Autore:
Elife LUZHA
Me afrimin e afatit kushtetues për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme, vëmendja e opinionit publik, është përqendruar kryesisht te dilema se cili subjekt politik do t’i bashkohet partisë fituese për formimin e një koalicioni qeverisës.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë e kanë bërë të ditur se synojnë të mbeten në opozitë. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës u pa si partnerja më e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, për shkak të sfidave të brendshme që e kanë shoqëruar këtë parti ndër vite, na bënë të dyshojmë se edhe ky opsion do të dështojë.
Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje, fituese e tre palë zgjedhjeve radhazi, tashmë ka caktuar 6 gushtin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila pritet të pasohet nga formimi i Qeverisë. Megjithatë, duke pasur parasysh kërkesën kushtetuese për shumicë të cilësuar të votave, çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës edhe kësaj radhe rrezikon të mbetet një nyjë sfiduese për klasën tonë politike.
Në fakt, historia ofron shembuj të shumtë që dëshmojnë se pikërisht tranzicionet e pushtetit kanë qenë ndër momentet më të ndjeshme për stabilitetin e shteteve.
Një shembull i tillë është ai i Pirros së Epirit, kur pas vdekjes së tij, mbretëria u përball me përplasje të ashpra për trashëgimin e pushtetit. Edhe pas vdekjes së Aleksandit të Madh, rivaliteti ndërmjet gjeneralëve të tij përfundoi me copëtimin e një prej perandorive më të mëdha të kohës. Ndërsa në Republikën Romake, konflikti ndërmjet Jul Çezarit dhe Pompeut të Madh u shndërrua në luftë civile e cila çoi në shembjen e republikës dhe vendosjen e Perandorisë.
Natyrisht, këto ngjarje nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt me realitetin tonë politik. Megjithatë, ato na mësojnë se kultura e kompromisit, përgjegjësia politike dhe mbi të gjitha, mekanizmat e mirëpërcaktuar kushtetues janë vendimtar për zgjedhjen e krizave institucionale.
Përndryshe, edhe në një sistem sado të avancuar demokratik, nëse mungojnë rregullat e qarta, krizat politike vështirë se mund të shmanget.
Ndoshta nuk është rastësi që Niccolo Machiavelli, pikërisht stabilitetin e shtetit e vendosi në qendër të veprës së tij, “Princi”, ku përpiqet të shpjegojë se si një udhëheqës duhet ta mbrojë shtetin dhe interesat e shtetit në kohë krizash politike.
Kështu, nëse deri në kohën Machjavellit, pyetja që shtrohej ishte: “Kush duhet të sundojë”, pas botimit të Princit, pyetja u bë: “Si duhet të sundojë?”.
Machiavelli e këshillonte princin të mos priste derisa kriza të bëhej e pakontrollueshme, por të marrte vendime të shpejta dhe ti zbatonte ato, sepse ruajtja e shtetit dhe rendit publik duhen të jenë prioritare. Sipas tij, një udhëheqës shtetëror duhet të mbështetet tek populli, t’i parashikoj rreziqet dhe të marrë vendime pragmatike kur rrethanat e kërkojnë.
Edhe sot, një udhëheqës demokratik mund të mësoj nga Machiavelli si t’i identifikoj krizat dhe me çfarë masash t’u kundërvihet atyre. Se nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e bashkëpunimit edhe me kundërshtarët politikë, gjithmonë duke kërkuar ndershmëri dhe besnikëri ndaj institucioneve dhe shtetit.
Dhe kjo nuk nënkupton politikanë të mbyllur nëpër zyrat shtetërore, por një parlament funksional, gjykata që zbatojnë ligjin, administratë publike profesionale, media të pavarura dhe qytetar që kërkojnë llogari, si dhe një varg rregullash që shteti duhet t’i përcaktojë dhe zbatojë.
Prandaj, zgjedhjen e Presidentit të Republikës, partitë politike nuk duhet ta shohin si betejë për dominim politik, por si detyrim kushtetues dhe shtetëror që garanton stabilitet institucional dhe funksionim normal të shtetit.
Historia na mëson se krizat e trashëgimisë së pushtetit kanë prodhuar ndarje dhe konflikte. Por, demokracitë moderne e kanë për detyrë t’i zgjidhin ato me dialog, kompromis dhe respektim të shtetit dhe institucioneve shtetërore.
Ashtu qoftë!


