QEVERITË PARAPRAKE RRUMPALLË, ZHVATËSE E KRIMINALE!

0
105
Politikanët pareli në Kosovë

IDRIZ ZEQIRAJ

Në përmbylljen e një motmoti, zakonisht bëhet bilanci, llogaria, qoftë ajo familjare, ashtu edhe zyrtare, shtetërore. Ndërrimi i moteve, më së shumti i gëzon fëmijtë, për rritjen e tyre dhe rininë, që projektojnë të afërmen dhe të ardhmen në perspektivë. Ndërsa të moshuarit, përfshirë nga ata që kanë kaluar të 60-at e sipër, me shqetësim numërojnë vitet, që rrokullisën me ritmin e një orteku bore. Ngushëllimi i tyre reduktohet në rritjen, shkollimin dhe punësimin e fëmijëve, respektivisht, të nipërve, mbesave…

Ndonëse jemi të thirrur për ta vlerësuar vitin kalendarik 2023, për Kosovën, përgjigja në sintezës, nuk është për “marshallah”. Ekonomistët, në shumësinë e tyre, konstatojnë se munguan investimet në veprat zhvillimore kapitale, të cilat do ta zbusnin papunësinë dhe migrimin e rinisë në Evropë dhe botë.

Autostrada e Dukagjinit është parësi ndërtuese

Qeveritë paraprake rrënuan gjithçka, “i bënë rrush e kumbulla” pasuritë e trashëguara, me tenderime e privatizime zhvatëse e kriminale. Por, si mbulesë, në mbyllje të mandateve qeverisëse të papërfunduara, betononin ndonjë autostradë apo rrugë rajonale e lokale. Ndërkohë, viti 2023 kaloi pa asnjë vepër kapitale! Edhe pse ishte bërë fizibiliteti për ndërtimin e autostradës të Dukagjinit, qeveria aktuale e la jashtë projekteve brenda mandatit të saj.

Ndërtimi i kësaj autorruge ishte arsyetuar bindshëm, sepse ajo përshkon 5 (pesë) komuna, me popullësi numerike, në çdo 15-20 km., pason një qytet. Është skajshëm alogjike që në rrugëtimin për Prizren, Tiranë, duhet udhëtuar në drejtimin e kundërtë deri në Drenicë! Llogarisni shpenzimet në kohë dhe xhep, nga kjo lakore absurde! Rruga nga Tirana në Vërmicë, përshkohet për 1(një) orë, kurse nga Vërmica në Pejë, Istog, për 2 (dy) orë!

Qeveria aktuale, si për inat, me një cinizëm sa befasues, aq edhe irritues, bujshëm e përdhunshëm, proklamon fillimin e afërm të rrugës Prizren-Tetovë, duke e anashkaluar injorueshëm prioritetin e natyrshëm, ndërtimin e autostradës të Dukagjinit!

Interesi publik e shtetëror, tejkalon “shenjtërinë” private

Fakt është se qeveritë paraprake, menaxhuese kriminale të buxhetit shtetëror, me abuzime penalizuese të shpronësimeve, i filluan dhe nuk i mbaruan rrugët dhe autostradat Prishtinë: Gjilan, Podujevë, Mitrovicë, Pejë, të cilat, edhe pse me vonesë, disa syrësh janë në ndërtim e sipër. Çështja e shpornësimeve, e përcaktuar me Kushtetutë, për nevoja publike, shtetërore, mbi bazën vlerësuese të vlerës aktuale të tokave, nuk mund dhe nuk guxon të abuzohet e pengohet me arsyetimin klishe, se “prona private është e shenjtë”!

– Shtetit duhet t`i vjen era shtet- dhe nuk duhet të tolerojë “trimëritë” rrugaçërore të individëve apo të grup individësh privatë, të cilët duke abuzuar me demokracinë e “shenjtërinë”, pengojnë ndërtimin e rrugëve, duke synuar të realizojnë pazarët e pista në shpronësime, me shuma jashtë çdo norme e kriteri, siç ndodhi me autostradën Kijevë-Zahaç, në qeverisjen e Haradinaj. Interesi i përgjithshëm publik e shtetëror, tejkalon këtë “shenjtëri” abuzive. Kjo dëshmohet me gjakun e derdhur ndër mote, dekada e shekuj të brezave shqiptarë, jo në mbrojtje të parcelave  private, por në mbrojtje të shenjtërisë të territorit shtetëror.

Shembull:

Në komunën e Istogut, pikërisht, në fshatin Cërcë, shteti kishte planifikuar buxhetin, për ta diciplinuar një përrua zullumqar, i cili, në raste të reshurave sasiore, sillte nga bjeshka gurë e rërë, duke vërshuar e dëmtuar rrugët dhe tokat e fshatit. Një plak i handakosur i lagjës, ku kalonte përroi, që kishte nevojë për zgjërim simbolik, bërjen e një kanali, reagoi me fyerje e mujëshi ndaj shtetarit të caktuar për bisedime me komunitetin kufitar të kanalit, i cili kishte dy funksione – njëherësh: Diciplinimin e përroit dhe kullimin e tokave të ujëshme, deri në derdhjen në Lumin e Istogut. Shteti nuk i “shtrëngoi dhëmbët”, përkundër “lëshoi pe” ndaj kundërshtisë private. Dhe, komuniteti vazhdon ta vuajë egërsinë e përroit dhe kullimin e arave e bëjnë stërmundimshëm, çdo vit me mjete rrethanore. Sot fshatarët ngushëllohen me anatemimin e plakut rrebel, të ikur, mallkueshëm, kësaj bote.

“Bagëlimet” Hashimi-Edita-Isa-Skënderi, mbajnë peng Kosovën

Në rrafshin politik, përgjatë vitit 2023, Kosova ka bërë disa hapa para. Qeveria e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, është përballur me “bagëlimet” e qeverive të shkuara. Qysh nga viti 2010, tandemi Hashim Thaçi-Edita Tahiri, bisnomi Isa Mustafa-Skënder Hyseni, në konspirim të plotë, mashtruan shqiptarët se, kinse, “po bëjmë vetëm dialog teknik me Serbinë!” Realisht, ata bënin bisedime politike, si rrjedhojë e shantazhimit të kryeministrit Thaçi, me dosjet faktike të krimeve të luftës dhe të pasluftës, vrasjet e kundërshtarëve politikë shqiptarë. Dhe, këto nuk janë trillime politike, por krime faktike, të dosuara nga Serbia dhe ndërkombëtarët e pranishëm, zyrtarisht, kudo në Kosovë.

“Zajednica” e nënshkruar, nga Hashimi dhe Isa, më 2013, dhe “pronat” prej 27 hektarësh park, të dhuruara Manastirit të Deçanit, me porosinë imponuese të Hashim Thaçit, për nuset drejtuese të Gjykatës Kushtetuese, në këmbim të lirisë personale të tij, janë pikërisht këto dy çështje, të cilat e kanë pykuar dhe e mbajnë peng Kosovën sot:

1) Kadastrimi në pronësi të Manastirit të Deçanit i 27 hektarëve tokë, që devijon, karastrofisht dhe turpërisht, rrugën ndërshtetërore: Deçan-Plavë-Guci-Mbishkodër-Hani i Hotit-Velipojë-Ulqin… Presidenti Vuçiq e tregon një letër, me vizatimin e rrugës së devijuar, prapa 27 hektarëve, larg Manastirit, të bërë dhe të propozuar nga dora e vet – Hashim Thaçi. Këtë dëshmi të Vuçiqit, Hashimi nuk e ka demantuar kurrë!

2) “Zajednica”, Asociacioni për komunat me shumicë serbe të Kosovës, që e parathotë mosfunksionimin normal, madje, përjetsisht, të shtetit të Kosovës, në tërësinë e tij!

Problemin madhor e jetik për Kosovën, e tragjizon edhe më shumë BE-ja dhe ndërkombëtarët, përfshirë edhe aleatin tonë – SHBA, vendimtar për lirinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës, ngulmojnë, çuditshëm e paradoksalisht, pikërisht, realizimin e këtyre dy kërkesave të Serbisë, edhe pse dihet qëllimi i saj final, ndarjen e Kosovës, vazhdimin e gëllabërimit të tokave shqiptare, të filluara që nga Lidhja e Prizrenit, respektivisht, Kongresi i Berlinit, më 1878; Konferenca e Londrës 1913, Versaja e deri ke “rregullimet administrative” të Jugosllavisë komuniste!

Ish-opozitarizmi i egër i LVV, kundër tradhtisë, rrast i motivuar

Lëvizja Vetëvendosje, atëbotë, në opozitë, reagoi me vrazhdësi dhe egërsi, kundra pozitës PAN dhe patericës së tij, LDK-së, përkatësisht, klanit uzurpator të partisë së Rugovës, të kryesuar dhunshëm, nga Isa Mustafa, rrast i shantazhuar nga SHIK-u i Hashimit dhe Kadriut me shokë. E gjithë kundërshtia, forcërisht e bërë, ishte e motivuar dhe e përligjur, sepse mbronte integritetin tokësor, mbronte shtetin e Kosovës. Tymosja, qoftë edhe kallja e Parlamentit apo shenjëstrimi i godinës me “zollë”, asgjë nuk janë, sikur brenda tij të fundonin vetëm përkrahësit fanatikë të Hashimit dhe të Isës, në raport me dëmin, tradhtinë e madhe të bërë ndaj Atdheut- Kosovë!

Çuditërisht, opozita e tmerruar nga humbja e pushtetit të dhunshëm, në zgjedhjet e shkurtit 2021, në vend që t`i bashkohet pozitës, LVV, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, nga pretendimet pushtuese fashizoide të Serbisë, iu bashkua Vuçiqit, Edvin Ramës, Hashimit dhe ndërkombëtarëve, me të vetmin qëllim: “Rrafsh Kosova, vetëm ta rrëzojmë Albin Kurtin dhe ta marrim pushtetin!” Këtë herë jo me dhunë e përgjakje, por me konspiracione, në koordinim me armiken Serbi dhe aleatët e saj brenda dhe jashtë Kosovës.

Destruktiviteti i kësaj opozite kundërmonë tërbueshëm. Ilustrojmë vetëm me dy kushtëzimet idioteske dhe thellësisht rrugaçërore:

1) PDK: “Pa e caktuar datën e zgjedhjeve, nuk votojmë asnjë ligj dhe asnjë marrëveshje ndërkombëtare;

2) AAK: “Pa i futë në pagën minimale, 340 euro mujore, të 40.000 veteranët e rrejshëm, nuk votojmë asnjë nga ligjet e propozuara nga pozita në Parlament, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare!

Fatmirësisht, lidërshipi, gjysmë i reformuar, i LDK-së, bëri përjashtim nga PAN-i, rrast i inkriminuar, duke mos bojkotuar marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërsa dërgimi i disa vendimeve të qeverisë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duhet parë me rezerva?

PAN, kurrë pushtet në veri, por makro-kontrabandë me “Listën Serbe”!

Opinioni gjithëshqiptar e vlerëson si sukses shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, pas 24 vitësh, si “mollë e ndaluar”. Por, opozita, falsifikueshëm e mohon këtë, duke pretenduar se qeveritë e kaluara kishin ligjësuar shtrirjen e sovranitetit në veri, kurse LVV e humbi përsëri atë!? Përveç PAN-it, të zëshme në këtë gënjeshtër groteske, janë edhe disa zonja të LDK-së, dikur, koxha, të afërta me klanin Mustafa. Nuk po i përmend me emër, sepse, dikur, i kam lavdëruar pa doganë fare dhe tani sikur po e demantoj vetën.

Realisht, kurrëfarë pushteti nuk kishin qeveritë paraprake, në veriun e Kosovës. Këtë e thonë dhe e përsërisin përfaqësuesit e opozitës serbe, gazetarët, si Mirosllav Kërstiç, me kolegë; intelektualë të shquar nga Kosova dhe Serbia; Shoqëria Civile serbe. Ata janë të njëzëshëm se ish-qeveritë e Kosovës, me emër etiketojnë Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinaj, me bandat e tyre, bënin makro-kontrabandën me kriminelët, Radoiçiq e Veselinoviq, me shokë. Rrjedhimisht, qeveritë e shkuara kishin kontrabanduar me “Listën Serbe” dhe krerët e saj kriminelë dhe, assesi nuk kishin sunduar veriun e Kosovës.

Nga kjo kontrabandë, “Lista Serbe” u pasurua shumë, krijoi bandat, për ta nënshtruar, përdheshëm, opozitën serbe dhe pakicat joserbe në veriun e Kosovës. Nuk ka kontrabandë pa treg shitjeje. Andaj, banditërit kontrabandistë, partnerë serioz i kishin pushtetarët, me disa komandantë banditër, mujëshorë, fuqiplotë, të babëzitur për pasuri dhe pushtet, nga Drenica, Dukagjini, Llapi dhe treva tjera.

Viti 2023 kulmoi me provokime të Serbisë,
por me përballje dinjitoze të Kosovës

Viti 2023 shënon çmontimin faktik të strukturave paralele në veriun e Kosovës. Thonë se çdo e keqe ka edhe ndonjë të mirë. Bandat e harlisura të “Listës Serbe”, “Brigada e Veriut”, e ashtuquajtura “Shoqëria Civile”, këto dy të fundit, Qeveria Kurti, guximshëm, i shpalli të jashtëligjshme, u revanshuan Policisë të Kosovës. Filluan provokimet e vrazhdëta me protesta e barrikada. E pabesueshme, por krejt e vërtetë, bandat gëzuan aprovimin dhe mbështetjen e hapur të Borrell dhe Lajçak, madje edhe të disa ndërkombëtarëve të pushtetshëm.

Personalisht, presidentja Vjosë Osmani i reagoi shefit të NATO-paktit, në kërkesat e tij për lëvizjet e kufizuara të policisë dhe të Forcës të Sigurisë. “Mbrojtës i parë i kufirit është Policia e Kosovës, e dyta, Policia e EULEX-it, e treta KFOR-i, – potencoi Komandatja Supreme e Kosovës, Vjosë Osmani. Ky qëndrim këndelli edhe miqtë amerikanë.

Stupcat, gurët dhe plumbat e 29 majit, të turmës bandite serbe, turpëruan KFOR-in dhe ndërkombëtarët, mbrojtës të bandave kriminale serbe, të cilat vepronin e shantazhonin shtetin e Kosovës dhe vet BE-në. Qeveria e Kosovës, me Presidentën, kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, ministrën e Jashtme, me ekipin qeverisës, dinjitetshëm dhe me integritetin e plotë, përballuan suksesshëm sulmin koral -en bloc-, jo vetëm të Serbisë, por edhe të ndërkombëtarëve, të Edvin Ramës me batonët e buzhalët e tij; mediat e blera nga SHIK-u i PAN-it; e, mbi të gjitha, të opozitës PAN-iste, skajshëm, destruktive, me elemente të bollshme kriminale.

Pamëdyshje, 24 shtatori i këtij moti, ishte fitorja më spektakulare. Kupolë e fitorës, është rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, Hero i Kosovës, flijimi i të cilit, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, frymëzoi kolegët e tij policë, në përballjen e suksesshme, me bandat kriminale të Vuçiqit, duke e shpaguar shumëfish gjakun e Afrimit.

Përpjekja e opozitës dështake dhe fort të çoroditur, që fitorën në Banjskë të Zveçanit, ta reduktojnë si meritë, kryesisht, e policisë, është tendencioze, jo reale dhe, skajshëm, jo serioze. Për veriun problematik, me një ndjeshmëri të veçantë, çdo nismë, aksion, është studiuar dhe vendosur nga politika dhe urdhëruar nga ministria përkatëse. Këtë e pranojnë edhe krerët e policisë. Natyrshëm, lavdinë e parë e gëzojnë policia, me përgaditjen e lartë profesionale luftarake.

Pushtetarët pazare me tokat për liberalizimin e vizave.
Nuk luftuan krimin vrastar dhe as korrupsionin

Liberalizimi i vizave, është “një fitore si ajo e Pirros” të Epirit! Pranimi i këmbimit të territorit tokësor, nga Çakorri në Kullën e Zhlepit,  në këmbim të liberalizimin e vizave, sikur shqiptarët e Kosovës të ishin “me bythë në prush”, do të mbetet njollë e zezë e përjetshme, jo vetëm për krerët batakçinj, qeveritarë e pushtetarë të shantazhuar, të asaj kohe, por edhe për shqiptarët e Kosovës, në përgjithësi. Mbi të gjitha, për mungesën faktike të patriotizmit, të atdhedashurisë. Rrjedhimisht, është një fitore e ndotur, e përbaltur, që zvetnon, natyrshëm, gëzimin normal.

Pritja disa vjeçare, për liberalizimin e vizave, zbuloi hipokrizinë, falsitetin dhe gënjeshtrën e madhe të  shtetarëve, pushtetarëve, të të gjitha qeverive me radhë, duke filluar nga viti 2014 e këtej, kur thonin se “Kosova i ka plotësuar, madje edhe tejkaluar kushtet e përcaktuara në formularin përkatës”. Kësaj rrene të kulluar, iu bashkuan edhe ndërkombëtarët, të cilët kur vinin në Kosovë, për bërje qejfi, thonin se “Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave”. Dhe, kur ktheheshin në vendet e tyre, e thonin të vërtetën: “Duhet të punohet më shumë në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar”.

Përjashtim bënë ministrja Donikë Gërvalla, bija krenare e heroit Jusuf Gërvalla, e cila në një mbledhje ndërkombëtare, të organizuar nga BE-ja, deklaroi se “Kosova nuk duhet të akuzojë Evropën për vizat, por ne duhet t`i bëjmë detyrat e shtëpisë”. Pisanjozët e opozitës shpërthyen në akuza ndaj ministrës Gërvalla, se “na bëri përrallë, po i nxjerrë të palarat e shtëpisë, po akuzon Kosovën!” Edhe sot vazhdojnë ta akuzojnë për sinqeritetin e saj unik, madje për të gjitha çështjet, përfshirë edhe për emërtimin e krimit dhe të kriminelëve, ndërkohë që PAN-istët vazhdojnë t`i hymnizojnë, për luftën e pabërë!

Deklaroj me bindjen e plotë dhe përgjegjësinë penale dhe morale, se Kosova as sot e kësaj dite, as për së afërmi, nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret bazë, për liberalizimin e vizave, për datën 1 janar 2024. Të gjithë ata që mendojnë dhe pohojnë të kundërtën, gënjejnë vetën dhe opinionin shqiptar e botëror. Kosova penalizohet për dy veprimtaritë me rrezikshmëri për shtetin dhe më gjerë: korrupsionin dhe krimin e organizuar, me theks të veçantë krimin vrastar politik.

Me korrupsionin industrial prijnë pushtetarët e lartë. Është denoncuar makro-hajnia zyrtare, madje me emër dhe mbiemër, por askush prej tyre nuk është prangosur, nuk është gjykuar dhe as dënuar. Janë shumë qindra vrasje politike, kryesisht, kundërshtarë politikë. Disa janë hetuar dhe penalizuar për krime serike faktike. Disa kanë paguar lirinë, ndoca të tjerë janë dënuar simbolikisht dhe shokët e tyre, kryekriminelë pushtetarë, i kanë liruar ende pa bërë as gjysmën e dënimit!

Rrjedhimisht, liberalizimi i vizave për Kosovën është mëshirë dhe karrem, për dialogun në vazhdim. Megjithatë, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës është pozitive. Qytetarët e Kosovës kanë lëvizur pa viza në Evropë dhe në një pjesë të botës, 55 vjetë më parë. Stopimi kësaj lëvizjeje ka ndodhur në vitet `90-a.

LVV e suksesshme kundër kontrabandës dhe të hajnisë zyrtare

Vazhdim i suksesit qeveritar, tashmë, i pranuar, edhe gjatë vitit 2023, ka qenë ndërprerja e kontrabandës, korrupsionit, hajnisë zyrtare. Ishte një premtim elektoral, i LVV dhe e realizoi. Mbizotëron bindja se pushtetarët aktual nuk abuzojnë me paranë publike dhe nuk i lejojnë as vartësit e tyre të abuzojnë, siç kanë abuzuar qeveritë mujëshore e hajnore PAN-iste, repektivisht, të komandantëve pa ushtarë, por me banda të fuqishme. Në tre vitet e qeverisjes të LVV, arka e shtetit është begatuar nga viti në vit.

Rasti i ambasadorit Martin Berisha, është një shpifje e radhës e opozitës. Bizneset e tij, pasuria e tij, nuk ka të bëjë fare me Kosovën. Nëse do të kishte paligjshmëri, në veprimtarinë e tij, shtetet tjera nuk do ta kursenin. Profesor Berisha është një personalitet i shquar, i cili ka kontribut të dëshmuar për Kosovën. Është ambasador meritor dhe vlerë e shtuar në diplomacinë e re të Kosovës, sepse ai menaxhon shkëlqyeshëm marrëdhëniet Kosovë-Kroaci dhe kjo është mjaft domëthënëse. Vetëm trutharët nuk e kuptojnë këtë.

Vazhdon të bëhet shumë zhurmë, për pagën e një këshilltari special, artistit Gani Jakupi, të Ministrisë së Jashtme! Jo gjithçka mund të publikohet për opinionin. Ndoshta është shërbim ekipor dhe kjo shumë do të ishte simbolike? Një gjë mund të garantoj, se ata që e kanë bërë “pazarin” në fjalë, janë larg më të mençur, më kursimtarë dhe më atdhetarë, se sa thashethamexhinjtë e opozitës. Madje, ju siguroj se këshilltari i lakuar, nuk paguhet për ndarjen e Kosovës, siç ka bërë opozita PAN-iste, kur ishte në pushtet!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.