Shëtitje në tokën ku ndershmëria është zakon

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Arif Ejupi Në skajin lindor të kantonit të Gjenevës ndodhet Meinier, një komunë zvicerane që ruan me përkushtim identitetin e vet historik dhe kulturor.

Kjo komunë përfshin gjashtë fshatra e lagje të vogla, ndërsa toka bujqësore mbulon gati 80 për qind të territorit të saj.
Me vetëm rreth 2.000 banorë, Meinier ruan shpirtin e një fshati të lashtë, me kishën e tij historike dhe pemën më të vjetër hibride të arrës në Zvicër.

Në këtë zonë kam kaluar shumë kohë. I nxitur nga bukuritë e natyrës dhe nga dëshira që gjithë asaj bukurie, fryt i punës së njeriut dhe i natyrës, të mos i mbetem borxh, vendosa t’i hedh në letër përjetimet e mia.
Fushat e blerta dhe shtigjet që çojnë drejt kopshteve, me pamjen e tyre mahnitëse, të çlodhin dhe ta ushqejnë shpirtin.
Bri rrugës që çon në kopshte e ara qëndron bungu i lashtë, si një rojtar i rregullt dhe i disiplinuar.

Pulat çukisin të lira në ara, duke ngrënë karkaleca, brumbuj, krimba, fara dhe gjethe të njoma.
Qengjat kullosin të qetë dhe blegërojnë hareshëm.
Ndërsa lopët kullosin, por nuk kapërcejnë asnjë pëllëmbë të tokës që ua ka caktuar pronari.
Arat janë të mbjella me grurë, elb, tërshërë, misër, kolzë, panxharsheqeri, luledielli dhe bizele.

Në kopshte shihen domate, patate, spinaq, lakër, kungulleshka e speca, të kultivuara me përkushtim dhe dashuri nga kopshtarët e vyer të Meinierit.
Përtej kopshteve shtrihen plantacione me qershi, mollë, dardha e arra, si dhe hektarë të tërë me vreshta që e zbukurojnë mjedisin.
Nëpër kanale lahen patat, kurse lejlekët fluturojnë lehtë mbi fusha.

Lepujt, shpejt e shpejt, shkëpusin ndonjë gjethe karote dhe marrin arratinë drejt shtrofullave të tyre.
Bletët mbledhin nektarin dhe kthehen në kosheret e tyre. Lule shumëngjyrëshe ngjiten deri në çatitë e shtëpive, duke i bërë ato edhe më tërheqëse.

Pasi bën një copë udhë, sheh stiva me duaj kashte dhe sanë, të rezervuara për bagëtitë gjatë dimrit.
Në lindje të Meinierit gjenden tri-katër ferma me kuaj të racave më të mira. Ata nuk janë thjesht kafshë: ecin prajshëm dhe nuk hingëllijnë, sikur të mos duan t’ua prishin vizitorëve qetësinë.

Ndërkaq, në një bregore të Meinierit, në perëndim, ndodhet edhe një dyqan që nuk ka shitës, por që i besohet ndërgjegjes së njerëzve.
Ti hyn vetë dhe merr çfarë të duhet nga pemët, perimet, djathërat, drithërat dhe mielli i këtij vendi, ndërsa paratë i lë në një kuti të hapur, pa asnjë mbikëqyrje.

Me këtë rast kupton se këtu gjithçka i lihet ndërgjegjes. Meinieri nuk jep vetëm ushqim. Jep besim, dinjitet dhe shpresë.
Çezmat me ujë të pijshëm freskojnë çdo kalimtar. Fushat shkëlqejnë nga gjelbërimi dhe bukuria.
Livadhet janë përplot me dele, dhi e keca.

Sa herë e vizitoj këtë pjesë me bukuri përrallore, ndiej sikur këtu gjithçka është në harmoni me natyrën dhe me njeriun.

ARIF EJUPI

P.S. Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim apo përdorim i paautorizuar i këtij materiali, në çfarëdo forme ose me çfarëdo mjeti, ndalohet rreptësisht dhe përbën shkelje të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Afërta (URG/LDA).
Shkelësit e këtyre të drejtave mund të përballen me masa të rënda ligjore, përfshirë ndjekjen penale dhe detyrimin për dëmshpërblim financiar.

Artikulli përpara

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit