
Prend BUZHALA
(Arbesa Morina: “Mjegulla”, roman, 2026)
Romani “Mjegulla” i autores së re Arbesa Morinës krijon një realitet të pasur artistik, i cili, në pamje të parë, duket i thjeshtë, gati përrallor, por në fakt përshkohet me nënkuptime të forta njerëzore, shoqërore dhe simbolike. Që në prolog, bota e veprës shfaqet si hapësirë e mbyllur, e lagësht, e zymtë, ku “fshati nuk kishte shumë për të thënë, përveç mjegullës e shiut”; pra, kemi një realitet ku natyra shfaqet si gjendje shpirtërore dhe metaforë e ekzistencës.
- Bota e imagjinatës dhe lojës, ndërgjegjësimit dhe kërkimit

Romani “Mjegulla” është ndërtuar mbi një strukturë të rrjedhshme, por njëkohësisht simbolike, ku ngjarjet ndjekin rrjedhën kronologjike të zhvillimit të tyre, ashtu sikundër ndjekin edhe zhvillimin psikologjik dhe shpirtëror të personazheve, sidomos të binjakëve. Përmes prologut dhe tre kapitujve kryesorë, vepra kalon nga një botë e mbushulluar me imagjinatë drejt një realiteti më të ndërlikuar, ku ndeshen ëndrra, dyshimi dhe vdekja.
Në këtë roman, mjegulla është figura kryesore. Ajo e mbulon peizazhin; i mbulon edhe dijen, të vërtetën, fatin dhe horizontin e personazheve. Fshati duket si një botë e ngecur, e mbështetur mbi mite, përsëritje dhe varfëri, por që përpiqet ta zbukurojë veten me pak imagjinatë. Kjo qasje shprehet në mënyrë shumë domethënëse te fjalia: “Pse të mos e zbukurosh mjerimin?” Është thënie e një prej çelësave interpretues të gjithë veprës: njeriu, edhe kur jeton në kushte të vështira, kërkon një zgjidhje për ta bërë jetën të durueshme përmes rrëfimit, ëndrrës, ritualit dhe lojës.
Fshati përshkruhet si vend “pa plan”, me shtëpi që ngjajnë me shpella, me reshje, baltë dhe me një frymë izolimi, por, në të njëjtën kohë, aty ka edhe fëmijë, biskota, legjenda, lojëra, pyetje dhe ëndrra. Rrëfimi, prandaj, lëviz vazhdimisht mes dy poleve: mes të bukurës dhe të trishtueshmes. Ky dyzim pranohet edhe nga vetë teksti, kur rrëfimtari vëren se askush nuk e dinte nëse ajo botë ishte “diçka e bukur apo e trishtë. Ndoshta ishte pak nga të dyja.” Pikërisht kjo ambivalencë e ruan romanin nga sentimentalizmi i tepruar dhe nga errësira absolute.
Romani hapet me prologun, ku paraqitet atmosfera e fshatit të mbuluar nga mjegulla, një hapësirë e mbyllur dhe e izoluar dhe ku ndërthuren realiteti dhe legjenda. Mjegulla, shiu dhe guri krijojnë zymtësinë, ndërsa fëmijët dhe ëndrrat e tyre krijojnë kontrastin e parë. Prologu paraqet hapësirën dhe temat kryesore: izolimin, përsëritjen dhe dëshirën për arratisje. E, pra, që në hyrje vendoset ideja kryesore: ëndrra si arratisje nga realiteti i vështirë. Fëmijët nuk kanë mundësi reale për ta arritur atë, prandaj e ndërtojnë përmes imagjinatës. Është një tekst thellësisht poetik, por edhe kritik ndaj një realiteti që kufizon zhvillimin dhe lirinë. Atmosfera bëhet më e rëndë dhe më simbolike. Fshati bën një jetë monotone, të mbyllur dhe pa perspektivë.
Figura e Brisildës shfaqet më qartë si një personazh i ndërtuar mbi kontradikta. Nga njëra anë, ajo është e adhuruar nga rrethi: “Brisilda ngadalë adhurohej për vetminë e saj”, por nga ana tjetër ky admirim nuk e çliron, përkundrazi e thellon izolimin e saj. Ajo njihet si gruaja e urtë, por vetë e përjeton këtë si një paradoks: “mendonte sa e çuditshme ishte të njihej si gruaja e urtë e një fshati të gurtë”.
Në kontrast të fortë me këtë qëndron dinamika e binjakëve. Ata përfaqësojnë një botë krejt tjetër: unitetin, lojën dhe imagjinatën e pakufizuar. Ata funksionojnë si një vetëdije e përbashkët, e lirë nga ndarjet dhe konfliktet e zakonshme njerëzore. Logjika e tyre është fëmijërore, por njëkohësisht filozofike. Kur thonë: “pesë plus pesë bëjnë dhjetë, pra ata ishin dhjetë vjeç”, ata krijojnë një realitet të ri, ku rregullat nuk janë të imponuara, por të shpikura. Kjo tregon se fëmijëria nuk është thjesht fazë biologjike, por mënyrë alternative e të menduarit. Fëmijët e përjetojnë botën përmes lojës. Episodi i “kapjes së erës” është një metaforë e fuqishme e kësaj lirie imagjinative.
Era, si element i padukshëm dhe i pakapshëm, simbolizon lirinë, natyrën dhe të panjohurën. Mesazhi që del është se urtësia e të rriturit shpesh vjen me çmimin e izolimit, ndërsa liria e fëmijërisë qëndron në aftësinë për ta parë botën ndryshe. Në këtë aspekt, romani sugjeron se ndoshta e vërteta nuk gjendet vetëm te urtësia, por edhe te ajo lojë e pafajshme që i jep kuptim botës. Në të njëjtën kohë, imagjinata e Gonit arrin kulmin e saj poetik.
Skena ku ai sheh ëmbëlsira që fluturojnë është një shembull i pastër i botës së brendshme fëmijërore: “Mbi kokën e tij fluturonin torta… sikur të ishin zana prej sheqeri”. Sjellja e binjakëve mbetet e lirë dhe e papërmbajtur. Ata largohen duke kënduar: “Ne jemi Du dhe Gu… Çdo gjë shkon për çudi”, një refren që përmbledh filozofinë e tyre të jetës: bota është e çuditshme, por pikërisht kjo e bën të bukur. Figura si zonja Drunë, Bobini dhe këpucari Dobin përshkruhen me detaje që ndërthurin realizmin me imagjinatën. Për shembull, interpretimet e Donit, si ideja se televizioni është “magji e zezë” apo se mielli është “fantazmë buke”, tregojnë se fëmijët e shndërrojnë realitetin në mit. Ndërkohë, Bobini përfaqëson një realitet më të ashpër dhe pragmatik. Ai është i lidhur me tokën, punën dhe mbijetesën, por edhe me dhunën (pushka, gjuetia).
Në kontrast me të, bota e fëmijëve dhe e Lizës mbetet më e butë, më simbolike dhe më e hapur ndaj ëndrrës. Episodi në punishten e këpucarit Gobin është veçanërisht domethënës. Edhe pse hyjnë fshehurazi, ata nuk shkatërrojnë, por krijojnë: “filluan të pastronin këpucët… derisa dukeshin si krejt të reja”. Doni dhe Goni nuk janë thjesht “çapkënë”, por figura që sfidojnë rendin e vendosur dhe zbulojnë padrejtësitë e tij përmes veprimit. Proza “Drejtësi me mollë të kalbura” përbën një nga momentet më domethënëse të romanit, sepse vendos në qendër një temë thelbësore: drejtësinë dhe mënyrën si ajo kuptohet ndryshe nga fëmijët dhe të rriturit. Përshkrimi i djemve tregon natyrën e tyre të lirë dhe refuzimin ndaj rregullave të imponuara: “Ata donin rehati. Një lloj rehatie që askujt tjetër nuk i duhej”. Është dëshira për të jetuar jashtë normave të ngurta shoqërore.
Rrëfimi zhvendoset drejt një përmase më të errët dhe më refleksive, duke trajtuar temën e vetmisë, zëvendësimit dhe zbrazëtisë shpirtërore të njeriut te kapitulli i dytë, i cili lexohet si zgjerimi i botës dhe lindjes së vetëdijes. Ky kapitull shënon kalimin drejt një bote më të gjerë dhe më komplekse. Këtu fillon ndërgjegjësimi për realitetin dhe kufijtë e tij. Ky kapitull është një urë mes lojës dhe realitetit. Personazhet fillojnë ta kuptojnë se ëndrrat janë të brishta dhe duhet të mbrohen. Përmes figurës së Bobinit, autorja ndërton portretin e një njeriu të shkëputur nga ndjenjat, i cili kërkon rend dhe kontroll, por përfundon në një heshtje edhe më të rëndë.
Vendimi për të zëvendësuar gjelin me një qen duket i thjeshtë, por ka një domethënie të thellë simbolike. Gjelit i përket zëri, ritmi dhe jeta (ai zgjon mëngjesin), ndërsa qeni përfaqëson frikën, heshtjen dhe kontrollin. Edhe pse Bobini nuk shpreh ndjenja, rrëfimi e ngarkon situatën me simbolikë: “Kujdes nga heshtja, plak. Unë të zgjoja me zërin tim. Pa mua, kush do të të zgjojë?” Ky mesazh i heshtur i gjelit si lamtumirë, është një paralajmërim: zëri, ritmi dhe jeta që ai përfaqëson do të mungojnë. Pas largimit të gjelit, qeni vendoset në të njëjtin vend, por nuk e zëvendëson dot atë në kuptim të plotë. Heshtja bëhet motivi qendror. Përmes figurës së Bobinit, romani tregon se kur njeriu zgjedh kontrollin mbi jetën dhe funksionin mbi ndjenjën, ai përfundon në izolim dhe zbrazëti.
Tek rrëfimi “Shenja” shënohet një kthesë tjetër e rëndësishme në zhvillimin simbolik të romanit, ku trajtohet tema e lirisë, robërisë dhe identitetit. Përmes figurës së qenit dhe ndërhyrjes së binjakëve, autorja ndërton një përsiatje të fortë mbi atë se çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe pse njeriu (apo qenia) ndonjëherë zgjedh të mos largohet nga robëria. Dialogu mes binjakëve e thellon këtë ide:
“Unë po të isha qen, do të ikja vrap.”
“Ndoshta nuk di ku të shkojë.”
“Po ai këtë vend njeh.”
Këtu përplasen dy koncepte: liria si mundësi absolute (vizioni i Gonit) dhe liria si diçka që kërkon orientim dhe njohje (vizioni i Donit). Pra, romani sugjeron se njeriu (apo qenia) mbetet në robëri jo sepse nuk mund të largohet, por sepse nuk di ku të shkojë. Përmes figurës së qenit, autorja arrin të shpalosë një gjendje ekzistenciale që tejkalon botën shtazore dhe i përket vetë njeriut. Në këtë sfond, figura e qenit merr një dimension të veçantë. “Shenja” është një meditim mbi lirinë dhe robërinë. Përmes qenit, romani tregon se liria fizike nuk mjafton nëse mungon vetëdija dhe guximi për të jetuar ndryshe.
Rrëfimi “Zonja Lysiolë” përfaqëson një nga kulmet poetike të romanit, ku ndërthuren fuqishëm ëndrra, kërkimi i së paarritshmes dhe përplasja mes imagjinatës dhe realitetit. Përmes ndjekjes së një drite (xixëllonje/zanë), autorja ndërton një metaforë të qartë të aspiratës njerëzore për diçka më të madhe, më të bukur dhe të paarritshme.
- Pjekuria, dyshimi dhe përballja me realitetin e ashpër
Dyshimi, përballja me realitetin e ashpër dhe pjekuria thuren te kapitulli i tretë, i cili paraqet momentet dramatike dhe tematike të romanit. Loja zëvendësohet nga reflektimi dhe ndjenja e humbjes. Personazhet kalojnë drejt një pjekurie të dhimbshme, ku i kuptojnë kufijtë e botës së tyre.
Kjo strukturë, si ndarje formale, paraqet zhvillimin e personazheve nga pafajësia drejt vetëdijesimit. Në këtë mënyrë, romani sa rrëfen një histori, po aq shtjellon një proces: kalimin nga bota e ëndrrave drejt një përmbajtjeje më të thellë të jetës. Njeriu jeton mes dy botëve: asaj që dëshiron dhe asaj që mund të arrijë. Edhe pse ëndrra mbetet e paarritshme, përpjekja për ta ndjekur i jep kuptim jetës. Në fund, edhe pse gjurmët fshihen, përjetimi i tyre mbetet dhe kjo është forma më e pastër e lirisë.
Edhe rrëfimi “Një kalim sekret” e thur një nga metaforat më të bukura të romanit: krijimin e një bote alternative nga fëmijët përmes imagjinatës, si kundërvënie ndaj realitetit të ftohtë dhe të kufizuar. Bora, që në pamje të parë është vetëm element natyror, shndërrohet në material krijimi, në hapësirë ëndrre dhe në një univers të ri. Ndërtimi i qytetit të borës është një akt krijimi total: “biblioteka me libra bore… salla për këngë e valle… tregje… pallate”. E, pra, fëmijët luajnë thjesht, por edhe po krijojnë një shoqëri të re, një botë të plotë, ku secili element ka funksion dhe domethënie. Ky rrëfim përmban edhe një reflektim mbi shkatërrimin dhe kufijtë e krijimit. Kjo ide lidhet drejtpërdrejt me natyrën e përkohshme të botës së tyre. Edhe momenti kur fëmijët e tjerë hyjnë në qytet është domethënës: “Vetëm rrugët e krijuara nga djemtë sillnin brenda dhe jashtë.” Do të thotë se hyrja në këtë botë kërkon njohjen e sekretit. Jo të gjithë mund ta kuptojnë apo ta ndërtojnë atë, është një botë që u përket krijuesve të saj.
I bukur është edhe rrëfimi “Xhuxhët”, ku përmes mungesës së ëndrrave, shkatërrimit të qytetit të borës dhe shfaqjes së “Zonjës Lysiolë”, autorja ndërton një meditim mbi varfërinë shpirtërore, burimin e ëndrrave dhe kërkimin e një bote më të mirë. Që në fillim, vendoset një situatë e pazakontë dhe tronditëse për fëmijët: “Çdo ëndërr që mund të imagjinonin ishte fjetur tashmë nën jastëkët e tyre.” Për fëmijët, ëndrra nuk është luks, por domosdoshmëri. Megjithatë, pikërisht në këtë boshllëk lind një ide e re.
“Xhuxhët” paraqet një evolucion të rëndësishëm në roman: nga loja dhe imagjinata e thjeshtë drejt një kuptimi më të thellë të ëndrrave si krijim dhe si qëllim jetësor. Kurse “Para hartës” është rrëfim, ku ëndrra nuk është më vetëm përjetim, por fillon të marrë formë si kujtesë, sekret dhe projekt për të ardhmen. Një nga momentet më të bukura është ndryshimi i perceptimit ndaj fshatit: “për herë të parë, filluan ta ndienin Gurezin ndryshe”. Përmes simbolikës së hartës dhe transformimit të perceptimit ndaj fshatit, romani sugjeron se bota nuk ndryshon domosdoshmërisht në vetvete, por në mënyrën si ne e shohim atë.
Proza “Vigjilja I” paraqet një fazë të re në zhvillimin e binjakëve: kalimin nga loja dhe imagjinata e lirë drejt përgjegjësisë, frikës dhe ruajtjes së asaj që është e shenjtë për ta, Tokës së Ëndrrave. Kjo pjesë e romanit ndërton një tension mes pafajësisë dhe rritjes, duke treguar se ëndrra nuk është më vetëm përjetim, por edhe diçka që duhet mbrojtur. Vigjilja e Donit paraqitet si një përballje me frikën dhe iluzionin. Edhe vigjilja e Gonit ndjek të njëjtin model. Ai imagjinon një rrezik të madh: “Janë xhuxhët… do të ma vjedhin gjithë Ëndrrën”. Në këtë mënyrë, romani tregon se rritja nuk është humbje e ëndrrës, por transformim i saj në diçka më të vetëdijshme dhe më të mbrojtur.
Përmes mjegullës, Lizës dhe planeve mbrojtëse, romani tregon se frika dhe mosbesimi mund të shtrembërojnë realitetin dhe të krijojnë armiq të paqenë. Megjithatë, ky proces është pjesë e rritjes: binjakët kalojnë nga një botë e pastër imagjinative drejt një bote ku duhet të dallojnë mes realitetit dhe fantazisë.
Përmes kryefigurës, Mjegullës, thellohet edhe më tej tema e dyshimit dhe izolimit, duke treguar se si perceptimi i realitetit fillon të deformohet nga frika dhe ndjenja e kërcënimit. Bota nuk ndryshon realisht, por mënyra si e shohin binjakët ndryshon rrënjësisht. Ndodh një transformim i thellë. Fshati, që më parë kishte kuptim dhe rëndësi, tani zvogëlohet dhe humb vlerë. Dyshimi dhe izolimi e bëjnë botën të duket e vogël dhe e pavlefshme. Figura e mjegullës vazhdon të jetë simbol qendror: “Mjegulla si një përbindësh kishte mbërthyer…” Kjo metaforë e fuqishme e shndërron mjegullën në një forcë kërcënuese, që zhduk dallimet dhe identitetet: “Të gjithë dukeshin njësoj.”
Pra, mjegulla simbolizon humbjen e individualitetit dhe qartësisë, një botë ku gjithçka bëhet e paqartë dhe e frikshme.
Megjithatë, një detaj shumë domethënës është ky: “Ishin mësuar me të. Ja njihnin të gjitha pikat e sulmit.” Është tregues se frika është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Ata nuk luftojnë më mjegullën, por jetojnë me të, madje mendojnë se e njohin dhe mund ta kontrollojnë. Dyshimi arrin kulmin në interpretimin e sjelljes së fshatarëve.
Rrëfimi “Karrocat” është i dhimbshëm, ku loja fëmijërore ndeshet drejtpërdrejt me realitetin e egër të jetës dhe vdekjes. Përmes ngjarjes së qenit të shtypur nga karroca, autorja ndërton një kontrast të thellë mes ndjeshmërisë së fëmijëve dhe indiferencës së botës së të rriturve. Ngjarja qendrore, shtypja e qenit, trajtohet në mënyrë të tërthortë, por shumë goditëse. Reagimi i binjakëve është i menjëhershëm dhe plot jetë: “Unë jam doktori kryesor!” / “Edhe ti je doktor!”
Ata hyjnë në një lojë që për ta është serioze. Përmes kësaj loje, ata përpiqen ta luftojnë vdekjen. Në kontrast të fortë me këtë ndjeshmëri qëndron bota e të rriturve: “Karroca kaloi… dhe nuk u ndal” dhe më tej: “Turma kalonte e qetë… Ishte një gjë e vogël për t’u vënë re.” Tregohet indiferenca e plotë ndaj jetës. Për të rriturit, qeni është “thjesht një qen”, një objekt pa rëndësi. Krijohet një kontrast i qartë: fëmijët personifikojnë ndjeshmërinë, përpjekjen për të shpëtuar si dhe reagimin emocional. Ndërkaq, të rriturit janë personifikim i indiferencës, vazhdimësisë, mungesës së reagimit.
Edhe rrëfimi “Vigjilja II” përbën një nga çastet emocionale të romanit, ku loja dhe imagjinata tërhiqen për t’i lënë vend një përvoje më të thellë: ndeshjes me vdekjen, përgjegjësinë dhe kufijtë e botës së tyre. Akti i bartjes së qenit është përshkruar me realizëm fizik dhe simbolik: “qeni ishte më i rëndë se sa e prisnin.” Kësisoj, autorja tregon transformimin e tyre.
A thua, ata qenkan vetëm fëmijë që luajnë?
Jo, ata janë dhe protagonistë që ndeshen me realitetin dhe marrin përgjegjësi. Vendosja e qenit pranë gurit kufitar është shumë domethënëse: “afër gurit që shënonte kufirin e tokës së tyre”. Është kufiri mes botës reale dhe asaj të ëndrrave. Duke e varrosur qenin aty, ata e lidhin vdekjen me botën e tyre të brendshme, duke e bërë pjesë të saj. Kontrasti me fshatin është i fortë: “dukeheshin larg… si miniatura të vogla pa plan”. Fshati tani nuk është vetëm i largët fizikisht, por edhe emocionalisht. Ai përfaqëson një botë që nuk kupton dhe nuk ndien si ata.
- Sfida e zhanrit
Autoja e re e sfidon lexuesin edhe me kufijtë e zhanrit: a është prozë për të rritur apo për fëmijë?
Romani “Mjegulla” paraqitet në pamje të parë si një rrëfim i thjeshtë, që trajton lojëra fëmijësh, që ka dialogë të pafajshëm dhe situata të lehta. Megjithatë, sa më thellë të hysh në tekst, aq më shumë zbulohet se kjo vepër nuk është thjesht për fëmijë. Ajo është një prozë me elemente fëmijërore në sipërfaqe, por me thelb filozofik dhe simbolik, që e bën më të përshtatshme për lexues të rritur. Na e kujton romanin “Kronikë më gur” të Ismail Kadaresë, ku rrëfimi zhvillohet përmes perspektivës së fëmijëve.
Vepra ndërtohet rreth botës së binjakëve, Donit dhe Gonit. Ata luajnë, imagjinojnë, krijojnë qytete prej bore dhe përpiqen ta kapin erën. Edhe mënyra si ata interpretojnë botën, përmes xhuxhëve, zanave apo “gurit që sjell ngrohtësi”, është tipike për imagjinatën fëmijërore. Mirëpo, përtej kësaj dukjeje sipërfaqësore, romani zhvillon tema të thella dhe universale. Një nga elementet më të rëndësishme është simbolika e mjegullës, e cila si dukuri natyrore, këtu përfaqëson pasigurinë, izolimin dhe mungesën e qartësisë në jetë. Në një moment thuhet se “gjërat nuk shiheshin më me sy”, çka tregon se realiteti është i paqartë dhe i vështirë për t’u kuptuar. Kjo është një ide që tejkalon botën e fëmijëve dhe i përket reflektimit filozofik.
Një tjetër moment kyç është episodi i vdekjes së qenit. Në fillim, djemtë përpiqen ta shpëtojnë përmes lojës: “Një, dy! Fryji! Fryji! Hajde! Zgjohu!”. Kur kuptojnë se ai nuk mund të kthehet në jetë, ata ndeshen për herë të parë me realitetin e pakthyeshëm të vdekjes. Edhe procedimi artistik se si trajtohet drejtësia, shpreh përmasën filozof ike të veprës. Në episodin “Drejtësi me mollë të kalbura”, binjakët veprojnë sipas logjikës së tyre, duke sfiduar rregullat e botës së të rriturve. Kjo ndeshje mes drejtësisë intuitive dhe asaj formale ngre pyetje të rëndësishme: çfarë është e drejtë dhe kush e përcakton atë?
Zhvillimi psikologjik i personazheve flet po ashtu për këta kufij zhanrorë. Në fillim këta personazhe janë të lirë dhe të bashkuar, por me kalimin e kohës lind dyshimi dhe frika. Në kapitullin “Dyshimi” ata fillojnë të shohin rrezik edhe aty ku nuk ka, duke menduar se të tjerët “po planifikojnë diçka kundër tyre”. Autorja na sugjeron se ndodh një kalim nga pafajësia drejt një bote më të ndërlikuar, ku besimi zëvendësohet nga pasiguria.
- Semantika e mjegullës: mes alegorisë dhe realizmit poetik
Romani “Mjegulla” ndërtohet mbi dy shtresa kuptimore të ndërthurura ngushtë: rrafshin alegorik që e shndërron rrëfimin në një simbol të jetës njerëzore dhe rrafshin ironik, që e vë në dyshim realitetin përmes kontrasteve dhe toneve të fshehta kritike. Kjo ndërthurje i jep veprës thellësi dhe e zhvendos atë nga një rrëfim i thjeshtë drejt një teksti me kuptim filozofik.
Dialogu përfundimtar është thellësisht filozofik. Goni pyet për një botë më të mirë: “Me më pak mjegull. Ku dielli shndrit fort.” Kjo është dëshira për qartësi dhe liri. Por përgjigjja e Donit është realiste: “Tani për tani, jo.” Kjo fjali shënon pranimin e kufizimeve. Kulmi i këtij reflektimi është: “jemi të mbyllur këtu… kemi ëndrrat… por kaq mund të bëjmë”.
Ëndrrat ekzistojnë, por ato nuk mjaftojnë për ta ndryshuar menjëherë realitetin. Megjithatë, shpresa mbetet: “kur mjegulla të kalojë… do të jemi atje… diku tjetër”. Edhe pse të kufizuar, ata besojnë në një të ardhme ndryshe. Mjegulla është e përkohshme dhe pas saj ekziston mundësia e lirisë. Në këtë realitet të mbyllur ëndrra mbetet një dritë shprese që i shtyn të besojnë se një ditë do të arrijnë një botë tjetër, më të ndritshme.
E, pra, përbërësi më i fuqishëm alegorik është mjegulla, e cila përshkruhet si një prani e vazhdueshme: “gjërat nuk shiheshin më me sy”. Kjo mjegull simbolizon mungesën e qartësisë, padijen dhe kufizimin e perceptimit njerëzor. Ajo e bën botën të paqartë dhe i pengon personazhet të shohin përtej realitetit të tyre të ngushtë. Edhe fshati Gurez paraqitet si një hapësirë alegorike: një vend i izoluar, ku njerëzit jetojnë në një cikël të përsëritur dhe pa zhvillim. Ai përfaqëson një shoqëri të mbyllur, ku ndryshimi është i vështirë dhe ku individi ndihet i kufizuar. Në kontrast me këtë botë qëndron Qyteti i Artizanit, i cili shfaqet si vizion: një hapësirë me dritë, punë dhe krijim.
Ky qytet është një alegori e idealit, ëndrrës dhe mundësisë për një jetë ndryshe. Ai nuk është thjesht një vend, por një aspiratë. Një utopi?! Figura e qenit ka gjithashtu një dimension alegorik shumë të fortë. Ai është një qenie e pambrojtur, e heshtur dhe e nënshtruar, që përfundon viktimë e indiferencës: “ishte thjesht një qen”. Mrëpo për binjakët ai bëhet simbol i jetës së pafajshme që nuk vlerësohet. Edhe Toka e Ëndrrave dhe “punishtja e ëndrrave” janë elemente alegorike që përfaqësojnë botën e brendshme të njeriut, vendin ku krijohen dëshirat, shpresat dhe kuptimi i jetës.
Romani “Mjegulla” është edhe një tekst i ndërthurur me një shtresë poetike dhe lirike, e cila i jep veprës ndjeshmëri, ritëm dhe thellësi emocionale. Një nga elementet më të dukshme të kësaj shtrese është përdorimi i figurave letrare. Që në fillim, bota përshkruhet me një gjuhë të ngarkuar me imazhe: “Mjegulla si një përbindësh kishte mbërthyer shtëpizat…” Kjo metaforë i jep mjegullës një dimension të gjallë dhe kërcënues, duke e kthyer natyrën në një subjekt aktiv. Po kështu, përshkrimi i borës si: “pemët… si torta të bardha që askush nuk i kishte prerë” tregon një ndjeshmëri estetike dhe një mënyrë të veçantë të të parit të botës, tipike për një gjuhë poetike.
Edhe elemente të thjeshta marrin një dimension simbolik dhe lirik. Për shembull, horizonti përshkruhet si diçka që fshihet: “fshihej një horizont i tërë”. Shtresa lirike e veprës shfaqet sidomos në mënyrën si përshkruhen ndjenjat.
Romani “Mjegulla” është një vepër origjinale në ndërtim dhe atmosferë, por në të njëjtën kohë ai lidhet me një traditë më të gjerë letrare. Përmes temave, simbolikës dhe mënyrës së rrëfimit, vepra shfaq ngjashmëri me disa autorë të njohur botërorë, sidomos në mënyrën si përdor fëmijërinë për të trajtuar çështje të thella filozofike. Ngjashmëria më e dukshme është me “Princi i Vogël” të Antoine de Saint-Exupéry. Ashtu si në këtë vepër, edhe në “Mjegulla”, fëmijët vërtet janë personazhe, por më shumë janë bartës të së vërtetës. Të dyja veprat përdorin gjuhë të thjeshtë, por me kuptime të thella. Trajtojnë tema si vetmia, miqësia dhe kuptimi i jetës. Ajo që bie menjëherë në sy është origjinaliteti i këndvështrimit. Romani “Mjegulla” është i shkurtër, por i dendur, i përmbledhur, por i thellë. Ai arrin të thotë shumë me pak, duke dëshmuar se një vepër e madhe nuk ka nevojë të jetë e gjatë, por e fuqishme në mendim dhe ndjesi.
Maj 2026
Dërgoi për publikm Hajdin Morina











