Xhelal Zejneli
Vizita e kryeministrit të Spanjës në pesë vende të Ballkanit Perëndimor
Më 29 korrik 2022 erdhi në Beograd për një vizitë dyditëshe kryeministri spanjoll Pedro Sançez (Pedro Sánchez, 1972-). Ky është i pari kryeministër i Spanjës që e viziton Serbinë. Vizita e tij në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor do të zgjatë katër ditë, prej 29 korrikut deri më 1 gusht të vitit në vazhdim. Me këtë rast ai viziton Beogradin, Sarajevën dhe Mostarin (Bosnjë e Hercegovinë), Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën.
Sikundër shihet, kryeministri Sançez nuk e viziton Kosovën. Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme. Si e lejon Brukseli një gjë të tillë?!
Me rastin e vizitës në Beograd, kryeministri Sançez dha disa deklarata të turpshme dhe të papranueshme për kombin shqiptar: “Spanja është gjithmonë me Serbinë. Ne e respektojmë tërësinë tuaj tokësore. Spanjën dhe Serbinë e lidh nevoja për ta respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe tërësinë tokësore të Serbisë. Ne e mbështesim Serbinë lidhur me Kosovën. Spanja gjithmonë ka qenë dhe do të jetë me Serbinë, në mbrojtje të parimeve që i ceka më lartë dhe gjithmonë do të jetë për dialogun e të dyja palëve”.
Sipas kryeministrit spanjoll Sançez, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një “marrëveshje me të cilën të dyja palët do të jenë të kënaqura”. Ky qëndrim i Sançezit përputhet qind për qind me qëndrim e Vuçiqit.
Sipas Sançezit, në Kosovë u dashka të krijohet një asociacion komunash me shumicë serbe, që ndryshe quhet zajednicë ose dodik repubkë, e cila pastaj do të shkëputej nga Kosova dhe do t’i bashkëngjitej Serbisë proruse, të udhëhequr nga kryekrimineli i Ballkanit – Vuçiq.
Diskursi i kryeministrit spanjoll Sançez se “Spanjën dhe Serbinë e lidh nevoja për ta respektuar të drejtën ndërkombëtare” është në kundërshti të plotë pikërisht me të drejtën ndërkombëtare.
Pyetjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nëse deklarata e pavarësisë e shpallur më 17 shkurt 2008 nga institucionet e Kosovës, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (International Court of Justice), në pasditen e datës 22 korrik 2010, i përgjigjet kësisoj: “Deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, as rendin juridik ndërkombëtar në Kosovë”. Qëndrimin e sipërthënë të GjND-së e bëri publik për botën kryetari i saj – juristi, diplomati dhe profesori japonez Hisashi Ovada (Hisashi Owada, 1932-) .
* * *
Më 7 tetor 2021 u mbajt në Bërdo afër Kranjit (Brdo kod Kranja), Slloveni, samiti i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe ai i Spanjës Pedro Sançez.
Më 24 qershor 2022, Këshilli i Evropës në Bruksel mbajti një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fund të takimit, kryeministri spanjoll Pedro Sançez mbajti një konferencë për shtyp. Me këtë rast ai deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të pranojë që BE-ja t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Deklaratat e Sançezit në Beograd janë në kundërshti të plotë me prononcimet e tij në Bruksel.
Shënim: Në maj të viti 2016 Komisioni Evropian propozoi që në listën e vendeve të cilave duhet hequr viza, të përfshihet Kosova, me arsyetimin se ajo i ka plotësuar kërkesat.
* * *
Qëndrimin e vet për pavarësinë e Kosovës, Spanja e ndërlidh me problemin që ka me separatistët katalonas apo me çështjen baske të para do viteve. Pavarësia e Kosovës përballë një Serbie të vogël dhe historikisht antidemokratike dhe proruse, nuk mund të krahasohet në asnjë pikëpamje me një Spanjë, që dikur ka qenë sundimtare e deteve. Është turp për Spanjën ta ulë veten në nivelin e Serbisë, të përbërë prej pallankave.
* * *
Më 1 gusht të viti në vazhdim, kryeministri spanjoll Pedro Sançez do të mbërrijë në Tiranë. Shqiptarët janë njerëz të mirë dhe do ta presin. Të ishte ndonjë shtet tjetër, nuk do ta priste. Do t’i thoshte: “Nuk shkon në Kosovë, mos as këtu”.
Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia janë pesë shtete të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndaj tyre, shqiptarët duhet të sillen si komb i bashkuar.
Gjatë takimit me të huajt, fjala e parë e çdo politikani, e çdo ministri dhe e çdo deputeti shqiptar duhet të jetë Kosova. Fjala Kosovë duhet të përmendet qysh në korridoret e kancelarive të botës, ende pa mbërritur në sallën e bisedimeve.
Më 24 tetor 2009 Spanja e nderoi Ismail Kadarenë (1936-) me çmimin “Princi Astorias për Letërsi” (Prince of Asturias Award for Letters). Kadareja shquhet për urti. Ka pasur raste në botë kur personi i nderuar, në shenjë proteste, e ka refuzuar çmimin.
* * *
Vuçiqit nuk iu lejua të vizitojë Jasenovacin në Kroaci – Më 17 korrik 2022, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte planifikuar të bënte një vizitë private në Jasenovac dhe në Pakrac të Kroacisë. Vendimin për ta ndaluar ardhjen e Vuçiqit, qeveria kroate e mori për dy arsye:
– E para, për ardhjen e Vuçiqit, autoritetet kroate nuk ishin njoftuar zyrtarisht, gjë që është e papranueshme dhe në kundërshti me praktikën ndërkombëtare;
– E dyta, vizita e një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj, në rajonin përkujtimor Jasenovac, nuk mund të jetë me karakter privat. Vuçiqi synonte ta kalojë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Zotëri, Ju nuk shkoni në det… Politika kroate është për uljen e tensioneve… Përfaqësuesit e pakicës serbe janë të përfshirë në Qeveri…”
Shënim: Jasenovci ka qenë kamp përqendrimi në Kroaci, në qytetin me të njëjtin emër. Pjesa më e madhe e kampit ndodhej në vendin Jasenovac, rreth 100 km në juglindje të Zagrebit. Është formuar në gusht të vitit 1941, ndërsa është mbyllur në prill të viti 1945. Numri i viktimave kurrë nuk është përcaktuar saktësisht. Në raportin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare në Nyrnberg, Komisioni shtetëror i “Kroacisë” apo më sakë – i Jugosllavisë / serbosllavisë – ka konstatuar se numri i viktimave arrin ndërmjet 500.000 dhe 600.000.
Sipas burimeve serbe, viktimat kanë qenë serbë, hebrenj dhe romë. Kampi ka qenë nën administrimin e ustashëve kroatë. Historiografia kroate e sotme flet për shifra të tjera. Gjatë historisë politike të kohës më të re (1877 e këndej), Serbia gjithmonë ka qenë e prirë që numrin e viktimave serbe ta shumëfishojë.
* * *
Pas ndalimit për të hyrë në Kroaci, Vuçiqi pësoi një grusht të fortë. Me Kroacinë lojë nuk ka. Për ta tejkaluar diskreditimin dhe komprometimin, më 20 korrik 2022 atij i vjen në vizitë kryetari i Egjiptit Abdel Fatah el Sisi (Abdel Fattah el-Sissi, 1954-). Edhe ky qëndroi në Beograd dy ditë. Egjipti është vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Shumë vende arabe, përkatësisht vende me popullsi islamike, përfshi Iranin, Rexhep Taip Erdoganin – e çojnë mirë me Serbinë dhe e mbështesin Vuçiqin, përkundër faktit se serbët në Srebrenicë të BH-së, duke ekzekutuar mbi 8.000 vetë, kanë kryer gjenocid ndaj myslimanëve (boshnjakëve). Çfarë paradoksi?! Në përplasjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vendet e sipërthëna e mbështesin Beogradin.
Pas El-Sisit, ia behu kryeministri spanjoll Sançez. Vuçiqit i duhen vizita për të dalën nga izolimi.
* * *
Serbia është ndër shtetet e rralla në Evropë, në mos i vetëm që s’i ka vënë sanksione Rusisë. Përkundër kësaj, kryeministri spanjoll Pedro Sançez e viziton Beogradin dhe i shtrëngon duart me Vuçiqin. aq më tepër, e anashkalon Kosovën. E tmerrshme!! Mund të kuptohet vizata e Abdel Fatah el-Sisit të Egjiptit, por kjo e Sançezit, s’ka sesi kuptohet.
Kosova është vendi më demokratik, më paqedashës, më paqeruajtës dhe më i konsoliduar i rajonit. Të drejtat e pakicave në Kosovë respektohen si në asnjë vend të Bashkimit Evropian.
Prej vitit 2008 e këndej, Berlini dhe Parisi nuk e bënë as më të voglën përpjekje për të Madridin, Athinën, Nikozinë, Bukureshtin dhe Bratislavën që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është për të ardhur keq. A thua vallë ka qenë gjumë edhe diplomacia kombëtare shqiptare?!
Deklaratat e kryeministrit spanjoll Pedro Sançez në Beograd, janë në kundërshti të plotë me parimet themelore të Bashkimit Evropian. Është në interes të Unionit që t’i ndryshojë disa rregulla të funksionimit të vet. Kosova duhet të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe e Bashkimit Evropian me procedurë të ngutshme. Për këtë duhet të vendosin Berlini dhe Parisi. Sa për integrimin në NATO, për këtë shpejt do të vendosë Uashingtoni – miku i përjetshëm i kombit shqiptar.