Nga: Isak A H M E T I
Sot kur po promovojmë librin: THËNIE TË URTA, të autorit Shefik Sadikut, profesorit shumëvjeçar të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, më lejoni të theksoj që në fillim se ky libër, siç shihet edhe nga përmbajtja, afirmon, veç tjerave, edhe madhështinë e FJALËS. Këtë libër, të cilin autori e ka strukturuar në gjashtë pjesë, fillimisht e kam lexuar në dsh dhe më ka bërë përshtypje edhe për faktin se aty janë përfshirë shumë thënie të urta (aforizma) të autorit, që prekin shumë tema e çështje që janë të një rëndësie të veçantë, madje shumë aktuale edhe në kohën në të cilën po jetojmë.
Thëniet e urta që janë përfshirë në librin në fjalë shprehin jo vetëm botëkuptimin dhe gjykimin e autorit për shumë tema e çështje, por edhe bagazhin kulturor të tij. Për më tepër aty nuk janë shprehur vetëm vlerat njerëzore, intelektuale dhe shpirtërore të autorit, por edhe karakteri i fortë, i pathyeshëm, i tij kur thotë, citojmë:
Pikëpamjet e mia për shtetin aktual që kemi, për shoqërinë në të cilën jetojmë, për Atdheun, për kombin, për liderët politikë, për intelektutualët nuk i ndryshoj as për hater të njërit as për inat të tjetrit”-mbaron citati.
Në kontekst të këtij konstatimi, këtu po sjell edhe thënien e tij të urtë, që thotë, citoj: “Sa madhështore është kur arrin ta ruash qetësinë shpirtërore edhe kur je i hidhëruar edhe kur je i gëzuar” – mbaron citati. Është kjo një vlerë universale, të cilën e riafirmon autori.
Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se thëniet e urta të autorit që janë përfshirë në këtë libër, kur më pak e kur më shumë, janë mjaft konçize, e me fuqi shprehëse dhe si të tilla ta hapin jo vetëm mendjen por të mundësojnë për t’i parë më mirë gjërat dhe fenomenet nga një këndvështrim më ndryshe nga q’jemi mësuar deri më tash.
Thëniet e urta të këtij libri janë të shkurta, por me mendime të plota, janë mjaft intersante për nga përmbajtja dhe stilizimi. Dhe si të tilla, sipas mendimit dhe vlerësimit tim, gjithsesi profesionsl, ndërlidhen fuqimisht dhe bukur me aktualitetin tonë shoqëror, kulturor dhe politik; këto thënie të urta janë të goditura mjaft bukur për nga gjuha dhe stili, janë mjaft shprehëse dhe përmbajnë porosi të mençura, motivuese, përmbajnë mendime të përgjithësuara a një mësim të nxjerrë nga jeta, nga përvoja jetësore.
Prandaj duke i pasur parasysh këto vlera të këtij libri, krejt në fund le të theksojmë se ky libër afirmon dhe riafirmon dukshëm madhështinë e Fjalës. Si i tillë që është ky libër lexohet me një frymë, ai është kontribut i çmueshëm në letrat shqipe, për çka autorin e urojmë nga zemra me dëshirë që të vazhdojë edhe më tej me shkrime, sepse ka edhe prirje, edhe bagazh kulturor edhe kulturë shkrimi!