8.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj AUTOKTONIA E MOHUAR DHE DISKRIMINIMI STRUKTUROR I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT!...

AUTOKTONIA E MOHUAR DHE DISKRIMINIMI STRUKTUROR I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT! (1)

0
Universiteti Shtetëror i Tetovës

Persiatje: (1).

Diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk mund të kuptohet dhe as të shpjegohet si një problem i izoluar i shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe jo vetëm as si pasojë e keqmenaxhimit institucional apo mungesës së tolerancës ndër-etnike, por duhet parë si rezultat i një procesi historik dhe politik afatgjatë, i cili ka filluar shumë përpara krijimit të shtetit modern maqedonas dhe vazhdon të ndikojë thellësisht edhe sot, për mënyrën se si shaiptarët trajtohen në vendin e tyre autokton.

Safet Sadiku Nga Safet SADIKU

Çështja shqiptare në përgjithësi dhe çështja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në veçanti, përbën një nga temat më komplekse dhe më të ndjeshme në historinë politike të Ballkanit. Ajo nuk mund të kuptohet në mënyrë të plotë pa një analizë të ndërthurur historike dhe politike, e cila ndriçon rrënjët e problemit, zhvillimet institucionale dhe dinamikat e pushtetit që kanë ndikuar në pozitën e shqiptarëve ndër dekada, dhe jo vetëm… Nga periudha osmane, kalimi nën administratat jugosllave, deri te shtetformimi i Maqedonisë së Veriut si shtet i pavarur, shqiptarët janë përballur vazhdimisht me vështirësi serioze që lidhen me ekzistencën e tyre, me njohjen e identitetit, barazinë politike, përdorimin e gjuhës dhe përfaqësimin institucional. Në këtë kontekst, problematika e shqiptarëve nuk është thjesht çështje e të drejtave minoritare, por një çështje strukturore e ndërtimit të shtetit dhe e demokracisë funksionale. Marrëdhëniet ndër-etnike, politikat shtetërore dhe marrëveshjet politike, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, kanë luajtur rol kyç në formësimin e realitetit aktual. Megjithatë, pavarësisht përparimeve formale, mbeten ende dilema dhe tensione që kërkojnë një qasje kritike dhe gjithëpërfshirëse.

Fakti që shqiptarët edhe sot mbeten të nën hije të përfaqësimit institucional realisht dhe të indoktrinuar në një sistem ku u mungon fuqia ekzekutive dhe kompetenca e plotë për vendimmarrje në shtetin ku janë popull autokton dhe përbërës i rëndësishëm historik nuk mund të anashkalohem më edhe nën frymën e BE-së?. Aktualisht i gjithë procesi ngjan shqetësueshëm me fazat e fundit të procesit politik të ish-Jugosllavisë para shpërbërjes së saj. Atëherë, dominimi politik i Serbisë dhe frika e humbjes së kontrollit mbi shtetin shumëkombësh prodhoi mekanizma shtypës ndaj popujve të tjerë, duke i shtyrë proceset drejt polarizimit ekstrem dhe, përfundimisht, drejt luftërave. Në një analogji bashkëkohore, në Maqedoninë e Veriut vërehet një paradoks politik: shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si faktor dytësor shtetëror, ndërkohë që kërkesat e bullgarëve për status shtetformues pranohen dhe institucionalizohen nën presionin e integrimeve evropiane.

Kjo ngre pyetje të rëndësishme mbi drejtimin e proceseve politike në vend se: a do të pranojë Maqedonia e Veriut, përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të rishikojë karakterin e saj shtetëror dhe t’u njohë shqiptarëve një status real shtetformues, apo do të vazhdojë një model administrativ që i përjashton ata nga sovraniteti politik, duke rrezikuar destabilizim të brendshëm? Në këtë kontekst, dilema nuk është vetëm institucionale, por edhe morale e historike: a do të zgjidhet rruga e barazisë dhe bashkëjetesës politike, apo ajo e sabotimit dhe rezistencës ndaj një administrate që perceptohet si e huaj dhe jolegjitime nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të saj. Pavarësisht përparimeve formale dhe retorikës evropiane, këto tensione strukturore mbeten të pazgjidhura dhe kërkojnë një qasje kritike, gjithëpërfshirëse dhe të sinqertë për të kuptuar jo vetëm të shkuarën, por edhe rreziqet dhe perspektivat reale të së ardhmes politike të vendit.

Shqiptarët janë popullësi autoktone në territoret që sot përfshihen në Maqedoninë e Veriut, fakt ky i dokumentuar nga burime historike, etnografike dhe gjuhësore, dhe i dëshmuar nga prania e pandërprerë e tyre në qytete dhe rajone si; Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari, Kerçova, Struga, Ohri, Dibra, Manastiri, Velesi, dhe zona të tjera, pra shumë shekuj përpara se të formësohej identiteti kombëtar maqedonas apo të krijohej ndonjë entitet shtetëror me këtë emër. Megjithatë, ky realitet historik nuk është reflektuar asnjëherë në rendin politik dhe kushtetues që u ndërtua mbi këto territore gjatë shekullit XX. Pas ndarjeve territoriale të vitit 1913, të vendosura nga Fuqitë e Mëdha pa pjesëmarrjen dhe pa pëlqimin e populisisë shqiptare vendase, shqiptarët u gjendën brenda kufijve të shteteve të reja si element i padëshiruar politikisht, duke u trajtuar jo si popull autokton me të drejta kolektive, por si komunitet periferik që duhej administruar, kontrolluar dhe shpesh asimiluar. Ky pozicion i imponuar u thellua gjatë periudhës së Mbretërisë Serbo-Kroato-Silovene (SKS) dhe më pas në Jugosllavinë socialiste, ku shqiptarët në Maqedoni u perceptuan si rrezik territorial dhe u përballën me politika sistematike përjashtuese në arsim, përfaqësim institucional, zhvillim ekonomik dhe përdorim të gjuhës amare.

Krijimi i shtetit të pavarur të Maqedonisë (së Veriut) në vitin 1991, në vend që të shërbente si moment korrigjues i padrejtësive historike të trashëguara nga periudha jugosllave, në fakt i thelloi dhe i institucionalizoi ato, pasi procesi i shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimi i rendit të ri kushtetues u realizuan mbi një koncept ekskluziv të shtetformimit, i cili e përkufizoi Magedoninë si shprehje të vullnetit politik të vetëm një populli “shtetformues”, duke i përjashtuar shqiptarët nga statusi i bashkëthemeluesit të shtetit, ndonëse ata përbënin një popull autokton, një faktor të rëndësishëm demografik dhe një komunitet me kontribut historik të pamohueshëm në këtë hapësirë.

Referendumi i 8 shtatorit 1991 për shpalljen e pavarësisë nga (ish) RSFJ-ja, i cili formalisht u paraqit si akt demokratik i vetëvendosjes, në përmbajtje dhe formulim politik ishte thellësisht problematik për shqiptarët, pasi pyetja e referendumit ishte ekstremiste: “A jeni për një Maqedoni sovrane dhe të pavarur, me të drejtën për të hyrë në një federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?“, e cila reflektonte kompromiset e elites sllavo-maqedonase me segmentet proserbe të shoqërisë dhe ruante hapur mundësinë e rikthimit në një strukturë federative jugosllave, gjë që për shqiptarët nënkuptonte vazhdimësi të politikave shtypëse dhe mohim të të drejtave kolektive.

Pikërisht për këtë arsye, bojkotimi i referendumit nga shqiptarët nuk ishte akt destruktiv, as shprehje e mungesës së lojalitetit ndaj shtetit qe po krijohej, por një reagim politik i vetëdijshëm dhe legjitim kundër një procesi të njëanshëm, ku ata nuk ishin trajtuar si subjekt politik i barabartë, por si objekt pasiv i vendimeve të shumicës, duke u përjashtuar që në fillim nga e dreita për të bashkëvendosur mbi natyrën dhe karakterin e shtetit. Ky përjashtim u vulos përfundimisht me miratimin e Kushtetutës së 17 nëntorit 1991, e cila u votua pa konsensus ndër-etnik dhe pa pjesëmarrjen e deputetëve shiptarë, duke e përcaktuar Maqedoninë e Veriut si shtet kombëtar të maqedonasve, ndërsa shqiptarët u reduktuan në statusin e pakicës kombëtare, pa të drejta shtetformuese, pa njohje si populi përbërës dhe pa mekanizma reale të barazisë politike, çka e shndërroi rendin kushtetues në një instrument legalizimi të diskriminimit strukturor.

Në këtë kontekst përjashtues, referendumi i shqiptarëve i mbajtur më 11 dhe 12 janar 1992 për pavarësi politike-territoriale përfaqësonte një përpjekje të vonuar, por të domosdoshme, për vetëorganizim politik dhe artikulim institucional të vullnetit kolektiv shqiptar, ku mbi 383 mijë qytetarë shqiptarë morën pjesë dhe shumica dërrmuese u shprehën pro autonomisë (-pavarësisë), duke dëshmuar qartë se shqiptarët nuk e refuzonin bashkëjetesën, por refuzonin nënshtrimin dhe mohimin e barazisë. Megjithatë, fakti që ky referendum nuk u njoh ndërkombëtarisht dhe u injorua nga autoritetet e Shkupit dëshmoi qartë standardin e dyfishtë në trajtimin e të drejtës së vetëvendosjes, ku vullneti i popullësisë sllavo-maqedonase u njoh dhe u institucionalizua, ndërsa vullneti i shqiptarëve u shpërfill dhe u delegjitimua, duke krijuar një hendek të thellë politik, institucional dhe shoqëror që më pas do të shndërrohej në konflikt të hapur.

Si pasojë e këtij përjashtimi sistematik dhe vazhdimit të politikave shetërore që në thelb pasqyronin modelin represiv të trashëguar nga Serbia ndaj shqiptarëve, shpërtheu konflikti i armatosur i vitit 2001, i cili nuk ishte shkak, por pasojë e akumuluar e mohimit të të drejtave kolektive, dhe që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, një dokument që në mënyrë të vonuar dhe me kosto të madhe për shqiptarët, Maqedonia pranoi realitetin multietnik të shtetit, dhe nevojën për rikonceptim të tij. Në këtë fazë historike, një element shtesë i hendikepit politik për shqiptarët ishte edhe fakti se shqiptarët e besimit ortodoks, të cilët potencialisht mund të kishin luajtur rol ndërmjetësues ose korrektues brenda administratës shetërore, ishin pothuajse të padukshëm politikisht, pa zë publik dhe tërësisht të nënshtruar ndaj strukturave shtetërore maqedonase, duke u asimiluar ose instrumentalizuar në funksion të vazhdimësisë së politikave diskriminuese, çka e dobësoi edhe më tej qëllimin dhe përfaqësimin e interesave shqiptare në tërësi.

Pasojat e këtij ndërtimi të njëanshëm shtetëror janë reflektuar për dekada në forma të ndryshme diskriminimi strukturor institucional, përfshirë mohimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe për një periudhë të gjatë, përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet kyçe të shtetit, procese gjyqësore të motivuara politikisht, shkelje të së drejtës së pronës dhe mungesë reale të barazisë para ligjit. Edhe Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, ndonëse ndihmoi në stabilizimin e situatës dhe përmirësoi disa aspekte të jetës institucionale, nuk e zgjidhi problemin themelor, sepse e trajtoi çështjen shqiptare si problem të të drejtave të pakicave, dhe jo si çështje të statusit shtetformues të një populli autokton.

Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit: shqiptarët nuk trajtohen si të huaj për shkak të mungesës së integrimit apo për shkak të dallimeve kulturore, por sepse rendi politik dhe kushtetues mbi të cilin është ndërtuar shteti i Magedonisë së Veriut nuk e njeh autoktoninë dhe rolin e tyre bashkëthemelues. Kjo mungesë njohjeje prodhon automatikisht politika përjashtuese dhe e redukton kërkesën për barazi në një çështje teknike të të drejtave të njeriut, duke shmangur debatin parimor mbi karakterin real të shtetit. Prandaj, ngritja e kësaj çështjeje në instanca ndërkombëtare nuk duhet parë si pranim i një statusi inferior, por si përpjekje për të ekspozuar një padrejtësi historike dhe strukturore që nuk mund të zgjidhet vetëm përmes mekanizmave të brendshëm politikë, të ndërtuar mbi një themel përjashtues.

Pa njohjen e shqiptarëve si popull autokton dhe bashkëthemelues të shtetit, çdo reformë mbetet e pjesshme dhe çdo përmirësim i përkohshëm. Në këtë kuptim, zgjidhja afatgjatë nuk qëndron vetëm në garantimin e të drejtave individuale, por në rikonceptimin e shtetit si një entitet i ndërtuar mbi barazinë reale të popujve që e përbëjnë, duke e shndërruar autoktoninë nga një fakt i heshtur historik në një parim të pranuar politik dhe kushtetues.

( Vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.