Lazer Stani
Gjeografia e poezisë së Bardhyl Londos është e gjerë, ajo shtegton nga Maki i de Radës në Ulqin, nga Parga në Lodevë, nga vendlindja në qytetin e madh, në të cilin nuk mund të vrasësh as veten, e për të cilin nuk është e denjë as vdekja. E tillë është edhe dhembja, tragjizmi që e shoqëron këtë poezi, zhgënjimi që të shkakton ekzistenca në një botë me Dhjatë të përmbysur. Dhe që të kesh dhimbje të mëdha në shpirt, duhet të kesh dashuri të mëdha, që të kesh zhgënjim tragjik, duhet të kesh pasur shpresa të mëdha gjithashtu, siç shprehet Ernesto Sabato.
Kjo dashuri e madhe për njeriun dhe për jetën ndihet në të gjitha poezitë e librit, si një nënshtresë e thellë, mbi të cilën projektohet dhe mbahet poezia e Londos, e sigurt dhe mbi themele të forta. Sepse vetëm ajo poezi dhe ai art në përgjithësi, që ngrihet mbi themele të thellë dashurie është poezi dhe art i qëndrueshëm, i pavdekshëm. Ngrehinat e urrejtjes mbyten nën peshën e gurëve të vet të zinj.
Ata që e njohin poezinë e Londos, qofshin këta poetë, studiues, kritikë apo lexues, e dinë me kohë se poezia e tij shquhet për bukurinë e fjalës poetike, për sintaksën e zgjedhur, për pasurinë e shprehjeve, metaforave, simboleve, krahasimeve, për ritmin e brendshëm, për muzikalitetin, strukturën e veçantë, kërkimin e vazhdueshëm, që shpesh ngjan me një lojë eksperimentale, por që gjithnjë ia del të na befasojë me stilin e përvetshëm dhe estetikën qartësisht të dallueshme. Tek “Shën Shiu” përveç shushurimës së shiut që ndihet sikur bie mbi një pyll shelgjishtesh dhe ti gjendesh i strehuar nën trungun e një druri, kemi një shkrirje të dy dialekteve të shqipes, atij gegë me atë toskë, duke krijuar një gjuhë të re, me efekt emocionues poetik, befasues dhe të patakuar askund më parë.