Letrat e Jusuf Gërvallës në vitet e përpjekjeve për liri të Kosovës

0
Jusuf Gërvalla

[ Shkarko vëllimin me letra në PDF, 115 faqe ]

Jusuf Gërvalla – një tribun i përpjekjeve të shqiptarëve për liri në Kosovë, në veprimtarinë e tij patriotike dhe në përpjekjet e tij për liri bashkë me shokët e tij, të asaj kohe, kishin synim shpalljen e Kosovës Republikë dhe shkëputjen nga Jugosllavia e Serbia dhe bashkimin me Shqipërinë. Ata u inspiruan padyshim edhe nga Shqipëria e kohës dhe udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, i cili u dha realisht edhe mbështetjen e tij gjatë asaj kohe. Sa e si, kjo mbetet për diskutim.

Jusufi bashkë me vëllain e tij Bardhoshin dhe veprimtarin e shquar Kadri Zeka, u vranë me 17 janar të vitit 1982, ndërsa në atë natë me borë po shkonin te një kuti telefonike, ku Kadria donte të fliste me të shoqen, me të cilën sapo ishte martuar, pasi Jusufi e Bardhoshi nuk kishin telefon në shtëpi në atë kohë. Vrasja u krye nga shërbimet e UDB-së së kohës dhe aurorët e këtij krimi makabër nuk u gjetën kurrë.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla - Kadri Zeka

Ky vëllim me letra të Jusufit na u mundësua nga veprimtari i shquar i Lëvizjeve ilegale të kohës, Ibrahim Kelmendi, i cili ishte me bashkëluftëtarët e tij për liri, po atë ditë që ata u vranë, deri nga ora 6 e pasdites, pastaj ai u largua për një aktivitet në një klub të shqiptarëve. Edhe mbi Ibrahimin ranë dyshime në lidhje me vrasjen e këtyre veprimtarëve të dalluar, dhe ai e sqaron këtë situatë në librin e tij Atentatet, dhe në shkrime të tjera, ku padyshim e përjashton veten nga implikimi në këtë vrasje.

Më poshtë po japim letrën e parë në këtë vëllim, që Jusufi ia dërgon Enver Hoxhës në prill 1980.


  • Letër Enver Hoxhës, prill 1980

I dashur shoku Enver!

Djali im i vogël, dy vjeç e gjysmë, po llafosej me të motrën, tetë vjeçe ndaj të gdhirë, “Dua”, i thoshte asaj, të vij me ty në shkollë! “Kur të rri­tesh edhe pak” , ia ktheu ajo dhe shtoi me një dëlirësi të dhembshur fëmijënore: “Kur t’i bëhesh ti motrës për shkollë, ne do të jemi në Shqi­përinë tonë të dashur!”

Cicërrimë më të ëmbël, po edhe më prekëse, për të më nxjerrë gjumin e një mëngjesi të gdhirë me përtesë në dhe të huaj-thuaja se nuk kish.

Isha i lumtur që fëmija im s’e hiqte mendjeje mundësinë për të jetuar në Shqipërinë tonë të dashur. Por fjalët e saj më prekën shumë se sendërtimin e dëshirës së fëmijëve të mi dhe gjakimin tim, nuk e kisha unë në dorë.

Më 14 dhjetor të vitit të kaluar, UDB-ja e Pejës e arrestoi në shtëpinë e lindjes, në katundin Dubovik (afër Deçanit), vëllaun tim të madh, Hysen Gërvallën. Po këtë ditë, UDB-ja e Prishtinës mua ma kishte bastisur banesën në Prishtinë, pa prezencën time. Lajmin e hidhur ma solli në punë (në gazetën “Rilindja”) shoqja ime, menjëherë pas bastisjes dhe pas largimit të inspektorëve të UDB-së nga banesa. Lidhur me arrestimin e vëllaut tim të madh dhe me materialet ilegale, që kishin shtënë në dorë organet e Pejës, atë gruan time, e kishte informuar një kushëriri im i parë.

Materialet propagandistike të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës si dhe makina ilegale e shkrimit, në rast dorëzimi, do të më ngarkonin me shumë vjet burgim të rëndë. Pos kësaj, në sajë të mjeteve moderne që përdor UDB-ja gjatë hetimeve, nuk ishte e përjashtuar mundësia që, pa marrë parasysh këmbënguljen time, UDB-ja mund të zbulonte edhe ndonjë sekret lidhur me Lëvizjen.

Prandaj, duke marrë pëlqimin e shokut të parë të Lëvizjes, anëtar i Komitetit Qendror, unë u arratisa aty për aty. Më datë 21 dhjetor arrita në Ludvigsburg të RF Gjermane dhe u strehova te vëllau im i vogël Bardhosh Gërvalla, i cili këtu punon që nga viti 1974. …

Unë, me të arritur në Ludvigsburg, i bëra telefon Ambasadës Shqiptare në Vjenë dhe prej shokëve të atjeshëm kërkova ndonjë këshillë se si mund të ruhem nga gabimet në një botë, ku nuk kisha qenë kurrë më parë dhe ku, pasi kisha ardhur pa pasaportë e më duhej të kërkoja azil politik, kishte mundësi edhe për ndonjë gabim. Pak ditë më vonë, këtë gjë si dhe kërkesën për shqyrtimin e mundësive që të më jepet mundësia e strehimit në RPS të Shqipërisë, ia komunikova edhe me gojë njërit prej shokëve të Ambasadës së përmendur.

Nga ajo kohë u bënë afro katër muaj dhe lidhur me kërkesën time nuk mora ndonjë përgjigje.

Ndërkohë, me iniciativën time, në të përjavshmen gjermane “Der Shpigel”, u botua një artikull i gjatë për situatën aktuale në Kosovë, pas arrestimeve masive të shqiptarëve, të cilët duhet të përgjigjen para gjyqit jugosllav për vepra “kundër popullit dhe shtetit”. Pos kësaj, gazetës së këtushme majtiste “Tageszeitung” i dhash edhe një intervistë po për gjendjen e përmendur. Shkrova edhe një numër artikujsh për gazetën ilegale shqiptare “Bash­kimi”, e cila qarkullon në radhët e punëtorëve shqiptarë me punë në Gjermani dhe në Kosovë.

Nga shokët e Kosovës më vinin kohë pas kohe porosi që të ruhesha, sepse UDB-ja, e cila është mësuar t’i qërojë me likuidime fizike hesapet me disa ustashë kroatë, kinse nuk qenka larg vendimit, që një praktikë të tillë ta aplikojë edhe me shqiptarët në botën e jashtme. Nuk mund të them se s’më kanë bërë ndonjë përshtypje këto sugjerime të shokëve, por as njerëzve të UDB-së këtu, megjithë marrëveshjet dhe bashkë­punimin jugosllavo-gjerman, nuk ua kam aq shumë frikën. Mjaf­ton që këtu nuk ka si të më kërcënojë uniforma e policisë jugos­llave, pa për të tjerat bëhet disi, rroftë arma.

Por, që nga çasti i parë i arratisjes, unë e kam pasur mendjen të strehohem në Shqipëri. Prandaj, shoku Enver, mora kurajon të Ju drejtohem Ju personalisht. Kam njoftime për marrëveshjen shqiptaro-jugosllave lidhur me ekstradimin reciprok të personave të vënë jashtë ligjit në të dy vendet. Por, sipas Nenit 65 të Kush­tetutës së Republikës Socialiste të Shqipërisë, ku thuhet: “Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë u jepet e drejta e strehimit shtetasve të huaj që ndiqen për shkak të veprimtarisë së tyre në dobi të revolucionit e të socializmit, të demokracisë e të çlirimit kombëtar si edhe të përparimit të shkencës e të kulturës”, konsideroj se mua më takon kjo e drejtë. Nuk dua të them se ma mohon kush, por, procedura e rëndomë e realizimit të saj po më dëmton fizikisht e shpirtërisht, shoku Enver. …

Nuk ishte punë e lehtë për mua të vendos që të Ju drejtohem Ju, shoku Enver, për një çështje që ndoshta nuk është e denjë te merreni me të. Në krahasim me të ligat që kanë rënë mbi kokë familjes sime para dhe pas lufte, me të ligat që kam përjetuar ve­të dhe me situatën e përgjithshme shumë të vështirë në Koso­vë, gjendja ime është, siç i themi ne nga Kosova, lule e dritës. Por, edhe deveja ka rënë, më gjunjë për një lëkurë lepuri që i është shtuar barrës së saj të rëndë.

Kur i marr parasysh çështjet në gjithë gjerësinë e tyre, kërk­esa për të m’u dhënë e drejta e strehimit në atdheun tim, më duk­et si një luks, dhe atëherë më rrëmben një ndjenjë turpi. Por i vetëdijshëm se në Kosovë, përderisa gjendja të mos ndërrojë rrë­njësisht, këmba ime s’ka si shkel më sa të jem gjallë, e në anën tjetër, me këtë botë të huaj s’më lidh asnjë cikërrimë dhe këtu nuk shoh kurrfarë perspektive, e vetmja rrugë e drejtë dhe e njerëzi­shme më duket jeta në Shqipëri.

Jam i vetëdijshëm edhe për disa probleme të pahijshme, që kanë shkaktuar disa kosovarë, duke dalë me qëllime të ulëta në territorin e RPS të Shqipërisë. Për fat, makinacionet e UDB-së, që në Kosovë e viset e tjera shqiptare brenda kufijve politikë të Jugosllavisë kanë bërë kërdinë në dëm të popullit tonë, në shtetin shqiptar s’kanë gjetur shesh për të bërë përshesh. Mirëpo, duke qenë njeri i përvuajtur, i thjeshtë dhe i vetëdijshëm për dashurinë që kam ndaj nënës Shqipëri, jam i sigurtë se unë s’do të merrja në asnjë mënyrë rrugën e atyre djemve bastardë të Kosovës, që janë vënë në shërbim të armikut, por do të ndiqja shembullin e ca të tjerëve, si Ajet Haxhiu, Agim Gjakova e ndonjë tjetër, të cilët kurdoherë kanë mbetur burra të ndershëm.

(Kjo letër përfundon pa emër, eshte letër e Jusuf Gërvallës, dërguar në prill 1980 – shënimi im – F.Tafallari)

(U botua për herë të në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011, së bashku me shkrimin e Faridin Tafallarit, Kur shkruante Jusuf Gërvalla)[1]

[1] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 218-219

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.