Zija Vukaj
Ky është titulli i veprës dramatike me autor Joe Orton, premiera e së cilës do të shfaqet nesër në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. I ftuar nga mikja ime Rita Gjeka, ndoqa sonte provën e përgjithshme. Kjo “komedi e zezë”, siç e vendos (me të drejtë) taksonomia e studiuesve të artit dramatik, u vu në skenë nën regjinë e Altin Bashës. Mendoj se është një punë e lavdërueshme dhe e suksesshme; duke filluar që nga përkthimi i këndshëm i veprës, nga regjia e Bashës, nga cast-i i shkëlqyer i aktorëve që tashmë iu rritën Shkodrës, nënës së artit dramatik, me emra të tillë si: Jozef Shiroka, Nikolin Ferketa, Krist Lleshi, Pjerin Vlashi, Simon Shkreli, Fritz Selmani etj.
Kjo vepër ka ardhur në kohën e duhur në vëmendjen tonë artistike dhe qytetare. Mjafton të kujtojmë autorin e saj, anglezin Joe Orton (1933- 1967) me periudhë të shkurtër, por shumë produktive krijimtarie, nga emri i të cilit estetët francezë kanë krijuar heponimin apo antonomazinë ‘ortonesque’ (ortonesk), term që përdoret për të dhënë makabritetin skandaloz.
Gjithçka është vendosur në një situatë, që në kushte të zakonshme është krejtësisht lugubre. Tamam këtu qëndron “e zeza” e komedisë. Sfond funeral deri në trazim. Vepra është e shtrirë në një pafundësi nyjëzash narrative, çdonjëra prej të cilave kërkon vëmendjen e duhur, kësisoj spektatori duhet të jetë i rritur kulturalisht dhe mjaft i vëmendshëm, për të bashkëndarë me fqinjin e karriges mesazhin e destruksionit të shpirtit të njeriut nga fuqia mefistofeliane e parasë.
Ky revolucion invers që ka ndodhur në shoqëritë e avancuara të Perëndimit më se një gjysmë shekulli më parë dhe që tek ne ka tronditur me vonesë të gjitha kondicionet më të shtrenjta shpirtërore, si dashurinë për familjen, për fenë, pr atmen, për moralin, për ligjin e për çdo gjë tjetër të shenjtë, na paraqitet mjeshtërisht nga fuqia e artit dramatik.
z.v.