25.6 C
Tirana
E premte, 31 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Shpresa e shuar

Shpresa e shuar

0
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

  • tregim

Nënë Mara e hapi kapakun e magjes dhe pa në hambar një gjysmë grushti miell, që strukej në njërin cep të saj. Një drithërimë ia përshkoi trupin, si t’i kishte prekur korrenti. E ktheu vështrimin nga fëmijët, të mbuluar me postahen e kmesës, në anë të oxhakut. Flinin si të ishin rrëzuar në gjumin letargjik të dimrit, të përqafuar njëri me tjetrin, edhe pse barkun e kishin bosh. Ashtu, pa darkë, kishin rënë në gjumë të shtatë, i shtrënguar njëri pas tjetrit, pa ua dëgjuar askush zërin. Po si do t’ua bënte nënë Mara, kur të zgjoheshin e të rrethonin vatrën e oxhakut, në pritje të një cope buke që t’ua shuante urinë?

I shoqi kishte më se një javë që ishte nisur për në Shkodër, tek disa miq, e ende nuk po kthehej. Jashtë bora kishte zbardhur gjithçka; qielli, gri e pareshtur, vazhdonte të derdhte flokë e flokë, duke izoluar shtëpinë nga bota. E trazoi me gishta atë grusht mielli, që s’dilte as për një kulaç të vetëm. Pastaj hapi njërin nga raftet, ku pa se s’kishte asgjë tjetër që fëmijët mund ta hanin.

“Eh…” – nuk dinte çfarë të bënte. A do të mundte ajo edhe njëherë t’u thoshte se s’kishte asnjë copë bukë?
Brenda vetes ndjeu një boshllëk të thellë e një trazim që s’e kishte njohur më parë.

Në cepin e dhomës, në fundin e një thesi, kishin mbetur disa boçe misri, që ruheshin për të ndezur zjarrin në mëngjeset kur drutë ishin të lagura. Pa e kuptuar as vetë, iu drejtua thesit, hapi grykën e tij dhe pa atë tufë boçash, në fund të të cilave s’kishte tjetër veçse mbeturina të shirjes së misrit. Njëri prej fëmijëve, duke u kthyer nga ana tjetër, mërmëriti në gjumë: “Nënë, një copë bukë” – po gjumi e mori përsëri të voglin, ndërsa asaj iu duk sikur i ishte ndalur zemra kur i dëgjoi ato fjalë.

Vështrimi i frikësuar iu ndal te mokra e vjetër, që i shoqi e kishte ndërtuar pak nga pak, me shumë kujdes, e cila prehej pa pasur çfarë të bluante. Ajo mokër ishte bërë pikërisht për ditë të tilla, kur edhe zogu në fluturim dridhej prej të ftohtit, e uria kërcënonte gjithçka të gjallë. E rrotulloi dorezën, dhe gurët filluan të hanin njëri-tjetrin.

Mori dy boçe në dorë dhe i futi në atë mokër të vjetër, aq të ruajtur me dashuri, dhe prej saj filloi të dilte një tallash i imët. Pastaj futi edhe dy të tjera, e pas tyre edhe të tjera, derisa në hambar u mblodh një grumbull i tërë tallashi.

I mbushi grushtat plot me tallash boçash dhe e derdhi në hambarin e magjes.

Eh, medet – ai grusht mielli që i kishte mbetur ishte fare i pakët. E përzieu me tallashin e boçave, vuri gjymin të valonte ujin dhe filloi ta brumoste bukën. “Edhe në qoftë se s’kanë çfarë të hanë, të paktën t’u ngopet syri kur ta shohin,” mendoi me vete. Gjymi nxehej mbi zjarr, pranë oxhakut, ndërsa ajo ndezi furrën për ta pjekur atë çka nuk gjendej emër t’i vihej – pak miell i përzier me tallash boçash.

Shpejt e shpejt e përzieu ujin me atë miell-tallash; edhe pse nuk bëhej masë e njëtrajtshme, arriti të sajonte një farë brumi, të cilin e vendosi në një tepsi dhe e futi në furrën e nxehtë.

I ngriti ngadalë, njërin pas tjetrit, kalamajtë e vet. Të mëdhenjtë nuk bëzanin; të vegjlit përsëritnin, njëri pas tjetrit, të njëjtin refren: “Bukë, moj nanë, një copë bukë…”

“Pritni, ju pastë nëna, sa të piqet buka – ja, tashti e kam futur në furrë.”

Kalamajtë u mblodhën të gjithë bashkë te furra, për ta parë bukën duke u pjekur. Sytë u ndrisnin nga shpresa, ndërsa prisnin. Dhe teksa prisnin, nëpër borë, si e trullosur, erdhi duke kakarisur një pulë – pula e fundit që u kishte mbetur në shtëpi, e cila prej ditësh nuk bënte më asnjë vezë, se s’kishte çfarë të hante.

“Kapeni!” – u tha dy djemve më të rritur, dhe ata u turrën drejt saj. Po djali i vogël filloi të lutej: “Mos, nanë!”
E kapën pulën dhe ia sollën së ëmës, e cila kërkoi thikën.
“Mos, nanë,” – tha djali i vogël, – “ajo është pula ime.”

“Të pastë nëna! Sapo të vijë vera, do të të blej një pulë të bukur, më të bukurën pulë. Po tani do ta therim pulën tënde e do ta hamë bashkë me kulaçin që kemi në furrë.”

“Eja,” – i tha djalit të madh, – “mbaje mirë, se do t’ia këpus kokën.” Ndërsa të tjerët prisnin para furrës, bukën.
Ia mbështetën kokën mbi një dru dhe ia këputën, e pula filloi të spërkasë me gjak borën e bardhë, duke u përpëlitur mbi të.
Papritur, një flakë shpërtheu nga gryka e furrës, dhe të gjithë bërtitën me sa fuqi kishin:
“Nënë, nënë – buka! Buka po digjet!”

Ajo vrapoi drejt furrës, hapi kapakun, dhe pa se një flakë dilte nga tepsia, thua se ishte hedhur vaj mbi zjarr. E nxori tepsinë përpara furrës – flakëronte e tëra. Të gjithë u afruan rreth saj dhe frynin drejt zjarrit, me shpresë ta shuanin, po ai bëhej vetëm më i pamëshirshëm e më i madh. E vetmja që nuk i frynte flakëve ishte nënë Mara, që i shihte, e tronditur, fëmijët e saj duke luftuar t’i shuanin ato flakë që s’mund të shuheshin më. Filluan të merrnin borë e ta hidhnin mbi tepsi, dhe kur më në fund flaka u shua, në fund të tepsisë s’mbetej gjë tjetër veç një grumbull i zi.

“Eh,” – mendoi me vete, – “ai pluhur i zi, pak minuta më parë, ishte i bardhë. I bardhë si bora, e tani është thëngjill i zi.” Medet – bocat s’janë për bukë, ato janë vetëm për të ndezur zjarrin në mëngjeset kur drutë janë të thara e marrin flakë menjëherë; tallashi i tyre, aq më tepër, do të digjej shpejt e pa mëshirë.

E hodhi vështrimin te fëmijët, të mbledhur pranë njëri-tjetrit, të trembur, pa nxjerrë asnjë fjalë, me sytë e tyre të trishtuar ngulur mbi tepsi.

Bashkë me bukën, ishte djegur edhe shpresa e tyre e fundit.
E gjithë trupi i saj filloi të dridhej; këmbët nuk e mbanin më, dhe filloi të lëkundej si mal i goditur nga një tërmet i fuqishëm.
“Po ti, o Zot, a nuk sheh?” – mërmëriti me vete, por i kishte dalë fjala me zë, dhe fëmijët, duke qarë, u vërsulën drejt saj, e rrethuan.
“Mos qani, ju pastë nëna, mos qani!”

Po një dënesë iu mblodh në fyt, s’mundi më ta mbante, dhe ia dha vajit – e me të filluan të qajnë edhe fëmijët, rreth saj. Vetëm djali i vogël, herë duke rënë e herë duke u ngritur nëpër borë, po ecte drejt pulës…

Po pa mbërritur ende tek ajo, thirri me gjithë zërin që kishte:
“Baba! Baba!”
Të gjithë kthyen sytë nga livadhi përpara shtëpisë, prej nga një burrë, me thes në shpinë, vinte drejt tyre.
Ajo s’kishte më fuqi t’i ndiqte fëmijët.
Më në fund, kishte ardhur një thes me miell – sa për t’i mbajtur gjallë edhe pak ditë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.