EDHE NJË BOTIM I RI I ITSHKSH-së: “EQREM ÇABEJ NJOHËS DHE STUDIUES CILËSOR I LETËRSISË” NGA ANTON NIKË BERISHA

1
Skënder Asani
Skënder Asani

Skender Asani & Sevdail Demiri

Libri më i ri i Anton Nikë Berishës “Eqrem Çabej njohës dhe studiues cilësor letërsisë”, botuar nga ITSHKSH, sjell një analizë të thelluar të bërë me përkushtim të veçantë për veprën e Eqrem Çabejt në fushën e letërsisë. Prof. Çabej është njëra prej figurave më të ndritura të kulturës dhe albanologjisë shqiptare në përgjithësi.

Libri dëshmon për një qasje të mëvetësishëm dhe për një punë shkencore për ndriçimin e kontributit të Çabejt në letrat shqipe.

Libri përbëhet nga një kapitujsh dhe analizash që shpalosin thellësisht rëndësinë e veprës së Çabejt si studiues dhe njohës cilësor i letërsisë sonë, po dhe i letërsive të tjera.

Autori i kushton një vëmendje të veçantë ndikimit të Eqrem Çabejt në zhvillimin e mendimit letrar shqiptar dhe rolit të tij në ruajtjen dhe zhvillimin e traditës sonë letrare edhe në një kontekst evropian. Analiza mbështetet mbi burime të pasura dhe argumente të rëndësishme, duke krijuar një vepër shkencore që shërben si referencë për studiues, pedagogë dhe studentë të letërsisë dhe albanologjisë.

Dr. Sevdail Demiri
Dr. Sevdail Demiri

Anton Nikë Berisha, përmes këtij libri, jo vetëm që pasuron studimet mbi Eqrem Çabejn, por edhe afirmon rëndësinë e trashëgimisë intelektuale shqiptare në botën bashkëkohore.

Në “Fjalën paraprake” të studimit Berisha shkruan:

“Në studimin tim synoj të ndriçoj disa nga çështjet kryesore të punës së prof. Çabejt në fushën e studimit të letërsisë, parë sidomos në katër pikëvështrime:

  1. Mendimi për artin e fjalës në përgjithësi,
  2. Mendimi për letërsinë gojore,
  3. Mendimi për letërsinë e shkruar dhe për disa dukuri të rëndësishme të saj, dhe
  4. Mendimi për veprat e disa autorëve të caktuar të letërsisë sonë si De Rada, Fishta, Poradeci, Noli.

Pra, qëllimi i studimit tim është që përmes vëzhgimeve, analizave dhe interpretimeve të mendimeve të prof. Çabejt, të ndriçohet e të dëshmohet koncepti kryesor i tij për letërsinë si art i fjalës dhe i disa veprave konkrete, përkatësisht puna e tij cilësore në këtë fushë. Autori ka vështruar dhe tekstet e soneteve që Eqrem Çabej i kishte shkruar i kishte lënë në dorëshkrim, ku vërehet një qasje dhe interpretim i mirëfilltë poetik.

Kush merret mirëfilli me mendimet e prof. Çabejt për letërsinë bindet se ato janë shumëfish të rëndësishme, po aq sa dhe ato në fushën e gjuhësisë. Them kështu duke e pasur parasysh gjendjen e studimit të artit të fjalës në botën tonë deri më 1929, kur prof. Çabej e botoi punimin e parë për poezinë e Lasgush Poradecit, pastaj punimin “Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare” (“Normalisti” 1934), librin “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (Me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme – 1936), studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939) e ndihmesat e tjera të botuara më vonë në shqip dhe në gjermanisht”.

Vepra “Eqrem Çabej njohës dhe studiues cilësor i letërsisë” është një studim që është hartuar mbi parimet moderne të studimit të letërsisë, ku Anton Nikë Berisha ka një përvojë të pasur e të gjatë.

Studimi jo vetëm e nderon veprën e Eqrem Çabejt, por edhe do t’i frymëzojë lexuesit dhe studiuesit për të vazhduar hulumtimet në fushën e letrave dhe kulturës sonë kombëtare.

Ky botim i ITSHKSH-së kontribuon në pasurimin e mendimit tonë shkencor dhe e përkushtimit të autorit Berisha ndaj vlerësimit të figurave tona më të shquara dhe si i tillë meriton një vend të veçantë në bibliotekat e të gjithë atyre që e çmojnë thellësisht kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.

1 KOMENT

  1. Të nderuem Skënder & Sevdail!
    Leova shkrimin e juaj lidhur me Librin e Anton N. Berishës, kushtuar Eqrem Çabej-t, më bëri përshtypje, ndaj po jap këtë koment.

    Nga shkrrimi i juaj i shkurtër, veçova këtë pjesë, po citoj:

    “…qëllimi i studimit tim është që përmes vëzhgimeve, analizave dhe interpretimeve të mendimeve të prof. Çabejt, të ndriçohet e të dëshmohet koncepti kryesor i tij për letërsinë si art i fjalës dhe i disa veprave konkrete, përkatësisht puna e tij cilësore në këtë fushë.”
    *

    Ju lumt mendja dhe ju lumt dora!
    Anipse për një figurë letrare siç ka qenë Eqrem Çabej, ka qenë dashtë të shkruani edhe më shumë, ngase ky njeri i madh i letrave shqipe meriton edhe më shumë…

    E keni lënë mangut shkrimin përshkak se nuk shkruani asnjë fjalë për jetën dhe veprën, bile të kishit shkruar lidhur me ditëlindjen, jetën dhe vdekjën; ndaj unë po ua perkujtoj se:
    1. Eqrem Çabej u lind në Gjirokastër (Shqipni) më 6 gusht l908;
    2. Jetoi 72 vjet,
    3 vdiq në Romë më 13 gusht 1980
    etj.

    me nderime,
    Ismet M. Hasani, Suedi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.