004: 85.











