RRËFIMI I TRISHTË I KOLONEL QUNIT, PËR VRASJEN E SALI ÇEKAJ

0
Kolonel Anton Quni flet për kolonel Sali Çekaj

Kolonel Anton Quni flet për heroin Sali Çekaj

IDRIZ ZEQIRAJ

Kur u botua libri “Peticioni i 215 intelektualëve“, i autorit Prof. Dr. Zekirja Cana, i thashë: “Profesor, si shumë armiq po bën?

– Profesori: “Unë jam historian dhe historia kërkon fakte dhe jo përralla. E di peshën e fjalës së shkruar, andaj dua ta them vetëm të vërtetën“.

Eksponenti i PDK-së, Hajredin Kuqi, në panegjirizmin e tij për një rektor, thoshte: “Ishte burrë i madh i kombit“, ndërkohë që kishte refuzuar të firmoste peticionin e 215 intelektualëve! Personazhi i zotit Kuqi, mund të ishte pedagog i mirë, i shkolluar bollshëm, por assesi “burrë i madh i kombit“, sepse Atdheut nuk i jipet rasti për ta provuar shumë herë shtetasin e tij. Edhe 215 intelektualët, të cilët firmosën peticionin, vetëm një jetë kishin.

Terminologjia e luftës e ka kodin e vet. Të emërtosh njerëz me legjendë, legjendar, ose ngjarje luftarake me epope, duhet edhe të lëndëzohen me faktet, të cilat dëshmohen në fushë-betejë. Në një epope, gjaku arrinë deri në zog të këmbës, ose, të paktën, një opingë, nga të dyja palët ndërluftuese. Dhe, kjo nuk ka ndodhur në luftën e Kosovës. Masakra e civilëve nuk është epope.

Betejat ballore në Kosovë kanë qenë të pakta. Me formacione të mirëfillta ushtarake është Beteja e Loxhës dhe Lufta në Koshare. Kur është fjala tek kjo e dyta, në të shumtën, përdorët “Beteja e Kosharës!” Këtë gabim e bëjnë edhe vetë komandantët, protagonistë të saj. Realisht, për ndryshim nga Beteja e Loxhës dhe tri beteja në tre fshatrat tjera, nën komandën e Kolonel Tahir Zemaj, në Koshare janë bërë beteja të çdo-ditëshme, të cilat në tërësi përbëjnë Luftën e Kosharës.

Pas Luftës të Shaban Polluzhës, më 1944, e cila, edhe pse në raporte disproporcionale forcash luftarake, numri i viktimave ishte i përafërt, Lufta e Kosharës  ka të njëjtin rezultat. Terreni i përthyer gjeografik, me mundësi të pakta llogorimi, luftëtarët ishin të ekspozuar shënjestrimit, goditjes. Ishte një luftë ballore, që pasoi Betejën e Loxhës.

Lufta e Kosharës kishte kryeprotagonistët e saj, të cilët komanduan formacionet e rregullta ushtarake lufftarake. Në mesin e tyre janë shquar, veç komandantëve, tashmë, heronj të kombit, Sali Çekaj, Agim Ramadani, me shokë, edhe komandantët e mbijetuar: Rrustem Berisha, Anton Quni, Skënder Hasangjekaj, Nazif Ramabaja, ky i fundit ndihmës i parë i Kolonel Tahir Zemaj, në Betejën e Loxhës.

Ngritja e tyre në gradën e – Gjeneralit -, është sa meritore, aq edhe njerëzore. Është thënë dhe përsëritur, se Lufta e Kosharës dhe Beteja e Loxhës, legjitimuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, kjo arritje e shkëlqyer, meriton të lëndëzohet dhe të dëshmohet edhe me vlerësimet përkatëse. Dhe, më së paku që duhet të bëjë Kosova e lirë dhe e pavarur, përkatësisht, drejtuesit e saj shtetërorë e qeveritarë, në koordinim me strukturat profesionale, do të ishte akordimi i titullit honorik – Gjeneral – për secilin syrësh.

Nderimi i tyre do të ishte edhe një homazh e përkujtesë për shokët e tyre të armëve, tashmë, të flijuar për lirinë e Kosovës, Sali Çekaj, Agim Ramadani dhe dëshmorët tjerë të Kosharës, Loxhës dhe qindra të tjerëve, si dhe mijëra të tjerëve, të plumbuar, qoftë si dëshmorë, qoftë si viktima, anekënd etnikumit shqiptar dhe Mërgata.

Mendoj se presidentja Vjosë Osmani, me shtetarë e pushtetarë, e cila është dëshmuar shumë e përgjegjshme, në detyrën e saj – kupolë shtetërore -, do ta marrë seriozisht këtë sugjërim, sa logjik, aq edhe fisnik, i cili, assesi, nuk është personal, por pritshmëri e shqiptarëve.

Kur u vlerësuan me gradën e Gjeneralit bashkëkomanduesit e tyre, Fadil Hadërgjonaj dhe Hisen Berisha, pati një mirë-pritje masive, gjithnjë me urimin që të pasohet me vlerësimet e njëjta, edhe për disa nga kolegët e tyre, që drejtuan me trimëri, profesionalizëm dhe sukses, formacionet ushtarake në luftën e Kosharës, të Loxhës dhe gjetkë.

Në Akademinë Përkujtimore, kushtuar heroit Sali Çekaj, me prezencën e tij nderoi edhe Kolonel Anton Quni, heroi i mbijetuar i Kosharës. Në mes tjerash, ai bëri vlerësimin sintezë-proverbial, për figurën e heroit emblematik Sali Çekaj:

Çdo orë e kaluar me Veteranin ishte orë mësimi, çdo ditë ishte përvojë e re dhe e tërë koha e kaluar së bashku ishte mësim jetësor. Shoqëria me të na bëri që ta peshojmë fjalën më shumë, të jemi më racional dhe të përmbajtur nga emocionet, më të guximshëm në vendime e veprime dhe më të motivuar. Nëse si i ri isha i fascionuar me Akilin, Odiseun, Hektorin, Aleksandrin, Pirron, Skënderbeun etj., tani, e kisha fatin të mësoja nga njeriu me përmasa përtej legjendave e miteve. 

Në netët pa gjumë, i etur dhe i uritur, në gjirin e Alpeve Shqiptare, i rrahur nga shiu, bora dhe stuhitë, nën breshërinë e automatikëve dhe detonimet e artilerisë, Salihu më kujtonte heronjtë e eposit të kreshnikëve, të cilëve në krah u qëndronin zanat, për t’i drejtuar në mjegull e errësirë. Aq më i vendosur ishte se me jetë do të mbronte vendin, ku gjaku i Agim Ramadanit ende ishte i njomë”.

Ftoj poetët, kompozitorët, këngëtarët, shkrimtarët, artistët, që nga ky fragment vlërsimi-lapidar, për heroin Sali Çekaj, të frymëzohen për ta përjetësuar në këngë dhe art, veprimtarin, luftëtarin, komisarin, komandantin, heroin Sali Çekaj, i cili është unik në angazhimin kombëtar, në kohë-zgjatjen e viteve ’80-a dhe ’90-a të shekullit të shkuar.

E vërteta për vrasjen e Sali Çekaj

Kolonel Anton Quni, në fjalën e tij në Akademi, në mes tjerash, shpalosi rrëfimin e trishtë, për vrasjen e Sali Çekaj, një vrasje bollshëm e përfolur:

“Çdo herë kur flitet për Betejën e Koshares, ka zëra që ndryshojnë nga e vërteta. Ndër to edhe mënyra e rënies së heroit Sali Çekaj.

Më lejoni që me këtë rast nga memoaret e luftës të Gjeneralit Fadil Hadergjonaj, ta citoj një pjesë, që për mua dhe të gjithë luftëtarët e Kosharës, është e saktë dhe e vërtetë:

 Citoj:

“Data 19 prill 1999, ditë e hënë. Luftimet e zhvilluara në drejtimin operativ luftarak të koduar “777”, Rrasa e Kosharës.

Mëngjesi agoi i qetë e me diell, por temperaturat ishin të ulëta, terreni malor i mbuluar me borë, vende-vende trashësia e saj kalonte mbi 1 metër. Analizuam situatën bashkë me Milazim Maraj, Shiqer Maloku, Shefqet Mustafaj, Naim Loshaj, Milaim Mazrrekaj, Sefer Berisha, Arben Shala dhe përgjegjës të tjerë, rreth zhvillimeve të ditëve të kaluara, nxorëm konkludimet dhe vendosëm për avancimin si dhe ripozicionimin e luftëtarëve në pozicione më të sigurta, më të maskuara dhe me fushëpamje më të qartë në drejtim të armikut, ndërruam pozicionet e armëve sipas kalibrave dhe misionit, caktuam koordinatat dhe objektivat e veprimit të zjarrit artilerik, përgjegjësit e pozicioneve morën detyrat dhe po i zbatonin në përpikmëri.

Në pjesën juglindore të Rrasës (dretimit operativ 777), vendosëm ekipet e topit pa dridhje 75mm, topit 20/1mm, i konfiskuar nga armiku, mitralozit 12.7mm, me detyrë asgjësimin dhe neutralizimin e lëvizjeve të forcave të armikut, nga drejtimi gryka e Batushës dhe Oplazit. Në pjesën verilindore (ana e djathtë e vijës së zjarrit), pozicionuam një togë të këmbësorisë me armatim personal, të mbështetur nga mitralozi 12.7mm, snajperët 7.9mm, në pjesën veriperëndimore (ana ballore) vendosëm togën tjetër të këmbësorisë, snajperët 5,56mm dhe 7,9mm, me mbështetje të mitralozit 12,7mm, dhe prapa tyre pozicionuam mortajat 60mm dhe 82mm, që ishin në mbështetje me zjarr për të gjithë. Të gjitha këto veprime, duke përfshirë edhe ushqimin e mëngjesit, përfunduan rreth orës 7:30.

Gatishmëria luftarake ishte e plotë, rreth orës 07:45, vëzhguesi ynë Sadri Ajvazi nga Zhegra, në pjesën perëndimore vëren një skuadër të forcave të armikut, duke lëvizur në kolonë dhe distancë nga njëri-tjetri, në drejtim të Ujezës, përmes një mali me lisa të rrallë, por ishin shumë larg nesh dhe atje ende nuk kishte forca tona. Forcat e armikut kishin planifikuar që trupat e br,72 për operacione speciale, pjesëtarët e batalionit të 52 PU, gjegjësisht, kompania antiterroriste dhe asaj diversanto-vëzhguese, të depërtonin pa u diktuar prapa vijës sonë nga drejtimi jugperëndimor (ana e majtë), përmes malit me lisa ahu të mëdhenj dhe duke shfrytëzuar elementin e befasisë, të na godisnin nga krahu, kurse njësitë e batalionit të këmbësorisë të depërtonin nga pjesa veripërendimore (pjesa ballore) dhe kështu të arrinin qëllimin e tyre: marrjen nën kontroll të Rrasës së Kosharës.

Kam urdhëruar Loshin që të hapte zjarr direkt me mortajë 82mm dhe predha e parë ka rënë shumë afër tyre, me një korigjim të shpejtë të elementeve qitëse ka nisur predhën tjetër, por ata manovruan shpejt dhe u futën në pjesën e malit në anën jugperëndimore apo të majtën tonë, duke kaluar në pjesën që ne nuk kishim pamje vizuele. Nga ky moment u dekonspirua plani i tyre dhe filluan menjëherë të përgjigjen me zjarr të fuqishëm artilerik të kalibrave 60, 82 dhe 120mm, nëpër pozicionet tona të një dite më parë, me qëllim përgatitjen e terrenit për depërtimin e forcave të tyre. Hodhën mbi 500 predha por për fatin tonë ne kishim ndërruar pozicionet, njëherit, trashësia e borës amortizonte efektin e shpërndarjes së copëzave të predhave. Zjarrit të tyre iu kundërpërgjigjem edhe ne, fillimisht me artileri 60 dhe 82 mm, pastaj me tërë arsenalin e armatimit që kishim.

Në drejtim të pjesës (majtë) jugperëndimore, pjesës së malit me lisa të mëdhenj, diktuam forcat e armikut, njoftova Milazimin, Shefqetin dhe Shiqerin, se me një skuadër do të ndahem për të marrë atë drejtim. M’u bashkëngjitën edhe Naim Loshi me Florim Shehun e Isuf Krasniqin. U zhvilluam në formacion luftimi. Loshi shënjestroi dhe goditi me raketahedhës 64mm, duke asgjësuar një pozicion të tyre të fshehur prapa shkurreve. Tani, në tërë vijën e frontit zhvilloheshin luftime të rrepta e në distanca të afërta. Manovrimi, si nga trupat e tyre e po ashtu edhe nga trupat tanë, ishte i shpejtë dhe si mburojë shfrytëzonim lisat. Arritëm të stabilizonim vijën e zjarrit duke identifikuar me saktësi vendndodhjen e forcave që kishim përballë.

Sali Çekaj dy ditë më parë kishte shkuar në komandën e operacionit, për koordinim dhe pak pushim. Dëgjon detonimet dhe luftimet që zhvilloheshin në Rrasë dhe niset vet i treti, kur arrin te pozicioni i topave 20/1, 75mm dhe mitralozi të rëndë, takon luftëtarët Milaimin, Flamurin, Hilmiun etj., që luftonin me plot entuziazëm dhe moral të lartë, vazhdon lart dhe tek pozicioni i mortajava po ashtu takon luftëtarët Shkelzenin, Bahriun, Ramizin, Arbenin etj., duke goditur pandërprerë pozicionet e armikut. Pyet Milazimin si është situata, ai i raporton se luftimet po ecin mirë dhe se luftëtarët po e përmbushin misionin e tyre. Merr edhe 4 ushtarë për t’u bashkuar me ne në anën e majtë. U takuam afër përroit të Kosharës, u sistemuan dhe zhvilluan në formacion luftimi e menjëherë u dallua fuqia e zjarrit.

Luftimet zhvilloheshin në afërsi, shkëmbenim sharjet dhe fyerjet mes palëve. Forcat e armikut u tmerruan dhe duke mbuluar me zjarr të fuqishëm njëri-tjetrin, filluan të zbrapsen, ndërsa ne i qëllonim. Nisëm të këndonim këngën “Besa-Besë” dhe kaluam në sulm. Filluan të na mbulojnë me artileri për të mundësuar tërheqjen e tyre, kurse shpëtimi ynë ishte të qëndronim sa më afër tyre. Kështu vazhduam tërë ditën duke i ndjekur për më shumë se 500m edhe në pozicionet tjera, atë ballore dhe në anën e djathtë, luftimet ishin të rrepta dhe në afërsi. Kishte të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Numri i ushtarëve pakësohej, një të plagosur, së paku dy e shpesh herë edhe më shumë, duhej ta tërhiqnin dhe ndihmonin.

Para muzgut kishim mbetur tre veta në atë drejtim, komunikimi me pjesën tjetër nuk funksiononte, përveç detonimeve dhe zjarrit që dëgjohej, por që binte intenziteti nga të dyja palët. Para nesh ende kishte forca më të pakëta, por ende qëllonin herë pas here, ndërsa ishte shtuar intenziteti i predhave artilerike. Dëgjohej zhurma fluturuese e predhave dhe ne strukeshim pranë lisit, disa eksplodonin në kontakt me degët e lisave e disa depërtonin në borë, duke reduktuar efektin e shpërthimit.

Pas shpërthimit ngriheshim dhe shikonim njëri-tjetrin duke u përgëzuar se shpëtuam dhe vazhdonim tutje, prap vinte kontigjenti i radhës së predhave dhe ne prap veprimet e njëjta. Në një moment Salihu qëllonte në drejtim të një pozicioni ku ishte armiku, në të njëjtën kohë zhurma e predhave. Ende pa shpërthyer predhat dhe pa u strukur, Salihu qëllohet dhe bie, në moment strukemi edhe ne, si herave të tjera, për pak sekonda deri në shpërthimin e predhave. U ngritëm ne të dy por Salihu nuk u ngrit. Nuk doja dhe nuk mund të besoja se ai nuk po ngritet, për të vazhduar tutje.

Me gisht e udhëzoj ushtarin që të afrohet dhe të shikojë, ushtari afrohet me kujdes maksimal, ngrit duart dhe rrudhë krahët, duke më sinjalizuar se komandanti ra, për të mos vdekur kurrë. U afrova edhe vet dhe kuptova reagimin e ushtarit. Tani duhej të vazhdonim aty ku mbeti Salihu, të pastronim hapsirën nga elementet e mbetura të armikut, të krijonim zonë të sigurtë në atë pjesë, ashtu që trupi i pajetë i komandantit mos të bie në duar të armikut. Isha para dy sfidave: të merremi me tërheqjen e komandantit apo të inspektoj vijat e zjarrit e të informohem me situatën dhe pasojat. Kisha bindjen se nuk ka njeri tjetër në Rrasë.

Tentonim të diktonim çfarëdo sinjali nga bashkëluftëtarët, por pa sukses. Jemi nisur në drejtim të pozicioneve të mëngjesit, në një moment kam rënë në kontakt me Naim Loshin dhe pas pak jemi takuar. Shpejt shfaqet edhe Milazimi, Shiqeri e te tjerët. Pyesnim njëri-tjetrin si është situata, aty kuptova se kishte rënë Shefqet Mustafa, Izet Morinna, Afrim Stajku dhe ishin plagosur shumë të tjerë. Më pyetën për komandant Salihun, nuk ju tregova (përveç Milazimit), sepse kisha frikë se do të dekurajoheshin. Pozicionet e zjarrit ishin dobësuar shumë, mungesa e të rënëve dhe të plagosurve ishte shqetësim i ri për ditën e nesërme.

Nuk vonon shumë dhe në mbështetje na arrin një kontigjent ushtarësh të udhëhequr nga Abaz Thaqi. Ishin të papërgatitur për luftë, ankoheshin për borën, të ftohtin dhe kushtet e vështira. Na morën shumë kohë duke tentuar t’i bindim se ne jemi në tokën tonë, po luftojmë për lirinë e vendit tonë dhe nëse armiku qëndron njëherë, ne duhet të qëndrojmë 100 herë.

Në fund të ditës, armikun e dëbuam, duke i shkaktuar humbje serioze dhe dështimin e tyre të radhës. Përkundër luftës heroike dhe humbjeve të shkaktuara armikut, edhe për ne kjo ditë konsiderohet dita më e përgjakshme gjatë tërë luftës së Kosharës.

Në këtë ditë ranë:

  1. Salih Beqir Çekaj – Veterani, 22.06.1956, Broliq – Pejë;
  1. Afrim Ahmet Stajku, 04.02.1981, Arbanë – Prizren;
  1. Aziz Bajram Gashi, 16.08.1975, Balincë – Malishevë:
  1. Bejtë Azem Kajdomçaj, 03.03.1963, Dedaj – Prizren;
  1. Fatos Shefqet Limani, 08.01.1978 – Prishtinë;
  1. Fisnik Alejdin Ibrahimi, 09.05.1978 – Beograd;
  1. Hysni Sylë Temaj, 15.11.1976, Kushnin – Prizren;
  1. Ilir Ahmet Hoxha, 14.09.1979, Arbanë – Prizren;
  1. Izet Islam Morina, 10.12.1961. Ostrozub – Malishevë;
  1. Leonard Dedë Palucaj, 24.05.1978 – Klinë;
  1. Luan Ruzhdi Gashi, 03.11.1977, Prizren;
  1. Mejdi Avdullah Korrani, 13.11.1977, Pozharan – Viti;
  1. Shefqet Fazli Mustafaj, 03.04.1969, Gllogjan – Deçan.

Ndërsa u plagosën lehtë e rëndë 22 luftëtarë. Edhe pse kishim të rënë e të plagosur në radhët tona, numri i luftëtarëve shtohej gjithnjë e më tepër, sepse qëllimi ynë ishte i shenjtë, kurse armiku sado që forcohej me ushtarë, policë e paramilitarë, e sado që shtonin teknikë të rëndë luftarake, ata nuk mundën ta forconin moralin e tyre.

U rikonsoliduam që të jemi gati për ditën e nesërme. Herët në mëngjesin e 20 prillit, ngarkova me detyrën e tërheqjes së trupit të komandantit, skuadrën që udhëhiqte Adem Shehu nga Kukësi, kurse ushtarin Xhelal Avdylaj e dërgova që të jetë me ta për t’jua treguar vendin. Kurse me Milazimin shkoja nga një ushtar tek tjetri, duke i pozicionuar dhe duke konsoliduar vijat e zjarrit.

Për shkak të mjegullës së dendur e terrenit të vështirë, ky grup, pas disa orësh kthehet pa e përmbushur detyrën. Mora përsipër ta përmbushi vet detyrën, formova një grup prej 4 ushtarësh në mesin e të cilëve ishte edhe Xajë Qela, njëri ndër luftëtarët më të zot dhe më të kompletuar të frontit. Gjatë lëvizjeve në drejtim të vendrënies, armiku na mbulonte me zjarr artilerik. Disa kontigjente predhash ranë rreth nesh, ndërsa ne vepronim njëjtë, sikur ditën e mëparshme, me dëgjimin e zhurmës fluturuese të predhave shtriheshim, pas eksplodimit ngriheshim dhe vazhdonim tutje.

Në një moment predha eksplodon afër dhe plagos rëndë në këmbë Xajën. Japim ndihmën e parë dhe detyrohemi të kthehemi, duke improvizuar barrelën për bartjen dhe transferimin e Xajës për shërim të mëtejmë. Prap nuk arritëm që të përmbushim detyrën, sepse nata ishte shumë e errët dhe me mjegullë të dendur.

Me 21 prill, në Rrasë arrin si përforcim Naser Vllasi, bashkë me Arben Sejdiun dhe Hisni Ramën. Kisha njohuri se ishin pjesëtarët që i kishte ngritur e stërvitur vet Agim Ramadani dhe ishin ndër ushtarët më të aftë për detyra të ndërlikuara. Kërkova që të më bashkëngjitën të tre, morëm edhe Jeton Pajazitin, një luftëtar shumë i zoti, që ishte edhe ditën e kaluar kur u plagos Xaja dhe u nisëm për të tërhequr trupin e komandantit. Lëvizjet e këtij ekipi ishin shumë profesionale, të kujdesshme dhe të sigurta. Moti ndryshonte shpejt, binte dhe hiqej mjegulla, shfrytëzonim intervalet me mjegullë, për të avancuar drejt trupit të komandantit. Pas dy orësh kemi arritur të tërheqim komandantin, pa luftë dhe pa pasoja për asnjërin.” Këtu mbaron citimi nga memoaret e Gjeneral Fadil Hadërgjonaj.

Natyrshëm, jo të gjitha mund t’i themi në një akademi. Por, një gjë është e sigurtë: Sali Çekaj arriti nga asgjëja të ngritë një njësi të UÇK-së, më të fuqishmen në historinë moderne dhe asaj t’i prijë në fitore, deri në ditën kur ai vet kaloi në përjetësi.

Jeta dhe vepra e tij janë një mësim, se si duhet atdheu, se si mbrohet nderi, se si mbahet fjala, si fitohen betejat dhe si ndërtohet besimi në vetëveten, në shokun e luftës dhe në Zot.

Lavdi e përjetëshme”,- përmbylli rrëfimin e tij përmbajtësor e domëthënës, Kolonel Anton Quni.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.