Nga Gjon Marku
- tregim
Prej bjeshkëve nxitimthi vinte një re, ulët si në vendet e cepit të globit ku retë zbrisnin aq afër tokës, sa duket se po të zënë frymën. Dukej se reja ishte e ngarkuar me fortunë, ndërsa nata afrohej e errët. Të gjithë turreshin të futeshin në strehët e tyre pa i zënë rrebeshi jashtë. Në atë errësirë buzëmbrëmjeje, Pjetri, një burrë i matur dhe i heshtur, vështronte ardhjen e reve shtëllunga-shtëllunga, dhe për një moment mendoi me vete se e tërë Fusha e Kosovës do të mbytej në ujë. Kishte ditë që binte një shi i ngadaltë dhe i ftohtë, por sonte mendoi se do të shkulet toka prej ujit. Mitet me kuçedra e dragonj filluan të vinin në kujtesën e tij, ndërsa flakë shkrepëtimash shiheshin e dëgjoheshin në bjeshkët prej nga vinin dhe legjenda të shumta. Eh, trualli i të parëve të tij ishte i mbushur me lloj-lloj legjendash si askund tjetër. Jo rastësisht, por pse mbi atë truall kishin ndodhur dhe drama të mëdha.
– Po ku është gjetur gjithë ky shi? – mendoi. Në fakt, vetë planeti ku ne jetojmë ishte një planet ujor, kot nuk thonë se rruzulli tokësor është tre pjesë uji e një pjesë tokë. Kushedi sa do të zvogëlohej po të mos kishte asnjë pikë ujë, madje kur sheh globin, ai duket me ngjyrë blu si ngjyra e qiellit, pikërisht se është një glob ujor e jo tokësor si gjithë të tjerët. A nuk është shkëmb e gurë Marsi, planeti më i afërt me ne, apo planetët e tjerë? Pikërisht pse nuk kanë ujë, ndoshta nuk kanë dhe jetë. Vallë ne kemi qenë dikur një qenie ujore? Kështu planeti ku ne jetojmë është ndryshe prej të tjerëve, pse është një planet ujor, ashtu sikurse kombi ynë është ndryshe prej kombeve të tjera, se mbi të kanë vepruar pabesi të mëdha e s’kish si të mos kishte bjeshkë me legjenda të shumta, lumenj me histori të çuditshme, fusha ku mbijnë shumë lulëkuqe, ndoshta pse rrënjët i kanë në gjakun e derdhur pafund ndër shekuj. Ne, vërtet nuk ishim si të tjerët, nuk ishim as lindja, as perëndimi, as endacakë, as pushtues, as barbarë, as të nënshtruar, ishim vendas. Eh, ç’po sillte ndërmend, gjëra që të tjerët s’i pranonin.
Akoma ishte në dritare dhe vështronte jashtë furinë e shiut, që binte si me gjyma, kur një shkrepëtimë rrufeje e bëri të shohë një siluetë të zezë, që po i afrohej portës së shtëpisë së tij. Për një moment u drodh dhe mendja s’dihet se ku fluturoi, veçse një gjë ishte e qartë, gjithsesi kishte menduar keq.
Trokitja e ngadaltë, por e fortë në portën e jashtme, ia kishte këputur në mes mendimet. Ishte një trokitje që e njihte, por nuk e identifikonte në atë moment. Rendi drejt portës, por pa mbërritur deri atje ishte bërë ujë. E hapi derën dhe pa një çerek fytyre që dukej mbështjellë me një pelerinë të zezë mushamaje.
Ishte një ardhje e papritur e të birit, që ishte student në Prishtinë, atëherë kur gjithë Kosova ishte zhytur në atë dhunë dhe gjullurdi, ku çdo gjë mund të pritej. Përqendrimi i trupave serbe ishte shtuar kudo, saqë ai vetë ndjeu një frikë dhe habi për ardhjen e tij në atë orë, kur rreziku të shoqëron ngado.
U futën vrikthi në shtëpi, por pa e mbyllur mirë derën, u dëgjua një buçimë e fortë që tronditi dheun. Ata vështruan njëri-tjetrin në sy, por asnjëri nuk foli. Pjetri e dinte mirë se ajo buçimë nuk kishte qenë krismë rrufeje.
– Ju vraftë Zoti, – kishte shfryrë dufin i biri. – Universiteti u mbyll, baba, dhe shokët e mi tani gjenden në UÇK.
– Dhe ti erdhe këtu të fshehësh kokën si struc? – iu drejtua ai rreptë të birit, që akoma s’e kishte hequr pelerinën e zezë që kullonte ujë.
– Jo baba, unë erdha të të bëj zë dhe do të iki sonte.
Pjetri u drodh një çast.
– Sonte, – mërmëriti, – në këtë natë të tmerrshme?
– Po, sonte do të jem bashkë me shokët e mi në lëvizje drejt bjeshkëve. Në veri vërshojnë qindra trupa drejt zemrës së Kosovës. Shokët e mi gjenden ndër male, dikush sonte ndoshta është bërë thërrime prej gjyleve që shpërthyen pak më parë. Po unë erdha të të shoh, të pyes se ku gjendet mulliri i vjetër dhe të të them që ta vësh në punë atë, baba.
– Mullirin? – pyeti i hutuar i ati; iu duk se i biri po fliste përçart.
– Mullirin? – kishte mërmëritur, sikur donte të hetonte mos nuk e kishte kuptuar mirë. – Po, ai mulli ka vite që nuk është vënë në punë, qëkur im atë e vuri në punë për herë të fundit, në kohën e luftës. Ai mulli s’ka pasur pse të punojë….
– Po tani ai mulli duhet të punojë, baba, pse është kohë lufte.
Pjetri u zhyt në mendime. Rendi në dhomën ngjitur të merrte diçka. Të shoqen e kishte zënë ai shi tek e kunata, pra tek vëllai i tij, vetëm pak metra matanë portës.
– Si s’po kthehet ajo dreq plakë, të bëjë diçka gati që të hajë ai. Së paku, të takohet me të.
Mori një shishe me lëng frutash dhe bëri drejt dhomës, ku i biri ngrohej afër sobës, me armë ngjeshur. Kishte shtangur dhe vështrimin e kishte ngulur në armët e tij në brez.
Iliri, që ishte djalë i vetëm, që kurrë nuk kishte ditur të thernte një pulë, kishte ngjeshur armët. Ai ishte në vitin e fundit dhe studionte për drejtësi. Tani dukej si një gjeneral lufte. Vështrimi i tij ishte i rreptë dhe i mprehtë si vështrimi i një shqiponje.
Eh, sa i rritur i dukej i biri.
Ajo nuk po vinte, po sikur të shkonte një vrap e ta thërriste.
– Dëgjo baba, mulliri do të punojë për djemtë e UÇK. Ata janë në male.
Atij iu kujtua një histori e vjetër, kur bashkë me të atin kishte fshehur nën dërrasat, afër fletëve të mullirit, vite më parë, tre djem nanash që ndiqeshin prej serbëve. Ishte natë e ftohtë e binte një shi i imët, ndërsa ata të tre kishin hyrë në mulli dhe i kishin kërkuar të atit t’i fshihte, po ku t’i fuste. Ai kishte shkulur njërën prej dërrasave të dyshemesë dhe u kishte thënë të hidheshin poshtë, afër fletëve të mullirit ku uji i ftohtë binte mbi to. – Kujdes, mos u kapin fletët e mullirit, bijtë e mi!
Pastaj në mulli kishin hyrë disa ushtarakë serbë dhe kishin kërkuar cep më cep, po asgjë. Vetëm pak orë më pas, të tre kishin ikur, pasi ishin veshur me rrobat e babës. Eh, edhe atëherë mulliri punonte për luftën.
– Babë, unë po iki se më duhet të mbërrij tek shokët.
– Prit sa të vijë nëna jote, është tek Zefi dhe kthehet shpejt, – ia priti i ati.
– Jo babë, ora ka vajtur.
Ai e kishte puthur në ballë dhe e kishte përcjellë deri tek porta. Shiu binte me gjyma. Pas tij kishte vënë re të vraponte një tjetër siluetë e zezë. Të dy bashkë kishin humbur në terrin e natës. Iku mbështjellë me pelerinën e zezë.
Pjetri u mbështet në murin e portës dhe vështroi natën e errët gjatë. U bë ujë dhe s’po kuptonte se ç’po ndodhte me të; dhe kushedi sa do të kishte qëndruar ashtu, po të mos kishte ardhur e shoqja me të bijën, që ishin befasuar dhe trembur nga gjetja e tij aty te porta. Ai ndjehej bosh, si ta kishte gërryer dikush gjithë zgavrën e tij të brendshme.
U futën brenda me një dyshim të madh, se mos ai kishte pësuar diçka nga tepeleku i kokës.
– Ishte Iliri, – mërmëriti. E shoqja u mundua të hetojë mos ai fliste përçartë, ndërsa vajza po kërkonte në dhomën tjetër rroba të thata.
– Qetësohu, – i tha e shoqja.
– Ishte Iliri këtu, – përsëriti me një ton inatçor, – ti u vonove.
– Kush? – pyeti ajo gjithë hutim, pa kuptuar nëse kishte dëgjuar apo jo emrin e të birit.
– Ishte Iliri! – bërtiti ai në mënyrë të pazakontë, ndërsa në bebëzat e syve i kishin filluar t’i mbijnë dy pika loti. – Iliri, të thashë, po ti u vonove duke u marrë me thashetheme. Të thashë s’kishte kohë të të priste. Iku, është me djemtë e UÇK-së.
– Ku? – bërtiti ajo, po ai e ndërpreu ashpër.
– Plaç!
Ajo natë qe për të nata më e gjatë pa gjumë.
Kur dielli filloi të puthë majën e malit, ai ishte nën fletët e mullirit, i shihte me kujdes mos kishin pësuar ndonjë dëmtim.
Baba i kishte treguar se atë mulli e kishte ndërtuar gjyshi. Aty ishte bluajtur miell për djemtë e Azem Galicës, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës. Ndërsa në anët e Mat-Mirditës merrej barut me mushka që vinin nëpër bjeshkë drejt Gjakovës. Ai mulli më shumë kishte punuar për luftërat, sesa për nevojat e shtëpisë së Përlleshëve në Gjakovë.
Aty e kishte zënë darka, kur kishte hedhur në koshin e mullirit thesin e parë të drithit, për të provuar nëse gjithçka ishte në rregull. Buzëmbrëmja kishte ardhur shpejt, ndërsa e shoqja, e habitur, kishte vajtur dhjetra herë ta shihte, po s’kishte guxuar ta pyeste se ç’po bënte. Në verilindje, një karvan makinash, zetorësh, kamionçinash turrej drejt Tropojës.
Rendi t’u dalë para.
– Po vrasin e presin fëmijë e pleq, burra e gra shtatzëna, – i kishte thënë një plak i moshuar. Po i përzënë të gjithë. Karvanet pasuan njëri-tjetrin.
E bëri gati makinën dhe i thirri Zefit.
– Zef, merr djalin, gruan, vajzën dhe shko në Shqipëri!
Zefi, me zërin që i dridhej, diç mërmëriti. Po ai e urdhëroi.
– Valoni ka ikur, Pjetër, ka ikur mbrëmë me tët birë, unë nuk kam ndodh në shtëpi, ti e di, kam qenë tek vajza.
Pjetrin desh e lëshuan gjunjët përdhe. Ndjeu një ligështim dhe një pikë loti filloi të marrë jetë në bebëzën e lodhur të syrit. Ato dy shtëpi ishin të vetmet që gjendeshin ballë plumbave.
– Merr njerëzit e nisu, Zef, pash hatrin e Zotit. Djemtë po i dalin zot Kosovës, Zef.
U fut në dhomë dhe mori një çantë të vogël ku kishte disa monedha dhe ia zgjati Zefit.
– Merri dhe nisu, Zef!
– Edhe ti me ne, Pjetër.
– Nuk ban, Zef, nuk mund ta lej mullirin e vjetër.
– Si? – kishte pyetur Zefi. – Mullirin e vjetër, po kokat e njerëzve po ikin si të jenë bostana.
Pjetri nuk kishte thënë asgjë për shtëpitë, pasuritë e tyre, apo diçka tjetër.
– Nigjo Zef, nji gja duhet ta dish mirë, ai nuk është vetëm mulliri ynë. Ai është mulliri i luftës. Ai mulli duhet të punojë për Ilirin, për Valonin. Për Valonët tanë ndër male që duen me derdh gjak për Kosovën. A nuk e ndjen se po troket një ditë e madhe?
Lufta kishte qenë e rreptë, e ashpër. Atje në Lëndinën e Pikëllimit ishin pushkatuar njëherësh 370 veta. Lufta herë afrohej e herë largohej. Lëndina vetë duket sikur buçet nën dhe nga klithmat. Eh, medet si do t’i tresë dheu barbarët, që si bisha u turrën mbi foshnja të njoma…?
Tutje, Bjeshkët e Namuna, sikur i bëjnë roje kësaj lëndine heroike. Atje, duket sikur lëngon edhe dheu, ndërsa nata, sikur friket të mbulojë me terr engjëjt që gjenden nën dhe.
Gjylet binin një këtu e një atje, po mullini punonte pa ndalë.
– Zoti i gjykoftë mëkatarët.
Dikush kishte trokitur fort në derën e mullirit. Ai kishte rendur ta hapë dhe kishte vënë re Ilirin, të rreptë, të ashpër dhe me një qëndrim tjetërsoj që qëndronte në derë. Dy djem, si lisa, i rrinin mbrapa dhe vështronin rreptë.
– Hajdeni, bijtë e mi. Si është Valoni, Ilir? – e kish pyetur Pjetri të birin, i cili kishte ulur kokën. Dy shokët e tij kishin heshtur dhe nuk shihnin drejt në sy.
– Ku është Valoni, Ilir? – kish pyetur Pjetri rreptë, si të fajësonte të birin.
– Valon në palën e flamurit, baba i Ilirit, – ia kish pritur njëri prej atyre djemve si lisa. – Brigada jonë luftarake mban emrin e tij.
Pjetri ishte lëkundur si një trung peme, por ata e kishin mbajtur.
– Si… Valon, shpirti i vogël!
– Mos baba, – kishte gulshuar i biri, – mos më turpëro në sy të shokëve!
Po ata të dy kishin mbështetur kokat tek Pjetri dhe ia jepnin vajit me gulshe.
– Valoni rron, baba, se ra si burrat.
– Mos, mor bir!
Dhe desh i kishte dalë prej gjoksit fjala: “Më mirë ti se Valoni”, por nuk dihet si e kishte mbajtur.
– Eh, si do të mund ta presë këtë fjalë Zefi?
Sa herë pranvera vjen e në Lëndinën e Pikëllimit kukujnë qyqet, në mullirin e vjetër vjen një prej tyre e aty Pjetri del e dëgjon zërin e saj, vajton bashkë me të, po nuk do ta shohë njeri. Pastaj pastron mirë e mirë fletët e mullirit, e kur mbaron, i telefonon të birit: – Sonte do të vish patjetër, Zefi është vetëm, zemërthyer; nesër do ta marrish e do ta çojsh në Lëndinën e Pikëllimit….
Sa herë fryjnë furtunat, mullirit të vjetër veç ia pastrojnë pluhurin, por s’e shkulin dot.


