TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 35 )

0
Traktet në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

THIRRJET E ILEGALES SHQIPTARE

Thirrja si formë mobilizuese

Në historinë e qëndresës shqiptare nën regjimin shtypës jugosllav, fjalët nuk kanë qenë vetëm mjet komunikimi – ato janë bërë armë. Aty ku nuk vepronin dot as organizatat legale, e as strukturat politike të lejuara, vepronte fjala e shkruar në fshehtësi, e përhapur nga duar të guximshme dhe e lexuar me etje nga një popull i etur për të vërtetën. Mes formave të shumta të këtij komunikimi të fshehtë, përveç trakteve që ndriçonin rrugën e rezistencës dhe thërrisnin për vetëdije kombëtare, një vend të veçantë zinte edhe “thirrja”, si një format i veçantë retorik e emocional, që botonte shtypi ilegal shqiptar.

Kjo “thirrje”, që publikohej në faqet e gazetave ilegale – si “Liria”, “Zëri i Kosovës” apo organe të tjera të lëvizjes ilegale – nuk ishte një tekst i zakonshëm, ajo ishte zëri i brendshëm i popullit, i artikuluar në mënyrë të qartë, urgjente dhe me tone të thella emocionale e politike. E ndërtuar si një apel ndërgjegjeje, si një klithmë që kërkonte jo vetëm dëgjim, por edhe veprim, thirrja shërbente si një formë unike e mobilizimit popullor.

Pikërisht kjo strukturë e drejtpërdrejtë dhe e ngarkuar me taban kombëtar e bënte thirrjen shumë të fuqishme në ndikim. Ajo nuk fliste në mënyrë abstrakte, por ajo drejtohej me emër te punëtori, te studenti, te mërgimtari, te çdo shqiptar që kishte në gjak ndjenjën e përgjegjësisë për çështjen kombëtare. Në një kohë kur shtypi zyrtar përhapte propaganda dhe falsifikonte realitetin, thirrja ilegale bëhej mediumi më i besueshëm i të vërtetës, një dritare ku populli mund të shihte realitetin pa filtra e pa frikë.

Jehona e kësaj forme komunikimi ishte e jashtëzakonshme. Në Kosovë, ajo përhapej në mënyrë të kujdesshme dhe të rrezikshme, por ndikimi i saj ishte i thellë, nxiste protesta, mbante të gjallë frymën e bashkimit dhe demaskonte propagandën shtetërore. Ndërkohë, në mërgatë, thirrja ilegale arrinte të krijonte një lidhje shpirtërore dhe politike ndërmjet mërgimtarëve dhe atdheut të tyre të pushtuar. Ajo ndihmonte në ruajtjen e vetëdijes kombëtare edhe larg vendlindjes dhe shërbente si katalizator për organizimin e demonstratave, mbledhjeve dhe formave të tjera të qëndresës në Perëndim.

Përmes tonit të saj emocional, frymës kombëtare dhe forcës morale, thirrja nuk ishte vetëm një tekst, ajo ishte ndërgjegje e shkrirë në fjalë. Ajo krijonte lidhje të padukshme midis lexuesit dhe një ideali të përbashkët – lirisë, drejtësisë dhe barazisë kombëtare. Dhe pikërisht për këtë, ndikimi i saj zgjaste shumë më tepër se koha që duhej për ta lexuar, ajo mbetej në mendje, në shpirt, në veprim. Në përmbledhje, thirrja e publikuar në shtypin ilegal shqiptar nuk ishte vetëm një teknikë komunikimi – ishte një instrument strategjik dhe simbolik i qëndresës, që përforconte unitetin kombëtar, rrite ndërgjegjen dhe nxiste veprimin. Ajo ishte zëri i padukshëm, por i gjithpranishëm i popullit që nuk pranonte të heshtte.

Tubimet si akte ndërgjegjësimi dhe rezistence

Në periudhat kur kombi përballet me shtypje sistematike dhe dhunë institucionale, përgatitja për rezistencë nuk ndodh vetëm brenda kufijve të atdheut. Ajo zgjerohet përtej gjeografisë, përfshin zemrat dhe mendjet e atyre që ndodhen jashtë vendit, në mërgim, por që ndihen të lidhur thellësisht me vuajtjen dhe idealet e popullit të tyre. Në këtë kuadër, një ndër format më të rëndësishme të përgatitjes për rezistencë ka qenë tubimi politik, si një hapësirë jo vetëm për grumbullim fizik, por edhe për bashkim shpirtëror e kombëtar.

Për të përballuar aparatin shtypës të pushtuesit jugosllav dhe për të mobilizuar masat në funksion të një rezistence të organizuar, patriotët shqiptarë në mërgatë ndërmerrnin veprimtari të shumta, ndër të cilat tubimet publike zinin një vend të veçantë. Këto ngjarje nuk ishin thjesht mbledhje të zakonshme, por akte politike dhe kulturore të rezistencës, të ndërtuara me përkushtim dhe vizion.

Organizatorët e këtyre tubimeve ishin zakonisht figura me një të kaluar të dëshmuar atdhetare – individë që kishin kaluar nëpër përndjekje, burgje, apo që kishin qenë të angazhuar më parë në lëvizje kombëtare. Ata nuk flisnin nga distanca e sigurisë së mërgimit, por me ndjeshmërinë e thellë të dikujt që kishte ndjerë në shpirt dhimbjen e atdheut të robëruar. Fjalimet e tyre, të përgatitura me kujdes, ishin më shumë se referate – ishin thirrje ndërgjegjeje, të mbështetura mbi përvojën personale dhe ndjeshmërinë kolektive. Në to, tema bosht ishte gjithmonë gjendja e popullit shqiptar nën okupim, padrejtësitë, diskriminimi, dhuna shtetërore dhe nevoja e pashmangshme për organizim dhe qëndresë.

Tubimet me mërgatën shqiptare, veçanërisht me punëtorët tanë që punonin në shtetet perëndimore, morën hov të veçantë pas shpërthimit të demonstratave studentore në Kosovë në vitin 1981. Demonstratat shënuan një kthesë të rëndësishme në ndërgjegjen politike të shqiptarëve dhe sollën me vete një valë mobilizimi edhe në mërgatë. Në këtë kontekst, tubimet u shndërruan në pikëtakime të fuqishme mes realitetit të mërgimit dhe dramës së atdheut, duke shërbyer njëkohësisht si forume për informim, bashkërendim dhe frymëzim.

Në këto mbledhje, përveç fjalimeve, ndaheshin trakte, lexohej shtypi ilegal, diskutoheshin mënyra konkrete për të mbështetur popullin në Kosovë – qoftë përmes sensibilizimit ndërkombëtar, qoftë përmes ndihmës logjistike apo materiale. Tubimet nuk ishin vetëm ngjarje emocionale, por edhe mekanizma funksionalë të organizimit politik, që forconin lidhjen ndërmjet pjesëve të ndryshme të lëvizjes dhe e bënin më të qartë orientimin strategjik të saj.

Përmes tubimeve, mërgata shqiptare nuk qëndroi jashtë rrjedhës së historisë së kombit të saj, por u bë pjesë e saj – me mendim, me fjalë, me veprim. Ajo tregoi se distanca fizike nuk përkthehet në largësi shpirtërore, dhe se rezistenca e vërtetë, për të qenë e qëndrueshme, ka nevojë për vetëdije të shpërndarë, për solidaritet të organizuar dhe për zëra që guxojnë të thërrasin në emër të drejtësisë.

Në vazhdën e angazhimit të diasporës shqiptare gjatë periudhës së rezistencës aktive kundër shtypjes jugosllave, një nga momentet më të rëndësishme që pasqyron ndërthurjen e mendimit politik me ndjenjën kombëtare të mërgatës ishte demonstrata e mbajtur në Cyrih të Zvicrës, më 18 prill 1981. Në këtë tubim domethënës, ku mërgimtarët shqiptarë u mblodhën për të shprehur solidaritetin me popullin e Kosovës pas shpërthimit të demonstratave studentore të po atij viti, fjalën e mori një nga figurat më të ndritura të lëvizjes atdhetare: Kadri Zeka.

Në vijim, do të prezantohet një pjesë nga fjala publike e Kadri Zekës, e cila u mbajt në atë moment historik me rëndësi të veçantë për ndërgjegjësimin politik të shqiptarëve në mërgatë. Ky fjalim nuk ishte thjesht një deklaratë rasti, por një akt i fuqishëm ndërgjegjësimi, reflektimi dhe frymëzimi, që sintetizonte përvojën e vuajtjeve të popullit shqiptar nën regjimin shtypës, si dhe vizionin për organizim, unitet dhe përballje me padrejtësinë.

Fjalimi i Kadri Zekës në atë tubim përfaqëson jo vetëm zërin e rezistencës ilegale shqiptare, por edhe frymën e re që po lindte në mërgatë – një frymë që tejkalonte nostalgjinë për vendlindjen dhe shndërrohej në ndërgjegje të organizuar, politike e kombëtare, në përputhje me idealet e lirisë, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popullit shqiptar në trojet e veta.

Tronditja e Kosovës dhe heshtja e botës

Në thirrjen drejtuar mërgatës thuhej “Të dashur vëllezër dhe motra, tragjedia që po përjeton sot Kosova nuk është një ngjarje e zakonshme që do të harrohet me kalimin e kohës apo do të mbulohet nga pluhuri i harresës historike. Përkundrazi, ajo do të mbetet një ndër kapitujt më të dhembshëm, por njëkohësisht edhe më të lavdishëm, të historisë sonë shumëshekullore të përpjekjes për liri, dinjitet dhe të drejtë. Ajo është një plagë e hapur në ndërgjegjen e kombit dhe një provë e qëndrueshmërisë së popullit shqiptar përballë një pushteti që, edhe pse i pajisur me mekanizma të sofistikuar dhune dhe propagande, nuk ka mundur ta shuajë aspiratën për vetëvendosje”.

Në vazhdim, thirre shkruesi vazhdonte duke thënë se në arenën ndërkombëtare, kjo tragjedi, megjithëse e njohur, ende nuk është përjetuar me intensitetin dhe ndjeshmërinë që meriton. Në media, në forume dhe në qarqet politike flitet për Kosovën, por ftohtësia e gjuhës diplomatike ka zëvendësuar ndjeshmërinë që do të duhej të zgjonte dhuna sistematike mbi një popull të tërë. Fjala është e pranishme, por thelbi i saj shpesh mungon. E vërteta po thuhet pak, ndërkohë që po trumbetohen shumë gënjeshtra – të fabrikuara me kujdes nga makineria propagandistike jugosllave, në bashkëpunim me qarqe borgjezo-revizioniste që ndihen më të qetë kur e mohojnë realitetin.

Qëllimi i kësaj propagande është i dyfishtë, thoshte artikull shkruesi: së pari, të dezinformojë opinionin ndërkombëtar, duke paraqitur kryengritjen popullore në Kosovë si një çrregullim i brendshëm, i nxitur nga elementë “armiqësorë” apo “prapambetës”; dhe së dyti, të dezorientojë vetë popullin e Kosovës, duke i thyer besimin në drejtësinë e qëndresës së tij dhe duke e mposhtur moralisht, aty ku armët nuk mjaftojnë. Në këtë mënyrë, pushtuesi synon të rrëmbejë jo vetëm tokën, por edhe të vërtetën.

Por historia na ka mësuar se e vërteta ka durim, vazhdonte shkrimi. Ajo mund të vonohet, mund të shtrembërohet për një kohë, por nuk mund të fshihet përgjithmonë. Siç thotë urtia popullore – dielli nuk mbulohet me shoshë. Shkaku i vërtetë i demonstratave, protestave dhe përfundimisht i shpërthimit të zemërimit popullor, nuk është as i rastësishëm, as i manipuluar. Ai buron nga dhimbja reale, nga padrejtësia historike dhe nga përpjekja sistematike për nënshtresim kombëtar dhe shoqëror.

Kryengritja në Kosovë nuk është fryt i rastësisë, por shprehje e nevojës për të jetuar si të barabartë në tokën tonë. Është një revoltë e domosdoshme ndaj një regjimi që e ka mbështetur sundimin e tij mbi mohimin e të drejtave themelore njerëzore dhe kombëtare. Prandaj, përpjekjet për të shtrembëruar motivet e kësaj kryengritjeje nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje të dëshpëruara për ta fshehur dritën me pëlhurën e gënjeshtrës.

Përballë kësaj situate, mbetet detyrë morale e çdo shqiptari, kudo që ndodhet, porosiste ilegalja, të mos lejojë që e vërteta e Kosovës të mbytet në heshtje. Qëndrimi i heshtur përballë propagandës së rreme është një formë e heshtur e bashkëpunimit me padrejtësinë. Ndërkaq, fjala e guximshme, thirrja e sinqertë dhe rezistenca morale janë ndër mjetet më të fuqishme për t’i dhënë zë së vërtetës dhe për t’i qëndruar përballë çdo përpjekjeje për ta shtypur atë.

Gjendja socio-ekonomike si shkak i rezistencës

Në rrjedhën e përpjekjeve për të delegjitimuar qëndresën shqiptare në Kosovë, propaganda jugosllave ka ndërtuar me kujdes një narrativë të thjeshtuar dhe të rremë, sipas së cilës lufta e popullit tonë paraqitet si produkt i veprimtarisë armiqësore të disa “grupeve të vogla”, të etiketuara si “nacionaliste” apo “irredentiste”. Kjo mënyrë e të interpretuarit të një kryengritjeje popullore nuk është vetëm një shpifje e qëllimshme, por edhe një përpjekje për të mbuluar shkaqet e vërteta dhe të thella të saj – shkaqe që burojnë jo nga jashtë sistemit, por nga vetë strukturat e tij shtypëse.

Në të vërtetë, lufta e popullit shqiptar në Kosovë nuk ka qenë as aksidentale, as e manipuluar nga ndonjë dorë e padukshme, por një reagim i domosdoshëm ndaj realitetit të rëndë të shtypjes kombëtare, shfrytëzimit ekonomik dhe padrejtësisë sociale. Kryengritja nuk është produkt i ndonjë ideologjie ekstreme, por është pasojë e drejtpërdrejtë e një strukture koloniale të vendosur mbi Kosovën – një regjim që ushtronte jo vetëm dominim politik, por edhe shfrytëzim të paskrupullt të pasurive natyrore dhe të fuqisë punëtore të këtij rajoni.

Në këtë kontekst, nuk mjafton të flasim vetëm për diskriminim kombëtar, është e domosdoshme të kuptojmë edhe bazën klasore dhe sociale të rezistencës shqiptare. Ajo lindi nga një realitet ku shtypja politike shoqërohej me një mjerim të thellë ekonomik. Paga të ulëta, papunësi masive, mungesë e artikujve bazë, rënie e standardit të jetesës dhe emigrim i detyruar – këto janë të dhënat konkrete që e kanë formësuar ndjeshmërinë e popullit dhe e kanë shndërruar revoltën në domosdoshmëri. Statistikat zyrtare jugosllave të vitit 1981, ndonëse të publikuara me kujdes, vetvetiu flasin për një disproporcion të thellë.

Në një Kosovë me mbi 1.6 milion banorë, më shumë se 800 mijë ishin të aftë për punë, ndërsa vetëm 167 mijë ishin të punësuar në të ashtuquajturin “sektor shoqëror”. Kjo përbën një përqindje alarmante: vetëm 10% e popullsisë gjen vend në tregun formal të punës. Më shqetësues është fakti se, në një popullatë ku shqiptarët përbëjnë 80%, vetëm një në tetëmbëdhjetë shqiptarë është i punësuar. Një panoramë e tillë nuk flet për integrim, por për një robëri ekonomike të maskuar si barazi federative.

Edhe për ata që ishin të punësuar, realiteti nuk ishte më pak dramatik. Paga mesatare e një punëtori kosovar ishte rreth 200 marka gjermane në muaj, ndërkohë që kostoja e jetesës në Jugosllavi nuk ndryshonte ndjeshëm nga ajo në vendet perëndimore – madje, në disa aspekte, e tejkalonte atë. Kjo bëri që punëtorët kosovarë të përballeshin me një hendek të madh ekonomik, ku të ardhurat e tyre ishin 6 herë më të ulëta se në Slloveni, 5 herë më të ulëta se në Kroaci dhe 3.5 herë më të ulëta se në Serbi. Kurse papunësia – ky tregues i dhimbshëm i pasivizimit social – ishte 20 herë më e lartë se në republikat veriore të federatës.

Të gjitha këto të dhëna nuk janë detaje statistikore të ftohta, por shkëndija që ndezin revoltën e një populli të shtypur. Ato dëshmojnë qartë se rezistenca shqiptare në Kosovë ishte një akt i arsyes, jo i emocioneve të verbra; një zgjim i ndërgjegjes shoqërore dhe kombëtare, jo një devijim politik. Prandaj, në vend që të etiketohet si “nacionalizëm” apo “irredentizëm”, kjo rezistencë duhet të njihet për çka realisht ishte: një luftë për ekzistencë dinjitoze, për drejtësi shoqërore dhe për barazi kombëtare. Dhe këtë të vërtetë nuk e mbulojnë dot as propagandat më të sofistikuara. Siç thotë urtia popullore: e vërteta s’ka nevojë për zë të lartë, mjafton të thuhet me zemër dhe me fakte.

Pozita koloniale e Kosovës në federatën jugosllave

Në diskursin zyrtar të Jugosllavisë titiste, shpesh është trumbetuar me zë të lartë “zhvillimi i barabartë” i krahinave të ndryshme të federatës, përfshirë edhe Kosovën. Në pamje të parë, kjo retorikë mund të krijonte përshtypjen e një përkushtimi shtetëror ndaj “zhvillimit të rajoneve të prapambetura”, por realiteti i ftohtë i shifrave dhe fakteve e rrëzon plotësisht këtë iluzion. E vërteta është se gjendja ekonomike e popullsisë shqiptare në Kosovë jo vetëm që nuk është përmirësuar gjatë dekadave të sundimit titist, por është përkeqësuar progresivisht, duke thelluar më tej dallimet me pjesët e tjera të federatës.

Që nga viti 1947, të ardhurat për frymë në Kosovë ishin rreth 50% e mesatares jugosllave, por në vend që ky raport të shkonte drejt barazimit – siç do të pritej në një sistem që pretendonte drejtësi shoqërore dhe solidaritet federativ – ai ra në mënyrë dramatike. Në vitin 1978, të ardhurat për frymë në Kosovë ishin vetëm 29% e mesatares së Jugosllavisë, duke treguar jo thjesht një stagnim, por një rrëshqitje të qëllimshme drejt margjinalizimit ekonomik.

Ky proces nuk ishte as i rastësishëm, as pasojë e një paaftësie zhvillimore të brendshme. Ai ishte rezultat i strukturave të pabarabarta të sistemit federativ, që e trajtonte Kosovën si një zonë shfrytëzimi ekonomik dhe burim të lirë fuqie punëtore, ndërkohë që e mbante të nënzhvilluar në aspektin infrastrukturor, industrial dhe social. Ritmi i zhvillimit industrial në Kosovë, në vend që të përshpejtohej për të kapur pjesën tjetër të federatës, ishte 46% më i ulët se mesatarja jugosllave, dhe 106% nën objektivat e propaganduara me bujë nga Beogradi.

Megjithatë, ky realitet nuk i ka penguar autoritetet jugosllave që, me një paturpësi të rafinuar, të krijojnë imazhin e një federate bujare që “ushqen” Kosovën me ndihma. Kjo narrativë është shpërndarë jo vetëm brenda vendit, por edhe në raportet ndërkombëtare, duke përçuar idenë se shqiptarët e Kosovës janë përfitues të padrejtë të buxhetit federal. Por, faktet e dokumentuara, madje edhe nga studiues e zyrtarë vetë jugosllavë, si Milija Kovaçeviqi, tregojnë të kundërtën. Për çdo dinar që federata ka investuar në Kosovë, ka marrë pasurim të trefishtë – 2.5 dinarë. Kjo është formula klasike e një marrëdhënieje koloniale, ku rajoni i nënpushtuar shërben si rezervuar ekonomik për qendrën politike, pa pasur të drejtën reale për të përfituar nga pasuritë e veta.

Prandaj, ajo që Jugosllavia e paraqitëte si ndihmë, në fakt ishte një formë e sofistikuar e zhvatjes institucionale, që nuk ndalet vetëm te aspekti ekonomik, por mbështetej në një strategji më të gjerë për të mbajtur Kosovën në pozita të varësisë, të dobësisë dhe të nënpërshtatjes së përhershme. Dhe si për ironi, përballë kësaj situate dramatike, përpiqeshin të fajësojnë vetë popullin shqiptar për kushtet ku ndodhej, duke e fshehur qëllimisht mekanizmin e përjashtimit dhe të shtypjes që ka ndërtuar vetë federata.

Në këtë kuptim, mjerimi i Kosovës nuk ishte pasojë e ndonjë faji të brendshëm, por një projekt i ndërtuar me përllogaritje të ftohtë, për të pasur një krahinë të kontrollueshme politikisht dhe të shfrytëzueshme ekonomikisht. Në vend të barazisë që trumbetonte ideologjia jugosllave, shqiptarët e Kosovës përjetuan një sistem që kombinonte nacionalizmin shtetëror me kapitalizmin e egër, duke prodhuar një realitet të skamjes, papunësisë dhe emigrimit të detyruar – të gjitha këto, të mbështjella me fjalë boshe për “zhvillim të përbashkët”.

( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.