Dëshmi Jete – nga periudha e regjimit komunist në Shqipëri

0
Nikolin Sh. Lëmezhi

Bashkëndaj historinë time dhe gëzimin që jam bërë i krishterë në një vend ku, për vite me radhë, feja është kultivuar në heshtje dhe në fshehtësi.

Do të quhet… siç dëshiron partia

Kam lindur, më 4 shtator të vitit 1977 në fshatin Blinisht të Lezhës, kur regjimi totalitar komunist ishte në maksimumin e pushtetit të vet, me realizimin e një ateizmi të plotë. Në fakt, me urdhër të Enver Hoxhës doli ligji për ndalimin e fesë në Shqipëri. Pikërisht, më 6 shkurt 1967, në një fjalim plot mllef dhe ndër më famëkeqët që mbajti diktatori i atëhershëm Enver Hoxha, Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”. 10 vite më pas, përsëri me urdhër të Enverit doli ligji për ndalimin e fesë në Shqipëri dhe shumë klerikë të të gjitha feve u përndoqën, u arrestuan dhe u dëbuan me akuza të tilla si: Spiunë i armiqve të popullit shqiptar, agjentë të Vatikanit, apo edhe me akuza të tjera të rreme. Komuniteti që u godit më shumë ishte ai katolik, por përveç tij edhe ai ortodoks e protestant, i cili nuk u njoh kurrë nga shteti dhe i cili për shkak të rrënjëve anglo-saksone, shihej me dyshim. Shumë Xhami, Kisha apo Teqe, ose u shkatërruan krejtësisht, ose u kthyen në stalla, magazine apo qendra kulturore.

Me Kushtetutën e re të vitit 1976, vendi ynë u bë zyrtarisht vend ateist (Në Ligjin Nr. 5506, të datës 28. 12. 1976, neni 37, thotë: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botkuptimin materialist shkencor”). Krahas kësaj, propaganda antifetare filloi të ndihej kudo, sidomos në filmat që prodhonte kinostudioja Shqipëria e Re e që fatkeqësisht akoma transmetohen nga kanalet televizive shqiptare, pa i përgatitur fëmijët dhe të rinjtë për mesazhin e indoktrinuar me ideologjinë komuniste, që vazhdon të depërtojë në brezat e sotëm.

Me anë të një ligji ndaloheshin edhe përdorimet e emrave fetarë për fëmijët e sapolindur dhe prindërve iu vunë në shërbim lista me emra që caktonte pushteti i atëhershëm.

Me pengesën për të më vënë një emër shenjti u hasën edhe prindërit e mi. Në fakt, ata pas disa javësh pasi unë kisha lindur, u paraqitën në zyrën e gjendjes civile për të regjistruar emrin tim. Së bashku kishin menduar të më quanin Nikollë, nga devocioni i madh që, si shumë katolikë në botë, kanë për shenjtin homonim Nikolla nga Mira.

Kur hynë në zyrën e gjendjes civile, iu qe kërkuar atyre se cilin emër donin t’i vinin fëmijës. Përgjigjja qe: Nikollë. Me durim e kthjelltësi, punonjësi i zyrës shikoi një listë të gjatë por qe e kotë: emri Nikollë nuk rezultonte në listën e parashikuar nga partia, për faktin se ishte emër shenjti. Siç e thamë edhe më sipër, regjimi totalitar komunist, po përdorte të gjitha mënyrat dhe sistemet për të çrrënjosur nga populli çdo ndjenjë fetare.

Përballë kësaj situate, prindërit e mi mbetën të habitur e të shtangur, por zgjuarsia e Shpirtit iu dha atyre një dritë: me pak dinakëri të shëndoshë, provuan të më vinin një emër që ngjan me emrin Nikollë. Kështu propozuan emrin Nikolin (që vjen tamam nga emri Nikollë), me shpresën që ky emër të mund të ishte në listën e partisë. Kur përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile u përgjigj pozitivisht, babai i gëzuar, por edhe me pak ironi, thirri: “Atëherë do të quhet Nikolin, ashtu siç do partia!”.

E kështu, që nga ajo ditë më kanë thirrur Nikolin; do të ishte më mire të them “që nga ajo natë”, sepse atëherë mbretëronte një regjim, që mbillte frikë dhe tmerr dhe nuk iu lejonte njerëzve të realizonin as të drejtën më themelore, siç ishte liria për t’i vënë emrin fëmijës.

Që kur isha fëmijë më është treguar kjo histori dhe unë e kam përjetuar këtë gjë me shumë krenari, sepse prindërit e mi, pavarësisht çdo gjëje, ishin të lumtur për këtë emër. E dinin, sidoqoftë, se gjëja më e rëndësishme ishte se më kishin vendosur nën mbrojtjen e veçantë të Shën Nikollës së Barit, i cili festohet, më 6 dhjetor të çdo viti.

Të kalohet nga Nikollë në Nikolin ka qenë një ndryshim i thjeshtë, por që sigurisht e ka bërë më të bukur dhe tërheqëse historinë e emrit tim, madje, një ndryshim i vogël i cili ka qenë nxitje që të bëjë të lindë një histori… dhe pikërisht një histori që vazhdon.

Atë herë të parë…

Në Shqipëri, gjatë viteve të regjimit komunist, ndodhte që njerëzit të shkonin në disa shenjtërore që ishin mbi male, që të mund të luteshin. Ishte një gjest i jashtëm për të shprehur besimin e tyre në Jezusin, devocionin ndaj Virgjërës Mari dhe ndaj disa shenjtërve. Më kujtohet se nëna ime vazhdimisht e bënte këtë praktikë të përshpirtshme, nganjëherë vetëm dhe nganjëherë me shoqet e veta. Nëna ime, si pelegrine (shtegtare), shkonte zakonisht në Shenjtëroren e Shën Ndout në malin e Troshanit ose në Shenjtëroren e Shenjtes Eufemia në malin Velë të Kallmetit.

Gjithë kjo bëhej në sekret e në fshehtësinë më të madhe.

Na thoshte ne fëmijëve me zë të ulët: «Tani po shkoj në Kishë (nuk bëhej fjalë për një Kishë siç e mendojmë ne sot në këto ditë lirie, sepse atëherë vendet e kultit kishin qenë shkatërruar ose përdoreshin për qëllime të tjera, por thjeshtë për vende ku gjendeshin gërmadha)».

Atëherë isha i vogël dhe nuk imagjinoja se çfarë mund të ishte një Kishë (flas për Kishën ku ne shkojmë të lutemi si vend kulti), edhe për faktin se askush nuk më fliste për këto gjëra (ishte e ndaluar të flitej për çka i përkiste fesë apo besimit). Shpeshherë kisha dëgjuar të dalë nga goja e nënës sime këtë fjali: «Po shkoj në Kishë!». Një ditë e mora guximin dhe i kërkova nënës të më marrë edhe mua në Kishën, në të cilën ajo shkonte. Ajo më tha se ishte e mundur të shkoja, por më lajmëroi se do të duroja lodhjen e dy ose tri orë udhëtimi në këmbë dhe se gjatë natës nuk do të ishte e mundur të flija. E kështu ndodhi që unë u nisa për herë të parë me nënën time, ndërsa po errej, që të shkoja në Kishë. Ishin me ne edhe besimtarë të tjerë.

Më kujtohet se gjatë udhëtimit flisnim me zë të ulët që të mos na dëgjonin komunistat, të cilët kontrollonin gjithçka. Të ngjitej ai mal ishte diçka rraskapitëse, gjë e natyrshme për një fëmijë si unë, në klasën e tretë fillore, por kisha një ndjenjë gëzimi të thellë shpirtëror, që nuk di ta shpjegoj me fjalë. Që të hynim në Shenjtëroren ku ishim drejtuar duhej të kalonim një përrua të vogël, të cilin legjenda e konsideronte përrua të bekuar. Më kujtohet si të ishte tani kur e kaluam atë përrua. Menjëherë u gjetëm përballë disa gërmadhash, gurë grumbull dhe pak mure që kishin mbetur në formën e një rrethimi të ulët. Përpara se të hynim në atë “rrethim” nëna hoqi këpucët dhe, me t’u gjunjëzuar puthi tokën, gurët e hyrjes së Shenjtërores dhe filloi të thërrasë ndihmën e Hyjit e të Shën Ndout.

Tek shihja këto gjeste, një rrënqethje e thellë ma përshkoi gjithë trupin tim, dhe, si të isha i udhëhequr nga një dorë e mistershme, fillova edhe unë të puthja ata gurë e të lutesha “ashtu siç më vinte”… Oh, ç’emocion…! Sa lumturi! Sa përqëndrim shpirtëror! U ktheva në shtëpi me nënën plot me gëzim në zemër me një përvojë të bukur e të thjeshtë të “Hyjit të Panjohur”, për të cilin në shkollë askush nuk na fliste… U ktheva i lumtur për “atë herë të parë”, për atë të bekuar herë të parë kur u gjunjëzova për të adhuruar Hyjin tim. …dhe akoma ishte natë!

Më duket bukur ta mbyll këtë dëshmi jete me një tregim nga “Manuali i Luftëtarit të Dritës” i Paulo Coelho:

«Luftëtari i dritës lexon me kujdes një tekst që Shpirti i Botës ia frymëzoi Kiko Ksavierit: Kur ti arrin të kapërcesh probleme të mëdha, mos u ndal në kujtimin e momenteve të vështira, por në gëzimin që arrite ta kapërcesh këtë provë! Kur ti del nga një trajtim i gjatë, për të rimarrë shëndetin, mos mendo për vuajtjen që të është dashur të përballosh, por në bekimin e Zotit që ka lejuar shërimin! Mbaji në mend gjatë tërë kohës që do të jetosh, gjërat pozitive që janë shfaqur në mes të vështirësive! Ato do të jenë një provë e aftësive të tua dhe do të të japin besim para çdo pengese».

Por nuk mbaron me kaq…

… unë po të pagëzoj… por ti mos i trego askujt!

Në mal të Velës, në Kallmet të rrethit të Lezhës, në Shqipëri, gjendet shenjtërorja e hershme e shenjtes Eufemi (në gjuhën popullore Kisha e Shënmisë). Natyrisht, edhe ajo ka pësuar të njëjtin fat të Kishave të tjera, d.m.th., shkatërrimin. Kanë mbetur vetëm pak pjesë të vogla të atyre mureve të shenjta. Në hyrje, ajo që të godet është një burim uji që del nga dyshemeja nën altar. Gojëdhëna thotë se, ndërsa punëtorët po ndërtonin Shenjtëroren, u mungoi uji për të pirë e, duke mos gjetur zgjidhje ndaj këtij problemi, iu drejtuan Shenjtes Eufemi. Kaloi aty një vajzë e re, dhe ja që, duke prekur me të djathtën e saj shkëmbin nën altar, bëri që të burojë ujë të bollshëm e të freskët. Vajza u zhduk befasisht prej syve të tyre. Punëtorët, të mrekulluar prej kësaj ndodhie, kuptuan se mrekullinë e ka bërë shenjtja së cilës i shin lutur. Akoma në ditët e sotme, ai ujë vazhdon të burojë dhe konsiderohet ujë i bekuar e mrekullibërës nga besimtarët shtegtarë që në të gjitha kohët shkojnë atje për t’u lutur. Gurët e vjetër dhe prania e atij uji të gjallë, brenda një Kishe të ambientuar atje lart në mal në mes të një gjelbërimi dhe aromash lulesh të egra, i japin atij vendi të mistershëm një bukuri të rrallë, plot me praninë e Hyjit.

Gjatë viteve të regjimit totalitar komunist, që ndalonte çdo shprehje fetare, besimtarët shkonin në mal, gjatë natës, fshehtas, që të preknin ato gërmadha të shenjta, duke shprehur kështu besimin e tyre, i cili megjithë persekutimin, ishte i gjallë dhe i qëndrueshëm. Në fakt, në hyrje të Ligjit nr. 5506, të datës 28. 12. 1976 në Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, atëherë thuhej: […] U shembën bazat e obskurantizmit fetar. Figura morale e njeriut punonjës, ndërgjegjja dhe botëkuptimi i tij formohen në bazë të ideologjisë proletare, e cila është ideologjia sunduese. […]. Dhe në Nenin 37 të po këtij Ligji: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”. Megjithëkëtë, edhe familja ime, herë pas here shkonte atje, në Kishë, por njëra prej këtyre netëve ka shënuar thelbësisht historinë e jetës sime:

“Ishte 15 shtatori i vitit 1989. Së bashku me nënën time Luken e me vëllain tim Prekën (dy vjet më i vogël se unë), vendosëm të shkojmë në këtë shenjtërore. Me të mbërritur atje, gjetëm shumë njerëz, të ardhur nga të gjitha skajet e Shqipërisë, që luteshin dhe tregonin përvojat e tyre fetare si të krishterët e parë në katakombe. Ndërsa po luteshin, u afrua pranë nesh një burrë (laik), i cili e pyeti nënën time nëse ne ishim të pagëzuar e kur nëna ime u përgjigj “jo”, ai tha se po të donim do të ishte e mundur të pagëzoheshim në atë moment. Ne u treguam entuziastë për të marrë këtë Sakrament, gjë që dëshironim me kohë. Fillimisht, ai burrë, me zë të ulët, na tha të largoheshim nga grupi, që të mos binim në sy se po bëhej një ceremoni fetare, nga frika se mund të gjendej ndonjë që padiste. U shkëputëm, pra, prej të tjerëve, në një zonë më të errët, e pikërisht në një cep afër derës jashtë Kishës e kështu filloi kremtimi.

Pas një shpjegimi të shkurtër mbi domethënien e Sakramentit të Pagëzimit, atë natë, nën një qiell me yje, pak më tutje nga një zjarr i madh i ndezur prej besimtarëve, e ndërsa vera po i linde vendin vjeshtës, kur uji po zbriste mbi kokën time, ai burrë tha për mua: «Nikolin, unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt… por ti mos i trego askujt!». Ishte terror, tmerre, edhe të përmendej çështja e besimit në Zot, sepse vendin e Zotit ishte munduar në të gjitha format ta zinte diktatori. Në Nenin 55 të Ligjit të sipërpërmendur thuhej edhe: “Ndalohet krijimi i çfarëdo organizate me karakter fashist, antidemokratik, fetar dhe antisocialist!”.

Megjithëse kisha përjetuar një Pagëzim natën, mes frikës dhe pasigurisë, nuk është e mundur të harroj agimin e asaj dite, që më gjeti krijesë të re, i rrethuar nga një blerim mistik; një ditë e shenjtë, me qiellin e kthjellët që hapej përpara meje e në zemrën time ndjeja një gëzim të jashtëzakonshëm që kurrë nuk kisha provuar në jetën time gjer në atë çast. Ndërsa po ktheheshim në shtëpi, unë vrapoja i lumtur tek zbrisja nga “ai mal i shenjtë” dhe vija re se diçka e bukur, e mbinatyrshme kishte ndodhur në ekzistencën time. Isha thjesht një 12-vjeçar”.

«…por ti mos i trego askujt!»: vetëm pak fjalë të shtuara në formulën e Pagëzimit, por që tregojnë mjaft mirë gjendjen e katolikëve dhe të besimtarëve të të gjitha feve gjatë katërdhjetë viteve të regjimit komunist në vendin tonë. Ato katërdhjetë vite që s’dinin të kishin fund! Për shumë kohë nuk e kam parë më atë njeri, por jehona e zërit të tij tingëllonte gjithmonë brenda meje dhe një ndjenjë gëzimi e përzier me frikë banonte vazhdimisht në shpirtin tim.

Rastësisht, pas shumë vitesh, në ndalesën e një autobuzi, ndërsa po shkoja për shërbesën e katekizmit në një fshat, një burrë drejtohet për tek unë e pa më thënë asgjë më hidhet në qafë për të më përqafuar dhe më pyet nëse e dija se kush ishte. Unë, i përmalluar dhe me zë të dridhur, i thashë: «Ti je Ndrecë Haxhari, nga Rragami, ai që më ka pagëzuar!». Ato fjalë që i shqiptova me vrullin e momentit e turbulluan menjëherë shpirtin tim, i frikësuar për faktin se nuk jam treguar besnik ndaj marrëveshjes për të heshtur: «…unë po të pagëzoj…por ti mos i trego askujt!». Ishte një ndjenjë e çuditshme që më përshkonte: me të takuar atë njeri, përpara të gjithëve, unë kisha zbuluar atë që ai kishte bërë për mua! Ndokush mund të më thotë se po e teproj, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për një sekret të vogël që unë e kam zbuluar. Mbase është e vërtetë, por ky sekret i vogël, po t’i zbulohej Sigurimit (policisë politike të diktaturës së Enver Hoxhës), do të mund të kishte shkaktuar pushkatimin e tij.

Po e mbyll këtë dëshmi jete me një lutje të shkurtër: Të falënderoj, o Zot, për jetën e re që Ti më ke dhënë! Bëj që sot unë të jem rrezatim i Trinisë Shenjte e kështu qoftë në çdo çast të jetës sime! E Ti, o Zoja e Bekuar, Nëna e Jeruzalemit të Ri, nxënësja e parë e Shpëtimtarit dhe grua e heshtjes, lutu që çdo krijesë njerëzore të lindë në jetën e re nëpërmjet ujit dhe Shpirtit Shenjt! Amen! Aleluja!

            Nikolin Sh. Lëmezhi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.